
Kujtime
DR. EDUARD A. SKUFI – ATHINE
Homazh në përvjetorin e 65 të largimit nga jeta të Nako Qirkos

E ndjeja si një brengë, por më tepër detyrim etik, të shkruaja diçka për të, për të zbuluar të vërtetat e fshehura, për ti rikthyer identitetin mbas një rilindjeje, pasi asgjë nuk kishte qënë rastësi, në atë “indiferencë” të ftohtë, në atë “mohim” neglizhent.
Çuditërisht ai megjithë dimensionet e tij, kishte mbetur mbuluar në mjegullinën e kohës, në një jetë të mohuar, me suspensin dramatik, në kthetrat e martirizimit dhe një vlerësimi aq të munguar. “Liria ka një çmim dhe jo rrallë tejkalon ligjet e logjikës” thoshte Ai…
Ishte bir i denjë i Nartës, bilinguale, atij fshati metropol virtytesh, i verës, ullinjëve, bujarisë, por dhe rezistencës unikale ndaj shtypjes. Një derë e madhe, fisnike në një shtëpi dykatëshe, tashmë gjysëm të rrënuar, ku kalldrëmi të kthen djathtas. Gurët e asaj shtëpie, ruanin jo vetëm DNA e dinastisë Qirko, por dhe kujtimet e skalitura në të. Si ndajshtim, para shtëpisë qëndronte pusi i shurdhër dhe me tej si dinosaure të ngrirë, makineritë e ndryshkura të prodhimit të vajit. Jo larg ndodheshin reliket e një varke (monoksilo), që me vëshirësi shquhej emri i saj, Poseidon. Ai personazh protagonist quhej Nako Qirko, një figurë dinitoze, ku ndërthureshin inteligjenca, kultura, diplomacia, krenaria dhe papërkulshmëria, në një zemër të madhe.

Bashkëfshatarët me respekt e quanin “Baba Nako”, pasi ai u ndodhej pranë për çdo nevojë e problem, ndërsa për mua ishte “Papuli”, si gjyshi im. Pasi nëna ime Evrinomi, ishte jetime dhe xhaxhai i saj Nakua, u bë baba i vërtetë duke e rritur me dashuri,
krahas vajzës së tij Lefkothes. Bashkë shkonin në shkollë, bashkë mësonin pranë murgeshave të kishës katolike, edukimin dhe punët e dorës, paralel me perfeksionin e gjuhës italiane, veç greqishtes. Ndërsa pushimet verore i kalonin në shtëpinë e tyre, në Korfuz. Dhe nëna ime ushqente dashuri e respekt për të. Fotografia bardhë zi e Papulit me shikimin enigmatik, në çantën e saj, bashkë me fototografitë tona, më ringjalli këto kujtime të bukura…
Si bir i një familjeje të pasur dhe të madhe me origjinë helene, ai lindi në vitin 1887, duke trashëguar asete me vlera financiare. Kjo pasuri i dha atij mundësinë të edukohej në Greqi, ku u pajis me kulturë të përgjithshme dhe biznesi. Fati e bashkoi me Ollga Bezhanin, nga familja e shquar e Bezhanajve, me të cilën patën 5 fëmijë. Jetonin një jetë familjare dinjitoze, duke i dhënë rëndësi shkollimit të fëmijëve në Greqi. Midis tyre Nakua dalloi zgjuarsinë e Poseidonit, i cili kreu studimet në Universitetin e Athinës dhe në vazhdim atë të Padovës, ku fitoi bursën e ekselencës, për studime postuniversitare në Harvard dhe Massachusetts, kështu destina e transferoi në Amerikë.
Zhvillimi i trazirave të Luftës së Dytë Botërore e gjeti Nakon, atë pronar dhe administrator të pronës së tij, në të gjithë sipërfaqen e lagunës së Dajlanit. Prodhimet e freskëta të peshkut, butakëve, dhe molusqeve eksportoheshin në Itali, nëpërmjet kontratave të rregullta dhe korrekte. Sipas dëshmive të bashkëfshatarëve të tij, ai ishte figura më e respektuar, jo vetëm në fshatin e tij, por në të gjithë zonën. Mendimi i tij kërkohej gjithmonë, trajtohej me respekt dhe vlerësohej. Në këtë kohë momentet e lumtura, i frenoi humbja e papritur e jetës të së shoqes. Kështu që u detyrua të ketë përkohësisht një guvernante, për ti lehtësuar barrën e detyrimeve. Nako ishte një karakter i fortë, por dallohej për fisnikërinë dhe shpirtin e tij bujar. Ai u dha ndihmën e tij shumë njerëzve të varfër. Por një nga ngjarjet më domethënëse dhe mbresëlënëse që mbahet mend, tregon guximin dhe ndjenjat e tij humaniste… Një mëngjes të ftohtë dimri në prag të Krishtlindjeve, Nako dhe vëllai i tij më i vogël Fillakto shkuan për gjueti. Gjatë rrugës, nga një kriptë pranë një selvie, ata dëgjuan të qara fëmijësh. Mbasi u afruan gjetën dy fëmijë jetimë të braktisur, që dridheshin nga të ftohtit. I morën menjëherë, i mbuluan me trikot e leshit dhe i çuan në shtëpi. Kështu i bënë fëmijët e tyre duke i “adoptuar”. I rritën me dashuri, i pagëzuan, i edukuan dhe i martuan, duke u dhënë gëzim dhe dritën e jetës. Shansi më vonë, më dha mua mundësinë, të vazhdoja me humanizëm, punën e gjyshërve të mi, duke u dhënë dritën e syve atyre pas operacionit të kataraktit dhe duke u kujdesur për ta.
Edhe pse me rrënjë greke, ai e respektonte vendin ku u rrit dhe i kushtoi shpirtin. Duhet të merret në konsideratë, se Nako Qirko ishte një personalitet intelektual i kulturuar dhe me prestigj, i dalluar për idetë e tij demokratike që në rininë e tij, si antar i Lëvizjes Socialdemokrate të aso kohe, së bashku me miqtë e tij, figura të nderuara si ajo e Nuredin Bej Vlorës, Osman Haxhiut, Arshi Halilit (Xhindi), të cituara dhe në gazetën “Dielli”, por ai ishte gjithashtu antar aktiv i këshillit bashkiak të qarkut.
…Në vjeshtën e vitit 1943, midis Nartës dhe fshatit më të afërt Panaja, në vendin e quajtur përroi i Gorricës, ndodhi një ngjarje e trishtë. Në muzgun e mbrëmjes, pesë të rinj shqiptarë të grupeve ilegale u gjetën të vrarë. Vrasja, si një ndjesi e ndikimeve politike, krijoi vibrime reaktive kontradiktore, 25 të rinj nga Narta u morën peng, duke pritur vendimin përfundimtar për jetën e tyre. Ata u habitën nga ndërhyrja e vendosur dhe fjalët plot mënçuri dhe guxim të Nako Qirkos, në detyrën e kryeplakut : “Unë garantoj se fshati ynë nuk ka dorë në këtë incident, dëshmoj për këtë me përgjegjësinë time”. Personaliteti i Nako Qirkos ishte një “handicap” tregues, kundër depërtimit të ideve komuniste në këtë fshat, (por që ai i dallonte nga partizanët). Kështu në një akt sublim, ai u sakrifikua për të mbrojur praninë e partizanëve në fshat, nga nazistët, ( akt që më vonë u injorua) dhe u arrestua nga gjermanët, në dimrin e vitit 1944 duke e internuar në Prishtinë, megjithatë ai arriti ta shpëtoi fshatin nga djegia e sigurtë…
Në prag të çlirimit të vendit, ai u kthye në fshatin e tij, në stacionin e shpresës së madhe, ku u martua me Olimbi Dilon, nga familja e dëgjuar gjirokastrite. Sapo hyri në derë, tha shprehjen alegorike: ”Nuk mund të rroja larg Itakës time, u ktheva si Odiseja“… Ndërkohë vazhdonte të shprehte filantropinë e tij, në ndihmën e pakursyer ndaj të vobektëve, po ashtu kontribuonte financiarisht sëbashku me të kamur të tjerë, për mirëmbajtjen dhe liturgjinë e monastirit të Shën Marisë, në lagunën e Nartës.
…Këtu fillon kalvari i arrestimeve, i vodhën përsëri gëzimin dhe çdo gjë të mirë, si në një spektakël ku “dielli i ftohtë” nuk arriti ta ngrohte, zemrën e vuajtur të Nako Qirkos. Në zgjedhjet e para, duke besuar në “demokracinë popullore”, ai kandidoi që të bëhej kryetar i këshillit, por udhëzimi i diktuar urdhëroi që, si njeri me “ndikim antikomunist, duhej të hiqej menjëherë nga listat”. Kjo solli një reagim të fortë. Kështu, u fut befas në “dead list”…
Ai u arrestua në dimrin e vitit 1945, me akuzën e sajuar si “armik i rrezikshëm” dhe u dënua me katër vjet burg. U lirua nga burgu pas dy vitesh, në një liri të rreme, sepse në shkurt të vitit 1947 e ridënuan si kundërshtar i reformës agrare, këtë ish-kryeplak fshati, duke i shkaktuar një tjetër traumë psikologjike. Arrestimi i tretë i radhës, shënohet në vitin 1955, me akuzën paradoksale se nuk i kishte deklaruar gjithë rrënjët e ullirit dhe vreshtat, ndërkaq i ofruan një tjetër qeli burgu për “strehë”, me ridënimin 5 vjet heqje lirie. Më vonë në vitin 1957, megjithëse i burgosur, atij i jepet në mungesë epiteti “kulak”, duke i hequr “Kartën e Frontit” (pra dhe të gjitha të drejtat, duke e vendosur në diskriminim të plotë), çka u shoqërua me një skenë reagimi nga bashkëfshatarët. Fëmijët e tij tani, si bijtë e kulakut, i larguarn nga profesionet e tyre dhe i vendosën në punët më të vështira. Kështu që ata mbeten “të padëshiruar”, të përbuzur, deri në fund të jetës së tyre. Praktikë e njohur e katastrofës komuniste, që pasi dogji gjithçka tek qënia njerëzore, shkatërroi edhe çdo gjë që lidhej me të.
Njerëzit mbetën të befasuar duke diskutuar mbi”çështjen Qirko”, nga fillimi deri në fund… megjithëse fundi nuk kishte ardhur ende. Regjimi i kishte “zbukuruar” portretin, me citimin e një liste epitetesh shpifëse…“Nako Qirko, si armiku i betuar i rregjimit, elementi i rrezikshëm reaksionar, si antagonist i socializmit në fshat, si përkrahës i imperializmit”…Por ky person duket se kishte tërhequr vëmendjen dhe të shërbimit sekret, ku e gjithë biseda e tyre befasisht, u përmblodh në këto fjalë paradoks: “Ju jeni një njeri i nderuar dhe me influencë, por disa bastardë ju kanë ngatërruar. Ne ju kemi thirrur të bashkëpunoni dhe të lidhni me ne, djalin tuaj Poseidonin, që e keni në SHBA dhe ti sugjeroni, të na ndihmojë. Nëse e bëni këtë, atë që keni humbur, do ta fitoni në kohë rekord”…Por ai nuk bënte kompromis me dinjitetin dhe idetë e tij. Ai u përgjigj me krenari dhe kokën lart, me një shprehje të fortë lakonike: “Jo”!!!…Kështu ata e kërcënuan me zemërim: “Do të vuash gjithë jetën deri në pleqëri”! Edhe pse i konfiskuan të gjithë pasurinë, por jo dinjitetin, ai nuk i hoqi kurrë, borsalinon, kravatën dhe këmishën me jakë të bardhë, si veshje dinjitoze! Por, veç gjëndjes shpirtërore dhe ajo ekonomike, u përkeqësuan mjaft, e vetmja mbështetje financiare ishte ndihma e të birit, Posidhonit nga Amerika.
Me sa duket, shpirti i tij i ndjeshëm nuk iu nënshtrua ideve të tij të rrepta, pas kalvarit të vuajtjeve, kështu që mbidoza e stresit dhe reflektimet psikologjike (beteja obsesive midis vetëdijes dhe egos) e dënuan me një ishemi cerebrale, por as ajo nuk e përkuli. Nako kishte një kopsht të vogël pranë shtëpisë së tij, ku kishte ndërtuar një kasolle në të cilën qëndronte gjithë ditën, duke ia kushtuar kohën kopështarisë dhe leximit. Ku Papuli gjeti terapinë, për rehabilitim, si “ergoterapi” dhe antistres, në atë kopsht të vogël personal, në të cilin kultivonte angjinare, rukola, sallatë jeshile, kastraveca dhe pjepër. Atje në atë kasolle gjente prehjen, nën tingujtë dhe frekuencat e një radioje portative, shtegëtonte dëshirat, duke e kombinuar me leximin e gazetës greke “Ελεύθερον Βήμα” dhe libra të letërsisë filozofike greke. Por në mbrëmje ai i kënaqur kthehej në shtëpi, mes përshëndetjeve të bashkëfshatarëve. E shikoja me admirim, ai më kujtonte copëza fragmentesh nga Hemingway, Dostojevski apo Eliti. Nuk kishte pak raste, kur kisha kohë të lirë, shkoja në kopshtin e tij për ta takuar. Ai shprehte kënaqësinë e tij, duke më servirur pjepër të freskët, fiq dhe dardha, pastaj fillonte “mësimin”. Të kënaqëte me rrëfimin e tij mbi komedinë e shquar, “Pasuria”, «Πλούτος» e Aristofanit. Ku mbreti i verbër Pluto, e ndante pasurinë mbi tokë, në mënyrë të padrejtë. Derisa ai vizitoi në Naonë e Asclepiusit, terapeftit të famshëm, i cili i ktheu shikimin dhe ai e korrigjoi gabimin. “Ndërsa pasuritë e nëntokës i administrojnë vet njerëzit, sigurisht kur i lejojnë”, tha me ironi.
Njëherë kur u përpoqa ta ndihmoja duke e mbajtur përkrahu, ai me finesë e largoi dhe krenar më tha: “Mesa duket jam një aliazh Herkulian dhe Platonian, ndryshe nuk ka si spjegohet ”… dhe nguli shikimin në gurët e kalldrëmit…
Më kujtohet një të shtunë dimri, në drekë i erdhi një mik nga Panajaja, mesa duket i të njëjtës destinë, emrin nuk ja mbaj mend por mbiemrin e kishte Hoxha,(e si mund të harrohej ai mbiemër!). Papuli i bëri me shenjë Olimbisë, të pregatiste diçka për drekë. Mandej ajo solli raki, ullinj, angjinare, vezë peshku të thara dhe filluan bisedën. “Ai atje në fotografi është Posidhoni, biznesman, djali që kam në Amerikë, në krah zonja e tij Clara Delgado, kurse i ulur midis tyre është Nakua i vogël “ dhe zëri ju drodh. “Jetojnë të lirë e të lumtur. Ndërsa ne mes kthetrave të vuajtjeve dhe në survejim nën radar. Kjo politikë e tyre nuk ka emërtim”…
Më ka mbetur në kujtime një mbasdite, kur po e ndihmoja Papulin për të vajtur në kishë, në rrugicë u kryqëzuam me një nga drejtuesit e partisë në fshat. Ai me një shikim tinzar i tha : “Xha Nako mbahesh mirë, ndihma jonë nuk të ka munguar”, … Papuli ndaloi, ngriti shkopin dhe ju kthye “Vetëm njerëzit e thjeshtë më kanë respektuar, mos harro çdo veprim në jetë për këdo nuk shuhet, por reflekton në vite” dhe rrëmbimthi u largua, me një nënqeshje ironike..
Në mbrëmje bashkë me maman, u ulëm rreth zjarrit në vatër dhe Papuli na kënaqte me historitë e tij. I pëlqente të komentonte çdo ngjarje apo fenomen në mënyrë lakonike, por duke e ilustruar atë,
me stilin mitologjik. Filloi diskutonte për fabulat e Ezopit, duke përmendur shpesh “Burrin me xhaketë, erën dhe diellin“, me vlera etike dhe filozofike, të cilat mbeten mësime të vlefshme për jetën time. Për mua ai ishte një gjysh i mirë, por edhe një mësues (duke plotësuar vlerat pedagogjike, të prindërve të mi mësuesë). Nuk e di, por ai kishte krijuar një marrëdhënie të fortë me mua, që mbeti në kujtesën time, atje ku fshihen enigmat e jetës time…
Personaliteti dhe figura e tij demokratike u përball me regjimin diktatorial, i cili e shihte atë si një element të rrezikshëm. Sepse ai dallohej për “mendjen e tij të kultivuar”, e kurajon për të shprehur idetë. Kështu, “Çështja Qirko” u bë kryefjala e asaj kohe…
Një ditë dimri të vitit 1961, papritur ai nuk mundi të ngrihej në këmbë, një goditje hemorragjike cerebrale e përuli, pasojë tragjike e dramës së jetës. Me ndihmën e nënës dhe babait tim, e shtruam në spital. Atje u trajtua me kujdes, nga një mjek me përvojë dhe mik i familjes. Por pamvarësisht trajtimit intensiv, ai nuk doli nga ajo gjëndje dhe pas tre ditësh “ju nënshtrua”, asaj sëmundje të rëndë, (nuk më pëlqen të përdor një sinonim tjetër, sepse për mua, ai është përherë i pranishëm).

Takimi im me kushëririn tim, djalin e Papulit, Posidhonin, në vitin 1992, në hotel Hilton, Athinë
…Ky ishte dhe fundi i “dinastisë Qirko” dhe mbyllja e një epoke. Nuk dëshiroj ta përshkruaj peripecitë e transportimit të trupit të tij nga spitali në shtëpi, e cila ishte një përballje e ashpër me kufizimet dogmatike. Deri në frymën e fundit, ai priste arrestimin e radhës “për mëkatet”, por vdekja atë e anuloi. Nako Qirko u varros me respekt dhe nderime shoqëruar nga bashkëfshatarët e tij dhe të tjerë të ardhur nga qyteti, në heshtje meditative. Vetëm britmat therëse dhe të dhimbshme të grave, dëgjoheshin në mirologio,(μοιρολόγιο, vajtim lirik grek mbi fatin e njeriut) drejt varrezave të Nartës.Të pranishmit nuk e braktisën varrimin, por me praninë e tyre kundërshtuan urdhrin e regjimit, për ta lënë vetëm atë edhe në vdekje. Kështu ai u bë monument nëntokësor, duke na dhuruar sloganin e tij “për momentin mund të flasësh dhe me heshtjen tënde”…
Ka disa gjëra në jetë, që nuk mund t’i perceptosh ose t’i kuptosh siç duhet në moment, por nëse do të kishte një ferr në tokë, vështirë të gjëndej diku tjetër…
E konsideroj fat dhe privilegj të madh, që bashkëjetova me atë Njeri, për pothuajse një dekadë të paharruar (kur fillova të kuptoja filozofinë e jetës). Ai do të mbetet në kujtimet e mia jo thjesht si gjyshi im, por një mentor vizionar, substancial. Aksioma e tij më ndjek pas: “ E vërteta është si drita një ditë do të ndriçojë”…
…Ky homazh në përvjetorin e 65 të largimit të tij nga jeta, le të jetë dhe apel, pasi përbën një padrejtësi ekstreme, fakti që figura të tilla, mbeten ende në hije dhe të pavlerësuara!