Nga Xhemail Ali Peci/Londer/
Për më shumë se gjashtë dekada jemi mësuar të hapim dritaret e mëngjesit – gazetat, e të kërkojmë dhe t’i lexojmë e t’i shijojmë shkrimet e tij, t’i hapim gazetat dhe revistat, e duke i shfletuar edhe duke shpresuar, por edhe duke besuar se do të gjejmë firmën e shkrimeve të tij, në të cilat ai ka rrahur tema, ka shtjelluar motive, ka hapur debate, ka nxitur prirje, ka zgjuar ndërgjegje, ka bërë thirrje kundër plagës dhe plagëve të shumta. Ai është bërë kështu bashkëmendimtari dhe bashkudhëtari ynë i pandashëm dhe i pandalshëm. Ai, (siç do të thoshte poeti Xhevahir Spahiu: kush mbjellë dashuri do të korrë dashuri, kush mbjellë urrjetje do të korrë urrejtje), ka mbjellur dashuri. I pajisur me një dhunti të rrallë për fjalën e shkruar, por edhe me një dashuri e me zell të veçantë po për fjalën e shkruar, me një kulturë të thellë e të formuar dhe me një kërshëri të gjallë e përherë të zgjuar edhe për të lexuar sa më shumë, me një shije të holluar artistike dhe me një stil të shkrimit aq të ëmbël – si dhe sa vet stili í ligjërimit të tij, ai ka lënë gjurmë në mendësinë tonë intelektuale, Ai ka hapur shtigje e na ka trasuar rrugë, ai na ka mësuar e këshilluar për të shkruar dhe për të gjykuar drejt. Ai na e ka zgjuar dashurinë për letërsinë, për të bukurën dhe të madhërishmen, për udhëpërshkrimin, për reportazhin, për publicistikën, për fejtonin, për rrëfimin, për melodramën, për novelën, për skicën letrare, për romanin, për gazetat, për teatrin, për radion, për televizionin. Është e vërtetë se nuk është marrë aq shumë me ‘temat e mëdha’, por ai është marrë me plagët e mëdha që na kanë shkaktuar dhe po na shkatojnë akoma pasoja të mëdha e dhembje edhe më të mëdha. Ai është një ndër luftëtarët e rrallë të dritës që nuk e lëshon penën nga dora, edhe pse 82 vjeç! Edhe në këtë moshë e në pikë të vapës, ai është në Festën e Librit, sepse libri është bashkudhëtari i tij, dhe se ai është Mjeshtri í Penës së Artë, i cili gjakimin e tij për të bukurën dhe të madhërishmen e ka dashurinë e tij të lindur – të veçantë dhe të dhuruar nga natyra, e cila është treguar aq dorëlirë në faljen e një dhuntie të tillë, sa të rrallë po aq edhe të admiruar.Ai – Kalorës í Letrave dhe i Arteve, e edhe Kalorës i Hijshëm i Dashurisë. Ai – Nestor í Urtë e Mentar í Hollë, Ai – Njeriu í Fjalës së Ëmbël e me Peshë. Ai – Ikona e Gazetarisë në Kosovë. Ai – Doajeni i Gazetarisë në Kosovë por edhe më gjërë, Veterani i Kulturës, Teatrologu i Shquar, Lëruesi i Letrave Shqipe, Shijuesí i së Bukurës, Admiruesi dhe Frymëzuesi i Fjalës, Adhuruesi i Madh i Faik Konicës, Dekani i Gazetarisë dhe í Fakultetit të Gazetarisë ‘Faik Konica’, Publicisti dhe Romancieri, Gazetari dhe Veprimtari, Uliksi që kthehet në Itakën e tij Letrare të Rinisë së tij të Vrullshme: Ulqinin, Ai – që Ulqinin ngado shkon e ngado vete: e merr me vete.
Ai – Zë tek ‘Zëri’, Ai – Rilindësi tek ‘Rilindja’, Ai – për Përparimtaren tek ‘Përparimi’, Ai – Pena e Re tek ‘Jeta e Re’ e Mësuesit të Tij me Fjalë Miradije – Esad Mekulit, Ai – Kosovari tek Ulqini, Ai – Ulqinaku tek ‘Kosovarja’, Ai – Telegrafikisht te ‘Ekspres-i’, Ai – në hap me kohën e tek ‘Koha Ditore’, Ai – Vrojtuesi í Një Epoke – tek ‘Epoka e Re’, Ai – tek e Djeshmja, e Sotmja dhe tek e Nesërmja Jonë.
Ai – Krijuesi që e kishte filluar krijimtarinë e tij letrare duke mëtuar që me elegancën e stilit të tij të ngjallte elegancën e shijes së gjinisë së bukur (e që nuk ka dyshim se pas spastrimit të minave, është mbase misioni më delikat që mendja njerëzore ka mundur të ketë); Krijuesi i cili e ka formësuar stilin e vet të veçantë, apo siç do të shprehej Lasgushi ‘brumësimi estetik i frymës estetike’, me një mision po aq të vështirë: zgjimi i shtresave dhe nënshtresave – thellë ndërgjegjës njerëzore.
Ai – Sokol Halili i Dashuruar në Tanushën, në Letërsinë dhe në Magjinë e së Bukurës dhe së Madhërishmes: E, unë Tanushën e kam pa! Tanusha – Mona Liza e Ciklit të Kreshnikëve në Visaret e Kombit…
Ai – Dora e Tij e Djathtë të cilën Atdheu ia fali me aq Dhunti dhe me po aq Dashuri të shkruante për Faik Konicën, Ai: Dora që na e Ri – Zbuloi Epitetin më të Bukur në të gjithë letërsinë dhe në të gjithë kulturën shqiptare, e që Jeronim De Rada kishte Falur për Elena Gjikën: ‘Mirësia Ëngjullore e Zemrës Suaj’, Ai – Zemërthirrja aq Zemërbardhë për Një Dashuri të Barabartë mes Shqiptarëve.
Ai – Zemërbardhë mes Zemërbardhëve, dhe Zemërbardhë prej Zemërbardhëve.
Ai – për të cilin Perëndia dhe Natyra kishin bërë garë se cila do ta bënte sa më Zemërbardhë, dhe se cila do t’ia bënte Penën e Tij: porsi Vala e Drinit të Bardhë!
Ai – Njeriu í Penës dhe í Punës, që iu Fal me gjithë Qenien e Tij Krijuese Misionit Fisnik të Fjalës. Ai që na porositë përherë ta nderojmë e të mos e harrojmë KURRË: kulturën tonë dhe traditën tonë, trashëgiminë tonë historike dhe kulturore. Ai që bëri Thirrje për të Falur dhe që na mësoi e na mëson të Falim, dhe se pë se duhet të Falim e për hir të kujt duhet të Falim: Për hir të Ardhmërisë së Shqipërisë dhe të shqiptarëve.
Ai: në Fushën e Letrave e në Verrat e Llukës.
Pa penën e tij, pa udhëpërshkrimet e tij, pa prozën e tij, pa tregimet e tij, pa romanin e tij, pa dramën dhe melodramën e tij, pa publicistikën e tij, pa fejtonet e tij, pa reflekset e tij, pa margjinat e tij, pa çapitjet e tij, pa çapitjet e reja midis rrjeshtave – të tij, pa shkrimet tërthorazi troç – të tij, pa teatrin e tij, pa shkrimet e tij, jo vetëm letërsia, jo vetëm kultura dhe arti ynë, por në mënyrë të veçantë bota jonë mendore dhe shpirtërore, do të ishte shumë më e varfër, shumë më e vobektë, sepse Vepra Letrare dhe Publicistike e Tij: është Pasuri e Jona Shpirtërore.
Është thënë me të drejtë se soneti është kurora më e bukur e poezisë. Dy fejtonet e tij, ‘Letërkëmbimi ynë në shekuj’ dhe ‘Polemika në Letrat Shqipe’, janë një prej pjesëve më të bukura të kurorës së publistikës së tij në veçanti, por dhe të publicistikës shqiptare në përgjithësi.
Ai – ligjëruesi i lëndës “Histori e letërsisë shqiptare nga Rilidnja e deri sot”, bashkorganizatori i Kuvendit për Bashkimin e Pajtimin Kombëtar, Prijësi í Urtë í Armatës së Gazetarëve, të cilën e Formoi dhe e Forcoi, e Rriti dhe e Ngriti, e Orientoi Drejt dhe e Konsolidoi Qartë, me Emrin aq Domethënës: FAIK KONICA.
Ai që na i ka shpalosur aq bukur dhe na i ka risjellur në kujtesën tonë me gjithë sfondin e madhështisë së tyre, figurat madhore historike si Mithat Frashërin e Mustafa Krujën, trimat n’za të Rugovës kreshnike, si Zhukë Haxhija e Ker Sadria, si luftëtaren dhe atdhetaren shkodrane Marie Shllaku, e: ‘Bege Maliqja e cila luftoi kundër Malit të Zi e veshur me kostume kombëtare meshkujsh, me plis e me shall, që mbante një pushkë të gjatë sa trupi í saj’; Ai na e ka kujtuar me dhembje dhe me mallëngjim një prej skenave të shumta trishtuese e cila í është vërtitur aq shpesh në kujtesën e tij: ‘pushkatimi makabër í Sali Ukellës para fëmijëve në Parkun e Karagaçit’…
Ai – Romancieri që e ka shprehur mendimin e tij për romanin në mënyrë aq filozofike: ‘Romani shkruhet vetëm në qoftë se të “shkruan” ai. Romani vetë. Kam bukur do vjet që nuk po më “shkruan”, jo vetëm asnjë roman, por edhe asnjë – tregim…’
Ai – që na e përkujton aq shumë, sa satirën po aq edhe thënien e Luigji Pirandellos: Është madhështore të jesh i ndershëm. Ai, í cili na përkujton Eugjenio Montalen, të cilin më 1967 e patën shpallur: Senator të Përjetshëm. Ai që na shtynë të besojmë se letra ka më shumë forcë se floriri, dhe se zakoni i burrave të mirë është zakoni i Perëndisë, pra është Zemër-Thirrja që na e la Lasgushi, se shkrimtarët dhe poetët duhet të nderohen dhe të kujtohen, në radhë të parë: për Ditëlindjen e Tyre.
Ai – Shkrimtari të cilin e ka lënduar sa vendlindja po aq edhe atdheu, e megjithatë Ai – Njeriu í Ndjenjave të Holla, i ka dashur dhe i don që të dyja: ‘Vendlindja ka mundësi të të harrojë dhe sa vjen e më shumë po harron. Po ama vendlindësi a njeriu i lindur në një vend assesi s’ka se si e harron vendlindjen’.
Ai – i cili ka shkruar gjithë admirim për De Radën. ‘Telegrafikisht: Nismëtar Nismëtarësh, se e ka futur një shekull të tërë (XV) në letërsi’, kurse vet e ka futur në veprën e tij letrare dhe artistike, kohën tonë dhe njeriun tonë me të gjitha vijat dhe vrragat e veta.
Ai – që me mendimin e tij se: ‘Shkrimtari, thonë, krijon në gjallje të vet bazamentin e përmendores, ndërsa ardhmëria është ajo që ia vë (ose jo) bustin’ (‘Kokrra kripe’), ma kujton thënien e madhe të De Radës se: ‘pena e atyre që do të dinë ta përdorin si duhet, do t’i durojë të gjithë shekujt’.
Ai – që në 82 vjetorin e tij, na shtynë t’ia themi me modesti, se shqiptari megjithatë ta falë edhe suksesin, dhe se Perëndia nuk i do veç ata që i merr të ri, por edhe ata të cilët i duhen tokës: më shumë se qiellit, dhe se njerëzit si Ai na shtynë të sfidojmë tragjeditë e përjetuara e të shumta – me trilogjitë e shkruara, ndonëse aq të pakta në kulturën tonë kombëtare.
Ai që në “rruzarën e kujtimeve të tij” (siç do të shprehej me një thënie kaq të bukur), do ta shpalsote një botë të plagosur të një fëmijërie të këputur, duke parë që në moshën e tij 14 vjeçare: “kushedi sa pushkatime, para syve të mij, plagë, gjak, vrasje dhe varje”, masakra dhe reprezalje, siç na e ka shpalosur ate në shkrimet e tij.
Ai që nuk shkëputet dot nga mendimet e kohëve të vështira: ‘Mendimet më flakrojnë në kalesë të afërm e të largët. Kujtimet më vlojnë…Vijnë e më ravizohen para sysh qindra përjetime të vogla e të mëdha të luftës në femininë time, ngjarje që më poqën para kohe, më rrëmbyen femininë, gazin, gëzimin’ (‘Xhita në Qiell’).
Ai që ‘në pasqyrën e mendjes’ e vërtitë shpesh pyetjen: ‘Pse gjithmonë bie shi në varreza?’, duke u përkulur përpara babait të tij Jakup Brahimit: në shenjë Nderimi dhe Respekti të thellë, por edhe duke iu ngritur në këmbë, ndonëse në moshën 82 vjeçare, Babait të “Albanias” – Faik Konicës, me po të njëjtin Nderim dhe me po të njëjtën Mirënjohje, e me emrin e të cilit: E Pagëzoi dhe e Përjetësoi Tempullin e Dijes.
Ai – i cili ashtu si Ernest Koliqi që pat shkruar për Tregtarë Flamujsh, shkroi për Tregtarë Kapelash: varësisht se cili pushtues do vinte, atë kapelë do vinin kameleonët e tipit të Rremë Kapuçit, e të cilët mjerisht, ishin të shumtë!
Ai – i cili me poetikën e stilit të tij, si për ta sfiduar atë botë të vijave dhe vrragave, ka shkruar edhe për ‘cicërrimat e buzëve’, e në kërkim të një gjakimi të përjetshëm që nuk shterret kurrë tek krijuesit e përmasave të mëdha, ka pohuar se: ‘Emra të bukur kanë vetëm vajzat e bukura’; e për Besën në rrëfimin e tij ‘Xhita në Qiell’, ka shkruar me aq delikatesë: ‘Ajo kërkoi vetëm një akullore, e unë kisha qejf me ia dhanë krejt një ambëltore’! Po kush më bukur se Ramiz Kelmendi, ka ditur ta japë Pafajësinë për dashurinë e sinqertë?!
Vallë, a nuk është Ai – Një Shpirt Poetik që e thuri Poemën e Tij për Ofelinë, dhe vallë a ka ndonjë Mbishkrim më Monumental për Teatrin tonë Kombëtar, sesa ky:
Ajo fali sonte rozmarina në skenë. Fali vjollca e krizantema. Borzilokë e manushaqe. E unë po ia fal, ja, një kurorë me dafina lavdie për Ofelinë. Një kurorë me dafina për të parin hap të saj. Një kurorë me dafina për natën e bukur që na fali. Një kurorë me dafina për të nesërmen e saj. (‘Kokrra Kripe’)
Vallë, a i ka thurur kush më bukur Një Himn Rugovës, sesa Fjalët Lapidare: E gëzoi me lot Rugova dasmën e vet të madhe. Derdhi lot gëzimi sot Rugova… Edhe qielli me të bashkë. Lot e gas. E puthje. E lojë Rugove. E këngë të reja për rrugën e re të dritës, prej rugovasish të rinj kënduar. E fytyra të rrudhura që gazmojnë. E shkollare Rugove që shpërthejnë, që çajnë përpara. Dasmë të madhe ka sot Rugova – u çel rruga e dritës. (‘Kokrra Kripe’)…
Pastaj Muzeu i Luvrit. Mona Liza. Më joshin mbi të gjitha, sytë e saj, një palë sy, që mbeten enigmë në shekuj. Sy që qeshin…Luvri është muze muzesh…Luvri është parajsa. (Letra nga Parisi: Udhëpërshkrime).
Vallë a mund të ketë Mbishkrim më Monumental, sesa Fjalët për Parajsën Tjetër, për Ate të Librit: Datë mbi data në historikun tonë shpirtëror është edhe kjo e sotmja: 25 nëntor 1982…Tempull mbi tempull është tempulli që i ngremë librit sot…Vatër mbi vatra që do të na ngrohë dhe “fëmijët tanë e fëmijët e fëmijëve tanë” është pikërisht Biblioteka Popullore dhe Universitare e Kosovës, që u përurua s’ka si bën më mirë dhe të cilën po e pagëzoj edhe unë – si zëdhënës krenar i mija e mija të gëzuarve e të përgëzuesve si unë…Kosova u përurua edhe me këtë faltore shpirtërore, me këtë vatër të re kulturore, me këtë tempull të rritës sonë…Faltore e tempull dritëdhënës, siç tha me një rast Franc Kafka, “ditar i një populli”. Mbanie mend këtë datë: 25 nëntor 1982! (‘Kokrra Kripe’)
Ai është Shkrimtari, për të cilin – ashtu si edhe për Ernest Koliqin: Shqipëria është Nusja e Shpirtit Tonë, dhe se Ai është Njeriu – për të cilin Librat, ashtu si edhe për poetin e madh të lashtë persian Saadiun, janë: Nuse të Mendimeve.
Ai – Njeriu të cilit ia kanë besuar për t’i pagëzuar fëmijët dhe brezat, dhe se Ai e ka bërë këtë gjithmonë sipas proverbit latin: Çka ka në emër, ka në zemër!
Ai – Nestori í Urtë e Mentarí í Hollë, të cilit në gjithë jetën e Tij, í kanë pri Tre Frymëzuesit e Tij Kryesorë: Jakup Brahimi, í cili herë si Jakup Ferri në epikën historike, e herë si Idriz Guri – që hiqte zorrët zvarrë tek ‘Kryengritja Shqiptare’ e Mihal Gramenos, por që nuk e linte pa e bërë Shqipërinë me hir o me pahir: nuk i linte pa í shkolluar fëimjët; Sali Ukella – një levend, një kreshnik malesh, pamja e fytyrës të të cilit do të lëshonte Zemër – Klithjen e tij aq të dhimbshme: RAMIZ MOS MË HARRO!; dhe Mendja Briliante të Cilës Ai i Falet Gjithmonë, sa Denjësisht po aq edhe Përunjësisht: FAIK KONICA, me emrin e të cilit AI: PAGËZOI DHE GATOI BREZNITË ORËMIRA.
Ai – do ta ndiente prezencën e këtyre Tre Frymëzuesve të Tij të Përjetshëm, ashtu siç e ndiente Dante Hijen e Virgjilit në Komedinë Hyjnore, ashtu siç e ndiente dhe e parafytyronte Milosao Hijen e Plakut Balë në Parnasin shqiptar. Figura e Virgjilit nuk i pengonte rrezet e Diellit të binin edhe më qartë, e në përfytyrimin e Gavril Darës – të Riut, aurora çohej mbi Shqipërinë, dhe Shqipëria binte me agimin…
Ai – merrte forcë nga Ata, dhe Shpirti i Tij í Madh, ku Ai mbajti gjallë Prushin e Frymëzimeve të Tij Djaloshare, gjatë gjithë jetës së mbushur me Vija dhe me Vrragë, gjallërohej dhe lartësohej edhe më, sa herë që ato Hije të Shëmtuara e të Mallkuara që s’na u ndanë kurrë, e ndiqnin këmba-këmbës, e survejonin dhe e anatemonin: herë 7 e herë 77, herë me maska e herë pa maska, po AI nuk u dha…
Ai nuk u dha sepse si një Bekim të Rrallë që shekujt falin në nderim të Breznive Orëmira, si një Pagëzim që ka bërë Dora mbi Djepin për të Përjetësuar Ëndrrën e Luftëtarëve të Dritës, Tre Zëra e mbanin të mos binte e të mos jipej kurrë:
Zëri i Babait: RAMIZ, MOS U DORËZO KURRË!
Zëri i Sali Ukellës: RAMIZ, MOS MË HARRO.!
Dhe Zëri í Faik Konicës: RAMIZ, MË PËRJETËSO, E MOS PUSHO KURRË SË SHKRUARI…
Ai – Firma e Tij në Republikën e Letrave Shqipe.
Ai – Sokol Halili i Letrave Shqipe.
Lexues dhe Adhurues të Shkrimeve të Tij, në të cilat Gjuha Shqipe është vetë Gjuha Zonjë, ku Fjala Shqipe Shkëlqen me Yllësinë e saj të Rrallë, ku Fjala Shqipe Rrëmben me Bukurinë, me Butësinë, me Bardhësinë dhe me Hijeshinë e Saj, Gdhendur dhe Latuar me Durim Shenjtori e me Qëndismë prej Filigrani: si një Zjarr i Përhershëm i Ilirishtes drejt Shqipes (siç ligjëronte Lasgushi) që ka Përcëlluar të gjithë ata që kanë Gjakuar për ta Shkruar një Shqipe të Bukur, të Qartë, të Rrjedhshme, Elegante, e të Qëruar hithrash dhe ferrash.
Firma e Letrave Shqipe dhe e Publicistikës Shqiptare:
RAMIZ KELMENDI.
Me ‘Penën e Tij të Artë’:
PENA që kaloi nëpër thjerrëzat e dy kritikëve më të shquar e që ishin edhe bashkëkohanikët e tij, e tek të cilët nuk kalohej lehtë, madje tek të cilët nuk kalohej aspak lehtë në provimet e letërsisë: Hasan Mekuli – i cili ia dha Epitetin aq të Merituar të Talentit Epik, dhe Rexhep Qosja – i cili ia dha Epitetin e Merituar për Penën e Tij të Artë. PENA që mori, përmbi çdo gjë, Bekimin e Zake Zhujit dhe të Jakup Brahimit, por që diti aq bukur se si ta përjetësonte një bekim të tillë: Falë u qofsha të gjithë mësuesve të mi ernestkoliqianë.
Falë u qofshim të gjithë Atyre, që si Lasgushi me Lirikat e Tij, duke Përcëlluar Drejt Shqipes Zjarrin Drithërues të Ilirishtes, kanë shpalosur Shpirtin e Tyre Fisnik dhe Bujar, sa edhe Zoti vetë ua Bekon Shqipen e Ligjërimit të Tyre, me të cilën Ata, si në Një Mermer Monumental me Bekim Perëndie dhe Pagëzim Shamibardhash sipër, u bënë dhe u bëjnë Thirrje Breznive Orëmira:
TË HESHTIN ARMËT E TË FLASIN LIBRAT!
RAMIZ KELMENDI dhe Pena e Tij e Artë – Vetë Sibila e Ulqinit: Metafora e Madhe në Republikën e Letrave Shqipe.
Biografi e shkurtër-
Xhemail Ali Peci u lind në Mitrovicë, ku kreu shkollimin fillor dhe të mesëm. Studimet e larta, në Degën e Letërsisë dhe Gjuhës Shqipe, i mbaroi me notën mesatare 10, në Fakultetin Filozofik – Universiteti i Prishtinës, ku edhe i vazhdoi studimet pasuniversitare.
Në Londër, ka marrë Diplomën për Përkthime Publike në Gjuhën Angleze, nga Instituti i Linguistëve. Ka kryer gjithashtu studimet e larta për Shërbimet Publike.
Në Birbeck College të Londrës ka vijuar kurset për Diplomaci dhe Marrëdhënie Ndërkombëtare.
Aktualisht vazhdon studimet për Master, në: Studimet Amerikane, Historia dhe Politika (Instituti i Studimeve Amerikane në Londër), ku është duke përgaditur temën: Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Çështja Shqiptare.
Punon si përkthyes profesional në Mbretërinë e Bashkuar.
Deri tani ka botuar librat: Poemë për Shqiptarët e Amerikës (Londër, 2010), Poemë për Gjeneralin Klark (Tiranë, 2011), Uilliam Xheferson Bill Klinton ose Himn për Njerëzimin (Londër, 2012), ALBANIA – Poemë për Shqipërinë dhe Shqiptarët (Londër 2012), Shqipëria – Shtojzovallja e Europës (udhëpërshkrim), si dhe trilogjinë letrare kushtuar Ramiz Kelmendit: I – Ramiz Kelmendi – Sokol Halili i Letrave Shqipe, II – E Bukura dhe e Madhërishmja në Penën e Ramiz Kelmendit, III – Ramiz Kelmendi dhe Sibila e Ulqinit (Londër 2012).
Shkruan poema, udhëpërshkrime, studime letrare, romane dhe drama.
Në dorëshkrim ka librat, që pritet të botohen vitin e ardhshëm: Adem Jashar Shiqpëria (ese), Dr. Gëzim Alpion dhe Fuqia e Fjalës (studim), Sali Bashota – Poet i Shpirtit (studim), Poemë për Sytë me Qiej të Shqipërisë, si dhe një roman me temë dashurie nga jeta e Alfred Nobelit…