

Nga Agim Aliçkaj/
Postimi i fundit i Kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, lidhur me Raportin BTI 2026 për Evropën Juglindore—ku kufiri midis Kosovës dhe Serbisë paraqitet me vijë të ndërprerë, duke e paraqitur Kosovën si pjesë të Serbisë—mund të konsiderohej si një gabim ose mungesë vigjilence, nëse do të ishte bërë nga dikush tjetër.
Por jo nga Edi Rama. Është e vështirë të besohet se gabime kaq të rënda do t’i shpëtonin atij kaq lehtë. Më bindëse është se, që kur la pikturën dhe iu përkushtua politikës, ai ka vepruar vazhdimisht kundër interesave të Kosovës, Shqipërisë dhe gjithë kombit shqiptar, në favor të racizmit dhe hegjemonizmit serb.
Me një përkushtim të jashtëzakonshëm, ai ka vepruar hapur dhe vazhdimisht për të mohuar gjenocidin serb ndaj shqiptarëve dhe për të rehabilituar kriminelin Vuçiç dhe klikën e tij fashiste. Përqafimet e tij me të kanë qenë të neveritshme.
Masakrat e panumërta serbe, për të, kanë qenë thjesht “rrëmujë”. Ai ka zbuluar një doktrinë të re sipas së cilës Serbia kriminale duhet së pari të falet për krimet e saj dhe vetëm më pas do të kërkojë falje. Ai ka ndikuar te zyrtarë të korruptuar në Kosovë për të dhënë amnisti për krime nga njëra anë, ndërsa nga ana tjetër ka kontribuar në krijimin e Gjykatës Speciale për të dënuar vetëm shqiptarët.
Ai ka qenë faktori kryesor në dërgimin e ish-Presidentit të Kosovës, z. Hashim Thaçi, në gjyq në Hagë. Tani ai bën deklarata boshe për lirimin e tij, duke mashtruar mbështetësit e Thaçit dhe duke shkaktuar përçarje në popullin e Kosovës.
Tokat shekullore dardane në veri të Kosovës, për të, janë toka që nuk i përkasin askujt. Edhe më të rrezikshme kanë qenë përpjekjet e tij, së bashku me Vuçiçin, Thaçin dhe Grenellin, për ndarjen e Kosovës si hap i parë drejt zhdukjes së saj si shtet. Më pas, me projektin famëkeq “Ballkani i Hapur”, ai do të bashkonte Shqipërinë me Serbinë, duke përmbushur ëndrrën e kahershme të Serbisë për dalje në det.
Artikulli i tij i përbashkët me kriminelin Vuçiç për hyrjen së bashku në Bashkimin Evropian—pa të drejtë vetoje për Serbinë dhe Shqipërinë—duke anashkaluar kushtin kryesor të njohjes së Kosovës, dhe paraqitja e Kosovës në hartë si pjesë e Serbisë, përfaqësojnë kulmin e veprimeve armiqësore të z. Rama.
Këto nuk janë gabime të paqëllimshme, por veprime të vetëdijshme, të planifikuara mirë, që synojnë dëmtimin e imazhit ndërkombëtar të Kosovës, ndarjen dhe shkatërrimin e shtetësisë së saj. Përditësimi i postimit pas kritikave të shumta nuk ka asnjë vlerë. Madje, nuk i shkon ndër mend të kërkojë falje për fyerjen ndaj popullit të Kosovës, sidomos ndaj viktimave të pushtuesit serb.
Veprimet në interes të Serbisë mbulohen nga Rama me deklarata boshe dhe pompoze pa asnjë efekt real në terren, si “Kosova është e pavarur” e thënë në Beograd, “Poshtë Gjykata e Hagës”, “Liri për Thaçin”, “Shqipëria është në krah të Kosovës në rast konflikti”, etj. Edhe pse gjithçka është e qartë, mbështetësit e tij në Shqipëri dhe disa nga opozita jokonstruktive në Kosovë zgjedhin të besojnë dhe të mashtrohen.
Arsyet e veprimeve të tij antishqiptare janë të shumta dhe kërkojnë analizë të thellë dhe të dokumentuar. Ato variojnë nga egocentrizmi i sëmurë, inferioriteti ndaj serbëve, dëshira për dukje, kojtja, deri te mundësia e kurtheve serbe me shantazh përmes mjeteve të ndryshme të ulëta.
Fatmirësisht, të gjitha përpjekjet e tij deri më tani për të shkatërruar Kosovën kanë dështuar me turp, falë Kryeministrit të palëkundur dhe vigjilent të Kosovës, z. Albin Kurti, së bashku me bashkëpunëtorët e tij si Glauk Konjufca dhe Donika Gërvalla, të mbështetur deri vonë nga Presidentja e Kosovës, znj. Vjosa Osmani.
Udhëheqësit e Kosovës nuk e kanë të lehtë në përballjen me Kryeministrin e shtetit amë, por duhet ta bëjnë këtë me shumë kujdes, përmes taktikës, politikës dhe diplomacisë së rafinuar—pa u përballur drejtpërdrejt me të, por duke u fokusuar vetëm në çështjet e dëmshme dhe të rrezikshme që ai përfaqëson.
Mbetet detyrë parësore e të gjithë intelektualëve të pavarur dhe figurave kombëtare që, me fakte dhe argumente, të demaskojnë Kryeministrin e keq dhe të dëmshëm për Shqipërinë dhe kombin shqiptar, Edi Rama.