KULTUROLOGU VIRGJIL KULE ME NJË KËNDVËSHTRIM TË RI PËR HEROIN KOMBËTAR TË SHQIPTARËVE – GJERGJ KASTRIOT SKËNDERBEUN/
nga Albert R. HABAZAJ/ studiues/
Në mjediset e bibliotekës “Nermin Vlora Falaschi” të universitetit “Ismail Qemali” të Vlorës, një ngjarje e bukur kulturore – historike fisnikëron institucionin, studentët, pedagogët, njerëzit e letrave dhe artit në qytet. Bëhet përurimi i librit “Gjergj Kastrioti Skënderbeu – Kryqëtari i fundit” i autorit Virgjil Kule. Libri është një monografi historike për një periudhë dhe figurë të larguar në kohë, pikërisht heroin tonë kombëtar. Me një narracion të këndshëm dhe tërheqës autori operon në periudhën e luftës së Europës dhe perandorisë Osmane, duke u marrë në shumë plane me simbolin e harmonisë fetare, mbi komplekset psikologjike dhe epistologjike. Midis Janosh Huniadit të Hungarisë, Stefanit të Moldavisë, me Republikën e Raguzës, Morè e Bosnjë, gjithandej shquhet si një lis i lartë, përjetësisht i gjelbër Gjergj Kastrioti – Skënderbeu.
Gjergji i Motit të Madh është i njohur si hero i së mirës, i trajtuar në artet figurative, në letërsi dhe muzikë brenda dhe jashtë Shqipërie, qysh nga Barleti, Naimi, Noli, Godo, Gegaj, Buda, Odise Paskali, Mano, Paço etj. e deri tek dramaturgu anglez Marlou apo poeti amerikan Hongfellou e shumë të tjerë. Gjithsesi, me gjithë krenarinë kombëtare për Heroin tonë, lexuesi ynë i kishte pothuaj klishe njohuritë skënderbejane. Një figurë disi e vjetëruar, që nuk rrezatonte më kërshëri, edhe pse shkëlqente kontinentalisht me betejat triumfatore çerekshekullore, nuk fekste më dramacitet, si duket… Duke patur parasysh këtë shqetësim, u fut në zonat misterioze midis ngjarjeve të mëdha të jetës së përditshme i përkushtuari dhe i vëmendshmi poligloti Virgjil Kule. Sinqerisht na kishte marrë malli për Kurorën e Elokuencës së të Folurit Shqip, për këtë njeri të vyer që më jep imazhin e Ciceronit të Ri. Në ato zona shekspirjane të intrigës së oborrit të kohës mesjetare, në ato zona hamletjane, operon kirurgu i histories, Virgjil Kule, pasi ka kalëruar në një bllok dokumentash të reja, të panjohura më parë, të papërdorura deri më sot, duke udhëtuar shtet më shtet, atje ku i duhej për realizimin e synimit historik si dikur Tunmani, Pukëvili, Liku, Hani si dhe Karl Paç, Ugolini, Majer, Jokl, Nopça, apo lordi Bajron e mis Durham etj. Me lenten e studiuesit serioz, nga këndvështrimi i tij, me një stil të rrjedhshëm shkencor, duke dhënë mesazhe të qarta, autori i drejtohet lexuesit, mbarë publikut për ta njohur me gjithë dritë – hijet sagën skënderbejane. (Qysh kur doli libri nga botimi, tërhoqi vëmendjen e lexuesit shqiptar, edhe pse qe një periudhë jo pak spekulative nga Tirana e panaireve mediatike dhe promocioneve komerciale të “koksave” të librave).
Marrëveshjet e ndryshme, traktatet e shumta, volumi diplomatik e politik, që ka dashur të ideojë vetë, të projektojë vetë deri në finalizim të realizimit nga Skënderbeu jepen me kthjelltësi nga autori. Nuk kemi një skelet të kalcifikuar të heroit, por një tërësi organike të lidhur me të gjithë aktorët dhe faktorët e kohës, i cili plotësohet dhe rrezaton fosforishent për historinë, artet, kinematografinë, operën etj. “Gjeniu dallon nga të tjerët se ideon më shpejt se të tjerët – thotë autori – dhe po më shpejt se të tjerët dëshiron”. Duke dhënë gjithë gamën e problematikës që ndodh në përditshmërinë e dokumentuar sipas kriterit kronostopik, duke gërshetuar metodat bashkëkohore në kohë dhe hapësirë me linjën e arsyetimit, autori ravijëzon Skënderbeun që diti të harmonizohej me rrjedhën e ngjarjeve, me zgjuarsinë e tij të lindur e të kultivuar, me intuitën fenomenale për të qënë gjithmonë në krahun e fituesit. Pa pretenduar se thotë të vërtetën absolute, autori e ndërton Skënderbeun mbi bazë kronologjike, hap pas hapi, në dinamikë, në vijimshmëri, me të gjithë konturin e lëvizjes jetësore, historike, diplomatike e ushtarake. Nëpërmjet dialogut me lexuesin studiuesi respekton numrin 3, fatmbarin magjik të mitologjisë, nëpërmjet treshes: Autor – Skënderbe – Lexues.
Nuk e trajon autori Skënderbeun si krishterin e fundit, por kryqtarin e fundit, sepse Gjergj Kastrioti, qe palë me më të mëdhenjtë e kohës, aleatë apo kundërshtarë me Perandorinë më të madhe të kohës, atë Osmane, me mjeshtrin e diplomacisë – Vatikanin, me qendrën fetare – Papatin. Në kryqëzatën ekonomike, ushatrake e politike, në këtë organizëm europian, si uragan, Skënderbeu arriti majën e kupolës, më të lartin post për të ruajtur identitetin e vendit të tij, që quhej Arbëri. Perandoria e ndritur dhe dërmuese Osmane e Mesjetës e shikonte si palë Skënderbeun, si pjesë integrale të frontit të madh kryqtar, prandaj i bënte dhe oferta për paqe, se e vlerësonte shumë.
Pra Skënderbeu ka operuar në zonat më të larta. Pra Skënderbeu politikan qëndron po aq lart sa Skënderbeu strateg. Pra t’i jepet Çezarit ajo që i takon.
Këto na argumenton bukur, si dikur fjalën, autori Virgjil Kule, me linjat e ndjekjes logjike të ngjarjeve, me shtrirjen në kohë e hapësirë na jep informacione të reja e të bollshme.
Ndihet akoma zjarri atdhetar dhe ngrohtësia qytetare e 100 vjetorit të Pavarësisë Kombëtare dhe me këtë logjikë, themi se, Virgjil Kule na nderon dy herë. Na pasuron fondin e qendrueshëm të bibliotekave tona dhe, ç’ka e falënderojmë më shumë, këtë prezantim të parë të librit të tij të mrekullueshëm nuk e bën në Tiranë, por këtu në Vlorën tonë, në Vlorën e tij, në Vlorën e Ismail Qemalit, të pasardhësit të denjë kombëtar të Skënderbeut.
*ALBERT HABAZAJ
Drejtor i Bilbiotekës “Nermin Vlora Falaschi”,
Universiteti “Ismail Qemali”, Vlorë, ALBANIA