(Me rastin e promovimit të librit të Dr. Nusret Pllanës, “Terror i Serbisë Pushtuese mbi Shqiptarët 1844-1999”, në Regent’s University)/
Shkruan: Akademik, James Pettifer/
Unë do të flas në anglisht meqenëse shqipja ime nuk është e nivelit të duhur, por mund të lexoj atë në të shkruar. Dëshiroj të falënderoj Ambasadën e Kosovës dhe shoqatën shqiptare që më është dhënë mundësia të flas me ju sonte. Është privilegj i madh të shoh këtë ngjarje të mrekullueshme të kulturës kosovare këtu në Londër, sot, pasi që këtu ka shumë njerëz të cilët kanë ardhur për ta parë punën e Dr. Nusret Pllanës. Ky tubim është diçka për të cilën duhet ta përgëzojmë Ambasadorin dhe Qeverinë e Kosovës për përpjekjet e tyre diplomatike të viteve të fundit në Londër.
Jam i përkushtuar për Dr. Nusret Pllanën, punën e tij dhe historinë e gjatë të luftës në Kosovë, kohën e tij në burg, kohën kur ai ishte në UÇK si dhe për periudhën e tashme ku ai shkruan tema të rëndësishme të historisë së Kosovës. Unë jam poashtu autor i librit mbi historinë e UÇK-së siç e dini tashmë shumica nga ju, dhe kjo histori mendoj se është thelbësore për të kuptuar jo vetëm të kaluarën e Kosovës por edhe të ardhmen e saj, sepse një nga çështjet dëshpëruese mendoj nga këndvështrimi profesional i të mësuarit të këtij tregimi për 10 vitet e fundit është të shihet një lloj i ri i kushteve që bën përpjekje të demolojë fuqinë e madhe politike të lirisë. Nuk ka asgje të gabueshme për luftën e bërë për liri dhe kundër reprezaljeve të llojeve të ndryshme, të cilat Dr. Nusret Pllana i ka shkruar dhe i ka paraqitur saktë për neve. Kjo është e drejtë njerëzore e madhërishme dhe disa nga tregimet të cilat ai i tregon si dhe fotografitë në librin e tij, do të jetë shumë e vështirë për disa t’i shohin. Ato janë të vërteta, pra, ky libër nuk është libër propagandistik, është punë historike e cila kontribuon në shqyrtime historike. Dhe për arsye të tregimit të dëshpërimit, më vjen mirë që sonte qëndroj në këtë podium, kurse jemi me fat që kemi Dr. Nusret Pllanën me ne për të na treguar nocionet e tij. Çështja e të gjitha krimeve të kryera është shumë me rëndësi për shumë shtete në historinë e Ballkanit. Ne kemi parë lidershipin politik të vendosur nga drejtësia ndërkombëtare në shtete të ndryshme.
Në një ngjarje si kjo, unë sigurisht nuk dëshiroj të komentoj për detajet, përveç të them se duket qartë që ne të gjithë jemi kundër krimeve ngado që vijnë ato dhe nga kushdo që kryhen. Mirëpo, poashtu duhet të dihet për hapësirën dhe kontekstin në të cilin ato kanë ndodhur. Siç e ka treguar Dr. Nusret Pllana si dhe unë poashtu jam përpjekur të tregoj se UÇK-ja është lëvizje legjitime e rezistencës në rrethana të tmerrshme, kur alternativat e paqes kishin dështuar. Pra, ky është konteksti në të cilin lufta sipas këndvështrimit tim është parë vetëm si luftë dhe e them si i krishterë, se, pikërisht kjo teori e luftës bie ndesh me sjelljen e njerëzve. Për këtë arsye mendoj që duhet të kuptojmë historinë më mirë dhe siç kam nënvizuar tashmë ky problem ekziston dhe se është e rëndësishme të ri-shkruhet për relacionet historike të shqiptarëve dhe fqinjëve të tyre, e në veçanti të Serbisë si dhe për mënyrën që ato prodhojnë një neutralitet moral lidhur me atë që ka ndodhur. Unë mendoj se nuk ka neutralitet moral ndërmjet të qenit viktimë dhe të qenit agresor, e kjo duhet të bëhet e qartë. Prandaj, jam shumë i kënaqur të mbështesë librin e Dr. Nusret Pllanës dhe të rekomandojë atë për secilin në këtë audiencë.
Ju faleminderit!
Krimet serbe në Kosovë
Pritje madhështore e Dr.N.Pllanës në Middel East Technical University në Ankara, njëri ndër Universitetet më prestigjioze në botë/
Nga: Jeton Dukagjini/Ankara/
Me ftesën e Prof. Dr. Hüseyin Bağcı– Shef i departamentit të marrëdhënieve ndërkombëtare dhe kontributin e absolventit të këtij Universiteti z.Jeton Dukagjini, në amfiteatrin e mbushur plotë me studentë dhe profesorë, ku morën pjesë edhe Ambasadori i Republikës së Kosovës z.Avni Spahiu, Ambasadori i Republikës së Sllovenisë, Prof.dr. Milan Jacbek, Namik Shabi, Enis Krasniqi, Oktay Pomak, Penet Kokalari, Laura Agolli, Dr.sc.Onur Bahçecik, Tolgahan Akdan, Murat Demirel, Dr.sc. Taner Zorbay – historian, etj.u promovuan suksesshëm libri Terrori i Serbisë Pushtuese mbi Shqiptarët 1844-1999, filmi dokumentar Rrugëtimi i një libri nëpër botë, dhe Dr.Pllana mbajti një ligjëratë para studentëve dhe mësimdhënësve të këtij Universiteti për gjenocidin serb mbi shqiptarët, me titull: Një foto sa njëmijë fjalë. Filmi dokumentar ishte i përkthyer me titra në gjuhën turke u ndoq me një interesim të veçantë nga të pranishmit, nga se për 30 minuta aq sa zgjati ky film, ishte aq përmbajtësor sa që, rrugëtimi shumëvjeçar i Profesor Pllanës nëpër botë dhe promovimi i suksesshëm i veprave të tij në më shumë se 45 qendrat kryesore evropiane e botërore, deri në Amerikën mike dhe Australinë e largët, nxiti kurreshtjen e studentëve dhe profesorëve të këtij Universiteti, që të zhvillohet një debat shumë i frytshëm mes tyre dhe Profesor Pllanës, përmes pyetjeve të shumta, e të cilat merrnin përgjigje shumë konkrete nga Prof. Pllana, që pastaj shoqëroheshin edhe me duartrokitje frenetike nga të pranishmit në Amfiteatër. Pamjet shokuese të librit të ilustruar në 7 gjuhë të huaja: shqip, anglisht, frengjisht, gjermanisht, serbisht e maqedonisht, me më tepër se 500 foto, por edhe niveli i lartë shkencor dhe argumentues, i pasuruar me dokumente të rëndësishme arkivore, bënë që studentët e këtij Univeristeti, dhe jo vetëm këta, të binden me fakte për gjenocidin serb mbi shqiptarët dhe vrasjen e pafajshme të tyre, të më shumë se gjysëm milioni civilëve (djem e vajza, burra e gra, pleq e plaka, gra shtatzëna, invalidë e fëmijë të të gjitha moshave) brenda periudhës së viteve 1844-1999. Andaj, u bindën sa i domosdoshëm ka qenë intervenimi humanitar dhe ushtarak i NATO-s në Kosovë, për ta shpëtuar nga zhdukja kolektive popullin tonë të shumëvuajtur e liridashës.
Ja edhe ligjërata e Profesor Pllanës para këtij auditoriumi të rëndësishëm të këtij Universiteti:
Një foto sa njëmijë fjalë
E kaluara historike e popullit shqiptar ka qenë shumë e rëndë. Luftërat ishin të vazhdueshme dhe shkatrrimtare, ndër më barbaret që njeh historia e njerëzimit. Trashëgimia e kulturës materiale dhe shpirtërore e shqiptarëve dëshmon lashtësinë historike dhe autoktoninë shqiptare në tërë gjeografinë e tyre etnike, andaj edhe në Kosovë. Synimi i pushtuesit serb, së paku që nga viti 1844 e këndej, ishte që duke zhdukur këtë pjesë të popullit shqiptar të zhdukte edhe këto dëshmi. Duke zhdukur gjurmët e së kaluarës, pushtuesi plasoi tezën false se gjoja Kosova është tokë serbe dhe se historia e saj filluaka nga mesjeta. Populli shqiptar, ndër popujt më të vjetër të Ballkanit, duke mbrojtur tokën dhe lirinë e vet, shumë herë u përgjysmua nga luftërat, u pre, u dogj, u vra dhe u masakrua nga zjarrvënësit e Ballkanit – pushtuesit serbë.
Për dhunën serbe mbi popullin shqiptar ka argumente të shumta. Ato janë të pranishme që nga ardhja e sllavëve në këto troje të Ilirisë. Dhunë është bërë në mënyrë sistematike, herë me metoda perfide e herë haptazi. Shkalla e çmendurisë dhe e urrejtjes patologjike ndaj shqiptarëve ka shku deri aty sa edhe foshnja është nxjerr nga barku i nënës shqiptare, siç ka ndodhur edhe në luftën e fundit në Kosovë, 1998/1999.
Në të gjitha këto veprime dhune, pos organeve shtetërore, ushtarake e policore serbe, gjithmonë janë implikuar edhe Akademia e Shkencave dhe Arteve të Serbisë, por edhe Kisha ortodokse serbe.
Kjo dhunë dhe kjo barbari është e dëshmuar me më tepër se 500 fotot e saj, edhe në këtë libër që po e promovojmë sot, e cila është e sajuar në këto gjuhë: shqip, anglisht, frengjisht, gjermanisht, turqisht, serbisht e maqedonisht.
Gjenocidi serb mbi shqiptarët zyrtarizohet nga “Naçertania” e Ilija Garashaninit, e vitit 1844 dhe vazhdon deri në mbarim të shekullit XX. Prej atëhere politika serbe ka hartuar 24 elaborate për zhdukjen kolektive të popullit shqiptar nga faqja e dheut. Përmasat tragjike të këtij krimi nuk e kanë rrezikuar paqen vetëm në Ballkan por edhe në tërë rajonin. Ky është shkaku që e kemi parë të rrugës të ofrojmë argumentet tona për politiken gjenocidale serbe, e cila u ndërpre vetëm me Intervenimin humanitar e ushtarak të NATO-s në Kosovë, në vitin 1999.
Po sjellim vetëm dy-tri të dhëna nga historia serbe, të vërtetuara edhe nga arkivat e tyre, citoj:
“Kur ushtria jonë hyri në Sanxhakun e Nishit më 1878, fshatrat mbetën të shkreta. Nuk dihej si ishin quajtur më parë. Çdo gjë ishte shkretëruar”…”gjobat, arrestimet, vrasjet, zbatimi i pamëshirshëm i masave policore, prerja e pyjeve, ndjekjet, lëshimi i qenve, puna angari, rrënimi i varrezave i detyrojnë shqiptarët ta marrin rrugën e Anadollit”.
Më 1941, një kryeçetnik shkruante: “ Do të jem shumë i lumtur kur Kosta Peçanci do të më jap urdhër – Llapi, Sitnica dhe Drini do të bartin dy muaj koka të shqiptarëve. Atje në Kosovë nuk do të mbetet asnjë plis për fare”.
“ A do ti formojmë kampet e përqëndrimit. Të gjithë shqiptarët janë kriminelë..”shkruhej më 1945.
Ndërkaq në planin e Kryekriminelit, satrapit të Ballkanit – Millosheviq 1989-1999, për shfarosjen e popullit shqiptar thuhej:
Në Kosovë toka e djegur duhet të përfshijë të gjitha anët e saj.
Tymi i vatrave shqiptare të dëshmojë se ato vise janë fikur përgjithmonë.
Kufomat e karbonizuara dhe shtëpitë e bëra shkrumb të shkaktojnë trishtim vdekjeprurës.
Botës t’i themi: “Po i vrasim se po na detyrojnë”.
Toka e Shën Savës duhet të hakmerret. Shqiptarët i pastron vetëm thika dhe zjarri(Kisha serbe).
Gjenocidi serb në periudhën e viteve 1878-1912
Gjatë viteve 1878-1912, pushtuesi serb, duke shfrytëzuar disponimin antishqiptar të Evropës, okupoi dhe serbizoi 714 fshatra shqiptare të Sanxhakut të Nishit. Sipas llogarive që i ka bërë Komiteti “Mbrojtja Kombetare e Kosovës, populli shqiptar i Sanxhakut të Nishit është dëmtuar për 40 miliardë dollarë.
Krimet serbe në Kosovë 1912-1915
Politika dhe dhe diplomacia e qeverisë së Nikolla Pashiqit, për ta mbajtur Kosovën do të përdorë dy metoda perfide:
Do t’i izolojë dhe do t’i burgosë udhëheqësit kryesorë shqiptarë në krye me Hasan Prishtinën. I liron në fund të marsit 1913, kur e kishte kuptuar se në Londër çdo gjë kishte marrë fund.
Qeveria serbe në Kosovë organizon nënshkrimin e peticioneve në emër të shqiptarëve, gjoja se ata dëshirojnë të mbesin nën Serbinë.
Të dhënat që ruhen në Arkivin e Serbisë (dokum. Nr.1246) dëshmojnë së në Turqi, nga terrori serb dhe malazez janë shpërngulur një numër shumë i madh i shqiptarëve. Dokumenti dëshmon edhe këtë të vërtetë: në Anadoll, 395 anije evropiane kanë bartur 239.807 shqiptarë. Në këtë numër nuk janë llogaritur fëmijët nën moshën 6 vjeçe.
Komiteti i Kosovës ka argumente se gjatë viteve 1912-1915 në Anadoll janë shpërngulur afro 500.000 mijë shqiptarë, kurse sipas Ligjit mbi kolonizimin e Kosovës(1914) në Kosovë janë vendosur 20.000 serbë dhe 5.000 malazez.
Gjatë kësaj periudhe janë vrarë e likuiduar qindra e mijëra shqiptarë.
Kosova gjatë viteve 1918-1941 shndërrohet në Kamp të përqëndrimit.
Vrasjet dhë shpërnguljet e shqiptarëve vazhdojnë gjithnjë me intensitet e më të shtuar.
Në Konferencën e Paqes në Versajë, më 1919, Qeveria e Mbretërisë SKS, në mënyrë perfide arriti ta mënjanojë çështjen e Kosovës. Ata i shkruajnë Konferencës se gjoja shqiptarët dëshirojnë t’i bashkohen Serbisë.
Sipas të dhënave në Arkivin e Jugosllavisë (Fondi S. 14), më 1919 -1921 fillon dërgimi i popullatë së Kosovës në kampet e përqëndrimit në Leskovc e në Nish. Në këto kampe ishin të vendosura 640 familje shqiptare. Në këtë periudhë vriten mijëra e mijëra shqiptarë. Në këtë libër që po e promovojmë sot është edhe numri i të vrarëve sipas prefekturave.
Konventa jugosllavo – turke për shpërnguljen e shqiptarëve më 1938
Kjo Konventë planifikonte spastrimin e viseve shqiptare nga viti 1939 deri më 1944.
Sipas dokumentit (DASIP B. Drushtvo Naroda u Zhenevi, viti 1939, D.II/39 – Konvencija o iseljavanju Albanaca prinudnim putem), në periudhën e viteve 1918-1941, Serbia i ka dëmtuar shqiptarët për 30 miliardë dollarë me rrëmbimin e pronave dhe dëme të tjera materiale.
Në viset shqiptare të ripushtuara nga Jugosllavia likuidohen 49.000 shqiptarë. Pasuria e tyre u ipet kolonistëve serbë që ishin kthyer sipas direktivës së Politbyrosë së Komitetit Qendror të PKJ-se.
Në Kuvendin e Bujanit (dhjetor 1943-janar 1944) përfaqësuesut e shqiptarëve deklarohen se dëshirojnë të bashkohen me Shqipërinë. Evropa edhe kësaj here heshti dhe i tradhtoi shqiptarët, duke kënaqur apetitet hegjemoniste të Serbisë.
Krimet ndaj shqiptarëve vazhdojnë edhe nga pushteti i dal pas Luftës së Dytë Botërore. Elaboratet famkeqe te Çubrilloviqit dhe të Drazha Mihajlloviqit për zhdukjen kolektive të shqiptarëve vazhdojnë deri më 5 shkurt 1945.
Shtabi i Titos për likuidimin e shqiptarëve 1950-1966
Edhe në shtabin e Titos, i themeluar në vitin 1950, ku sidomos veçoheshin kriminelët Aleksandër Rankoviç e Kërsta Cërvenkovski, janë përdorur metodat më barbare kundër shqiptarëve, sidomos ato nëpër burgje. Metoda të ngjashme janë përdorur edhe nga regjimi i kriminelit Millosheviq, nga viti 1989 deri në qershor të vitit 1999.
Më 23 mars 1989 Kosovës i suprimohet me dhunë Kushtetuta e vitit 1974.
Luftërat e përgjakshme gjenocidale që u bënë në hapësirat e ish- Jugosllavisë, gjatë viteve 1990-1999, sidomos mbi boshnjakët dhe shqiptarët, dëshmuan sa e padrejtë ishte historia, kur më 1918 u lejua krijimi i Jugosllavisë artificiale. Prandaj ishte e pashmangshme edhe lufta çlirimtare në Kosovë, të cilën e zhvilloi Ushtria Çlirimtare e Kosovës, e cila triumfoi në qershor të vitit 1999, me ndihmën dhe përkrahjen e Evropës, Britanisë së Madhe, Turqisë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës në krye me Aleancën Veriatlantike, kur përfundimisht regjimi fashist serb kapitulloi në Kosovë, por duke lënë pasoja të mëdha të cilat populli i Kosovës po i vuan edhe më tutje. Vrasja e më shumë se gjysëm milioni shqiptarëve të pafajshëm midis viteve 1844-1999, si dhe vrasja e më tepër se 15.000 njerëzve civilë dhe zhdukja e më tepër se 1700 shqiptarëve të pafajshëm vetëm në luftën e viteve 1998/1999, edhe më tutje rëndon mbi supet e popullit tonë të shumëvuajtur e liridashës, e të mos flasim për dëmet materiale që janë shumë të mëdha.
Për krimet që janë bërë gjatë këtyre viteve, Këshilli i Sigurimit i OKB-së themeloi Gjykatën Ndërkombëtare të Hagës për krimet e luftës në ish – Jugosllavi, por fatkeqësisht prap Serbia kursehet dhe nuk akuzohet për gjenocid!!?
Më 17 shkurt 2008, Kosova shpallet shtet Sovran dhe i pavarur, të cilin deri më tani e kanë njohur ndërkombëtarisht më shumë së 100 shtete të Evropës dhe botës. Ajo synon të bëhet anëtare e BE dhe e mekanizmave të tjerë euro – atlantik, që në një të ardhme jo të largët ta ketë edhe ulësen e vet në Organizatën e Kombeve të Bashkuara.
Jufaleminderit për vëmendjen Tuaj!
ANKARA, 17 dhjetor 2014
NJË VEPËR NDRYSHE PËR KRYETRIMIN SHQIPTAR
(Virgjil Kule, Gjergj Kastrioti Skënderbeu – Kryqtari i fundit, Tiranë, 2012)
Nga Prof. dr. Nusret Pllana/Prishtinë/
(Paranteza e fillimit:Ju flet Televizioni Shqiptar i Tiranës! Po lexojmë pjesë nga shtypi i huaj për ngjarjet në Kosovë! Ky ishte zëri i folësit të dalluar, z. Virgjil Kule! Brezi im i shqiptarëve të Kosovës, në një mënyrë ose në një tjetër, mezi priste të dëgjonte zërin karakteristik të folësit të mirënjohur, Z. Virgjil Kule, duke lexuar pjesë të shkrimeve të shtypit të huaj, ku i jepej mbështetje morale rinisë së Kosovës. Por, në të njëjtën kohë, ky zë që vinte nga Tirana jonë, ishte e vetmja mbështetje në errësirën e madhe që kishte rënë mbi ne. Pjesëmarrës ose jo në Demonstratat e vitit 1981, të burgosur ose jo për shkak të atyre ngjarjeve, të shkolluar apo nxënës e studentë që sa bënin hapat e parë të dijes në Kosovën e robëruar, e cila me demonstratat e vitit 1981 hapi procesin e madh të shkatërrimit të atij shteti artificial të quajtur Jugosllavi, që të gjithë e kishin bërë të vetin këtë zë aq specifik, jo vetëm për të folurit e pastër të gjuhës shqipe, por edhe për ngjyrën shumë të veçantë të zërit, përmes të cilit jepte nuancat e gjithë përmasës së tragjedisë dhe të krenarisë sonë në ato ngjarje).
Hyrje
Vepra e publicistit, e studiuesit, e intelektualit të mirënjohur, njohës i disa gjuhëve të lashta dhe të reja botërore, Virgjil Kule, që i kushtohet kryetrimit tonë, Gjergj Kastiroti Skënderbeu-Kryqtari i fundit, është e një rëndësie të veçantë jo vetëm për historiografinë shqiptare, por edhe për kulturën shqiptare në përgjithësi. Pse mund të thuhet kështu? Mund të thuhet për disa arsye, që lidhen me ndërtimin e kësaj vepre, por mund të thuhen edhe për disa arsye që dalin nga metodologjia shkencore e ndërtimit të kësaj vepre.
Autori e thotë, që në hyrje të veprës së tij, se cilën rrugë ka ndjekur për të thënë të pathënat e kohës së kryetrimit tonë, Gjergj Kastriotit Skënderbeut, të cilat ose janë thënë sipërfaqësisht, ose janë lexuar një anshëm, apo edhe janë heshtur nga studiues të huaj e shqiptarë.
Përkundër faktit se vepra fillon që nga viti 1443 dhe përfundon në vitin 1468, që është viti i vdekjes së Gjergj Kastriotit Skënderbeut, gjë që mund të krijojë përshtypjen se është një vepër e ndërtuar mbi parimin e kronologjisë historike. Por ajo nuk është e tillë. Nuk është kronikë historike për ngjarjet dhe për pjesëmarrjen e njerëzve në ato ngjarje. Në radhë të parë ajo është një trajtim dhe një shpalim i brendshëm, thënë kushtimisht, një shpalim shpirtëror, jo vetëm i ngjarjeve, i luftërave, i prapaskenave dhe skenave të atyre luftërave, nga ato që përgatiteshin në skenat botërore të atyre ngjarjeve, e deri te fërkimet e brendshme, por edhe i pjesëmarrësve në to, duke filluar nga kryetrimi ynë, e deri te ushtari i fundit që kishte rënë në betejat e luftimeve.
Skena dhe prapaskenat e jetës dhe bëmave të Skënderbeut
Autori Virgjil Kule, duke u marrë me luftërat 25 vjeçare që ka bërë populli shqiptar nën prijësin e tij të përmasave legjendare, bën të tij mendimin e thënë kaherë, që nga Makiaveli e këndej, që në hapje të veprës së tij, për t’ia sqaruar lexuesit ecurinë e projektit të tij shkencor për kohën e Gjergj Kastriotit Skënderbeut, për Mesjetën shqiptare, për lidhjet me Perëndimin dhe Lindjen, për kryqëzatat që në atë kohë ishin mundësi të pafundme të rregullimit të jetës së individëve dhe të shteteve, por edhe për prijësit e popujve që donin lirinë e vendit të tyre më shumë se gjithë favoret e tjera të kësaj jete. Prandaj, autori thotë: ‘se një lider që arrin të qëndrojë me sukses për 25 vjet në politikën aktive, nuk mund të jetë kurrë më shumë viktimë e situatave se sa krijues dhe manipulues i tyre, andaj kam rieskploruar në gjerësi dhe thellësi fondin e madh dokumentar mbi Skënderbeun’. Kurse lexuesi dhe studiuesi shqiptar, por edhe ai botëror e di se ky fond, është aq i gjerë dhe aq i thellë, sa vështirë të mjaftojë një jetë njeriu për t’u marrë me të. Fajet, mund t’i kenë shumë krijues, por ai Babagjyshi i Madh, që u ka treguar për mbijetesën tonë, gjithë kulturave evropiane, është padyshim Marin Barleti, biografi i parë i jetës dhe i bëmave të Gjergj Kastriotit Skënderbeut.
Virgjil Kule ia ka dalë të merret me të. Virgjil Kule ia ka dalë ta ‘rieskplorojë’, siç thotë vetë, si dhe të shpalojë, në mënyrë maestrale gjithë skenat dhe prapaskenat nëpër të cilat ishin zhvilluar ngjarjet e mëdha, nëpër të cilat i kishte prirë një populli, kryetrimi i atij populli, Gjergj Kastrioti Skënderbeu.
Do të thotë, prandaj, se Virgjl Kule është dashur të rieskplorojë gjithë këtë trashëgimi historiografike për ngjarjet e mëdha të Mesjetës Shqiptare, figurë qendrore e së cilës, doemos ishte Gjergj Kastrioti Skënderbeu dhe, së pari është dashur të përballet me Stërgjyshin e tij, Marin Barletin.
Një fakt është i pamohueshëm, se e gjithë historiografia skënderbegiane e përmasës evropiane është ndërtuar mbi veprën e Marin Barletit. Për këtë, mjaftojnë të shfletohen vetëm datat e përkthimit të veprës së Barletit në qendra të ndryshme të Evropës së kohës, që të shihen pastaj vitet e botimeve për figurën më të rëndësishme historike të asaj Evrope, siç ishte figura e Gjergj Kastriotit Skënderbeut-Kryqtarit të fundit.
Njëra nga çështjet interesante, qoftë edhe për njohuritë tona lidhur me këtë periudhë, janë padyshim përgatitjet, aspiratat, kërkimi i mundësive brenda përmasave ndërkombëtare të kohës, për shkëputjen e Gjergj Kastriotit nga Perandoria Osmane.
Rruga e ardhjes në Krujë e Kryqtarit të fundit
Po vinte viti 1443. Përgatitjet për kthimin e tij në Krujë, pra në Principatën e të atit, kishin filluar kaherë, vite më parë. Do të thotë, përveç asaj që dihet, se Gjergj Kastrioti Skënderbeu ishte kthyer në vendin e tij, pas betejës së Nishit, prapaskenat e përgatitjes, marrëveshjet e bëra, qoftë me faktorin e jashtëm, siç ishin hungarezët e Huniadit, të cilët ishin forca kryesore në atë front luftimesh kundër Perandorisë Osmane, qoftë me atë të brendshëm, siç ishin princër dhe ushtarakë të shumtë shqiptarë, duke filluar nga Hamza Kastrioti, e deri te Lekë Dukagjini, tashti i mësojmë ndryshe, edhe nga ato që ka thënë Marin Barleti. Sepse këtu janë shpaluar, mbi bazë faktesh dhe të dhënash nga shumë burime arkivore historike dhe publicistike, se ç’rrugë është ndjekur për t’u realizuar ardhja e tij në atdhe, pa pasoja dhe pa pengesa.
Nga ky moment e tutje, deri në vitin 1468, që është viti i vdekjes së kryetrimit tonë, i cili për njëzet e pesë vjet u bëri ballë gjithë atyre mësymjeve dhe tërë asaj hordhie ushtarake osmane, janë shqyrtuar me radhë të gjithë vitet e ekzistencës së qëndresës shqiptare, jo vetëm për ta dëshmuar praninë e tyre në këto hapësira, por edhe për faktorizimin e tyre në planin evropian të asaj kohe. Ngase ndryshe, si do të ishte e mundur që një princ shqiptar, i kthyer në pronat e të atit, të bëhej kryqtari më i rëndësishëm i asaj kohe. Mirëpo, në anën tjetër ky princ shqiptar, kishte arritur të organizonte një ushtri të mirëfilltë kundër forcave pushtuese osmane, por edhe kishte arritur, përveç të tjerash, të krijojë edhe Besëlidhjen e madhe në mes principatave shqiptare, pra i cili kishte vënë themelet e një shteti arbëror, thuajse i barasvlershëm me organizimin shtetëror të asaj kohe në gjithë Evropën.
Rëniet dhe ngritjet kishin qenë të shumta dhe të mëdha, jo vetëm në jetën personale të kryetrimit shqiptar, por edhe në jetën historike të vendit. Ndoshta për historinë 25 vjet qëndrese dhe luftërash të pandërprera nuk janë shumë, por për një vend që ishte në zgrip të ekzistencës fizike, këto 25 vjet ishin më shumë se shekuj. Të gjitha këto rënie dhe ngritje janë trajtuar me shumë kujdes, me shumë akribi në gjithë shtrirjen e ngjarjeve nëpër vite, që nga vitit 1443 e deri në vitin 1468, nga autori Virgjil Kule. Prandaj, vepra e tij, Gjergj Kastriotit Skënderbeu-Kryqtari i fundit, është specifike edhe në planin e organizimit të lëndës për këtë vepër, siç është specifike edhe për rishqyrtimin e shumë fakteve historike, qoftë nga autorë të huaj, qoftë nga ata vendor, duke filluar nga Marin Barleti, Frang Bardhi e deri te autorët tanë të Rilindjes Kombëtare, që e shndërruan figurën e tij, në prijësin legjendar të shqiptarëve.
Me këtë rast, le të më lejohet të sjellë edhe një fakt përfundimtar, për madhështinë e projektit të Skënderbeut, jo vetëm lidhur me mbrojtjen e lirisë së vendit të tij, por edhe të pengimit të depërtimit të Perandorisë Osmane në hapësirat evropiane, si dhe me mundësinë e marrëveshjes me Vatikanin lidhur me organizimin e ndonjë kryqëzate, së cilës do t’i printe kryetrimi ynë, gjë që dëshmohet edhe përmes ndihmës që Papa Pali II-të, ia kishte dërguar si lloj ndihme. Në vitin 1467, pak ditë para vdekjes së Gjergj Kastriotit Skëndebeut, Pali II-të ia kishte dërguar 1. 100 dukat, fonde që duheshin kuptuar edhe si një vazhdimësi e realizimit të projekteve të kryetrimit tonë me bashkësinë evropiane të kohës.
Atëherë, po trokiste Viti i Ri 1468. Projekti i Skënderbeut kishte përsëri shanse të vazhdonte aty ku kishte ngecur, por me lëvizje politike që vetëm mendja e tij gjeniale mund t’i përpunonte në përputhje me situatat. Cilat mund të ishin ato? Përgjigjet mund të dalin vetëm nga një kuis interaktiv historik nga ata që, duke paraqitur rrethanat konkrete, u kërkojnë historianëve të japin variante mbi mënyrën se si mund të kishin vepruar figurat madhore politike të kohërave, në rast se vdekja e papritur nuk do t’i largonte nga kjo botë.
Një përmbyllje e këtillë e një vepre madhore, si kjo e intelektualit të mirënjohur, z. Virgjil Kule, Gjergj Kastrioti Skënderbeu-Kryqtari i fundit, mund të jetë e lejueshme vetëm për ato dije që kanë pretendimin se kanë shtjerrë përgjithësisht gjithë burimet, publike dhe arkivore lidhur me jetën, luftërat, bëmat, vendin dhe gjeninë politike të Kryetrimit të shqiptarëve.
Përfundim
Autori i veprës Gjergj Kastrioti Skënderbeu-Kryqtari i fundit, me veprën e tij ka hapur shumë dilema. Dilema të natyrës historike, se a mund të argumentohen të gjitha veprimet e tij politike dhe ushtarake me burime arkivore të besueshme. Dilema politike, se a ishte koherent projekti i tij, pra a përputhej pa ngërçe historia e veprimit të tij me historinë e veprimit të tij politik e ushtarak, po ashtu të vërtetuar nga burimet historike.
Qoftë edhe vetëm për trajtimin dhe shqyrtimin e këtyre dilemave, që e përshkojnë fund e krye këtë vepër madhore të autorit Virgjil Kule, ajo, vepra pra, hap rrugë për këndvështrime të ndryshme, për lexime të ndryshme, si dhe për qasje e komentime të ndryshme. Kjo veti e veprave shkencore, kanë thënë të gjithë të diturit, është mirë për jetën e veprës.
Vepra e intelektualit të madh, z. Virgjil Kule e ka këtë cilësi.
Një libër me vlera historike-Monografia e Pllanës denoncon terrorin
Prof. dr. Nusret Pllana, autor i monografisë “Terrori i Serbisë pushtuese mbi shqiptarët”, me tekst dhe me fotografi, ndëshkon dhunën dhe krimet e regjimit serb të ushtruar mbi shqiptarët!/
Volteri: “Ai që fal krimin, bëhet pjesëmarrës i tij”/
Shkruan: Prof. dr. Akil Mark Koci/
Këto ditë më ra në dorë një libër mjaft voluminoz me titull: “Terrori i Serbisë pushtuese mbi shqiptarët”, autor i të cilit ishte prof. dr. Nusret Pllana, botues Arkivi Shtetëror i Kosovës.
E lexova me kujdes, ndër të tjera, edhe një tekst të shkurtër me titull: “Dy fjalë për Monografinë”, ku autori në mënyrë koncize flet për të kaluarën historike të popullit tonë, luftërat dhe dhunën serbe mbi popullin shqiptar.
Pasuria e shtresave kuptimore të këtij teksti, si dhe problemet që shtron autori, është mjaft e gjerë, edhe pse teksti për një botim të tillë ishte mjaft i shkurtër, por përmbajtësor, sepse shquhet në këtë tekst thellësia në ndriçimin e ngjarjeve, që prezanton autori. Edhe pse teksti mjaft i shkurtër për një libër kaq voluminoz, plotësohet me 400 fotografi, të cilat njeriu kur i sheh, rrëqethet nga pamjet e tmerrshme që paraqesin këto fotografi, se është fjala për një barbarizëm, për një trishtim, për një ndjenjë pezmi, sepse kur i sheh këto fotografi, njeriu shtron vetvetiu pyetjen: a është e mundur që këto masakra t’i ketë bërë dora e njeriut?!!
Autori me një rast thotë: “Në të gjitha këto veprime dhune, pos organeve shtetërore, gjithmonë janë implikuar edhe institucionet shkencore e kulturore serbe, madje shumë aktive ishte edhe kisha ortodokse serbe”!
Kjo gjë të tmerron por edhe të traumatizon aq fort, kur dihet se në zhdukjen e popullit tonë makineria serbe që nga viti 1884 zbatoi një politikë të tillë, qëllimi i së cilës ishte të zhdukte nga këto vende popullin tonë. Shkurt thënë, një mbresë të tillë lexuesi e merr kur lexon, e sidomos kur sheh pamjet makabre të bëra nga dora e një gjakatari të përhershëm kundër popullit tonë, një numër i madh i të cilëve, për të ikur nga këto masakra, shpërngulet në Turqi dhe në vende të tjera. Si thotë autori: “Duke zhdukur gjurmët e së kaluarës, pushtuesi plasoi tezën false se gjoja Kosova është tokë serbe dhe se historia e saj filluaka nga mesjeta”! Rastësisht m’u kujtua një thënie e Ismail Kadaresë dhënë gazetës franceze “Le mond” se “Kosova nuk është djep i kombit serb, por djep i krimit serb”, prandaj insistimi që Serbia të kërkojë falje për luftën e fundit, ngase, si e thotë një proverb shqiptar “krimi që falet, përsëritet”, të falurit është baras me një tradhti kombëtare! Të gjitha këto ngjarje që pasqyrohen qartë përmes fotografive, shikuar nga perspektiva historike na bindin se me serbët kurrë nuk kemi pasur miqësi, por gjithnjë kemi qenë të armiqësuar dhe të vrarë. Ndërkaq, është tjetër çështje ajo që përvidhet dhe imponohet si mësim nga përvoja: hipokrizia, loja ekuilibrike, balancimet, llogaritë dhe prapaskenat serbe ndaj nesh, e ne kurrë nuk u mbushëm mend! Problemet që shtron autori prof. dr. Nusret Pllana përmes tekstit, e më shumë përmes fotografive, janë lidhje të ngushta sa me peshën e etnopsikologjisë së luftërave, krimeve dhe përndjekjeve, që kanë bërë “kojshitë” tanë shekuj me radhë mbi popullin tonë. Me të drejtë pohon “Washington post” se: “E vetmja gjë e organizuar mirë në Ballkan, është-krimi!”
Kur i vështron njeriu ngadalë e mirë këto fotografi, shfaq habinë si mund të jenë bërë këto krime nga dora e njeriut! Për këtëflasin fotografitë dhe ato paraqesin fakte dhe denoncojnë krimet e bëra, prandaj ajo që rrëfehet përmes këtyre fotografive, dëshmohet si një frustrim, si një dokumentim që regjistron dhe ndëshkon dhunën brutale e të egër, të paparë, të kryer nga “miqtë tanë”, si i quanin në kohën e komunizmit. Pra, mund të jenë këto impulse që të bëjnë të mendosh se kemi të bëjmë jo me njerëz, por me shtazë të egra!
Ndërkaq, edhe pse fotografitë kanë fuqinë e argumentimit vizual dhe flasin vetë, mendoj se pas çdo fotografie është dashur të shënohet me tekst legjenda për të evidencuar e konkretizuar aktet e krimeve të bëra, sepse teksti krijon komunikim që shpjegon, që sqaron, dhe që dokumenton. Autori me këtë libër mëton të paraqesë të vërtetën e ndodhur, jo vetëm përpara, por edhe atë ngjarje makabre të luftës së fundit në Kosovë nga armiku i përbetuar serb. Dhe për nga fundi po përsërisë sentencën e D. J. Juvenalisit, i cili thotë: “Krimi është aq i madh, sa më i madh të jetë ai që e bën”. Prandaj qeveria të mos kërkojë falje nga serbët, se s’ka fjalë që mund t’i falë krimet e bëra! Gjeniu i Volterit ka një mendim të urtë, human e etikëlart: “Ai që fal krimin, bëhet pjesë e tij!”
Dhe krejt në fund autori i librit, prof. dr. Nusret Pllana, ka bërë një punë të madhe me përgatitjen e këtij libri voluminoz, sepse ka krijuar rast të shohim krimet e bëra që janë jashtë çdo kuptimi për pajtesë me armikun e përbetuar, me serbët.