“Një copë nga Muri i Berlinit si memorial lirie për Tiranën”. Me këtë titull gazeta “Berlin online” njofton përurimin e tij sot në kryeqytet. “Mbetjet e Murit të Berlinit janë bërë një simbol botëror i ndarjes së botës gjatë Luftës së Ftohtë”, është shprehur drejtoresha e Fondacionit Federal për Trajtimin e Diktaturës, Anna Kaminsky, në këtë artikull. Memoriali për izolimin komunist “Post Bllok” është tashmë gati. Pranë bunkerit që ndodhet në hyrjen kryesore të Bllokut janë vendosur dhe shtylla betoni nga galeritë e minierave të kampit famëkeq të Spaçit. Copa e murit me peshë 2.6 tonë, dhuratë e Berlinit për qytetarët e Shqipërisë, e cila u soll në Tiranë me iniciativën e Fondacionit Federal për Trajtimin e Diktaturës së SED, janë tashmë pjesë e “Post Bllokut”. Me segmentin e murit të vendosur në Tiranë, Shqipëria merr një pjesë të Murit të Berlinit, si një simbol të lirisë. Dokumentimi “Muri i Berlinit në Botë” i Fondacionit Federal për Trajtimin e Diktaturës, regjistron më shumë se 120 segmente të murit, të cilat janë ekspozuar në të gjitha kontinentet e banuara. Në përurim do të marrë pjesë Kryeministri Sali Berisha, ambasadorja e Republikës Federale të Gjermanisë në Tiranë Carola Muller-Holtkemper, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha etj. (Ndodhet pranë këndit, bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, rruga “Ismail Qemali”). Me këtë pjesë nga Muri i Berlinit, Shqipëri është një tjetër shtet që i shtohet listës së vendeve që e kanë përdorur si simbol të lirisë. Në dokumentarin “Muri i Berlinit në Botë”, Fondacioni Federal për Trajtimin e Diktaturës së SED ka regjistruar më shumë se 120 segmente muri, të cilat janë vendosur anë e mbanë botës.
Memoriali
Një bunker, një pjesë e Murit të Berlinit dhe shtyllat e Spaçit janë vendosur në hyrje të ish-Bllokut. Ato i takojnë një memoriali të veçantë të persekutimit komunist që po zë vend në të hyrë të “zonës së ndaluar” nën komunizëm. Ideatorë e realizues të këtij projekti janë Fatos Lubonja e Ardian Isufi. Ata kanë bashkuar në një instalacion tri objekte të ngarkuara me simbolika lokale dhe universale. Projekti është iniciuar nga Bashkia e Tiranës dhe karakteristikë e veçantë e këtij kompleksi është se të tria objektet janë autentike dhe vijnë në formë “artefakt”, çka do të thotë që bartin në vetë trupin e tyre gjurmët e asaj kohe. Muri i Berlinit, i njohur në të gjithë botën, është i mbushur me histori, që na kujtojnë ndarjen e botës komuniste nga pjesa tjetër e botës, Luftën e Ftohtë, izolimin si mjet sundimi, mungesën e komunikimit, tentativat për ta kaluar atë në kërkim të lirisë, vrasjet rrëzë tij, shembjen më në fund të tij. Ndërsa bunkeri vjen me një simbolikë veçanërisht shqiptare, që evokon izolimin e Shqipërisë, paranojat e diktaturës, mundin e njerëzve për t’i ndërtuar ato nëpër të gjithë territorin e Shqipërisë, si fragmente të një piramide gjigante absurde. Objekti i tretë është një organizim shtyllash betoni, i një fragmenti galerie miniere si ato ku kanë punuar ish-të burgosurit. Këto shtylla synojnë të evokojnë mundimin e gulakëve komunistë, punën e papaguar prej skllavi, por edhe skllavërimin e pjesës më të madhe të popullsisë në burgun e madh, pasi pamje të tilla rrënojash të asaj kohe janë pjesë e peizazhit shqiptar anekënd. Vizitori i memorialit ftohet jo vetëm ta vështrojë nga jashtë – rruga apo trotuari – instalacionin, por edhe të futet brenda tij, të ecë nëpër rruginat që lidhin tri objektet.(Panorama)