Inesa Sulaj
Andi Tepelena/
Para se të kthehej në muzeun e Mjedës, vend që reflekton dhe ruan trashëgiminë mbi jetën, veprën dhe praktikën e poetit të shquar shqiptar Ndre Mjeda, Kukëli ishte banesa e tij e kahhershme. Kukëli për Mjedën ishte vendi i frymëzimit të përditshëm, vend nga ku kanë buruar vepra të jashtëzakonshme në letërsinë shqiptare, e si hapësirë është e lidhur fort me identitetin tonë kombëtar.
Kjo hapësirë muzeale, ka përbri një ndërtesë e cila ka nevojë për ndihmën tonë të menjëhershme për t’ia kthyer vendasve për art, kulturë dhe ekonomi të qëndrueshme. Kukëli mban me krenari traditat tona e tanimë kemi mundësinë që të gjithë të krijojmë një mjedis që artizanët vendas ta kenë një shtëpizë për të paraqitur punimet e tyre dhe për të krijuar një mundësi për shkëmbim të frytshëm.
Në thelb, kjo ndërtesë që gjendet pranë kompleksit muzeal Mjeda, ka nevojë për restaurim të çatisë në mënyrë që të mos thellohet rrënimi i saj. Bashkë me renovimin e çatisë vjen edhe një plan i rehabilitimit të ndërtesës që ruan të gjitha aspektet dhe karakteristikat arkitekturore të saj, e mbi të gjitha e bën hapësirën e jetueshme për vendasit që duan ta përdorin e që kanë kontribuar gjithë jetën e tyre në Kukël. Qëllimi ynë përfundimtar është të transformojmë kompleksin muzeal Ndre Mjeda në një park kulturor dhe letrar, një hapësirë ku studiues, shkrimtarë, poetë dhe artistë nga Shqipëria dhe e gjithë bota mund të mblidhen për seminare, konferenca dhe festivale kushtuar letërsisë, poezisë, dhe ruajtjen e trashëgimisë kulturore shqiptare.
Ndaj para nesh paraqitet një rast unik, ku secili prej nesh mund të kontribuojë në një rijetëzim e një vendi që u jep dëshirë vendasve të paraqesin punët e tyre ashtu sikurse e meritojnë, duke u dhënë jo vetëm shpresë, por edhe stabilitetet se ajo çfarë ata kanë dhënë për Kukëlin do t’u kthehet në vlerësim e mbështetje.
Ndihma e secilit prej nesh do të ishte mëse e vyer.
Për të dhuruar për këtë nismë si dhe për të mësuar më me detaje mbi qëllimet, planet si dhe për prapavijën historike të ndërtesës dhe Kukëlit mund të klikoni në këtë vegëz:
https://whydonate.com/en/fundraising/preserve-mjedas-legacy-strengthening-community-through-culture-and-craft