Rexhep Shahu: Krime serbe në Kosovë – një libër tronditës/
-Së shpejti del në Prishtinë dhe në qytetet e tjera./
-Varret masive të shqiptarëve janë ende në Serbi./
Kriminelët serbë në pushtet Vuçiq e Daçiq nuk i tregojnë ato varre dhe kanë veshe kostumin e viktimave dhe drejtojnë gishtin e akuzës kundër shqiptarëve.
Shqiptarët, besoj naivë, duket u mjaftuan, u nginë me lirinë e Kosovës, me Kosovën pa serbë, me shtetin e tyre të dytë shqiptar të lirë dhe i lanë të qetë kriminelët serbë, nuk i paditën as Vuçiqin as Daçiqin as shtetin kriminal serb në asnjë gjykate penale ndërkombëtare.
Shqiptarët dënohen, shkojnë nëpër gjykata për të provuar drejtësinë, shqiptarët duhet të paguajnë ende për lirinë, ndërsa serbët fërkojnë duart e krimit.
Edhe trupat e pajetë të shqiptarëve që janë në varrezat masive në Serbi janë pjesë e çmimit të rëndë që shqiptarët paguan për lirinë.
Janë disa libra që shqiptarët nuk i kanë lexuar, politikanët e intelektualët shqiptarë që duhet të jenë të lexuar nuk i kanë lexuar. “Shqiptarët e fuqitë e mëdha”, libër i shkruar nga kryeministri serb Vladan Gjorgjeviq, gurra e të ligës serbe kundër shqiptarëve, botuar në 1913 në frëngjisht e gjermanisht e pastaj përkthyer në serbisht nuk e kanë lexuar politikanët e intelektualët shqiptarë. Ndoshta e kanë shfletuar, por nuk e kanë lexuar, nuk e kanë lexuar, nuk e kanë lexuar, nuk e kanë thithë, nuk e kanë bërë pjesë të vetëdijes. Ky është libri që i bën shqiptarët me bisht. E ka shkruar kryeministri serb Vladan Gjorgjeviq, e ka përkthyer kryeministri shqiptar Mustafa Kruja, e kam botuar unë në 2015. Më 1928 e ka përkthyer dhe botuar në Zarë, Mustafa Kruja dhe që nga ajo kohë deri në 2015 nuk e botoi as Tirana as Prishtina. Kush i pengoi, kë kishin frikë Tirana e Prishtina…
Ai libër u thotë Fuqive të mëdha se shqiptarët janë me bisht, janë të pazhvilluar, janë muslimanë fanatikë, të paqytetëruar, nuk u duhet dhënë shtet, nuk duhen njohur, por na i jepni neve serbëve një shekull shqiptarët që ti kulturojmë, ti civilizojmë ne dhe pastaj ua japim ne një autonomi kulturore…
Pra këtë libër nuk e kemi përfillë. Librin ‘Shpërngulja e shqiptarëve’ të Vaso Çubrilloviqit nuk e kemi lexue, nuk e kemi njofte ani se shumëkush mban hundët përpjetë si hajvan e gënjen veten, por dy referatet e Vaso Çubrilloviqit nuk i kemi njoftë as politikani as intelektuali as dreqi as i biri. Në 2015 edhe atë e kemi botuar libër, por askush nuk e lexon.
Dhe themi pastaj si shkojnë shqiptarët si gomari në ëndërr.
Me librin e Vladan Gjiorgjeviqit, Vaso Çubrilloviqit e gjithë traktatet serbe kundër shqiptarëve ne nuk jemi të njohur, nuk i dimë, nuk i kemi lexuar si popull dhe qajmë sot. Nuk flitet në shkollat e auditoret tona për këto traktate urrejtje, jo të mësojmë urrejtjen prej tyre por të dimë se si na përfytyron fqinji ynë serb.
Ky libër i ri ‘Krime serbe në Kosovë’, bashkë me librin e Vladanit, të Çubrilleviqit, me platformën e Ivo Andriçit dhe gjithë platformat tjera, kanë qenë e janë dokumente të mjaftueshme me e paditë Serbinë në Gjykatën e Hagës për krime çnjerëzore pasi ajo e ka të dokumentuar politikën kriminale, strategjinë kundër shqiptarëve.
Titulli: Krime serbe në Kosovë
Konsulent në dy botimet: Sadik Ram Llapashtica
Me parathënie dhe pasthënie nga Çerçiz Loloçi
Redaktor: Rexhep Shahu
Shtëpia Botuese e Promovuese Klubi i Poezisë, Tiranë.
Arti grafik: Blendi Shahu