Rreth veprimtarisë letrare dhe shkencore të Prof. dr. Anton Nikë Berishës.
Nga Hysen S. Dizdari
Tiranë janar 2025
Anton Nikë Berisha është prozator, poet, studiues i letërsisë, përkthyes letrar, profesor universitar. Ka lindur me 7 gusht, 1946, në katundin, Dobërdol, komuna Klinës, Kosovë. Shkollën normale e mbaroi më 1966 në Prishtinë. Më 1971 mbaroi studimet në Fakultetin filozofik, Dega gjuhë e letërsi shqipe, të Universitetit të Prishtinës, ndërsa më 1976 kreu studimet e rregullta pasuniversitare pranë Fakultetit filozofik të Universitetit të Zagrebit dhe mori titullin e magjistrit të filologjisë. Po në këtë Universitet (më 1981) mbrojti tezën e doktoratës shkencore.
Gjatë vitit universitar 1978-1979 realizoi një qëndrim studimor në RF të Gjermanisë (Universiteti i Göttingenit) si bursist i DAAD-së, ndërsa në vitet 1984/85 (në Universitetin e Göttingenit) dhe 1992-1993 (në Universitetin e Münchenit) ishte bursist i Alexander von Humboldt Stiftung-ut.
Nga viti 1973 punoi në Institutin albanologjik të Prishtinës; në fillim asistent, pastaj bashkëpunëtor shkencor, bashkëpunëtor i lartë shkencor dhe këshilltar shkencor.
Në vitin akademik 1992-1993 (dy semestra) mbajti mësim në Seminar für Allgemeine und Indogermanische Sprachwissenschaft – në Katedrën e albanologjisë – Universiteti i Münchenit.
Nga nëntori i vitit 1993 punoi në Katedrën e gjuhës dhe letërsisë shqipe – Departamenti i linguistikës, Fakulteti i letërsisë dhe i filozofisë i Universitetit të Kalabrisë; nga 2005 si profesor i letërsisë shqipe.
Prof. Anton Nikë Berisha është njëri nga shkrimtarët dhe studiuesit tanë më të shquar. Ajo që e dallon nga shkrimtarët e studiuesit e tjerë të letërsisë shqipe është, qasja e veçantë e studimit të disa nga veprat më të shquara autorëve më të njohur të letërsisë sonë, dhe mënyra e analizimit, e interpretimit dhe e ndriçimit të vlerave poetike të tyre e të ndikimit estetik në lexuesin.
Studimet e tij janë shtrirë në veprat e letërsisë gojore dhe në veprat e letërsisë së shkruar.
Janë të njohura sidomos punimet dhe librat që i kushtohen letërsisë së arbëreshëve të Italisë. Kjo ndodhi nga se nga viti 1993 ai punoi në Universitetin e Kalabrisë, në fillim si ekspert i gjuhës e pastaj profesor i letërsisë shqipe.
Në vitin 1970, ai boton veprën e tij të parë poetike “Kthimi i Skënderbeut në Krujë” (vjersha për fëmijë). Deri më sot ka botuar mbi 100 vepra letrare e studimore.
Në vitin 1985 mori Shpërblimin e dhjetorit të KSA të Kosovës për letërsi për veprën Teksti poetik; më 2004 shpërblimin “Hivzi Sulejmani” për romanin Nëna e dritës dhe shpërblimin “Asdreni” për përkthimin poetik të Epit të Gilgameshit (Korçë qershor 2009), më 2012 shpërblimin “Giorge Mangone” të Sindikatës të pavarur të shkrimtarëve italianë për Kalabrinë, më 2014 shpërblimin “Azem Shkreli” të Komunës së Pejës, më 2015 shpërblimin “Beqir Musliu” të komunës së Gjilanit dhe Medaljen presidenciale të meritave të Republikës së Kosovës (2017), fitues i “Muzës së Agimit” (2018) dhe çmimin tradicional “Ora e Tahir Deskut” të komunës së Klinës (2019), Shpërblimin “Din Mehmeti” të Universitetit të Gjakovës “Fehmi Agani” (2020) dhe shpërblimin “Ymer Elshani” për romanin për fëmijë “Kush dëgjoftë e mos tregoftë…” (2020), Dekoratën Nëna Tereze të Kryetarit të Republikës së Shqipërisë për studimet letrare dhe për veprat për Nënën Tereze, veçmas për kompletin prej shtatë vëllimesh – Nënën Tereze në shtatë shpalime (2021) dhe Çmimin kombëtar letrar për vepër jetësore “Azem Shkreli” të Ministrisë së rinisë dhe sporteve të Republikës së Kosovës për vitin 2023.
Puna në fushën e letërsisë
Në saje të punës këmbëngulëse, të talentit tij të rrallë, por edhe përgatitjes letrare e shkencore, ai ka arritur të shkruajë e botojë një seri me romanësh e shquar të letërsisë sonë: “Motra kërkon vëllezërit”, “E bukura e dheut”, “Bimorja”, “Nëna e dritës”, “Gjin Bardhela i arbresh & Etja e gurëzuar” ose siç është përkthyer në italisht me titullin “La sete pietrificata”, “Ferri i lodhur” dhe “Ëndrra e erës”, “Kush dëgjoftë e mos tregoftë…“, Frymëmarrje nate”, po dhe vepra me përsiatje poetike si “Ujëvarë drite në zemër”, “Sytë e heshtjes”, “Hire të vetmisë” etj.
Në vitet 1978 – 1990 të shekullit XX, Prof. Anton u bë i njohur si studiues i letërsisë me veprat “Përkime poetike”, “Mundësi interpretimi”, “Çështje të letërsisë gojore”, “Teksti poetik”, “Shumësia kuptimore”, “Qasje poetikës së letërsisë gojore shqipe”, për të vazhduar në shek.. XXI me studimet monografike Buzukun, Budin, De Radën, Santorin, Skiroin, Fishtën, Koliqin, Dushko Vetmon, Martin Camajn, Mark Krasniqin, Azem Shkrelin, Ramadan Musliun etj.
Në saje të aftësive të tij letrare, të përkushtimit të tij në fushën e artit të fjalës Prof. Antoni arriti të botojë librat: “Burim drite e dashurie” (Antologji e poezisë së përshpirtshme shqipe 1618 – 1998), “Antologji e poezisë gojore arbëreshe & Antologia della poesia orale arbëreshe”, “Antologji e këngëve kreshnike shqipe”, “Antologji e përrallës shqipe”, “Antologji e poezisë bashkëkohore arbëreshe & Antologia della poesia contemporanea italo-albanese” etj.
Duhet të theksohet se veprimtaria e tij letrare dhe shkencore është vlerësuar lart nga një varg autorësh shqiptarë dhe të huaj.
Të përend këtu se deri më tani janë botuar 26 vëllime (libra) për veprat e tij në shqip dhe të përkthyera.
Një pjesë të veprimtarisë së tij prof. Berisha ia kushtoi veprimtarisë dhe flijimit të Gonxhe Bojaxhiut – Nënës Tereze, tashmë e shpallur e shenjtë nga Vatikani..
Këto vepra përshkohen nga humanizmi, thjeshtësia, dashuria, besimin tek Zot, ideale të cilat Shën Nënën Tereze e udhëhoqën në punën dhe flijimin e saj për tjetrin, sidomos për të varfrit e më ë varfërve, të gërbulurve, pa dallim race e përcaktimi fetar. Këtë e dëshmojnë një varg veprash të llojeve të ndryshme, një pjesë e të cilave janë përfshirë në kompletin prej shtatë vëllimesh: “Nënë Tereza në shtatë shpalime” (“Faik Konica” 2018)
Vëllimin i parë përmban, romani: “Nëna e Dritës”, kurse në vëllimin e dytë, jepet romani: “Ëndrra e erës”, dhe rrëfimi i Nënë Terezës për të gërbulurit e Kalkutës. Vëllimin i tretë, përmban veprat : “Ujëvarë drite në zemër” dhe “Sytë Heshtjes” përsiatje poetike.
Autori i frymëzuar nga vepra e Nënë Tereza ku në faqen 85, ajo thotë: “Kemi nevojë për heshtja për të qëndruar vetëm me Zotin, për t, i folur, për ta dëgjuar, për t’i përjetuar thellësisht fjalët e tij në zemrën tonë.” Autori me mjeshtëri të rrallë artistike e poetike, i thurë vargje poetike heshtjes dhe në faqen 103 ,ai shkruan:
“Heshtja është dhunti për njerëzit ,
Thesar shpirti që dëshmohet me flijime:
Ti dhurosh tjetrit diçka nga vetja jote,
atë që t’është e shtrenjtë, që t’është e dashur,
t’ia vesh zemrën në shuplakë e dorës ,
për të ndjerë rrahjen e zemrës së tij,
ta duash tjetrin si veten ta çmosh,
eta pranosh me tërë qenien tënde,
ta shmangësh ngasjen, t’i bishtërosh tundimit ,
edhe kur vetja të duket se je një hiç,
t’ia falësh dashurinë, gjakimin për jetë,
pa menduar për ndonjë fitim të mundshëm,
si nëna që i dhuron foshnjës së vet
dashurinë pa skaj në çdo rrethanë e kohë.”
Vëllimin i katërt përmban veprat: I desha njerëzit me dashurinë e Hyjit, Pjesa -1:Hapat e para të jetës në dritën dhe në hirin e Hyjit, Pjesa -2:Dashuria për Hyjin dhe për njeriun është e pandarë, Pjesa -3: Tekst Lutjesh, letra , mendime, Pjesa -4:Përsonalite botërore për Nënën Tereze.
Vëllimi i pestë përmban veprat: Shën Pali dhe Nënë Tereza, (Qasje besimi-dashurisë për Hyjin, për Jezu Krishtin dhe për njeriun)
Vëllimin i gjashtë përmban veprat :Errësira shpirtërore, Testamenti Shpirtërorë dhe Nënë Tereza në poezinë bashkëkohore shqipe.
Në vëllimin e shtatë përfshinë tri vepra: Errësira shpirtërore, Testamenti shpirtërore, e Nënë Tereza në poezinë bashkëkohore shqipe.
Kolona e veprës : Nënë Tereza në shtatë vëllime, përfshi veprat më të rëndësishme të Prof. Antonit kushtuar Nënës Tereze me të cilat ai arrin të ndriçojë e hedhin dritë mbi jetën dhe veprën e punën e Nënë Tereze në shërbim Hyjit e të varfërve. Veprat e Prof. Antonit tregojnë se ai është një nga studiuesit e njohës më të mirë të jetës dhe veprës Nënë Terezës por dhe i literaturës biblike. Me kolonën e veprave të tij kushtuar shenjtores Nënë Tereza , Prof. Anton Nikë Berisha, jo vetëm ka ndriçuar figurën e shqiptares famshme Shën Nëna Tereza, por i ka bërë edhe një shërbim të madh, vendit tij dhe të gjithë Kombit Shqiptarë.
Pra, shqiptarët kudo jetojnë sot në Shqipëri, në Kosovë , në Mal të Zi, në Maqedoni e kudo nëpër botë, duhet ti jemi mirënjohës për jetë, Prof. Anton Nikë Berishës, këtij burri vigan, këtij shqiptari të Madh i cili tërë jetën e tij, të gjithë aftësitë e tij krijuese e intelektuale i ka vënë në shërbim të Atdheut e Kombit Shqiptare, më studimin, me krijimit e më ndriçimin e letërsisë gojore e të shkruar shqipe ,duke filluar me letërsinë e harruar të arbëreshëve të Italisë e deri tek letërsia e sotme bashkëkohore.
Në vijim po shkëpus vetëm disa vlerësime që dëshmojnë për vlerën e veprës letrare dhe shkencore të Prof. Anton Nikë Berisha:
Prof. FRANÇESKO ALTIMARI, arbëresh i Kalabrisë (Itali): “S’ka dyshim se brenda veprimtarisë së tij shkencore të frytshme, të kualifikuar e të disallojshme, tema letrare e arbëresheve të Italisë, pas asaj të poezisë gojore në kontestin ballkanik, përbën temën e parapëlqyer të kërkimeve të tij, që e ka përligjur me monografi e punime kritike, të botuara në Itali, në Shqipëri e në Kosovë, mbi disa nga figurat e veprat më të rëndësishme të traditës sonë letrare, nga ajo romantike e pasromantike (nga Jeronim De Rada e Zef Skiroi) deri tek ajo bashkëkohore (nga Dushko Vetmo tek Vorea Ujko, nga Zef Del Gaudio tek Lluka Perrone, nga Enza Skutari tek Zef Sikroi di Maxho).
Ky përkushtim i fuqishëm kulturor e shkencor në të mirë të letërsisë arbëreshe, për të cilën i jemi thellësisht mirënjohës, i drejtuar në një fushëveprimtari jo aq shumë tërheqëse brenda industrisë kulturore shqiptare, po në të cilën Anton Berisha ka besuar dhe beson thellësisht, ka përligjur një zotim personal të jashtëzakonshëm e ndihmëtar, që ka shkuar përtej një zotimi detyrues e të rëndomtë, që e cilësojnë kërkimin dhe interpretimin e teksteve letrare. I bindur në mirëqenien e këtij veprimi të vlefshëm, për t’i bërë të njohur më mirë në botën shqiptare bashkëkohëse – në Shqipëri, por edhe në Kosovë, në Maqedoni dhe në Mal të Zi – shkrimtarët arbëreshë të djeshmit e të sotëm, që në të kaluarën janë analizuar sipas modelit të caktuar, nëse nuk janë mohuar nga kritikët shqiptarë të realizmit socialist, nuk u është shmangur as punëve të rënda teknike të botimeve, duke përmbushur edhe punët e radhitjes e të faqosjes të punëve të bëra, për të kursyer shpenzimet e përgjithshme të botimit, e duke u zotuar të gjejë, në trojet shqiptare, botuesit më të gatshëm për të ndihmuar mirëfilli shpërndarjen dhe përhapjen e këtyre veprave të mëdha brenda nënqiellit të letërsisë kombëtare të gjuhës shqipe […]
Kontributet e tij studimore mbi veprat letrare të autorëve të traditës sonë letrare, qoftë shqiptare – si Gj. Fishta, E. Koliqi e M. Camaj – qoftë kosovare A. Shkreli, M. Krasniqi, A. Pashku e A. Podrimja – objekte të trajtimeve të tij të shumta, por edhe argumentet e kurseve të tij universitare e të tezave të laurimit të udhëhequra nga ai, ndriçojnë rolin e “misionarit” të pasionuar për letërsinë shqiptare. Nëse kjo botë letrare sot është më e afërt dhe më përfillëse sesa ishte dje, merita i përket edhe Antonit me veprën e tij të frytshme të “përkthimit” e të ndërmjetësimit të pareshtur, që është shprehur dora – dorës midis Italisë dhe Ballkanit, midis Kalabrisë e Kosovës, me të cilin veprim në këto njëzet vjet ka ndërtuar një urë të qëndrueshme të ballafaqimit, duke nxitur një këmbim autentik të vlerave e të kulturave midis këtyre realiteteve, që falë pikërisht atij sot janë më pak larg njëra – tjetrës.
Fshehtësia e tij për këtë dashuri letrare është se Anton Nikë Berisha e don thellësisht botën e vet, por e don në mënyrë të jashtëzakonshme edhe punën e vet siç vëren Primo Levi në romanin e vet “Çelësi në yje” (1978) “[…] ta duash punën tënde (që mjerisht është privilegj i pak njerëzve) përbën përafrimin më të mirë konkret të lumturisë mbi tokë”.
FATMIR MINGULI: “Kur dëgjon për emrin e Anton Nikë Berishës mendja të shkon menjëherë te përkthimi i librit ndër më të vjetrit të shkruar “Epi i Gilgameshit”. Përkthimi i këtij libri në gjuhën shqipe është një ngjarje e madhe për krijuesit dhe studiuesit shqiptarë, kudo që ata ndodhen. Të përkthesh “Epin e Gilgameshit” në vitin 1984 në kushtet e shqiptarëve në Jugosllavinë e atëhershme duhej patjetër një guxim prej shqiptari të vërtetë. Shumë kush e kupton se sa rëndësi ka njohja me këtë ep mijëravjeçar për shqiptarët, trashëgues të epeve, ndoshta po kaq të lashta.
Anton Nikë Berisha mbetet po ai guximtar, mbetet po ai studiues kokulur, mbetet po ai kërkues i përhershëm e i pa frikuar nga asgjë e panjohur. Për këtë flasin me dhjetëra vepra të botuara, vepra të mirëfillta studimore, tekste mësimore e antologji, poezi e prozë për të rritur e për fëmijë e deri te lëvrimi i gjinisë së vështirë të romanit.
Kam ndjekur me vëmendje pak nga studimet plot vlera të këtij shkrimtari dhe studiuesi shumëplanesh, kam studiuar me shënime disa nga veprat e tij dhe jam plotësisht në një mendje me të kur ai thotë në emisionin “Kafja e mëngjesit” të Radio Televizionit Dukagjini se për një studiues e shkrimtar midis tre rrugëve, asaj të lehtë, asaj të mesme dhe asaj të vështirë, ai zgjodhi këtë të fundit. Albert Ajnshtajni thoshte se një problem që nuk duket i pamundur, nuk përbën qëllim shkencor.
Për rëndësinë dhe për vlerat e mëdha të veprave të Anton Nikë Berishës në disa fusha dëshmojnë më së miri një varg vëllimesh e studimesh monografike që i janë kushtuar veprimtarisë së tij të pasur letrare e shkencore”.
ANTON ÇEFA, (New Jersey, SHBA): Tek personaliteti i Anton Nikë Berishës është mishëruar në mënyrë të përsosur njohja dhe interpretimi teorik i problemeve të artit letrar në kompleksitetin e tyre, talenti i padiskutueshëm dhe aftësitë e tij të çmuara në krijimin e realiteteve artistike që përsëdytin me mjeshtëri realitetet historike të botës shqiptare, pa lënë mangut dimensionet universale humane.
Veç trajtimit teorik të çështjeve të estetikës dhe të shkencës letrare, Berisha ka dhënë shembuj të shumtë të aplikimeve teorike në analizat e shumta të veprave letrare të shkrimtarëve shqiptarë të të gjitha kohëve dhe hapësirave gjeografike të banuara prej tyre.
Është vështirë të pasqyrosh përmbledhtazi veprimtarinë e Berishës, aq e larmishme është ajo. Lavra e tij ka hapur e mbjellë zagna në arat më të ndryshme të folklorit, folkloristikës, estetikës, eseistikës, teorisë së letërsisë, kritikës letrare, letërsisë artistike në gjinitë e llojet më të ndryshme të saj, përkimeve poetike, përkthimeve, përshtatjeve analizave letrare rreth gjymtimeve dhe shëmtimeve të disa veprave të letërsisë së arbëreshëve të Italisë, konferencave shkencore, intervistave, etj. Te Antoni ka gjithnjë një “e tjerë”.
DANTE MAFIA: shkrimtar italian, i propozuar për Çmimin Nobel për letërsi: “Në një kohë shterpë si kjo e tashmja, që shkon drejt një vorbulle të një letërsie gjithnjë e më tepër të konsumit, të cilësuar nga mungesat e tensioneve shpirtërore dhe etike, të gjendesh përballë një argumentimi të këtij lloji, që niset prej kohëve më të largëta dhe shqyrton çështje të ndërliqshme si ajo e identitetit, është një ndërmarrje që pranohet me kënaqësi nëse ke të bësh me leximin e përshtatshëm, nëse adhuron poezinë, nëse ke për zemër dëshirën për t’i sqaruar vetes dhe të tjerëve motivin e një pështjellimi tashmë universal që po zhvendos popullata të tëra nga njëra anë e kontinenteve në tjetrën.
Berisha nuk është dorëzuar, edhe pse kishte mundësinë të luante letrën e thjeshtë të përkatësisë duke e shndërruar atë në një flamur për ta shpalosur e për ta mbrojtur, apo të paraqiste një histori tërheqëse, siç bëhet në shumë romane e filma […] duke vënë theksin në dallimet racore e kulturore. Përkundrazi, Berisha projektoi veten në kushtet e përshkimit (kalimit) të një rruge të ashpër e thellësisht të vështirë nëpërmjet së cilës mbërrin i rilindur para vdekjes. Pra, rrëfim e kungim, ku të dyja bëhen duke u përballur me kontradiktat, me shpresat dhe me ëndrrat e veta, për të vështruar më qartë qenësinë e veprimeve, për të kuptuar më thellë substancën e ëndrrave, projektet e fatit, thelbin e origjinës së vet, atë të traditave”.
PROF. DR. ZEQIRJA NEZIRI: “Anton N. Berisha është ndër studiuesit e rrallë shqiptarë, tek i cili shkëlqen një veçanti metodologjike studimore: para se të japë pikëpamjet e veta për ndonjë çështje që merr në trajtim shoshit në hollësi studimet e bëra paraprake dhe vetëm pasi ka bërë këtë paraqitje shpreh pikëpamjet e veta. Një metodologji e tillë është zbatuar edhe në studimin e tij mbi Mesharin e Buzukut, ku janë pleksur mrekullueshëm literatura shkencore për Mesharin me lëndën që përfshin vepra dhe me pikëpamjet që shtron e mbron autori”.
Për rëndësinë e shumëfishtë të veprës letrare dhe shkencore të Anton Nikë Berishës dëshmojnë dhe shumë mendime të autorëve të tjerë, shqiptarë dhe të huaj, të përfshirë në 26 vëllime të botuara për veprimtarinë e tij.