
Mbresa nga festimi i 15-vjetorit të pavarësisë së Kosovës në Boston
Nga Namik Selmani
Në vitet e qëndrimit tim në Boston përherë e kam pritur me entuziazëm festën e vëllezërve të mi kosovarë. Madje shumë herë kam qenë dhe pjesë e fjalimeve të festave. Jo vetëm festën e Pavarësisë së Kosovës kur nuk kam munguar asnjëherë, por dhe Festën e Pavarësisë së Shqipërisë ku marrin pjesë të gjithë shqiptarët pa dallim moshe e krahine.
Këtë radhë festa jubilare e 15-vjetorit të Pavarësisë së Kosovës u përkujtua me mjaft emocion dhe entuziazëm në Kishën e Shën Gjergjit ose, si e quajnë në Boston e në mbarë Amerikën “Kisha e Fan Nolit.”
Që kur hyje në sallonin e kishës të përshëndeste flamuri i Kosovës dhe torta festive me mbishkrimin “Gëzuar 15 vite! Për jetë!”
Në sfondin e tortës festive ishte vizatuar dhe flamuri i shtetit të Kosovës që sot ngrihet krenar në mjaft shtete të mbarë mbarë botës.
Ceremonia e festës së Kosovës u hap nga Atë Thefoani që solli mjaft kujtime nga ardhja e kosovarëve në Sent Ljuis kur ai shërbente aso kohë në Kishën shqiptare të atij qyteti.
E ai tregoi se edhe vete ai ishte bërë pjesa me humane e pritjes së atyre njerëzve të persekutuar nga pushtuesi serb
Emocioni i rrëfimit të tij bëri që disa herë ai të duartrokitej nga pjesëmarrësit e shumtë që mbushnin sallën e lutjeve.
Duke e dëgjuar atë, kujtoja vizitën e kryeministrit të Kosovës zoti Albin Kurti para pak muajsh në Boston pikërisht në këtë kishë.
Aso kohe të gjithë u bëmë dëshmitarë të një emocioni të papërshkruar kurrë më parë kur na u shfaq për herë të parë një flamur gjigand që ishte qëndisur nga një grua shqiptare në fillimin e shekullit të kaluar. Këtë ngjarje unë e paraqita në shkrimin tim të botuar në librin “Kur fjala bekon fjalën”- Mbresa nga Amerika” dhe e quajta “Marigoja e Bostonit”.
Pas fjalës së tij e mori fjalën Z. Faton Limani anetar i komunitetit shqiptar në Boston.
Ai ka 11 vite ketu dhe është përfshirë në jetën social kulturore të Bostonin duke hapur dhe një Shkollë për mësimin e gjuhës dhe kulturës shqiptare online për të gjithe shqiptarët kudo ndodhen në mërgatë.
Ndër të tjera ai tha: “Pavarësia e Kosovës ishte padyshim dhe rezultat i kontributit te brezave të tërë të diasporës shqiptare këtu ne Amerikë e ne vende të tjera të botës. Ashtu siç kontribuan ne themelimin e shtetit të Shqipërisë ne 1912, Noli, Konica, veprimtare dhe atdhetarë të tjerë, e gjithë mërgata shqiptare vazhdoi edhe më pas të kontribuojë për çështjet me rëndësi të kombit tonë në mënyra te ndryshme, duke filluar nga ato politike, ekonomike, ushtarake e te tjera.
Ai tregoi në fjalën e tij edhe sfidat që Kosova e mbarë shqiptaria vazhdojnë të përballen. Duke u ndalur në një nga sfidat konkrete, si modelet jokushtetuese, të cilat po tentohet t’i imponohen Kosovës. Këto modele do ta defunksionalizonin nga brenda dhe do të krijonin mekanizma për destabilizim që do të shfytëzoheshin nga hegjemonia serbo-ruse.”
Ndër të tjera ai i bëri thirrje mërgatës që të vazhdojnë të punojnë edhe më shumë për të drejtat e shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut, Mal të Zi, Luginë të Preshevës dhe në Çamëri.
Të gjithë pjesëmarrësit në këtë përkujtim festiv ishin të një mendjeje ashtu sic e permendi dhe Z. Limani që duhet të ndajmë kohën e duhur për të përcjellë tek brezat e rinj virtytet me fisnike të kombit tonë, gjuhën, kulturën dhe traditën. “Ne jemi komb i Skënderbeut dhe Shenjtores Nënë Terezë dhe kemi shumë për t’i dhënë jo vetëm kombit tonë, por edhe gjithë njerëzimit”.
Pas këtyre dy fjalimeve mjaft të përgatitura u bë ekzekutimi i Himnit të flamurit të SHBA, Kosovës dhe Himni Shqiptar.
Në koktejlin që ishte organizuar për këtë ditë, të gjithë uruan me zemër për mbarësinë e shtetit të Kosovës dhe për miqësine mes Kosovës, Shqipërisë dhe Amerikës. Të gjithë pjesëmarrësit sollën kujtime nga ditët e stuhishme të luftës dhe të emigracionit shqiptar nga Kosova në Amerikë.
Para rastin që të bëj njohjen me tre veprat e mia madhore kushtuar mërgatës së Kosovës në SHBA e konkretisht në Boston si libri “Kur fjala bekon fjalën-Mbresa nga Amerika” botuar në SHBA, “O ky malli për Gjakovën!” dhe antologjinë vetjake “Kosovë, bajrak i fjalës”.
Mes pjesëmarrësve më bëri përshtypje një çift studentësh. Të dy kishin ardhur për studime në Boston. Djaloshi ishte shqiptar që kishte lindur në Amerikë dhe familja e tij ishte me origjinë nga Korça. E fejuara e tij ishte një studente amerikane që kishte mësuar shqip mjaft mirë dhe dinte dhe të lexonte libra shqip.
Aktiviteti kaloi mjaft bukur me dëshirën që në mars të vijnë përsëri për t’u bërë pjesë e Muajit Nolian e për të promovuar ribotimin e kryeveprës e tij poetike ALBUM të botuar para pak kohësh nga Adriatik Press në kujdesin e Presidentit të Shoqatës së Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikanë dhe biri i krahinës së Preshevës Adnan Mehmeti
Boston,
Shkurt, 2023