
Flamur Vezaj
(Mashqip.com)/
VATRA në Boston, së bashku me biznesmenin e njohur shqiptaro-amerikan Leo Keka, shtruan një darkë falënderimi në nder të mikut të madh të çështjes shqiptare, ish-kongresmenit Joseph DioGuardi dhe bashkëshortes së tij, veprimtares së palodhur Shirley DioGuardi.
Në ambientet mikpritëse të restorantit “Leo’s Event” në Braintree, u mblodh një pjesë e rëndësishme e komunitetit: vatranë, biznesmenë, studentë dhe aktivistë që ndër vite kanë dhënë kontribut për çështjen kombëtare. Të gjithë së bashku për të nderuar një figurë që ka qenë zëri i shqiptarëve në Washington dhe një patriot i madh i lirisë së Kosovës.
Në fjalën e tij përshëndetëse, Joseph DioGuardi ndau kujtime të rralla nga koha e tij në Kongres, duke folur me emocion për përpjekjet e pandërprera për ta çuar çështjen shqiptare në zemër të politikës amerikane. Ai përmendi bashkëpunimin me kongresmenë dhe senatorë të rëndësishëm që mbështetën shqiptarët, duke veçuar rolin e figurave kyçe në procesin që çoi në pavarësinë e Kosovës. Me ndjenjë të thellë kujtoi edhe përballjet e vështira me lobin pro-serb në Kongres dhe dëshmitë e tij historike në mbrojtje të së drejtës së shqiptarëve për liri.
DioGuardi theksoi kontributin e tij dhe të Shirleyt që nga vitet ’80, periudhën e rezistencës paqësore, vitet e luftës 1998-1999 dhe deri te shpallja e pavarësisë së Kosovës, duke pranuar se nuk ishte e lehtë të bindeshin kongresmenët amerikanë për drejtësinë e luftës së UÇK-së – ashtu si dikur vetë amerikanët luftuan për lirinë e tyre.
Me një zë të fuqishëm dhe plot ndjenjë, foli edhe Shirley DioGuardi, e cila kujtoi protestat, sakrificat dhe periudhat e vështira të Kosovës. Ajo u shpreh se pavarësisht sfidave dhe problemeve të pasluftës, rruga drejt forcimit të shtetit të Kosovës është e pandalshme dhe kërkon angazhimin e të gjithëve.
Mbrëmja u shoqërua me pyetje nga të pranishmit, të cilave çifti DioGuardi iu përgjigj me përkushtim dhe sinqeritet, duke shprehur mirënjohje të veçantë për VATRËN dega Boston, Shoqatën e Studentëve Shqiptarë të Harvardit dhe biznesmenin Leo Keka për mikpritjen e ngrohtë dhe vëllazërore.
Gjatë darkës përshëndeti edhe anëtari i bordit të Ligës Qytetare Shqiptaro-Amerikane, Faton Bislimi, i cili vlerësoi punën e organizatorëve dhe theksoi se aktiviteti patriotik i Joseph dhe Shirley DioGuardi vazhdon edhe sot për Shqipërinë, Kosovën, shqiptarët në Mal të Zi dhe në Maqedoninë e Veriut. Ai përmendi edhe dëgjesën e fundit në Kongres për çështjen e Preshevës, si një dëshmi e angazhimit të pandërprerë.
Të pranishëm në këtë mbrëmje ishin edhe drejtuesit e organizatës MaasBesa, Shoqatës “Laberia” dhe Shoqatës së Studentëve Shqiptarë të Harvardit, të cilët vlerësuan këtë aktivitet si një moment bashkimi dhe krenarie për komunitetin.
Në emër të VATRËS dega Boston, kryetari Mentor Maksutaj falënderoi të gjithë pjesëmarrësit dhe në mënyrë të veçantë biznesmenin Leo Keka për bujarinë, mikpritjen dhe për darkën e shtruar në qendrën e tij “Leo’s Event” në Braintree.
Kjo mbrëmje nuk ishte thjesht një darkë, ishte një moment mirënjohjeje, kujtese dhe krenarie kombëtare, ku u bashkuan breza, kontribute dhe zemra shqiptare për të nderuar dy nga miqtë më të mëdhenj të kombit tonë.