Prof. dr. Nusret Pllana, autor i monografisë “Terrori i Serbisë pushtuese mbi shqiptarët”, me tekst dhe me fotografi, ndëshkon dhunën dhe krimet e regjimit serb të ushtruar mbi shqiptarët!/
Volteri: “Ai që fal krimin, bëhet pjesëmarrës i tij”/
Shkruan: Prof. dr. Akil Mark Koci/
Këto ditë më ra në dorë një libër mjaft voluminoz me titull: “Terrori i Serbisë pushtuese mbi shqiptarët”, autor i të cilit ishte prof. dr. Nusret Pllana, botues Arkivi Shtetëror i Kosovës.
E lexova me kujdes, ndër të tjera, edhe një tekst të shkurtër me titull: “Dy fjalë për Monografinë”, ku autori në mënyrë koncize flet për të kaluarën historike të popullit tonë, luftërat dhe dhunën serbe mbi popullin shqiptar.
Pasuria e shtresave kuptimore të këtij teksti, si dhe problemet që shtron autori, është mjaft e gjerë, edhe pse teksti për një botim të tillë ishte mjaft i shkurtër, por përmbajtësor, sepse shquhet në këtë tekst thellësia në ndriçimin e ngjarjeve, që prezanton autori. Edhe pse teksti mjaft i shkurtër për një libër kaq voluminoz, plotësohet me 400 fotografi, të cilat njeriu kur i sheh, rrëqethet nga pamjet e tmerrshme që paraqesin këto fotografi, se është fjala për një barbarizëm, për një trishtim, për një ndjenjë pezmi, sepse kur i sheh këto fotografi, njeriu shtron vetvetiu pyetjen: a është e mundur që këto masakra t’i ketë bërë dora e njeriut?!!
Autori me një rast thotë: “Në të gjitha këto veprime dhune, pos organeve shtetërore, gjithmonë janë implikuar edhe institucionet shkencore e kulturore serbe, madje shumë aktive ishte edhe kisha ortodokse serbe”!
Kjo gjë të tmerron por edhe të traumatizon aq fort, kur dihet se në zhdukjen e popullit tonë makineria serbe që nga viti 1884 zbatoi një politikë të tillë, qëllimi i së cilës ishte të zhdukte nga këto vende popullin tonë. Shkurt thënë, një mbresë të tillë lexuesi e merr kur lexon, e sidomos kur sheh pamjet makabre të bëra nga dora e një gjakatari të përhershëm kundër popullit tonë, një numër i madh i të cilëve, për të ikur nga këto masakra, shpërngulet në Turqi dhe në vende të tjera. Si thotë autori: “Duke zhdukur gjurmët e së kaluarës, pushtuesi plasoi tezën false se gjoja Kosova është tokë serbe dhe se historia e saj filluaka nga mesjeta”! Rastësisht m’u kujtua një thënie e Ismail Kadaresë dhënë gazetës franceze “Le mond” se “Kosova nuk është djep i kombit serb, por djep i krimit serb”, prandaj insistimi që Serbia të kërkojë falje për luftën e fundit, ngase, si e thotë një proverb shqiptar “krimi që falet, përsëritet”, të falurit është baras me një tradhti kombëtare! Të gjitha këto ngjarje që pasqyrohen qartë përmes fotografive, shikuar nga perspektiva historike na bindin se me serbët kurrë nuk kemi pasur miqësi, por gjithnjë kemi qenë të armiqësuar dhe të vrarë. Ndërkaq, është tjetër çështje ajo që përvidhet dhe imponohet si mësim nga përvoja: hipokrizia, loja ekuilibrike, balancimet, llogaritë dhe prapaskenat serbe ndaj nesh, e ne kurrë nuk u mbushëm mend! Problemet që shtron autori prof. dr. Nusret Pllana përmes tekstit, e më shumë përmes fotografive, janë lidhje të ngushta sa me peshën e etnopsikologjisë së luftërave, krimeve dhe përndjekjeve, që kanë bërë “kojshitë” tanë shekuj me radhë mbi popullin tonë. Me të drejtë pohon “Washington post” se: “E vetmja gjë e organizuar mirë në Ballkan, është-krimi!”
Kur i vështron njeriu ngadalë e mirë këto fotografi, shfaq habinë si mund të jenë bërë këto krime nga dora e njeriut! Për këtëflasin fotografitë dhe ato paraqesin fakte dhe denoncojnë krimet e bëra, prandaj ajo që rrëfehet përmes këtyre fotografive, dëshmohet si një frustrim, si një dokumentim që regjistron dhe ndëshkon dhunën brutale e të egër, të paparë, të kryer nga “miqtë tanë”, si i quanin në kohën e komunizmit. Pra, mund të jenë këto impulse që të bëjnë të mendosh se kemi të bëjmë jo me njerëz, por me shtazë të egra!
Ndërkaq, edhe pse fotografitë kanë fuqinë e argumentimit vizual dhe flasin vetë, mendoj se pas çdo fotografie është dashur të shënohet me tekst legjenda për të evidencuar e konkretizuar aktet e krimeve të bëra, sepse teksti krijon komunikim që shpjegon, që sqaron, dhe që dokumenton. Autori me këtë libër mëton të paraqesë të vërtetën e ndodhur, jo vetëm përpara, por edhe atë ngjarje makabre të luftës së fundit në Kosovë nga armiku i përbetuar serb. Dhe për nga fundi po përsërisë sentencën e D. J. Juvenalisit, i cili thotë: “Krimi është aq i madh, sa më i madh të jetë ai që e bën”. Prandaj qeveria të mos kërkojë falje nga serbët, se s’ka fjalë që mund t’i falë krimet e bëra! Gjeniu i Volterit ka një mendim të urtë, human e etikëlart: “Ai që fal krimin, bëhet pjesë e tij!”
Dhe krejt në fund autori i librit, prof. dr. Nusret Pllana, ka bërë një punë të madhe me përgatitjen e këtij libri voluminoz, sepse ka krijuar rast të shohim krimet e bëra që janë jashtë çdo kuptimi për pajtesë me armikun e përbetuar, me serbët.