
Nga Beppe Severgnini-“Corriere della Sera”, E përktheu Eugjen Merlika/
Mungojnë pak orë nga dalja e Mbretërisë së Bashkuar nga Bashkimi Evropian, në të cilin kishte hyrë më 1 janar 1973. Bën një efekt të çuditshëm, por ky është çasti në të cilin emocionet lihen mënjanë e provohet të arsyetohet. Të gjithë: evropianët e kontinentit dhe evropianët e ishullit. Madje, të ishujve: sepse Irlanda në këtë ndodhi ka një pjesë jo të vogël.
Në votimet për Brexit, 23 qershor 2016, është shkruar e thënë shumë, ndoshta tepër. U duk se ishte një zgjedhje e shtyrë, një përzjerje mëndjemadhësie, bezdie dhe malli, e melmyer me njoftime të këqia. Por demokracia nuk i përjashton ndjenjat: ajo votë duhet të respektohet. Pasuan tre vite e gjysmë të pazakontë, të melmyera me bisedime, inate, mosmarrëveshje dhe kurthe parlamentare: një provë paefektshmërie që ka habitur, zhgënjyer e sikletosur vetë anglezët. Më 12 dhjetor 2019, votimi përforcoi në qeveri konservatorin Boris Johnson, i cili Brexit-in e kishte bërë flamur. Përshtypja është se votuesit nuk po e shtynin dot më e deshën të mbyllej sa më shpejt kjo histori.
Por a është e mbyllur historia? Jo akoma, edhe se dy data përfaqësojnë po aq gurë themeli. Kjo e sotmja, 31 janar 2020: Mbretëria e Bashkuar del nga Bashkimi Evropian, simbas asaj që ishte përcaktuar në nenin 50 të Traktatit themelues. Data e dytë është 31 dhjetori 2020, kur do të mbarojë periudha e kalesës, gjatë së cilës MB dhe BE duhet të bëjnë një marrëveshje të re që do të rregullojë marrëdhëniet në çdo sektor (nga doganat tek transporti, nga imigracioni tek të drejtat e punonjësve, nga financa tek siguria, nga industria tek peshkimi).
Boris Johnson nuk don përzgjatje dhe ka arritur të miratojë nga Dhoma e Komuneve një ligj që i ndalon ato. Për të mbyllur hesapet ka lënë Irlandën e Veriut në tregun e përbashkët evropian: nuk është pak.
Nuk kuptohet se si njëmbëdhjetë muaj të jenë të mjaftueshme për një traktativë kaq të gjërë e të ndërlikuar: Comprehensive Economic and Trade Agreement (Ceta) ndërmjet BE dhe Kanadasë, që ka eliminuar 98 % të tarifave, ka marrë shtatë vjet bisedimesh. Në rast të mungesës së marrëveshjes (no deal), marrëdhëniet ndërmjet MB e BE do të sendërtohen nga rregullat e Organizatës Botërore të Tregtisë (WTO). Kjo do të thotë: tarifa, kuota, çmime dhe një makth prapavije. Mendoni shkëmbimet tregtare: sot Mbretëria e Bashkuar eksporton në Bashkimin evropian shërbime për 30 miliard euro, por importon mallra për 100 miliardë. Portet e Doverit dhe Calais-ë e të gjithë aeroportet britanike do të ktheheshin në një rreth ferri.
Por nuk do të duhet të punohet vetëm mbi rregullat. Prirjet e qëndrimet janë po aq të rëndësishme. Në këtë ditë historike – së paku njëherë cilësori nuk është retorik – duhet të pyesim veten: hendeku politik dhe psikologjik ndërmjet Mbretërisë së Bashkuar dhe pjesës tjetër t’Evropës a është i paracaktuar të zgjerohet? Në rastin e një plasjeje në mur i vemë një copë xham: nëse ai thyhet fillojmë të shqetësohemi. Në rastin e Brexit do të duhet të përdorim të tjerë tregues. Për shembull të vëzhgojmë gjuhën e të folurit. Do të jetë interesante të kuptohet kur do të përdoret në Britaninë e Madhe shprehja “the Europeans” për të treguar qytetarët e Bashkimit Evropian. Asnjë referendum nuk mund të ndryshojë gjeografinë dhe historinë. Britanikët dalin nga një organizatë ndërkombëtare, jo nga një vënd në të cilin janë protagonistë prej shekujsh. Ishin, janë e do të mbeten evropianë. Shpresojmë t’arrijnë t’a kuptojnë.
Dhe ne evropianët e kontinentit, dhe irlandezët, kemi detyra e përgjegjësi. Duhet të shmangim melmimin e Brexit-it me shpirtligësi: nuk do t’ishte e dobishme e nuk do t’ishte e drejtë. Ngasja për të ndëshkuar anglezët është dhe shpiegohet: në katër vitet e fundit tonet dhe argumentat e përdorura kundrejt Bashkimit kanë qënë herë herë të papëlqyeshëm. Dhe është e mundëshme që gjatë bisedimeve, që do të jenë të ngutëshme, duke mbajtur parasysh kohët e shtrënguara, do të lindin tensione të tjera. Duket, pothuajse e sigurtë, që qeveria britanike do të përdorë vetësigurinë bankare dhe levën fiskale për të tërhequr investitorë dhe kapitale me çfarëdo prejardhjeje (më shumë se sa ka bërë deri tani). Kjo rrezikon të acarojë Brukselin dhe të tjerat qeveri evropiane.
Periudha që i paraprin një ndarjeje është gjithmonë më e vështira, si për njerëzit ashtu edhe për kombet. Por ndarja, në rastin e Brexit tashmë është kryer. Të ruajmë qetësinë e, nëse do të jetë e mundur, edhe buzëqeshjen: do t’a bëjë jetën më të lehtë për të gjithë.
Kundërshtarët janë tjetërkund. Në Britaninë e Madhe jetojnë, e do të vazhdojnë të jetojnë miqtë tanë. Dhe shumë prej nesh.
“Corriere della Sera”, 31 janar 2020 E përktheu Eugjen Merlika