Avzi Mustafa/

(In memoriam për Prof. Dr. Halim Purellkun)
Më 2 mars 2026, në orët e pasmesnatës, në Shkup, pushoi së rrahuri zemra fisnike, e madhe dhe me ndjenja humane e historianit të pepur të historisë kombëtare, prof. dr. Halim Purellkut. Ishte një lajm i hidhur që e tronditi jo vetëm familjen, por edhe të gjithë miqtë, shokët, kolegët dhe publikun më të gjerë kulturor.
Çdo vdekje e njeriut është e tillë, e papritur dhe e dhimbshme, pavarësisht lidhjes me jetëgjatësinë dhe gëzimet që ajo sjell. Por, kur ajo përmbush misionin e saj, për ne – të dashurit që kemi jetuar dhe përjetuar jetën me krijimtarinë e tij, pasurimin dhe përparimin e njerëzve dhe botës së jetës – atëherë emocionet tona arrijnë kulmin, dhimbja bëhet më e thellë dhe më e gjerë, ndërsa vetëdija për humbjen e një personaliteti të madh shpërthen në hapësirën e reales.
Kur vdekja Halim Purellkut u bë realitet që duhej pranuar, ne mundëm me dinjitet dhe dhimbje ta shprehim edhe kënaqësinë që në hapësirën tonë shoqërore, në periudhën e zhvillimit madhështor të arsimit, kulturës, shkencës, ai dha një kontribut jashtëzakonisht të rëndësishëm në zhvillimin tonë të përgjithshëm.
Halim Purellku u lind në vitin 1952 në fshatin Serbicë të Kërçovë. Shkollën fillore e kreu në vendlindje, ndërsa shkollën e mesme e përfundoi në gjimnazin “Zef Lush Marku” në Shkup. Studimet për histori i përfundoi në Universitetin e Prishtinës, në vitin 1977, ku më pas mori edhe titullin magjistër i shkencave të historisë. Doktoraturën e mbrojti në Universitetin e Tiranës.
Gjatë karrierës së tij punoi si profesor në gjimnazin “Zef Lush Marku” në Shkup dhe, më pas, si ligjërues në Universitetin e Tetovës, në Fakultetin Filozofik – dega e Historisë.
Prof. dr. Halim Purellku ishte një shembull i mrekullueshëm i ndershmërisë intelektuale dhe vepruese, i përkushtimit ndaj përparimit e humanizmit me pastërtinë e veprës dhe mobilizimin e potencialit njerëzor midis punonjësve të arsimit e shkencës jo vetëm në Maqedoni, por në tërë hapësirat shqiptare. Si një shembull i ndritur i frymës krijuese dhe arritjeve, prof. Halimi për pesë dekada veproi pa ndërprerë deri në frymën e fundit.
Me ikjen e tij nga kjo botë, në kuptimin fizik do të na mungojë, por ai do të jetë i pranishëm derisa të këtë shqiptarë dhe histori, sepse ai la një mori studimesh e veprash që i takojnë historisë shqiptare. Veprat e tij shkencore, si dhe puna e tij ligjërues në shkollat e mesme dhe në universitet, do të mbeten gjithmonë të ngulitura në mendjen dhe zemrën e shumë gjeneratave të nxënësve, studentëve dhe bashkëpunëtorëve të tij.
Studimet shkencore dhe punimet e tij profesionale kanë vlerë të qëndrueshme në shkencën e historisë. Kjo qëndrueshmëri është vërtetuar edhe me faktin se ai kurrë nuk shkruante pa e dokumentuar punën e tij me të dhëna arkivore e dokumente, që nuk ishin vetëm dëshmi e hultimit të tij, por njëherazi edhe orientim në kërkimet e mëtejshme. Andaj ai i mori vlerësimet më të larta që mund t’i bëhen një autori të shkencave të historisë.
Veprat e tij flasin për një hulumtues dhe veprimtar revolucionar gjatë dekadave të trazuara të historisë sonë. Bashkëkohësit dhe njohësit e personalitetit dhe veprës së prof. Halimit thonë se ai ka ofruar një bazë të çmuar për hulumtime e vlerësime të mëtejshme dhe plotësim të argumenteve historiografike.
Ai kudo e ngrinte zërin për një rivlerësim të historisë kombëtare dhe atë e kërkonte nëpërmjet një ndërmarrjeje shkencore. Kjo qasje do ta sjellë që ai të jetë një ndër themeluesit dhe drejtuesit e Shoqatës së Historianëve Shqiptarë në Maqedoni, e cila do ta botojë revistën shkencore “Kërkime historike”. Kjo revistë do t’i bëjë bashkë historianët më të mirë shqiptarë, të cilët aty do ta gjejnë tribunën e ndërtimit të mendimit shkencor në fushën e historiografisë shqiptare. Ai ishte organizator edhe pjesëmarrës aktiv në kongrese historike, këshillime dhe marrëveshje të ndryshme për qëllime shkencore.
Pikëpamjet e tij progresive e të drejta, të artikuluara me një akribi të lartë shkencore, shpeshherë nxirrnin atë si të papërshtatshëm nga regjimi komunist, por edhe më vonë. Për këtë arsye, prof. Halimi ishte nën mbikëqyrjen e vazhdueshme të pushtetit. Megjithatë, kjo nuk e pengoi atë që të vepronte në frymën e përparimit dhe zhvillimin e shkencës.
Kontributi i tij nuk ishte vetëm shkencor, por edhe kombëtar. Ai ishte njëri ndër themeluesit e Universitetit të Tetovës, të cilin e shihte si mundësi për emancipim kombëtar edhe si mundësi e fuqizimit të identitetit kulturor të shqiptarëve të Maqedonisë.
Vdekja e prof. Halimit është një humbje e madhe për shkencën historiografike shqiptare, por një humbje e madhe edhe për mua. Unë e humba njeriun me të cilin kemi qarë aq halle bashkë që nga shkolla e mesme, në fakultet e në punën tonë universitare, ndërsa kemi marrë pjesë bashkë edhe në shumë simpoziume e debate.
Halim i dashur, këtë humbje nuk kam si ta përshkruaj ndryshe, pos që të pajtohem me poetin e madh Sergej Esenin:
“Miku im i shtrenjtë, lamtumirë!
Ty këtu në shpirt të kam, ta dish!
Fati po na ndan sot pa dëshirë,
Po diku do shihemi sërish!
Lamtumirë mik, pa fjalë e lot!
Vetullat t’i ngrysësh, s’ka përse.
Vdekja s’është gjë e re në botë.
As të rrosh nuk është gjë e re”.