(Mbresa nga leximi i librit “Grabiani rrëzë kodrave” i Lek Tasit)
Nga Eugjen Merlika
Kur e mbaron së lexuari librin me kujtime të Lekë Tasit të krijohet përshtypja se je kthyer mbrapa në kohë e në hapësirë, në mjedise e ngjarje të jetuara apo të dëgjuara, në një botë sa të vogël e të mjerë në ndodhi e veprime, po aq të madhe e fisnike në përsiatjet, ndërpretimet e spjegimet e autorit mbi to.
Libri është i shkruar në formë ditari e ky është një nga meritat e shkrimtarit që ka patur guximin, në kohë plot rreziqe në mjedisin ku jetonte, të hidhte në letër përshtypjet e jetës së përditëshme. Sot ato shënime, të cilat në kohën kur janë mbajtur nuk kishin asnjë shpresë për të parë dritën e botimit, të plotësuara e të përpunuara, i apin lexuesit shqiptar një vepër të fuqishme, në gjininë e saj. Është një vepër që pasqyron me një vërtetësi tronditëse realitetin e një Vendi, në të cilin diktatura komuniste u sendërtua në forma skajore, përsa i përket mënyrave e mjeteve të ushtrimit të saj.
“Grabiani rrëzë kodrave” është një libër që tërheq lexuesin. Larmia e personazheve, më së shumti episodikë, por të gjithë realë, e temave, e dukurive, e mjediseve, e analizave e bëjnë veprën një farë soj enciklopedie në miniaturë të jetës shqiptare të 15 viteve të fundit të sistemit, por në sajë të retrospektivave apo kapërcimeve t’autorit, na jep kuadrin e plotë edhe të viteve të mëparëshme. Vepra ka si bosht qëndror jetën e autorit dhe të familjes së tij, bashkë me të cilën zbulohen dhe ato t’atyre që e rrethojnë, bashkëvuajtësve, personave me detyra partiake e shtetërore, të levave të tyre, të njerëzve të thjeshtë që marredhëniet e jetës së përditëshme i kthejnë në pjesë plotësuese të të qënurit të tij.
Lekë Tasi është një artist. Si i tillë ai mjedisin e përcepton në gjithë shtrirjen e tij dhe e pasqyron deri në cikërrima, me gjithë pasurinë e ngjyrave e tingujve. Shkrimtari është tepër realist. Pena e tij është si një telekamera që filmon pa pushim, në vazhdimësi, por që herë pas here e ndërpret filmimin për t’i lënë vëndin zërit të folësit, që spjegon, ndërpreton, filozofon në vetminë e mendimit të tij. Tipari kryesor i mënyrës së të shkruarit të tij është vërtetësia. I nënëshkruari ka jetuar me vite në Grabianin rrëzë kodrave, në të njëjtat kushte, e mund të sigurojë se gjithshka përshkruhet në libër, episodet e personazhet janë marrë nga jeta reale e trapiantuar në kujtimet e tij ashtu siç ishin, pa vënë në punë fantazinë për të ndryshuar sado pak cilësitë, tiparet apo veprimet.
Grabiani ishte njëri nga tetë qëndrat e internimit në Myzeqenë, e zgjedhur nga udhëheqia si vëndi më i përshtatëshëm për grumbullimin masiv të njerëzve të padëshiruar nga regjimi mbas prishjes së kampit famëkeq të Tepelenës. Ishin kryesisht sektorë ferme, ku këtyre njerëzve u sigurohej puna e vazhdueshme në bujqësi. Ata ishin edhe vënde izolimi për “armiqtë e klasës”, të cilët, duke qënë në pakicë si frymë në raport me popullsinë, ishin kthyer në specie të rralla të një kopshti zoologjik ku, popullsia vëndase apo e ardhur vullnetarisht, çdo ditë stërvitej për të bërë “gjuetinë e shtrigave”, duke i treguar partisë se sa e aftë ishte për t’ë vënë në zbatim “mësimet e saj të ndritura” mbi luftën e klasave. Episodet e arrestimeve, të “demaskimeve”, të diferencimeve, që nga fëmijët në shkolla, tek puntorët në fushë, tek të sëmurët që edhe duke vdekur duhej të paraqiteshin tek polici i rradhës, tek të tjerë që për muaj e vite u ndalohej vajtja në qytet edhe për arsye shëndetësore, ishin pjesë përbërëse e një strategjie të hartuar në majat e Shtetit e të zbatuara nga njerëz besnikë, shpirtkazmë e të vegjël, që gjenin në të fushën magjike të shpalosjes së “aftësive” krijuese në përsosjen e luftës.
Lekë Tasi është një shqiptar atdhetar. E gjithë trysnia kriminale, që u ushtrua mbi të në vite të gjata, nuk arriti t’a thyejë mburojën atdhetare të shpirtit të tij.Në atë botë të vogël, në të cilën çdo ditë i u desh të luftojë për mbijetesë, ku u urrye, u përbuz,u gjuajt me gurë, u provokua, u dënua, u penalizua në të gjitha mënyrat nga mjaft bashkatdhetarë të tij, pa i bërë keq asnjë mize, ai ruajti fisnikërinë e shpirtit dhe kthjelltësinë e gjykimit. Ai nuk i fut të gjithë në një thes, di të dallojë ndryshimet mes personave të fushës kundërshtare, të pasqyrojë nuancat e veprimeve e të sjelljeve karshi tij dhe shokëve e shoqeve të fatkeqësive. Për disa prej tyre ndien respekt e konsideratë, duke e shprehur atë. Në këtë dukuri ai, në një farë mënyre, sheh dështimin e sistemit që nuk arriti t’i bëjë të gjithë shqiptarët kriminelë, por sheh edhe fuqinë e qëndresës së racës, që u vu para një prove tepër të vështirë. Është një meritë e madhe t’a duash Atdheun edhe në kushtet që përshkruan shkrimtari në veprën e tij, kur ai bëhet më keq se njerkë, kur e ndjen veten të huaj në tokën tënde. Kapitulli mbi Përmetin, qytetin e origjinës, me kujtimet fëminore e rinore, me historinë e traditën e tij, me lirizmin e përshkrimeve, është një nga pjesët më të bukura e më të frymëzuara.
Qëndresa! Është kjo një nga motivet përshkuese të veprës, qëndresa ndaj së keqes të ngritur në sistem me mobilizimin e gjithanshëm të individit që gjen forcat në vetvete, në moralin e trashëguar, në traditën pozitive të familjes, në besimin tek Zoti. Simbol i qëndresës është motra, Tefta, një grua me të vërtetë e rrallë, përsa i përket forcës së karakterit, largpamësisë e aftësisë për të depërtuar në esencën e ngjarjeve, për të parë dritën në fund të tunelit, dhe atëherë kur ishte errësirë e plotë. Verbali i hetuesisë së saj është manual i disidencës së vërtetë, parimore e pa dredha, pasqyrë e një guximi të jashtzakonshëm, dëshmi vlerash që koha do të dijë t’i ngrerë në piedistal. Ajo i përket asaj aradhe shqiptarësh që nuk u thyen n’asnjë situatë, në të cilën ai fut edhe një djalosh të fismë, Ded Gjomarkaj, i thinjur në birucat e Sigurimit që në moshën 25 vjeçe. Në të rrjeshton edhe herojtë e Spaçit, Xhelal Koprenckën, Vangjel Lezhën, Fadil Kokomanin , të cilët nga burgu i dërguan letra diktatorit, duke paditur dëmin e madh që po i sllte Atdheut ai dhe sistemi i ngritur prej tij, e këtë e paguan me kokë. Pranë tyre, më pak në dukje, ishin qindra të tjerë që pranonin të shkonin në burgje për të mos u bërë varrmihës të shokëve të tyre.
Kjo disidencë e vërtetë, e paguar me jetë të humbura apo të gjymtuara, fatkeqësisht edhe mbas rënies së sistemit nuk gjeti nderimin që meritoi. U kultivua ideja se antikomunizmi lulëzoi në gjysmën e dytë të 1990-ës, kur në ndonjë takim intelektualësh u kërkua ndonjë ndryshim i pilotuar, apo se qe pjellë e lëvizjes së studentëve. Duke lënë në vëndin e tyre të merituar studentët dhe drejtuesit e tyre të vërtetë, indiferentizmi me vepra ndaj antikomunizmit jo pasiv tregon se shoqëria jonë dhe klasa e saj politike e kanë shumë të vështirë të presin kordonin ombelikal, që i mban të lidhur me mendësinë dhe traditën e komunizmit. Kjo përligj edhe faktin që punonjës të organeve të dhunës së regjimit, të cilët kanë kryer krime të llahtarëshme ndaj qytetarëve të pafajshëm “n’emër të ligjit”, sot jo vetëm nuk kanë kërkuar falje, por, në ndonjë rast, e shohin veten edhe të dekoruar e pothuajse të gjithë mbajnë poste të rëndësishme n’administratën shtetërore.
Autori me dhimbje tregon fatin e familjes Çeliku, i njohur edhe nga shkrime të tjera para këtij libri: Mehdiu i arrestuar me akuza absurde, të ngritura mbi hamëndje fantastike të njerëzve të Sigurimit, vdes në hetuesi; e shoqja, Adelina, nënë e gjashtë fëmijëve, detyrohet, nëpërmjet metodave djallëzore të hetuesisë të firmosë një padi të rreme kundër burrit, kur kupton të vërtetën i jep fund jetës, vajza e mrekullueshme që braktiset nga i fejuari e nga njerzit e afërm, fëmijët qe rriten jetimë në një mjedis amiqësor. Një nga familjet e shumta shqiptare të shfarosura, një histori e njohur si ajo e poetëve të Vërshestës apo e poetit nga Kukësi, fakte të stërditura që duhet të kishin imponuar zbatimin e një ligji universal: atë të dënimit të krimit. Mbas 64 vitesh të mbarimit të luftës së dytë botërore e thyerjes së strategjisë shfarosëse naziste, autorët e atyre krimeve, edhe se mund të kenë kaluar 90 vitet, ndiqen, kapen e dënohen. Kriminelët tanë kanë “imunitet” të përjetshëm, nuk janë të panjohur, vazhdojnë të qetë karjerat e tyre, megjithë proçeset e rreme që kanë sajuar dhe jetët e shqiptarëve që kanë marrë!
Por autori do të gjejë edhe në botën e tyre të ngjyrës së gjakut, njerëz tek të cilët, sado me vonesë, ndërgjegja ngre krye mbi shpirtërat e nxira nga krimet dhe i dënon me vetëgjyqësi. Nuk është e zakonshmja, fatkeqësisht është përjashtimi, por autorit i pëlqen t’a verë në dukje, ndoshta për t’u kapur mbas ndonjë iluzioni tolstoian se pendimi do të jetë shpresa e s’ardhmes.
Libri është një analizë e drejtpeshuar e sistemit Shqipëri. Janë shumë interesante, konstruktive e novatore idetë e autorit për zhvillimet politike të kohës së luftës. Duke trajtuar figurën e babait, studjuesit e politikanit të njohur Koço Tasi, bën një ndërpretim objektiv e të paanshëm të motiveve e faktorëve politikë që sollën humbjen e nacionalizmit shqiptar. Me po të njëjtin stil ai analizon edhe regjimin në të cilin jeton, “një dhunë e gjithëmbarëshme”, “një fitore e armiqësisë si faktor social”, një Vend i dënuar me vetmi, një sistem që lindi për vullnetin e dy të huajve e që u trashëgua nga një maniak i pushtetit, që urrente gjithshka.
Ishin këto disa nga përshtypjet që ngjall dhe idetë që zgjon leximi i librit për të cilën fola, janë një pjesë e vogël e tyre sepse ai është një pus i pashterrshëm ku lexuesi gjen gjithshka, mbi të gjitha, përmasat e vërteta të një diktature të pashembullt në gjithë Evropën e dëmin e stërmadh që ajo i shkaktoi shpirtërave të shqiptarëve. Libri i Lekë Tasit është një dëshmi e fuqishme e së shkuarës sonë të afërt. Ai i shtohet shkrimeve të At Zef Pllumit, Makensen Bungos, Visar Zhitit, e të tjerëve shkrimtarë që përshkruan në veprat e tyre artistike përvojën e hidhur të të dënuarve politikë në Shqipërinë socialiste.. Me keqardhje më duhet të ve re se ndihmesa në letërsinë artistike n’atë drejtim është ende e pakët, gjë që e bën “Grabiani rrëzë kodrave” një ngjarje të shënuar për letërsinë e sotme shqipe. Duke përgëzuar Lekë Tasin për vlerat e veprës së tij uroj që pena e tij të vazhdojë së shkruari për dobinë e kulturës shqiptare.
Gusht 2009
Marrë nga vëllimi: “Përsiatje njerëzore, letrare, shoqërore, historike” OMSCA-1 Tiranë 2011