• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Krimet i kryen serbet- Viktima shqiptarët, të akuzuar shqiptarët

April 10, 2021 by dgreca

Nga XHAVIT ÇTAKU/

Edhe ky vit filloi në shenjë të përkujtimit të masakrave të shumta e të tmerrshme që ka bërë regjimi fashist serb. Masakër në Reçak, në Rezallë, në Krushë,  në Izbicë, në familjen e madhe Berisha të komunës së Suharekës. Sërish lotë, ofshamë, dhimbje, rënkim. Askush nuk mund t’i pajtoj zemrat e thyera të atyre që i kanë humbur të dashurit e tyre. Ka edhe të tjera tmerre, mizori të shumta, mijëra varre në gjithë teritorin e Kosovës, dëbime nga vatrat shekullore, shkatërrime shtëpish e të pasurisë të shqiptarëve etnik. Vepra çnjerëzore të bishave karpatiane të filmuara e të regjistruara një nga një e patën zgjuar ndërgjegjën e botës demokratike për të bërë diçka më shumë se sa që bëhej një kohë të gjatë duke u kënaqur vetëm me dënime gojore. Duke iu falenderuar ShBA-ve, Britanisë së Madhe, Francës, Gjermanisë dhe në përgjithësi Aleancës Veriatlantike, Kosova më në fund u çlirua nga pushtuesi barbar. 

Krimet i bënë serbët, ndërsa në Hag akuzohen ushtarët shqiptar

Kaluan njëzet vite dhe lotët e më të dashurëve që iu vranë,  masakruan e iu dhunuan nga paramilitarët, militarët e policia serbe ,ende po rrjedhin, ende po i lagin faqet e buzët e bëra shkrum nga vuajtja aq e gjatë, aq e dhimbshme, pikëlluese për çdo ditë e natë. Më së vështiri e kanë prindërit, motrat, vëllezërit, të cilët ende nuk e dinë se ku i varrosën kriminelet serb viktimat shqiptare, që me kamion i dërguan nëpër vende të ndryshme në Serbi për t’i humbur gjurmët e gjenocidit. Madje mbi ato varre masive ndërtuan edhe objekte të Ministrisë së Punëve të Brendshme….

Filed Under: Analiza Tagged With: krimet serbe, viktimat shqiptare, Xhavit Çitaku

Krime serbe në Kosovë – një libër tronditës

November 6, 2020 by dgreca

Rexhep Shahu: Krime serbe në Kosovë – një libër tronditës/

-Së shpejti del në Prishtinë dhe në qytetet e tjera./

-Varret masive të shqiptarëve janë ende në Serbi./

Kriminelët serbë në pushtet Vuçiq e Daçiq nuk i tregojnë ato varre dhe kanë veshe kostumin e viktimave dhe drejtojnë gishtin e akuzës kundër shqiptarëve.

Shqiptarët, besoj naivë, duket u mjaftuan, u nginë me lirinë e Kosovës, me Kosovën pa serbë, me shtetin e tyre të dytë shqiptar të lirë dhe i lanë të qetë kriminelët serbë, nuk i paditën as Vuçiqin as Daçiqin as shtetin kriminal serb në asnjë gjykate penale ndërkombëtare.

Shqiptarët dënohen, shkojnë nëpër gjykata për të provuar drejtësinë, shqiptarët duhet të paguajnë ende për lirinë, ndërsa serbët fërkojnë duart e krimit.

Edhe trupat e pajetë të shqiptarëve që janë në varrezat masive në Serbi janë pjesë e çmimit të rëndë që shqiptarët paguan për lirinë.

Janë disa libra që shqiptarët nuk i kanë lexuar, politikanët e intelektualët shqiptarë që duhet të jenë të lexuar nuk i kanë lexuar. “Shqiptarët e fuqitë e mëdha”, libër i shkruar nga kryeministri serb Vladan Gjorgjeviq, gurra e të ligës serbe kundër shqiptarëve, botuar në 1913 në frëngjisht e gjermanisht e pastaj përkthyer në serbisht nuk e kanë lexuar politikanët e intelektualët shqiptarë. Ndoshta e kanë shfletuar, por nuk e kanë lexuar, nuk e kanë lexuar, nuk e kanë lexuar, nuk e kanë thithë, nuk e kanë bërë pjesë të vetëdijes. Ky është libri që i bën shqiptarët me bisht. E ka shkruar kryeministri serb Vladan Gjorgjeviq, e ka përkthyer kryeministri shqiptar Mustafa Kruja, e kam botuar unë në 2015. Më 1928 e ka përkthyer dhe botuar në Zarë, Mustafa Kruja dhe që nga ajo kohë deri në 2015 nuk e botoi as Tirana as Prishtina. Kush i pengoi, kë kishin frikë Tirana e Prishtina…

Ai libër u thotë Fuqive të mëdha se shqiptarët janë me bisht, janë të pazhvilluar, janë muslimanë fanatikë, të paqytetëruar, nuk u duhet dhënë shtet, nuk duhen njohur, por na i jepni neve serbëve një shekull shqiptarët që ti kulturojmë, ti civilizojmë ne dhe pastaj ua japim ne një autonomi kulturore…

Pra këtë libër nuk e kemi përfillë. Librin ‘Shpërngulja e shqiptarëve’ të Vaso Çubrilloviqit nuk e kemi lexue, nuk e kemi njofte ani se shumëkush mban hundët përpjetë si hajvan e gënjen veten, por dy referatet e Vaso Çubrilloviqit nuk i kemi njoftë as politikani as intelektuali as dreqi as i biri. Në 2015 edhe atë e kemi botuar libër, por askush nuk e lexon.

Dhe themi pastaj si shkojnë shqiptarët si gomari në ëndërr.

Me librin e Vladan Gjiorgjeviqit, Vaso Çubrilloviqit e gjithë traktatet serbe kundër shqiptarëve ne nuk jemi të njohur, nuk i dimë, nuk i kemi lexuar si popull dhe qajmë sot. Nuk flitet në shkollat e auditoret tona për këto traktate urrejtje, jo të mësojmë urrejtjen prej tyre por të dimë se si na përfytyron fqinji ynë serb.

Ky libër i ri ‘Krime serbe në Kosovë’, bashkë me librin e Vladanit, të Çubrilleviqit, me platformën e Ivo Andriçit dhe gjithë platformat tjera, kanë qenë e janë dokumente të mjaftueshme me e paditë Serbinë në Gjykatën e Hagës për krime çnjerëzore pasi ajo e ka të dokumentuar politikën kriminale, strategjinë kundër shqiptarëve.

Titulli: Krime serbe në Kosovë

Konsulent në dy botimet: Sadik Ram Llapashtica

Me parathënie dhe pasthënie nga Çerçiz Loloçi

Redaktor: Rexhep Shahu

Shtëpia Botuese e Promovuese Klubi i Poezisë, Tiranë.

Arti grafik: Blendi Shahu

Filed Under: Histori Tagged With: Agim Neza, Çerciz Loloci, krimet serbe, Rexhep Shahu

Krimet serbe në Kosovë

December 21, 2014 by dgreca

Pritje madhështore e Dr.N.Pllanës në Middel East Technical University në Ankara, njëri ndër Universitetet më prestigjioze në botë/
Nga: Jeton Dukagjini/Ankara/
Me ftesën e Prof. Dr. Hüseyin Bağcı– Shef i departamentit të marrëdhënieve ndërkombëtare dhe kontributin e absolventit të këtij Universiteti z.Jeton Dukagjini, në amfiteatrin e mbushur plotë me studentë dhe profesorë, ku morën pjesë edhe Ambasadori i Republikës së Kosovës z.Avni Spahiu, Ambasadori i Republikës së Sllovenisë, Prof.dr. Milan Jacbek, Namik Shabi, Enis Krasniqi, Oktay Pomak, Penet Kokalari, Laura Agolli, Dr.sc.Onur Bahçecik, Tolgahan Akdan, Murat Demirel, Dr.sc. Taner Zorbay – historian, etj.u promovuan suksesshëm libri Terrori i Serbisë Pushtuese mbi Shqiptarët 1844-1999, filmi dokumentar Rrugëtimi i një libri nëpër botë, dhe Dr.Pllana mbajti një ligjëratë para studentëve dhe mësimdhënësve të këtij Universiteti për gjenocidin serb mbi shqiptarët, me titull: Një foto sa njëmijë fjalë. Filmi dokumentar ishte i përkthyer me titra në gjuhën turke u ndoq me një interesim të veçantë nga të pranishmit, nga se për 30 minuta aq sa zgjati ky film, ishte aq përmbajtësor sa që, rrugëtimi shumëvjeçar i Profesor Pllanës nëpër botë dhe promovimi i suksesshëm i veprave të tij në më shumë se 45 qendrat kryesore evropiane e botërore, deri në Amerikën mike dhe Australinë e largët, nxiti kurreshtjen e studentëve dhe profesorëve të këtij Universiteti, që të zhvillohet një debat shumë i frytshëm mes tyre dhe Profesor Pllanës, përmes pyetjeve të shumta, e të cilat merrnin përgjigje shumë konkrete nga Prof. Pllana, që pastaj shoqëroheshin edhe me duartrokitje frenetike nga të pranishmit në Amfiteatër. Pamjet shokuese të librit të ilustruar në 7 gjuhë të huaja: shqip, anglisht, frengjisht, gjermanisht, serbisht e maqedonisht, me më tepër se 500 foto, por edhe niveli i lartë shkencor dhe argumentues, i pasuruar me dokumente të rëndësishme arkivore, bënë që studentët e këtij Univeristeti, dhe jo vetëm këta, të binden me fakte për gjenocidin serb mbi shqiptarët dhe vrasjen e pafajshme të tyre, të më shumë se gjysëm milioni civilëve (djem e vajza, burra e gra, pleq e plaka, gra shtatzëna, invalidë e fëmijë të të gjitha moshave) brenda periudhës së viteve 1844-1999. Andaj, u bindën sa i domosdoshëm ka qenë intervenimi humanitar dhe ushtarak i NATO-s në Kosovë, për ta shpëtuar nga zhdukja kolektive popullin tonë të shumëvuajtur e liridashës.
Ja edhe ligjërata e Profesor Pllanës para këtij auditoriumi të rëndësishëm të këtij Universiteti:
Një foto sa njëmijë fjalë
E kaluara historike e popullit shqiptar ka qenë shumë e rëndë. Luftërat ishin të vazhdueshme dhe shkatrrimtare, ndër më barbaret që njeh historia e njerëzimit. Trashëgimia e kulturës materiale dhe shpirtërore e shqiptarëve dëshmon lashtësinë historike dhe autoktoninë shqiptare në tërë gjeografinë e tyre etnike, andaj edhe në Kosovë. Synimi i pushtuesit serb, së paku që nga viti 1844 e këndej, ishte që duke zhdukur këtë pjesë të popullit shqiptar të zhdukte edhe këto dëshmi. Duke zhdukur gjurmët e së kaluarës, pushtuesi plasoi tezën false se gjoja Kosova është tokë serbe dhe se historia e saj filluaka nga mesjeta. Populli shqiptar, ndër popujt më të vjetër të Ballkanit, duke mbrojtur tokën dhe lirinë e vet, shumë herë u përgjysmua nga luftërat, u pre, u dogj, u vra dhe u masakrua nga zjarrvënësit e Ballkanit – pushtuesit serbë.
Për dhunën serbe mbi popullin shqiptar ka argumente të shumta. Ato janë të pranishme që nga ardhja e sllavëve në këto troje të Ilirisë. Dhunë është bërë në mënyrë sistematike, herë me metoda perfide e herë haptazi. Shkalla e çmendurisë dhe e urrejtjes patologjike ndaj shqiptarëve ka shku deri aty sa edhe foshnja është nxjerr nga barku i nënës shqiptare, siç ka ndodhur edhe në luftën e fundit në Kosovë, 1998/1999.
Në të gjitha këto veprime dhune, pos organeve shtetërore, ushtarake e policore serbe, gjithmonë janë implikuar edhe Akademia e Shkencave dhe Arteve të Serbisë, por edhe Kisha ortodokse serbe.
Kjo dhunë dhe kjo barbari është e dëshmuar me më tepër se 500 fotot e saj, edhe në këtë libër që po e promovojmë sot, e cila është e sajuar në këto gjuhë: shqip, anglisht, frengjisht, gjermanisht, turqisht, serbisht e maqedonisht.
Gjenocidi serb mbi shqiptarët zyrtarizohet nga “Naçertania” e Ilija Garashaninit, e vitit 1844 dhe vazhdon deri në mbarim të shekullit XX. Prej atëhere politika serbe ka hartuar 24 elaborate për zhdukjen kolektive të popullit shqiptar nga faqja e dheut. Përmasat tragjike të këtij krimi nuk e kanë rrezikuar paqen vetëm në Ballkan por edhe në tërë rajonin. Ky është shkaku që e kemi parë të rrugës të ofrojmë argumentet tona për politiken gjenocidale serbe, e cila u ndërpre vetëm me Intervenimin humanitar e ushtarak të NATO-s në Kosovë, në vitin 1999.
Po sjellim vetëm dy-tri të dhëna nga historia serbe, të vërtetuara edhe nga arkivat e tyre, citoj:
“Kur ushtria jonë hyri në Sanxhakun e Nishit më 1878, fshatrat mbetën të shkreta. Nuk dihej si ishin quajtur më parë. Çdo gjë ishte shkretëruar”…”gjobat, arrestimet, vrasjet, zbatimi i pamëshirshëm i masave policore, prerja e pyjeve, ndjekjet, lëshimi i qenve, puna angari, rrënimi i varrezave i detyrojnë shqiptarët ta marrin rrugën e Anadollit”.
Më 1941, një kryeçetnik shkruante: “ Do të jem shumë i lumtur kur Kosta Peçanci do të më jap urdhër – Llapi, Sitnica dhe Drini do të bartin dy muaj koka të shqiptarëve. Atje në Kosovë nuk do të mbetet asnjë plis për fare”.
“ A do ti formojmë kampet e përqëndrimit. Të gjithë shqiptarët janë kriminelë..”shkruhej më 1945.
Ndërkaq në planin e Kryekriminelit, satrapit të Ballkanit – Millosheviq 1989-1999, për shfarosjen e popullit shqiptar thuhej:
Në Kosovë toka e djegur duhet të përfshijë të gjitha anët e saj.
Tymi i vatrave shqiptare të dëshmojë se ato vise janë fikur përgjithmonë.
Kufomat e karbonizuara dhe shtëpitë e bëra shkrumb të shkaktojnë trishtim vdekjeprurës.
Botës t’i themi: “Po i vrasim se po na detyrojnë”.
Toka e Shën Savës duhet të hakmerret. Shqiptarët i pastron vetëm thika dhe zjarri(Kisha serbe).
Gjenocidi serb në periudhën e viteve 1878-1912
Gjatë viteve 1878-1912, pushtuesi serb, duke shfrytëzuar disponimin antishqiptar të Evropës, okupoi dhe serbizoi 714 fshatra shqiptare të Sanxhakut të Nishit. Sipas llogarive që i ka bërë Komiteti “Mbrojtja Kombetare e Kosovës, populli shqiptar i Sanxhakut të Nishit është dëmtuar për 40 miliardë dollarë.
Krimet serbe në Kosovë 1912-1915
Politika dhe dhe diplomacia e qeverisë së Nikolla Pashiqit, për ta mbajtur Kosovën do të përdorë dy metoda perfide:
Do t’i izolojë dhe do t’i burgosë udhëheqësit kryesorë shqiptarë në krye me Hasan Prishtinën. I liron në fund të marsit 1913, kur e kishte kuptuar se në Londër çdo gjë kishte marrë fund.
Qeveria serbe në Kosovë organizon nënshkrimin e peticioneve në emër të shqiptarëve, gjoja se ata dëshirojnë të mbesin nën Serbinë.
Të dhënat që ruhen në Arkivin e Serbisë (dokum. Nr.1246) dëshmojnë së në Turqi, nga terrori serb dhe malazez janë shpërngulur një numër shumë i madh i shqiptarëve. Dokumenti dëshmon edhe këtë të vërtetë: në Anadoll, 395 anije evropiane kanë bartur 239.807 shqiptarë. Në këtë numër nuk janë llogaritur fëmijët nën moshën 6 vjeçe.
Komiteti i Kosovës ka argumente se gjatë viteve 1912-1915 në Anadoll janë shpërngulur afro 500.000 mijë shqiptarë, kurse sipas Ligjit mbi kolonizimin e Kosovës(1914) në Kosovë janë vendosur 20.000 serbë dhe 5.000 malazez.
Gjatë kësaj periudhe janë vrarë e likuiduar qindra e mijëra shqiptarë.
Kosova gjatë viteve 1918-1941 shndërrohet në Kamp të përqëndrimit.
Vrasjet dhë shpërnguljet e shqiptarëve vazhdojnë gjithnjë me intensitet e më të shtuar.
Në Konferencën e Paqes në Versajë, më 1919, Qeveria e Mbretërisë SKS, në mënyrë perfide arriti ta mënjanojë çështjen e Kosovës. Ata i shkruajnë Konferencës se gjoja shqiptarët dëshirojnë t’i bashkohen Serbisë.
Sipas të dhënave në Arkivin e Jugosllavisë (Fondi S. 14), më 1919 -1921 fillon dërgimi i popullatë së Kosovës në kampet e përqëndrimit në Leskovc e në Nish. Në këto kampe ishin të vendosura 640 familje shqiptare. Në këtë periudhë vriten mijëra e mijëra shqiptarë. Në këtë libër që po e promovojmë sot është edhe numri i të vrarëve sipas prefekturave.
Konventa jugosllavo – turke për shpërnguljen e shqiptarëve më 1938
Kjo Konventë planifikonte spastrimin e viseve shqiptare nga viti 1939 deri më 1944.
Sipas dokumentit (DASIP B. Drushtvo Naroda u Zhenevi, viti 1939, D.II/39 – Konvencija o iseljavanju Albanaca prinudnim putem), në periudhën e viteve 1918-1941, Serbia i ka dëmtuar shqiptarët për 30 miliardë dollarë me rrëmbimin e pronave dhe dëme të tjera materiale.
Në viset shqiptare të ripushtuara nga Jugosllavia likuidohen 49.000 shqiptarë. Pasuria e tyre u ipet kolonistëve serbë që ishin kthyer sipas direktivës së Politbyrosë së Komitetit Qendror të PKJ-se.
Në Kuvendin e Bujanit (dhjetor 1943-janar 1944) përfaqësuesut e shqiptarëve deklarohen se dëshirojnë të bashkohen me Shqipërinë. Evropa edhe kësaj here heshti dhe i tradhtoi shqiptarët, duke kënaqur apetitet hegjemoniste të Serbisë.
Krimet ndaj shqiptarëve vazhdojnë edhe nga pushteti i dal pas Luftës së Dytë Botërore. Elaboratet famkeqe te Çubrilloviqit dhe të Drazha Mihajlloviqit për zhdukjen kolektive të shqiptarëve vazhdojnë deri më 5 shkurt 1945.
Shtabi i Titos për likuidimin e shqiptarëve 1950-1966
Edhe në shtabin e Titos, i themeluar në vitin 1950, ku sidomos veçoheshin kriminelët Aleksandër Rankoviç e Kërsta Cërvenkovski, janë përdorur metodat më barbare kundër shqiptarëve, sidomos ato nëpër burgje. Metoda të ngjashme janë përdorur edhe nga regjimi i kriminelit Millosheviq, nga viti 1989 deri në qershor të vitit 1999.
Më 23 mars 1989 Kosovës i suprimohet me dhunë Kushtetuta e vitit 1974.
Luftërat e përgjakshme gjenocidale që u bënë në hapësirat e ish- Jugosllavisë, gjatë viteve 1990-1999, sidomos mbi boshnjakët dhe shqiptarët, dëshmuan sa e padrejtë ishte historia, kur më 1918 u lejua krijimi i Jugosllavisë artificiale. Prandaj ishte e pashmangshme edhe lufta çlirimtare në Kosovë, të cilën e zhvilloi Ushtria Çlirimtare e Kosovës, e cila triumfoi në qershor të vitit 1999, me ndihmën dhe përkrahjen e Evropës, Britanisë së Madhe, Turqisë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës në krye me Aleancën Veriatlantike, kur përfundimisht regjimi fashist serb kapitulloi në Kosovë, por duke lënë pasoja të mëdha të cilat populli i Kosovës po i vuan edhe më tutje. Vrasja e më shumë se gjysëm milioni shqiptarëve të pafajshëm midis viteve 1844-1999, si dhe vrasja e më tepër se 15.000 njerëzve civilë dhe zhdukja e më tepër se 1700 shqiptarëve të pafajshëm vetëm në luftën e viteve 1998/1999, edhe më tutje rëndon mbi supet e popullit tonë të shumëvuajtur e liridashës, e të mos flasim për dëmet materiale që janë shumë të mëdha.
Për krimet që janë bërë gjatë këtyre viteve, Këshilli i Sigurimit i OKB-së themeloi Gjykatën Ndërkombëtare të Hagës për krimet e luftës në ish – Jugosllavi, por fatkeqësisht prap Serbia kursehet dhe nuk akuzohet për gjenocid!!?
Më 17 shkurt 2008, Kosova shpallet shtet Sovran dhe i pavarur, të cilin deri më tani e kanë njohur ndërkombëtarisht më shumë së 100 shtete të Evropës dhe botës. Ajo synon të bëhet anëtare e BE dhe e mekanizmave të tjerë euro – atlantik, që në një të ardhme jo të largët ta ketë edhe ulësen e vet në Organizatën e Kombeve të Bashkuara.
Jufaleminderit për vëmendjen Tuaj!
ANKARA, 17 dhjetor 2014

Filed Under: Featured Tagged With: 1912-1915, Jeton Kelmendi, krimet serbe, ne Kosove, Pllana, Prof. Dr. Hüseyin Bağcı

LUFTËRAT BALLKANIKE – KRIMET SERBE NDAJ SHQIPTARËVE

September 19, 2013 by dgreca

Shkruan: Xhelal Zejneli/

Kanë kaluar një shekull nga luftërat ballkanike. Në vitin 1912 Mbretëria e Serbisë e pushtoi Kosovën. Menjëherë pas kësaj filloi politika e gjenocidit serb ndaj shqiptarëve, e përcjellë edhe me shpërnguljen e dhunshme të tyre nga trojet stërgjyshore. Krahas kësaj ka rrjedhur edhe procesi i kolonizimit të Kosovës me serbë.Pushtimi i Kosovës nga Serbia në vitin 1912 u shoqërua me krime të rënda ndaj popullsisë shqiptare. Pas pushtimit të Kosovës u zbatua politika e dëbimit të shqiptarëve për në Anadolli. Ndaj shqiptarëve që nuk i lëshuan trojet dardane, serbët ndoqën politikën e forcës, të gjenocidit dhe të kolonializmit.

Ndaj politikës kolonialiste serbe në Kosovë, përfshi edhe ndaj shqiptarëve në Maqedoni dhe në Mal të Zi,  kancelaritë e Evropës kurrë s’kanë reaguar.

Të ushtrohet gjenocid ndaj një populli – në Evropë – dhe kancelaritë e saj të rinë duarkryq, kjo është absurde.

*   *   *

Krimet serbe në Kosovë dhe në viset e tjera shqiptare – Për krimet serbe ndaj shqiptarëve në kohën e luftërave ballanike 1912-1913 flasin edhe të dhënat e disa studiuesve dhe intelektualëve serbë të asaj kohe, të publikuara në shtypin e kohës në Beograd si dhe në periudhat e mëvonshme.

Në periudhën e Mbretërisë së Jugosllavisë, terror dhe vrasje mbi popullsinë shqiptare kanë kryer të ashtuquajturat “aradha fluturuese” (leteći odredi) të ushtrisë, të policisë dhe të çetnikëve serbë.

Politikën imperialiste serbomadhe të periudhës së luftërave ballkanike e ka demaskuar edhe publicisti dhe socialdemokrati serb Kosta Novakoviq (1886-1939), autor i librit Katër muaj në Shqipërinë qendrore, Beograd, 1914. Në vitin 1912, në gazetën Radničke novine të Beogradit, midis tjerash ai shkruan: “Ka dalë në skenë një Serbi imperialiste, pan-Serbia, me dinastinë e saj panserbe dhe me militarizmin panserb. Ky imperializëm i ri, i egër, brutal dhe i pamëshirshëm ëndërron për ringjalljen e perandorisë së Dushanit”.

Në artikullin e vet Kolonizimi dhe serbizimi i Kosovës, për krimet serbe të viteve 1912 dhe 1913 Kosta Novakoviqi shkruan:

“Kosova është një territor i pastër shqiptar. Serbë në të ka vetëm 10 deri në 15 %. Imperialistët serbë kanë përdorur taktika dhe metoda të luftëtarëve mesjetarë apo të pushtuesve kolonialistë: shfarosjen e popullatës shqiptare nën pretekstin e zhvillimit të operacioneve ushtarake, çarmatosjen e popullatës shqiptare dhe shtypjen e qëndresës së armatosur të shqiptarëve. Në vitin 1912 dhe 1913 serbët kanë vrarë 120.000 shqiptarë – burra, gra, djem, pleq, plaka dhe fëmijë. Qindra fshatra janë goditur me armatime të rënda, artileri dhe topa. Një numër i madh i fshatrave në Kosovë por edhe në Maqedoni – janë djegur. Të paktën 50.000 shqiptarë, për ta shpëtuar jetën nga masakrat e forcave ushtarake serbe, u detyruan t’i braktisin trojet e veta, të bëhen refugjatë dhe të ikin për në Turqi dhe Shqipëri. Kjo politikë shfarosëse ndaj shqiptarëve të Kosovës e dobësoi faktorin shqiptar në të, por në asnjë mënyrë nuk e ndryshoi karakterin shqiptar të saj. Me këto masakra të kryera ndaj shqiptarëve në Kosovë, Serbia synonte ta zbrazë atë vend, në mënyrë që ta kolonizonte me serbë dhe malazezë si dhe ta serbizonte atë.

 Ambasador i Rusisë cariste në Beograd në periudhën e luftërave ballkanike ka qenë  Nikollaj Genrikoviç Hartvig (1857-1914). I njohur për idetë tij pan-sllaviste, ka qenë dhe “më serb se  serbët”. Në prag të Luftës së Parë Botërore ka ushtruar ndikim të jashtëzakonshëm në politikën e qeverisë serbe. Ka mbështetur fuqimisht pushtimin e Kosovës dhe të viseve të tjera shqiptare si dhe krimet e ushtrisë serbe dhe të njësive paramilitare ndaj popullatës civile shqiptare.

Prej vitit 1918 deri në vitin 1938 ushtria pushtuese serbe ka djegur dhe ka shkatërruar 320 fshatra shqiptare. Vetëm në periudhën e viteve 1918-1921, në viset shqiptare serbët kanë bërë një terror, deri atëherë të paparë në Evropë: kanë vrarë 12.346 vetë, kanë burgosur 22.160 vetë, kanë plaçkitur 50.515 shtëpi, ndërsa 6.125 shtëpi kanë djegur.

Të dhëna të caktuara për krimet serbe ndaj shqiptarëve në Kosovë, në kohën e luftërave ballkanike jep edhe Trocki (Lev Davidoviç Bronshtajn, 1879-1940), në një artikull të botuar me titull “Prapa perdeve të luftërave ballkanike”, të publikuar për herë të parë në Kievskaya Mysl, Kiev, No. 355, datë 23.12.1912

Për hetimin e krimeve serbe ndaj shqiptarëve në vitet 1912-1913 u formua edhe një komision ndërkombëtar. Për masakrat e konstatuara u hartua një dokument me titull Raport i Komisionit për investigimin e shkaqeve dhe për rrjedhën e luftërave ballkanike. Raporti u publikua në Uashington D.C. në vitin 1914 nga Carnegie Endoëment for International Peace.  Komisioni i lartpërmendur përbëhej nga profesorë universitarë dhe individë të tjerë prominentë nga Franca, Britania e Madhe, SHBA-ja, Gjermania, Austria dhe Rusia. Anëtarë të këtij Komisioni ishin edhe tre laureatë të Çmimit Nobel.

 

*   *   *

Politika e pastrimit etnik – Në Mbretërinë e Serbëve, të Kroatëve dhe të Sllovenëve, e cila prej vitit 1929 do të quhet Mbretëria e Jugosllavisë, Beogradi nuk e njihte ekzistimin e bashkësisë etnike shqiptare, ndaj i quante myslimanë.

Dëbimi i dhunshëm i myslimanëve, d.m.th. i shqiptarëve nga Kosova, nga Sanxhaku dhe nga Maqedonia filloi në Luftën e Parë Ballkanike në tetor të vitit 1912. Sipas dokumenteve të diplomacisë serbe, deri në gusht të vitit 1914 nga viset e sipërthëna janë shpërngulur 281.747 banorë, duke mos i llogaritur fëmijët e moshës deri gjashtë vjeç. (Dokumente për politikën e jashtme të Mbretërisë së Serbisë 1903-1914, Libri VII, Vëllimi 1, Beograd, 1980, f. 617-618).

Familjet shqiptare, prej rajoneve të sapo pushtuara, nëpër Greqi u deportuan për në Turqi. Popullata myslimane e shteteve ballkanike duhej të vendoseshin në brigjet e Anatolisë, ndërsa shqiptarët, përpos në Turqi, duhej të vendoseshin edhe në vilajetet Halep dhe Bagdad, në Siri dhe në Irak. (Dokumente për politikan e jashtme të Mbretërisë së Serbisë 1903-1914, Libri VII/2, f. 319 Nr. 186, ASSHA, Beograd, 1980).

Në pronat e shqiptarëve të shpërngulur me dhunë, qeveria serbe solli mbi 20.000 familje serbe, ndërsa qeveria e Malit të Zi planifikonte të vendosë 5.000 familje në rrafshin e Dukagjinit. (Dr. Branko Babiq, Politika e Malit të Zi në viset e sapo çliruara 1912-1914, Titograd, 1984, f. 267-277).

Shpërngulja me dhunë e shqiptarëve vazhdoi edhe në kohën e Mbretërisë së Jugosllavisë. Pas kthimit të ushtrisë serbe në Kosovë në vitin 1918, shpërngulja e dhunshme e shqiptarëve, pa detyrim kthimi, ka vazhduar deri në Luftën e Dytë Botërore.

Përpos shpërnguljes për në Turqi, një numër i madh i shqiptarëve kanë emigruar edhe për në Shqipëri. Historiani dhe akademiku serb Dimitrije Bogdanoviq (1930-1986) në veprën e tij Libri për Kosovën thotë se vetëm në vitin 1921, nga viset shqiptare në Jugosllavi janë shpërngulur për në Shqipëri rreth 40.000 shqiptarë.

Pushteti i Beogradit ka organizuar formacione paraushtarake të çetnikëve të udhëhequra nga Kosta Peqanac, Miliq Kërstiq, Jovan Babunski, Vasilije Tribiq etj., të cilët kanë ndërmarrë ekspedita ndëshkuese duke ushtruar dhunë, terror dhe plaçkitje të organizuar. Më 7 tetor 1938 Ministria e Ushtrisë e Mbretërisë së Jugosllavisë jep urdhër për vazhdimin e shpërnguljes së shqiptarëve, ndërkaq Komanda e Armatës III propozon masa që ky aksion të zbatohet “me maturi, në mënyrë sistematike, por edhe energjike”, të vendoset këtu elementi serb dhe të bëhen përpjekje që brenda një kohe sa më të shkurtër masat kompakte të fuqishme të arnautëve të shkatërrohen.

Dimitrije Bogdanoviqi, i njohur për pikëpamjet e tij serbomadhe dhe antishqiptare, në librin e lartpërmendur shkruan se në fillim të vitit 1936 Turqia kishte shprehur gatishmëri për të lidhur me Jugosllavinë marrëveshje formale për shpërnguljen e 200.000 banorëve “të cilët, për nga mentaliteti janë të ngjashëm me turqit, në mënyrë që në Turqi të asimilohen më lehtë”.[Dimitrije Bogdanović, Knjiga o Kosovu, Beograd 1986, botim i ASSHA. Redaktor i botimit të këtij libri është akademiku serb – shkrimtari Antonio Isakoviq (1923-2002), njëri prej hartuesve të Memorandumit të ASSHA-s]  Ky libër u shkrua në vitin 1985 dhe u botua  një vit më vonë, pothuajse në të njëjtën kohë kur doli në Beograd – si një libër anonim – edhe Memorandumi famëkeq i akademikëve serbë, në janar 1986.

Në periudhën prej vitit 1919 deri në vitin 1940, prej Mbretërisë së Jugosllavisë për në Turqi janë shpërngulur gjithsej 255.878 myslimanë. Prej tyre,215.412 shqiptarë; 27.884 turq; dhe 2.582 boshnjakë.

Për shpërnguljen e shqiptarëve për në Turqi, për uzurpimin e tokave të tyre dhe për terrorin mbi ta nën regjimin e monarkisë serbe, jepen të dhëna edhe në Enciklopedinë ushtarake (Vojna enciklopedija, Beograd, 1972, knjiga četvrta, f. 656).

Politikani serb nga Kroacia, i periudhës midis dy luftërave botërore, Svetozar Pribiçeviq (1875-1936), në studimin e tij Diktatura e Mbretit Aleksandër, thotë se pas vendosjes së diktaturës, Mbretëria e Jugosllavisë e ka intensifikuar pastrimin etnik të trojeve shqiptare, me ç’rast rolin kryesor e ka luajtur Klubi Kulturor Serb në Beograd, i drejtuar nga Sllobodan Jovanoviqi (1869-1958) – profesor i Fakultetit të Drejtësisë, historian dhe rektori i Universitetit të Beogradit. Ky klub në të cilin tuboheshin akademikët serbë, intelektualët eminentë dhe profesorët universitarë, mbështetej edhe nga administrata shtetërore. (Svetozar Pribičević, La dictature du roi Alexander, Paris, 1933; Diktatuara Kralja Aleksandra, Beograd, 1983, f.15; Diktatura Kralja Aleksandra, Globus Zagreb, 1990, f. 311).

Publicisti i sotëm serb Vladan Jovanoviq, në studimin e tij Në kërkim të atdheut – migrimet e myslimanëve nga Jugosllavia për në Turqi 1918-1941, thotë se në vitin 1935 autoritetet jugosllave kanë organizuar në Beograd një takim në të cilin kanë marrë pjesë përfaqësuesit e pesë ministrive të shtetit dhe përfaqësuesit e Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë së Mbretërisë së Jugosllavisë, me ç’rast është hartuar projekti “për shpërnguljen e elementit josllav nga Serbia Jugore”. Një prej konkluzioneve të këtij projekti ka qenë: Miratimit urgjent i një konvente dypalëshe me Turqinë. Me një marrëveshje që do të arrihej, parashikohej:

– personat të cilët vullnetarisht heqin dorë nga shtetësia jugosllave, do të lirohen nga të gjitha tatimet dhe nga detyrimet ushtarake; si dhe

– transporti falas për ata të cilët pasurinë e vet të paluajtshme do t’ia lenin shtetit.

  

Propozimet e Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë së Mbretërisë së Jugosllave u miratuan si masa për shpërnguljen “e suksesshme dhe të shpejtë të popullatës josllave” për në Turqi dhe Shqipëri.

 

Masat e sipërthëna, ndërmjet tjerash përfshinin:

 

– luftimin e propagandës kundër shpërnguljes, që zhvillohej nga Tirana;

– thirrjen e shpeshtë të rekrutëve shqiptarë të zonave kufitare në stërvitje ushtarake;

– ndalimin e pranimit në shërbime shtetëror “të personave që janë të parashikuar për shpërngulje”;

– zhvendosjen e nëpunësve aktualë josllavë (d.m.th. shqiptarë) në zonat e tjera të vendit;

– “shtetëzimin e objekteve gjeografike dhe ndërrimin e mbiemrave personalë” etj.

 

Me këtë rast, ushtria serbe flet edhe për rolin e rëndësishëm që duhet të luajnë Kisha Ortodokse Serbe, mbrojtja popullore dhe iniciativa private.

 

*   *   *

Politika afatgjatë e largimit të dhunshëm të shqiptarëve nga trojet e veta stërgjyshore për në Anadolli dhe prolongimi i shpërnguljes së tyre, has në kritikat e akademikut serb Vasa Çubrilloviq (1897-1990). Për ta zgjidhur shpejt dhe për t’i dhënë fund “çështjes shqiptare”, autori i memorandumit apo i elaboratit famëkeq të dëbimit të shqiptarëve nga Kosova dhe kolonizimit të saj me serbë dhe malazezë, propozon mënyra efektive dhe konkrete të pastrimit etnik.

Në studimin Ideologjia e Serbisë së madhe, politikani kroat Ante Belo (1946-) shkruan se projektin e dëbimit të shqiptarëve për në Turqi e hartoi Çubrilloviqi në vitin 1937, e pikërisht për qeverinë e kryeministrit Stojadinoviq të Mbretërisë së Jugosllavisë. Atë duhej ta zbatonin autoritetet shtetërore. Midis tjerash, Çubrilloviqi shkruan:

“Shqiptarët është e pamundur të luftohen vetëm nëpërmjet kolonizimit gradual… E vetmja mënyrë dhe i vetmi mjet është forca brutale e organizuar, e organeve të shtetit. Në këtë pikëpamje,  serbët  gjithmonë kanë qenë mbi ta.”(Ante Beljo, Ideologija Velike Srbije, artikull në Hrvatski iseljeniçki zbornik, Zagreb, 1995, f. 219-238).

Pas politikës së dhunës dhe të pastrimit etnik të trojeve shqiptare, Serbia zbatoi politikën e kolonizimit të Kosovës dhe të viseve të tjera shqiptare me kolonë serbë dhe malazezë.

 

Konventa ndërmjet Jugosllavisë dhe Turqisë

për shpërnguljen e shqiptarëve nga trojet stërgjyshore nën pushtimin serb

 

Kontaktet e para shtetërore ndërmjet Mbretërisë së Serbëve, të Kroatëve dhe të Sllovenëve (SKS) dhe Turqisë lidhur me shpërnguljen e shqiptarëve, janë realizuar në vitin 1926, ndërsa në vitin 1933 është përcaktuar platforma e re e Ministrisë Jugosllave të Agrikulturës, ideja kryesore e së cilës ka qenë se ekspatriacioni (çatdhesimi) i shqiptarëve mund të kryhet vetëm në kuadër të një procesi afatgjatë, e pikërisht për dy arsye:

– e para, Jugosllavia nuk ka mjete të mjaftueshme për ta realizuar një projekt të tillë;

– e dyta, rrethanat ndërkombëtare nuk do të lejonin që deportimi i shqiptarëve të realizohet në afat të shkurtër.

Vlladan Jovanoviqi në studimin e sipërthënë shkruan se veprimtaritë shtetërore për shpërnguljen e shqiptarëve për në Turqi arritën kulmin me nënshkrimin e konventës ndërmjet Jugosllavisë dhe Turqisë.

Prej 9 deri më 11 korrik 1938 në Stamboll janë mbajtur një varg mbledhjesh për përgatitjen e Marrëveshjes ndërmjet Jugosllavisë dhe Turqisë për shpërnguljen e shqiptarëve. Të dyja palët kanë rënë dakord që brenda gjashtë vitesh, nga Kosova, nga Maqedonia dhe nga Mali i Zi të shpërngulen 40.000 familje shqiptare në zonat e shkreta, të pabanuara të Anatolisë. Konventa ndërmjet Jugosllavisë dhe Turqisë u nënshkrua më 11 korrik 1938 dhe duhej të hynte në fuqi pasi ta ratifikonin parlamentet e t ë dy vendeve. Me shpërnguljen ne shqiptarëve duhej të liroheshin tokat pjellore dhe të punueshme për serbët që do të vinin prej viseve pasive të Serbisë8.

Me nenin 2 të Konventës ndërmjet Jugosllavisë dhe Turqisë parashikohej ekspatriacioni (çatdhesimi) i plotë i shqiptarëve nga shumë qytete të tyre, midis të cilëve janë: Prizreni, Ferizaj, Prishtina, Kaçaniku, Gjilani, Presheva, Peja, Istogu, Mitrovica, Gjakova, Vushtrria (Vuçitërni), Drenica si dhe nga qytetet e tjera shqiptare në Maqedoni dhe në Mal të Zi. Për pesë vitet e para të shpërnguljes, d.m.th. në periudhën e viteve 1939-1944, sipas konventës së sipërthënë parashikohej të shpërnguleshin në Turqi 25.000 familje shqiptare, e pikërisht me dinamikën vijuese: 4.000 familje në vitin 1939; 6.000 familje në vitin 1949; 7.000 familje në vitet 1941 dhe 1942; dhe 8.000 familje në vitet 1943 dhe 1944.

Sipas marrëveshjes ndërmjet Jugosllavisë dhe Turqisë, një familje ka mundur të përmbajë deri në 250 anëtarë, kështu që 40.000 familje shqiptare kanë mundur të arrijnë edhe mbi 1 milionë vetë.

Ratifikimi dhe realizimi i  kësaj konvente  është penguar për shkak të:

– mosmarrëveshjeve financiare ndërmjet Beogradit dhe Ankarasë,

– fushatës së autoriteteve të Shqipërisë kundër shpërnguljes së shqiptarëve nga trojet e veta stërgjyshore për në Turqi si dhe

– shpërthimit të Luftës së Dytë Botërore.

 

Edhe pse kjo marrëveshje nuk është ratifikuar dhe nuk është zbatuar siç ka qenë planifikuar, ka pasur pasoja të rënda për pozitën dhe të ardhmen e popullit shqiptar në Jugosllavi.

 

Pastrimi etnik afatgjatë dhe kolonizimi i viseve shqiptare në Jugosllavi ka shkaktuar ndryshimin etnik të strukturës së popullsisë. Masat e dhunshme të ndërmarra nga Beogradi ndaj shqiptarëve, kanë ndikuar që marrëdhëniet e grupeve etnike gjithmonë të jenë të  tensionuara, e sidomos ndërmjet shqiptarëve vendas dhe kolonëve serbë. Kjo ka ndikuar edhe në thellimin e konfliktit midis serbëve dhe shqiptarëve.

 

*   *   *

Ideologjia kombëtare serbe – Ideologjinë nacionaliste serbe të Ilija Garashaninit (1812-1874) të paraqitur në projektin e tij Naçertanije, Beograd 1844 si dhe të filologut dhe mbledhësit të këngëve popullore serbe Vuk Stefanoviq Karaxhiqit (1787-1864), do ta vazhdojnë me devotshmëri intelektualët serbë të qarqeve akademike dhe universitare të fillimit të shekullit XX.

Në vitet 1912-1918, ideologë të njohur të të ashtuquajturës çështje kombëtare serbe, kësaj murtaje të zezë të Ballkanit, ishin studiuesit, intelektualët, profesorët universitarë dhe akademikët serbë, si: Jovan Cvijiqi (1865-1927); Vlladan Gjorgjeviqi (1844-1939) – autor i librit famëkeq Arnauti i Velike sile, Beograd, 1913; Stojan Novakoviqi (1842-1915), filolog dhe historian i letërsisë, kryetar i Akademisë Mbretërore Serbe, kryeministër i Qeverisë së Serbisë; Nikolla Stojanoviq (1880-1966), jurist dhe politikan serb nga BH; Stevan Moleviq (1888-1959), politikan, publicist dhe avokat serb nga BH, autor i një memorandumi që mban titullin Serbia homogjene (Homogena Srbija), të vënë në qarkullim në Nikshiq të Malit të Zi më 30 qershor 1941. Në të i paraqet ambiciet territoriale të Serbisë dhe “të drejtën” e saj për të dominuar në Jugosllavi. Gjatë Luftës së Dytë Botërore Moleviqi ka qenë këshilltar i udhëheqësit të Lëvizjes së Çetnikëve – Drazha Mihajlloviqit.

Vijës së kësaj ideologjie vepruan hartuesit e Memorandumit të ASSHA (SANU) që u botua në Beograd si një libër anonim në janar të vitit 1986: filologu Pavle Joviq; shkrimtari Antonije Isakoviq; biologu i biologjisë molekulare Dushan Kanazir; filozofi Mihajlo Markoviq; historiani i artit Dejan Medakoviq; historiani i letërsisë Miroslav Pantiq; gjeologu dhe paleontologu Nikolla Pantiq; historiani Radovan Samarxhiq; profesori i fakultetit të mjekësisë dhe shkencëtari Lubisha Rakiq; historiani Vasilije Krestiq; inxhinieri i makinerisë Miomir Vukobratoviq dhe kritiku i artit figurativ, piktori Stojan Gjeliq. Në krye të tyre qëndronte babai i kombit serb, shkrimtari dhe akademiku me shkollë të mesme bujqësore Dobrica Qosiq.

 

Nga ideologjia në agresion – Ideologjia serbomadhe u bë politikë shtetërore e Serbisë dhe u zbatua nga: karagjorgjeviqët, Nikolla Pashiqi (1845-1926), Aleksandër Rankoviqi (1909-1983) dhe Sllobodan Millosheviqi (1941-2006).

 

Synimi i tyre ishte:

 

– ta rimëkëmbin perandorinë e car Dushanit dhe ta krijojnë Serbinë e Madhe;

– të ndjekin politikë hegjemoniste, ekspansioniste, centraliste, unitariste dhe etatiste;

– t’ia caktojnë Serbisë rolin e Piemontit  në gadishull;

– t‘i sigurojnë Serbisë rol dominues në  Jugosllavi dhe në Ballkanin – fuçi baruti;

– ta shndërrojnë Serbinë në faktor të rëndësishëm në rajon, në mënyrë që fuqitë evropiane, për t’i realizuar synimet e tyre strategjike, të llogarisnin në aleancën e serbëve;

– të përhapin propagandë se serbët janë popull hyjnor (nebeski narod);

– t’ua bëjmë me dije kancelarive të fuqive të mëdha se serbët janë popull historik;

– t’u tregojmë fuqive historike të Evropës se serbët janë popull politik;

– ta bindim faktorin ndërkombëtar influent se popujt e tjerë të rajonit, nuk janë as popuj historik dhe as popuj politik.

 

Duhet t’u bëhet me dije kancelarive të evropiane se: serbët kanë traditë shtetërore dhe ushtri të fortë; në çaste të caktuara historike kanë marrë pjesë në luftëra; janë rreshtuar në anën e drejtë; kanë luftuar përkrah forcave ngadhënjyese; ushtritë serbe kanë bërë luftëra frontale dhe kanë shpërthyer fronte etj.

Shpërthimin e frontit të Selanikut në tetor të vitit 1917 në Luftën e Parë Botërore, përkrah ushtrive franceze, angleze dhe greke, kundër ushtrive gjermane, austro-hungareze dhe bullgare, serbët e kanë shndërruar në mit.

Në saje të atributeve të mësipërme, serbët merituakan të dominojnë në gadishull.

 

*   *   *

Sipas radikalëve serbë, populli serb ndahet në tre religjione: serbët në Serbi janë serbë të fesë ortodokse; kroatët në Kroaci janë serbë të fesë katolike; ndërkaq myslimanët në Bosnjë e Hercegovinë, janë serbë të fesë myslimane. Armiqtë historikë të serbëve – qendrat katolike, habsburgët dhe habsburgu i fundit Tito, e copëtojnë Serbinë për të krijuar prej saj tre shtete dhe po aq kombe. Dy prej tyre – artificiale dhe johistorike.

 

Në periudhën e viteve 1918-1941 ideologjia serbomadhe:

 

– mohonte ekzistimin e kombit shqiptar në Jugosllavi dhe i quante myslimanë; sipas tyre, shqiptarët janë inferiorë, nuk janë popull historik, nuk janë popull politik dhe nuk posedojnë aftësi shtetndërtuese, ndaj dhe territoret e tyre duhet të zotërohen prej serbëve.

– mohonte ekzistimin e malazezve, të myslimanëve (boshnjakëve) dhe të maqedonasve si bashkësi etnike të veçanta; qoftë mbi baza gjuhësore, qoftë mbi baza fetare, këta konsideroheshin serbë.

 

Ndërsa me një ideologji unitariste, centraliste dhe etatiste synonte krijimin e kombit jugosllav dhe homogjenizimin e popujve joserbë, sidomos të kroatëve dhe të sllovenëve, me qëllim të asimilimit të tyre në serbë.

Me fjalë të tjera, malazeztë janë serbë ngase gjuha që flasin s’është veçse një dialekt i serbishtes; myslimanët e Bosnjës dhe Hercegovinës s’janë veçse serbë të islamizuar. Edhe këta, sikurse malazeztë, flasin serbisht apo një dialekt të saj; maqedonasit nuk kanë histori dhe janë pa identitet; duke qenë se  banojnë në Serbinë Jugore (Juzhna Srbija), rrjedhimisht janë serbë; kroatët janë serbë të fesë katolike; gjuha që flasin s’është veçse serbishte, apo një dialekt i saj; me një politikë unitariste, centraliste dhe etatiste do t’i asimilojmë në serbë; sllovenët, për t’u shpëtuar synimeve ekspansioniste të Vjenës, medoemos t’i kthehen gjirit të sllavëve të jugut.

Ndaj malazezëve, myslimanëve të BH-së, maqedonasve dhe kroatëve, serbët zbatonin teoritë apo thëniet latine: quius lingua, eius regio (e kujt gjuha, i atij  territori) apo quius religio, eius regio (e kujt feja, i atij territori).

Pra, malazeztë janë serbë mbi bazën e gjuhës dhe të fesë; myslimanët e BH-së dhe kroatët – mbi bazën e gjuhës;  ndërsa maqedonasit –  mbi bazën e fesë.

Po shqiptarët?! Shqiptarët, në këtë bashkësi sllavësh të jugut, janë trup i huaj. Si të tillë, do t’i dëbojmë për në Anatoli. Ndaj atyre që do të mbeten do të ndjekim politikën e forcës, të restriksionit, të diskriminimit dhe të represionit, do të ushtrojmë dhe opresion. Kosova për ta ishte Serbi e Vjetër (Stara Srbija).

Kështu Jugosllavinë do ta shndërrojmë në serbosllavi.

 

*   *   *

Ideologët serbë të sotëm – Historianët e sotëm serbë, me në krye akademikun dhe shkrimtarin Dobrica Qosiq thonë:

 

– Ballkani sot ndodhet nën sundimin e SHBA-së dhe të aleatëve evropianë të saj – Britanisë së Madhe dhe Gjermanisë;

– Sot në Evropë dhe në Ballkan mbizotërojnë fuqitë humbëse të dy luftërave botërore;

– Para Luftës së Parë Botërore dhe gjatë saj, imperialistët gjermanë synonin Drang nach Osten (Depërtim në Lindje), drejt Kostandinopojës e më tej. Depërtimet e Gjermanisë naziste në drejtim të juglindjes para Luftës së Dytë Botërore, paraqesin vazhdim të asaj politike. Berlini dhe Vjena të njëjtin pretendim e kanë edhe sot, por në forma të tjera. Ndaj krijimi i kombit të fortë dhe të konsoliduar shqiptar në Ballkan përputhet me synim historik gjerman për të depërtuar në lindje;

– Armiq të përbetuar të Serbisë kanë qenë dhe janë: Vatikani, CIA, Berlini, Vjena dhe agjenti i tyre Josip Broz Tito;

– Sot në Ballkan, me ndihmën e Vatikanit, të SHBA-së, të Gjermanisë dhe të Vjenës zhvillohet haptas procesi i krijimit të Shqipërisë së Madhe;

– Procesi i fragmentarizimit të Serbisë do të vazhdojë, duke ia shkëputur asaj Vojvodinën, Sanxhakun dhe Kosovën lindore (Preshevë, Bujanovc dhe Medvegjë).

– Turqia, nën parullën e neo-osmanizmit, pretendon të rikthehet në gadishull, duke gjetur mbështetje ndër shqiptarë dhe ndër boshnjakë.

*   *   *

Propaganda antishqiptare serbe – Serbia, sot e kësaj dite vazhdon të përhapë propagandë nëpër kancelaritë evropiane për pretendimet e Ankarasë për t’u rikthyer në një pjesë të gadishullit. Sipas kësaj propagande,  pretendimet turke për të depërtuar në rajon, çojnë në krijimin e shteteve islamike në të. Ndaj Uashingtoni dhe Brukseli nuk duhet të lejojnë kreatura fundamentaliste para dyerve të Evropës.

Qëllimi i kësaj propaganda antishqiptare të Beogradit është që shqiptarët t’i paraqesin para perëndimorëve si popull me identitet kombëtar të diskutueshëm, si pro turq, pro arabë, pro persianë, si popull që është përçues i vlerave anadollake, aziatike dhe islamike në Evropën e krishterë, si popull që funksionon me vlera jashtë evropiane, si popull që funksionon me vlera turke, arabe, persiane dhe islamike në gadishull. Kohët e fundit, propaganda serbe dhe ajo greke në mënyrë intensive i denoncon shqiptarët nëpër zyrat e fuqive evropiane edhe si islamistë radikalë që punojnë kundër Perëndimit dhe që i rrezikojnë vlerat e qytetërimit perëndimor.

 

*   *   *

Për të ndërtuar një Jugosllavi me dominimin serb, gjatë historisë politike të tyre, serbët u përqendruan kryesisht:

– në krijimin e faktorit të forcës; dhe

– në ndërtimin e një makinerie propagandistike gebelsiane.

 

Për ta mbajtur serbosllavinë, këtë krijesë artificiale të Versajës dhe burg të popujve, karagjorgjeviqët dhe pashiqët, më vonë rankoviqët dhe millosheviqët zbatuan politikën e forcës.

Serbia, me politikën e saj destruktive, luftënxitëse, hegjemoniste, ekspansioniste dhe kolonialiste është shkaktarja kryesore dhe permanente e destabilizimit të Ballkanit, këtij rajoni të cilësuar si fuçi baruti, ku është zhvilluar bellum omnium in omnes. Një politikë e tillë është irracionale. Për gjakderdhjet që ua kanë shkaktuar fqinjëve të vet, serbët duhet të mbajnë përgjegjësi para gjykatës ndërkombëtare të drejtësisë.

Francezët kanë gabuar që i kanë lejuar serbët ta keqpërdorin miqësinë me ta.

Ambiciet e serbëve gjatë historisë kanë qenë në shpërpjesëtim me potencialet reale të tyre. Ata janë një popull i vogël, ndaj politikën shtetërore duhet ta harmonizojnë me përmasat kombëtare reale.

Në Evropë dhe në planin global, sot kemi një konstelacion të ri: muri i Berlinit ka rënë; Gjermania është ribashkuar; Traktati i Varshavës është zhbërë; ideologjia bolshevike është rënuar; perandoria sovjetike është shpërbërë; kampi socialist është shuar; lufta e ftoftë ka marrë fund; Rusia nuk është më superfuqi; kontradiktat historike të fuqive evropiane harmonizohen në kuadër të BE-së; Jugosllavia e Versajës dhe e KAÇKJ-së (AVNOJ-it) u shkatërrua me gjak.

Serbët duhet të heqin dorë nga idetë kombëtare retrograde, anakronike, antihistorike dhe antidemokratike të shekullit XIX. Duhet ta pranojnë realitetin e ri në rajon dhe në planin global dhe ta ridefinojnë ideologjinë kombëtare.

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

Filed Under: Histori Tagged With: krimet serbe, Lufta ballkanike, ndaj shiptareve

Artikujt e fundit

  • Dalip Greca – Emër i Pashuar
  • Dalip Greca, një emër në kujtesën e gazetarisë shqiptare
  • Dalip Greca, një profesionist dhe patriot i madh
  • Kur vdekja merr krijues dhe atdhetarë të mirëfilltë
  • Lamtumirë kolegu ynë Dalip Greca
  • IN MEMORIAM, DR. GJON BUÇAJ
  • Ikja e Dr.Gjon Buçaj e Dalip Grecës, komuniteti humbi dy patriotë të përkushtuar
  • Një prej atij brezi…
  • I PAHARRUAR QOFTE KUJTIMI I Dr. GJON BUCAJ
  • DR. GJON LEK BUÇAJ, NË SYTË E NJË MIKU TË VJETËR
  • Requiescat in pace Dalip Greca! Pushofsh në paqe mik e koleg i çmuar!
  • Vajtojmë njeriun fisnik e patriot Dalip Grecën
  • U PREHËSH NË PAQE E PËRJETËSI DR. GJON BUCAJ
  • Mbaj zi për mikun tim, Dalip Greca
  • IKU DUKE SHKRUAR

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari Albin Kurti alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla Astrit Lulushi Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fadil Lushi Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Hazir Mehmeti Ilir Levonja Interviste Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Tregim Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT