
Analizë nga Rafael Floqi /
Ka kaluar një javë që kur Shtetet e Bashkuara të Amerikës arritën të shtyjnë Izraelin dhe Iranin drejt një armëpushimi, duke i dhënë fund një konflikti të përgjakshëm 12-ditor që rrezikoi të përfshinte në flakë jo vetëm Lindjen e Mesme, por edhe stabilitetin global.
Paqja e brishtë, e ndërmjetësuar nga Uashingtoni menjëherë pasi avionët amerikanë hodhën bomba të rënda prej 30,000 paundësh mbi tri objekte kyçe bërthamore të Iranit, deri tani po mbahet. Por në horizont shfaqen ende shumë pikëpyetje.
Sa pas është çuar Irani në programi i tij bërthamor?
Presidenti amerikan Trump deklaroi se tre objektivat iraniane të goditura nga sulmet amerikane ishin “shkatërruar plotësisht”. Sekretari i tij i mbrojtjes pohoi se ishin “rrënuar”. Por një raport paraprak i Agjencisë së Inteligjencës së Mbrojtjes të SHBA-së tregon se edhe pse objektet në Fordo, Natanz dhe Isfahan pësuan dëme të mëdha, ato nuk u asgjësuan tërësisht.
Kreu i Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike, Rafael Grossi, deklaroi se objektet iraniane për pasurimin, konvertimin dhe trajtimin e uraniumit janë “dëmtuar në një shkallë të rëndësishme”, por shtoi se “diçka ka mbetur ende në këmbë” dhe se “nëse Irani dëshiron, mund t’i rifillojë ato procese”. Vlerësimi i plotë i dëmeve do të varet nga gatishmëria e Teheranit për të lejuar inspektorët ndërkombëtarë të hyjnë në terren.
Si do të jenë marrëdhëniet e ardhshme SHBA-Iran?
Pas marrëveshjes së armëpushimit, Trump foli me tone të zbutura, duke lënë të hapur mundësinë e lehtësimit të sanksioneve të ashpra ndaj Teheranit dhe madje parashikoi që Irani mund të bëhet një “komb i madh tregtar” nëse heq dorë njëherë e përgjithmonë nga programi i tij bërthamor.
Por kjo fjalë e ëmbël nuk zgjati shumë. Udhëheqësi suprem iranian, Ajatollah Ali Khamenei, në daljen e tij të parë publike pas njoftimit të armëpushimit, tha se Irani i kishte dhënë “një shuplakë fytyrës së Amerikës”. Trump reagoi me cinizëm, duke thënë se Khamenei duhet të pranojë që “Irani u rrah keq”, dhe shtoi se nuk do të shqyrtonte ndonjë heqje të menjëhershme të sanksioneve për shkak të retorikës përçmuese të Khameneit.
Zyrtarë të Shtëpisë së Bardhë konfirmojnë se SHBA dhe Irani janë në kontakt paraprak për të rinisur bisedimet që kishin ngecur kur Izraeli filloi të bombardonte objektiva iraniane. Megjithatë, ministri i jashtëm iranian Abbas Araghchi e mohoi se ka një marrëveshje për të rifilluar zyrtarisht negociatat. Është ende e paqartë nëse udhëheqësia iraniane është gati të rikthehet në tryezën e bisedimeve, sidomos nëse Trump ngul këmbë që Irani të heqë dorë madje edhe nga pasurimi i uraniumit për qëllime civile.
Vetë Trump ka dhënë sinjale kontradiktore, duke thënë në një samit të NATO-s: “Mund të nënshkruajmë një marrëveshje, por nuk mendoj se është edhe aq e domosdoshme.”
Çfarë roli do të luajë Khamenei në këtë kontekst?
Shëndeti i përkeqësuar dhe paraqitja e zbehtë e Khameneit së fundmi kanë ngritur pikëpyetje mbi shkallën e angazhimit të tij në raportet SHBA-Iran dhe në përgjigjen e Teheranit ndaj sulmeve amerikano-izraelite. Megjithatë, edhe pse javët e fundit u raportua se kishte qëndruar në bunker për shkak të kërcënimeve ndaj jetës së tij, nuk ka shenja se ai nuk e kontrollon ende plotësisht aparatin ushtarak dhe shtetëror iranian.
Khamenei ka sunduar tri herë më gjatë se pararendësi i tij, Ruhollah Khomeini, dhe ka ndikuar ndoshta edhe më thellë në jetën e mbi 90 milionë iranianëve. Ai ka konsoliduar regjimin e “mullahëve”, duke u bërë autoriteti absolut në sytë e krahut radikal, vetëm një shkallë poshtë Zotit. Po ashtu, ai e ka shndërruar Gardën Revolucionare në forcën më të fuqishme të ushtrisë dhe politikës së brendshme të Iranit.
Si mund të hakmerret Irani?
Sulmet raketore të Iranit mbi një bazë amerikane në Katar, të ndërmarra si përgjigje ndaj bombardimeve, u cilësuan nga Uashingtoni si një përpjekje gjysmake për të shpëtuar fytyrën. SHBA ishte paralajmëruar dhe raketat u asgjësuan lehtësisht.
Por kërcënimi iranian mbetet i madh, sidomos nëpërmjet luftës kibernetike. Hakerë të lidhur me Teheranin kanë shënjestruar tashmë banka amerikane, kontraktorë të mbrojtjes dhe kompani të industrisë së naftës , edhe pse deri tani nuk kanë shkaktuar ndërprerje të mëdha të infrastrukturës jetike. Departamenti i Sigurisë Kombëtare të SHBA lëshoi javën e kaluar një paralajmërim publik mbi kërcënimet në rritje kibernetike nga Irani, ndërsa Agjencia Amerikane për Sigurinë Kibernetike u bëri thirrje operatorëve të sistemeve të ujit, tubacioneve dhe centraleve elektrike të qëndrojnë në gatishmëri maksimale.
A do të zgjasë ky armëpushim?
Paqja mbetet tepër e brishtë. Menjëherë pas sulmeve, Trump telefonoi Netanyahun dhe i bëri të qartë se SHBA nuk kishte ndërmend të ndërmerrte më aksione të reja ushtarake. Nga ana tjetër, Netanyahu paralajmëroi se Izraeli do të godasë sërish “nëse dikush në Iran përpiqet të ringjallë këtë projekt”.
Marrëveshja e armëpushimit nuk përfshin ndonjë angazhim nga Irani për çmontimin e programit të tij bërthamor. Khamenei madje tha se sulmet “nuk bënë asgjë të rëndësishme” ndaj këtyre kapaciteteve. Trump u shpreh me besim se “gjëja e fundit që Irani po mendon tani është uraniumi i pasuruar”. Por ai pret që Irani të lejojë inspektorë ndërkombëtarë të konfirmojnë se programi nuk do të rifillojë, qoftë nga IAEA, OKB apo ndonjë organ tjetër që “ne e respektojmë, përfshirë vetveten”.
A do të arrijë Trump të shtyjë Netanyahun drejt një marrëveshjeje për Gazën?
Presidenti amerikan rrezikoi shumë me vendimin e tij për të urdhëruar sulmet ndaj “fortesave bërthamore” të Iranit. Gjatë fushatës ai kishte premtuar se do të përfundonte shpejt luftën brutale të Rusisë në Ukrainë dhe konfliktin Izrael-Hamas në Gaza, por ende nuk ka gjetur një zgjidhje për asnjërën. Ai gjithashtu kishte premtuar të mbante SHBA larg konflikteve të huaja.
Megjithatë, pas mbështetjes që i dha Izraelit me sulmet kundër Iranit, Trump , në biseda me Netanyahun dhe liderë të tjerë botërorë , ka bërë të qartë se dëshiron të arrijë një marrëveshje së shpejti. “Ne mendojmë se brenda javës së ardhshme do të arrijmë një armëpushim”, tha ai të premten për gazetarët, pa dhënë më shumë detaje.
Ndërkohë, ministri izraelit i Çështjeve Strategjike Ron Dermer do të udhëtojë në Uashington për të diskutuar me zyrtarët e lartë të administratës mbi një armëpushim në Gaza, Iranin dhe çështje të tjera.
Në fund të kësaj jave të parë të “paqes”, bota rri pezull. Shumë pyetje ende nuk kanë përgjigje, ndërsa çdo palë, në Teheran, Tel Aviv apo Uashington, duket se përpiqet të imponojë narrativën e vet.
E ardhmja e këtij armëpushimi , dhe e gjithë rajonit, mbetet e varur në fije të perit.