![](https://gazetadielli.com/wp-content/uploads/2022/01/30966067_1637449836304641_1194884787_o-1024x683.jpg)
Nga ANTONIO ARMELLINI – “Corriere della Sera”, 26 dhjetor 2021 Përktheu: Eugjen Merlika
Evropa din t’I kthejë krizat në raste rritjeje, thonte Jean Monnet. E drejtë; por shumë kriza mund t’I bëjnë shumë keq BE. Ngatërresa rreth Irlandës së Veriut do të mbarojë shpejt a vonë, për të gjetur ndonjë rrugëdalje e për të shmangur kthimin e luftës civile në rajon. Polonia e Hungaria i japin shumë rëndësi mbështetjes ekonomike të Brukselit, për të tërhequr përtej cakut litarin në lëmin e Shtetit të së drejtës dhe lirive themelore. Hipokrizia e përgjithëshme mbi tragjedinë e të mërguarve do të sjellë në një lehtësim, që do të japë pak frymëmarrje edhe pa ndryshuar bazën e gjëndjes. “Lufta e peshkut” ndërmjet Londrës dhe Parisit nuk do të vazhdojë deri në pafundësi. Të gjitha këto paraqesin shënja dobësie të Bashkësisë që, në mungesë të një synimi politik të bashkëndarë, rrezikon të coptohet rrezikshmërisht.
Për të Gjashtët e Evropës së Monnet synimi ishte: ai i një tregu të përbashkët që do t’i jepte jetë një bashkimi mbikombëtar, me Komisionin si një embrion i parë i një qeverie federale. Ai formalisht ka mbetur në këmbë, por nga zgjerimi në zgjerim është ngarkuar me dykuptimësi e rezerva që kanë dobësuar natyrën dhe themelet. Zotimi drejt një “bashkimi gjithënjë e më të shtrënguar”, i ritheksuar në Lisbonë, ka pasur për Vëndet antare kuptime të ndryshme e pjesërisht të papajtueshme, ndërmjet atyre që vazhdojnë të shohin në bashkimin politik e të tjerëve që shohin një mjet racionalizimi të tregut, me një minimum spitullimesh institucionale. Funksionimi i BE për pasojë është zhvilluar dhe ndërmjetësimi ndërqeveritar në këshillin evropian ka fituar hapësirë kundrejt rolit shtyrës të Komisionit, të lidhur shpesh në një rol vartësie.
Ka një BE që vazhdon të dojë të jetë federal, i Vëndeve themeluese pak a shumë. Dhe ka një BE të kombeve, dje e Margaret Thatcher e sot e danezëve, skandinavëve e së fundi i Vëndeve të Vishegradit, të cilët për lëshime të sovranitetit nuk duan të dëgjojnë të flitet, e mbasi kanë hequr nga shpina ish perandorinë sovjetike, kërkojnë të rifitojnë kryesisht njimendësinë e tyre kombëtare e të sigurohen nga përhapja ruse. E gjithë kjo ndërsa rritet thirrja e “shpirtit të Ventotenes” nga ana e shumëve që, me gjasë, Shpalljen e Altiero Spinellit dhe Eugjen Colornit nuk e kanë rilexuar, (po t’a bënin ndoshta do të ndërronin mendim).
Evropa federale dhe Evropa e kombeve janë mënyra të të qënit të të njëjtit BE, të themeluar mbi parimet e Shtetit të së drejtës, të lirisë së individit, të demokracisë përfaqësuese, të ekonomisë së tregut e të solidaritetit shoqëror, që përcaktojnë thelbin e idesë s’Evropës. Respektimi i rregullave është kusht i nevojshëm i pjesëmarrjes për të gjithë, por në brëndësi të këtij rrethimi të përbashkët qytetërimi ka jo vetëm shpejtësi dhe rrugë të ndryshme, por edhe synime të ndryshëm e të pavarur mes tyre. Të kërkohet mbledhja e tyre në një formular të vetëm do të thotë mos të bëhet llogari me realitetin.
Duhet të merremi vesh. Duke paraqitur programin e gjashtëmujorit francez të kryesisë evropiane, Makroni ka skicuar një tabllo të një BE fuqimisht të integruar, politikisht të lidhur dhe t’aftë për të luajtur një rol botëror. Për t’arritur është i nevojshëm një hop cilësor në kah mbikombëtar në plotësimin e bashkimit monetar me “çastin hamiltonian” të këmbës së saj ekonomike (por dikush kujton se krijimi i një bilanci federal me Hamilton qe pasoja e jo parakushti i bashkimit politik të Shteteve amerikane), me shtysën e një politike të emigracionit e të sigurisë, të një mbrojtjeje evropiane e të një politike të jashtëme të përbashkët.
Por fakti është se për një zotim të tillë, të përbashkët për të gjithë Njëzeteshtatët, nuk shihen gjurmët e duhet kuptuar si duhet bërë për të lejuar atë që është i gatshëm të shkojë përpara më vete, në një kuadër të hapur për të gjithë, por pa pësuar kushtëzime nga ata që vendosin të qëndrojnë jashtë. Përmasa ndërqeveritare e BE është një vlerë e rëndësishme e duhet të vazhdojë të fuqizohet tek të Njëzeteshtatët në të gjithë sektorët ku hapen hapësira. Duke filluar nga mbrojtja e rrethimit të qytetërimit për të cilin u fol më sipër, duke kundërshtuar e aty ku është e mundur për të qepur grisjet: edhe në Poloninë e Dudas e në Hungarinë e Orbanit votohet lirisht dhe, për të ndryshuar, është e domosdoshme të vazhdohet të bëhet. Nuk bëhet fjalë për të përfytyruar hierarki, sektorë të shtangët apo ndarje të padepërtueshme; BE duhet të rrisë efektshmërinë e tij duke u ndarë në brëndësinë e tij në shumë Evropa, t’arsyeshme, autonome dhe bashkëpunuese mes njëra tjetrës, duke mos patur frikë të përballohet me pandryshueshmërinë e Traktateve, gjë që BE e ka bërë sa herë ka qënë e nevojshme.
Sfida është vendimtare. Nëse do t’arrijë të eci drejt një bashkimi të vërtetë politik – duke u nisur nga ata që hap mbas hapi dëshërojnë të bëjnë pjesë – BE ka të drejtë të kërkojë një vënd të rradhës së parë në skenën ndërkombëtare. Nëse nuk do t’arrijë, nuk do të zhduket e do të mbetet një bllok politikisht dhe ekonomikisht ndikues. Por në vënd që të jetë një protagonist i barazpeshave gjeopolitike që po përvijohen, duhet t’i nënështrohet rolit të një spektatori.
“Corriere della Sera”, 26 dhjetor 2021 Përktheu Eugjen Merlika