(Në 100-vjetorin e lindjes së prof. Miftar Spahisë – Thaçi; – 14 mars 1914 – 5 nëntor 2005)/
Nga Shefqet Hoxha/*
Jemi tubuar për të përkujtuar 100 vjetorin e lindjes së prof. Miftar Spahisë – Thaçi, lumjanit të madh që bëri emër me përkushtimin dhe ndihmesat që dha për atdheun. Ai naltoi veten dhe krahinën, prandaj u mbiquajt “Korifé i Lumës”, po urdhri i lartë “Skënderbeu” që iu akordua në pragun e vdekjes, e ul këmbëkryq në sofrën e burrave më të mirë të kombit. Ai jetoi gjatë (14 mars 1914-5 nëntor 2005), po çdo ditë e çdo vit nuk prâni së dhuruari buqeta lulesh për atdheun dhe kombin e tij, prandaj prof. Miftari do të jetë vazhdimisht i pranishëm në kujtesën tonë, sepse burra si ky Luma e Shqipëria i kanë të numëruar me gishta.
Miftar Spahija vjen prej një fisi me emër të Kolesjanit (Lumë). Katër klasë të fillores i kreu në fshatin e lindjes, plotoren e gjimnazin në Tiranë, ku pat mësues intelektualë të njohur për dije e shqiptari: Veniamin Dashin, Anton Krajnin, Karl Gurakuqin, Mirash Ivanajn, prandaj u rrumbullakua kulturalisht, falë edhe brumit vetjak. Më 1935 mori diplomën e gjimnazit, duke u klasifikuar i pari. Në vitin pasardhës fitoi gradën e aspirantit në Shkollën Mbretërore. Në këte institut dhe në gjimnaz – shkruan ai – “nxuna me dashtë rranjët e mija e me u krenue si shqiptar, nxuna se Kosovën e Shqipninë Lindore na i kish pushtue Sërbi e Çamërinë Greku”. Këto “rranjë” më vonë pipzuan, luluan e ertuan dashuri të pamatë e përkushtim për atdheun dhe kombin shqiptar.
Rezultatet e larta në gjimnazin e Tiranës i siguruan Miftarit bursë shtetërore në Universitetin e Torinos (Itali), në fakultetin e letërsi-filozofisë (dega e letërsisë), ku shfaqi aftësi të merituara dhe u titullua “Dottore in lettera” me tezën “Elementa të huej në gjuhën shqipe” që e udhëhoqi albanalogu i njohur, prof. Bartoli. Këte tezë ai e elaboroi edhe më vonë, formuloi dhe vuri në jetë një platformë të tij gjuhësore, e cila e njëjtëson me rilindësit e mëdhenj, por me ndjesi bashkëkohore, sepse kërkon t’i dalim para rrezikut që na vjen nga proceset konverguese europiane.
Pushtimin e Shqipërisë nga Italia Fashiste Miftari dhe studentët shqiptarë të Torinos e pritën të pezmuar. Në qershor 1939 ai kthehet në Shqipëri pranë familjes, por këtu nisin dyshimet e përndjekjet: e izolon karabinieria në Bicaj dy javë, më vonë e burgos në Tiranë e prej këtu e internojnë në San Nicola di Tremiti, një ujëdhezë e vogël pranë Barit, ku gjeti edhe nacionalistë të tjerë shqiptarë. Pasi kalon edhe disa muaj në Sinalunga, pranë Sienës, në shtator 1941 kthehet në Kolesjan. Një muaj më vonë emërohet në gjimnazin “Sami Frashëri” të Prishtinës, ku dha mësim një motmot. Këtu qe shoqëruar me Ymer Berishën, njërin prej herojve të mëvonshëm të Kosovës. “Në këte vit shkollor – ka shkruar Miftari – u mundova t’i ushqej nxanësit me thërrmijat e ditunisë së fitueme në universitetet e Evropës”. Por, për t’i shërbyer më shumë Kosovës, sidomos konsolidimit të administratës shqiptare, ai angazhohet në qeverisje si nënprefekt në Rahovec e në Gjilan, prej kah, më 8 gusht 1943 largohet, pse ndiqej, por e ndalojnë në malet e Kukavicës dhe e ndryjnë në burgun e Prizrenit, prej të cilit doli më 9 shtator, kur kapitulloi Italia. Plot një vit qëndroi pa punë pranë familjes në Kolesjan “as i arratisun as i paarratisun, me nji sy në shtëpi, me tjetrin kah mali” – siç na ka kallëzuar ai.
Më 5 shtator 1944, forcat e Brigadës së Pestë hynë dhelpërisht në Lumë, ndërsa Miftar Spahija mbathi opingat e ngjeshi armët “për t’i shpëtue dorës gjakatare komuniste” (janë fjalët e tij), e cila – si na thotë ai, “qe nji zgjebe që e mbuloi kombin për gati gjysmë shekulli”. “Me doktrinën komuniste s’kishem asnji pajtim; e njihshem dhe e dijshem se Partija Komuniste Shqiptare asht bisht i komunizmit serb. Nuk duhej shumë mund me e kuptue se komunistat shqiptarë u ishin nënshtrue interesave të Sërbisë, s’çajshin kokën për Kosovën, për gjymsën e trupit të komit” – do të shkruante më vonë në kujtimet e veta Miftari.
Gjatë dy viteve (6 shtator 1944-20 gusht 1946) Miftar Spahija u ra pash e më pash maleve të Lumës, jetoi i vetmuar ose me tubën e Muharrem Bajraktarit, i ndjekur këmba-këmbës nga hafijet e Sigurimit e të Oznës dhe nga reparte speciale, por shpëtoi gjallë. Ndërkohë pushteti komunist i internoi familjen në kampin “Murat Çelebi” të Beratit, ku i vdiq njomzakja 15 muajshe, Kadishja. Kur qëndrimi në Shqipëri u bë i pamundur, Miftari, i inkuadruar në grupin prej 56 nacionalistësh, nën prijen e Muharrem Bajraktarit, i len lamtumirën atdheut. Pas një odiseje të gjatë e tejet të dhimbshme, ku humbi 21 shokë, më 13 shtator 1944, doli në botën e lirë. Por do t’i duheshin edhe 50 vjet “fshamje, lot e gjak” – siç ka shkruar ai – deri sa të shembej Muri i Berlinit, më 1989, e do ditë më shumë sa të binte edhe regjimi komunist në Shqipëri. Gjatë këtyre viteve Miftar Spahija provoi kampet helene, jetën e rëndë në Romën e pasluftës dhe emigracionin në vendin më të pasur të botës, në SHBA. Këtu punoi nëpunës biblioteke në Universitetin “Kolombia”, pastaj mësues në një shkollë të mesme dhe profesor i asocuar në Universitetet e Harrisonit e të Mansfildit në Pensilvani, deri sa doli në pension në vitin 1980.
Prof. Miftar Spahisë i qe veshur akuza “armik i popullit” nga regjimi komunist pa të drejtë për t’u kthyer ndonjëherë në Shqipëri, por nuk qe e shkruar që ai të mos i rishihte të vetët, Kolesjanin, Lumën, Shqipërinë dhe Kosovën martire. Proceset demokratike të viteve 90 të shekullit të kaluar dogjën listën e mëkatarëve pa mëkate, shembën klonet që patën penguar bijtë e mallëzuar të Shqipes që të kthenin dalë, prandaj Miftari erdh disa herë në Shqipëri për të ftoritë “mallin që i pat veshkë zemrën, që i pat shtrydhë langun e gjallnisë, që e pat ba si të nërkimë” – siç na thoshte ai, – puthi varret e të parëve, por jo atë të së bijës 15-muajshe, pse pa varr, u çmall me Baftijen, gruan besnike që e priti një jetë të tërë, duke u shkrirë si qiriri larg tij.
Miftar Spahija, i lodhur dhe i këputur nga travajet e jetës dhe të kombit dhe në një moshë tejet të thyer, u shua në një spital të Njuxhersit, në SHBA, dhe u varros sipas amanetit të lënë në tokën e Arbërit, në Tiranë, më 12 nëntor 2005, i përcjellë nga një kortezh stërmadh miqsh e dashamirës, siç e meritonte.
Prof. Miftar Spahinë e kanë cilësuar “si korife të politikës dhe të diplomacisë shqiptare” (Baleta); ai ka qenë një idealist i vendosur për Shqipërinë etnike, për Kosovën dhe Çamërinë, pse – sipas tij – Kosova asht djepi i kombit të pavarun shqiptar” dhe “Çamëria asht banue gjithmonë prej shqiptarëve”. Më 25 korrik 1993 ai i qe përgjigjur rryeshëm Klintonit, Jelcinit, Miteranit, Mejxherit e Gonxales-it me një skicë të shkurtër historike për deklaratën që i kishin bërë ata kryetarit të Këshillit të Sigurimit se “nuk mbështetnin deklaratat për pavarësi të Kosovës. U thoshte se “nuk do të ketë paqë në zemër të Ballkanit pa një Kosovë të pavarur”. Njëherit i tërhoqi vëmendjen qeverisë shqiptare “që të mos i përtypte fjalët në sofizma, por t’i thoshte çiltas, se shqiptarët duen veç trojet e veta, te kërkuj tjetër”.
Ai ka qenë antikomunist i thantë. “Me doktrinën komuniste, – ka shkruar Miftari, – s’kam asnjë pajtim”. Për të Partia Komuniste Shqiptare qe murtaja e Shqipnisë dhe vorri i Kosovës”. Idetë antikomuniste Miftari i ka dëshmuar tërë jetën me shkrime dhe me vepra.
Sipas parimeve të filozofisë politike, ai pëlqente demokracinë republikane e parlamentare, si forma ma e arsyeshme e qeverisjes, por në rastin e mbretit të shqiptarëve, Ahmet Zogut, – shkruan ai – është ndryshe. “Populli shqiptar duhet ta quej vetën fatbardhë që pati në krye të timonit nji burrë si Ahmet Zogu, i cili krijoi shtetin e njimendët shqiptar, ai diti me lundrue me guxim e me urti ndërmjet ujërave të turbullt të Jugosllavisë, Greqisë e Italisë”.
Miftar Spahija na ka lënë një vepër të gjerë, ku përfshihen punime historike, letrare, gjuhësore, një korrespondencë të pasur, një shumësi artikujsh e disa dorëshkrime ende të pashpaluara. Ndërkaq, unë e kam të vështirë të shprehem se cilën lëmí ka pasur më për zemër ai, historinë, letërsinë apo gjuhësinë. Ai ka botuar tri romane të stërmëdhenj, Hasimja (1990), Arbanët e Curranët (1998) dhe Taf Bardheti (2000) që kapullojnë 2756 f. Këto romane formojnë një të tërë në përmbajtje e në formë e veç vlerave letrare që bartin, ato janë edhe një gurrë e cemtë, ku mund të shuajnë etjen të gjithë ata që merren a duan të merren me historinë, etnologjinë e psikologjinë shoqërore të malësorëve shqiptarë në kapërcyell të shek. XIX, po edhe më parë dhe më pas, megjithëse në vetvete ato nuk janë as histori, as etnologji, as psikologji e mirëfilltë. Në këte vështrim vepra letrare e prof. Miftar Spahisë sikur vjen për të plotësuar, nga këndvështrimi i një vendësi, kërkimet e Nopçës, Durhamit, Hasllëkut etj. si dhe vizionet letrare historike të Pashko Vasës, dom Ndoc Nikajt, Shtjefën Gjeçovit… Sepse në çdo faqe të romaneve të Miftar Spahisë gëlon fryma e Rilindjes Kombëtare dhe e Kanunit të Maleve. Parë në tërësi, vepra letrare e shkrimtarit lumjan është një enciklopedi e vërtetë e jetës, e kulturës shpirtërore dhe e së folmes së malësorëve lumjanë.
E po deshi kush të qëmtojë pasurinë leksikore e frazeologjike të krahinës së Lumës, e siguroj se hambar janë veprat e Miftar Spahisë. Në këte lëmë Miftari ka pasur vetëm një akran, Tahir Kolgjinin. Pa i lexuar romanet e Miftar Spahisë, nuk duhet t’u grahish këmbëve për në tëbanat e lumjanëve, se para teje ka fluturuar atje kjo bletë mashtoke për të thithur nektarin më të vlefshëm që krijuan brezat në visin midis Ujit të Poslishtit e Veleshicës.
E tani t’i kthehemi gjuhës që përdor Miftar Spahija në veprat e veta, sepse ajo është elementi bazë i shprehjes, është mjeti me të cilin merren vesh e komunikojnë njerëzit. I ndjeri prof. Arshi Pipa diku paska thënë: “Shqipja paraqitet në tri forma: në gjuhën kombëtare, ku përfshihen të gjitha dialektet; në gjuhën e përdhosur letrare dhe në gjuhën e Miftar Spahisë”. Dhe ky vlerësim nuk është i pakët, sepse tregon se “gjuha e Miftarit” nuk ishte një formësim i rastësishëm, por një realitet i pranuar, një mjet komunikimi ngritur mbi kritere të caktuara të formuluara nga autori, të prezantuara në veprat e botuara, shpjeguar në bisedën me Hasan Hasanin (1992) dhe në fleshën e tretë të batrilit (romanit) Taf Bardheti. Miftar Spahija qe një puritan i skajshëm që, – sipas meje, – ia pat hipur kalistrup (kaliboç) vetes, sepse vepra e tij mbushur me tepri me neologjizma e krahinizma, me një drejtshkrim tejet fonetik, e ka të vështirë, madje të pamundur, të kënaqë lexuesit e sotëm.
Dijet e shumta në fushën e historisë Miftar Spahija i ka shfrytëzuar për të ndriçuar të kaluarën e kombit dhe për të mbrojtur të drejtat e shqiptarëve para shovinistëve fqinjë dhe imperializmit europian. Idetë e tij historike ai i ka shpaluar në veprat letrare, në letrat dhe memorandumet e shumta, po sidomos në skicën historike “Rreth Kosovës” shkruar në vitin 1993, e cila mbyllet me këte pasazh: “E vetmja zgjidhje për Kosovën e banueme prej shqiptarësh në masën 95% asht pavarësia nga Serbia, sepse as toka as populli i Kosovës nuk kanë qenë e nuk janë sllave”.
Miftar Spahisë i pëlqente ta quante veten “të Thaç”, megjithëse te ky burrë mali qenë të trupzuara vetitë më të spikatura që legjenda ua vesh disa fiseve shqiptare: “trimnia e Hotit, besa e tërvesa e Shalës, krenia e Shoshit…”; si i thaçjan Miftarin duhet ta karakterizonin – simbas legjendës “thanat e thaçat” po, përkundrazi, ky burrë i urtë mbetet shembull i rrallë i njeriut të punës e të veprimit”.
Fjala e mbajtur nga prof Shefqet Hoxha, në sesionin përkujtimor, me rastin e 100-vjetorit të lindjes së prof.Myftar Spahija-Thaçi, me 15 nëntor, në Muzeun Historik Kombëtar