
Dr. Lulzim Nika/
Sot kujtojmë me krenari veprën e heroit të Kosovës. Bejtë Rexhepi në ditën e përjetësisë së emrit të tij në historinë tonë të lavdisë dhe krenarisë së Kosovës. Vështirë është të flitet për virtytet, trimërinë dhe meritat e luftëtarëve të palodhshëm të UÇK-së, e njëri nga ta ishte edhe heroi Bejtë Rexhepi. Bejtë Rexhepi i takon brezit të lirisë së Kosovës, kjo gjeneratë, mund të quhet lirisht gjeneratë e artë, trima që ndryshuan epokën historike, sepse guxuan t’ia thonë pa frikë pushtuesit se kishte përfunduar njëherë e përgjithmonë koha e pushtimit dhe shqiptarët kishin zgjedhur rrugën e vështirë, por të sigurtë të sakrificës për çlirimin e Kosovës. Ndihem më fat që pata rastin, që nga shkolla e mesme, t’i njoh nga afër gjeneratën që u bënë historia më e lavdishme dhe gurthemel i shtetit të Kosovës: Bedri Shalën, Rasim Kiçinën, Bejtë Rexhepin dhe Besim Malën e shumë të tjerë, që i dhanë vulën e sakrificës lirisë së së Kosovës.
Sot, emri i Bejtë Rexhepit është i shënuar në historinë e lavdishme dhe krenare të popullit shqiptar, ku falë sakrificës së Bejte Rexhepit dhe shumë dëshmorëve tjerë, gëzojmë Republikën e Kosovës. Pas luftimeve të rrepta gjatë ofensivës serbe të ndërmarrë gjatë marsit dhe prillit 1999, kundër pozicioneve të UÇK-së në gjithë rajonin e Drenicës, kohë kjo, kur UÇK-ja që po ballafaqohej jo vetëm me makinerinë serbe, por duhej që të përkujdesej edhe për popullatën civile, duke u munduar që t’i mbrojë përballë sulmeve të egra të ushtrisë e policies serbe.
Aksionet UÇK-së nga njësitet elitare të saj, filluan edhe jashtë territorit të Drenicës për t’i sulmuar forcat serbe, e në këto aksione nuk mungoi heroi Bejte Rexhepi, që forcave të pushtuesit t’u krijohet pasiguri në të gjithë territorin e Kosovës dhe të mos kenë përqendrimin vetëm në zonën e Drenicës. Falë ushtarëve të guximshëm të UÇK-së siç ishte Bejta, aksionet kundër forcave kriminale serbe nuk munguan, por u intensifikuan edhe më shumë gjatë marsit dhe prillit të vitit 1999. Falë aftësive të tij, njësiti i UÇK-së bëri shumë aksione të sukseshme kundër armikut,
Bejtë Rexhepi ra në altarin e lirisë, për të mos vdekur kurrë, gjatë aksionit dhe misionin që kishte, duke përjetësuar kështu betimin e ushtarit të UÇK-së se vetëm vdekja mund të ndalë luftën e tij dhe shumë shokëve të tij për lirinë e Kosovës.
Ëndrra, dëshira, guximi dhe përpjekja e idealistëve që besonin ne lirinë e Kosovës, dhe e të gjithë atyre që sakrifikuan jetën dhe derdhën gjakun e tyre për ta bërë Kosovën një vend të lirë, qëndrojnë në themelet e ndërtimit të shtetit Kosovës, të cilin kemi ende shumë punë për ta ndërtuar. 24 vite më pas, emrat e këtij brezi janë historia më e lavdishme, e shkruar me shkronja të arta në ndërtimin e lirisë së Kosovës.
Përulem përpara veprës e kujtimit të përjetshëm të heronjve e martirëve të Kosovës!
Lavdi heronjve të 14 Prillit: Bejtë Rexhepi, Hajzer Rexhepi, Fazli Qerkini, Agron Berisha, Mehdi Hoxha dhe Naim Tiku!