NJOFTIM/
PRIJËSIT FETARË SHQIPTARË–BASHKËJETESA NDËRFETARE DHE KONTRIBUTI I TYRE NË SHTETNDËRTIM, eshte libri me i ri i pergaditur nga autori tash me i mirnjohur i trojeve shqipetare Faton Mehmetaj (dr. kandidat), qe se shpejti pritet te dal nga shtypi . Libri është i paraparë të realizohet me botimin e një Albumi me fotografi/portrete dhe biografi të mbi 600 prijësve fetarë, që u takojnë komuniteteve tona fetare: myslimanë, katolikë e ortodoksë, shumica prej tyre dijetarë dhe njerëz të shquar të kulturës e të shkencës, është jashtëzakonisht i rëndësishëm dhe një letërnjoftim unikat në botë mbi bashkëjetesën dhe tolerancën ndërfetare të popullit shqiptar, është një tablo e historisë sonë e pa trajtuar gjerë më sot nga ky këndvështrim.
Në këtë projekt përfshihen prijësit fetarë të të tri feve nga të gjitha hapësirat shqiptare, nga diaspora e nga kolonitë shqiptare anekënd botës, duke përfshirë një hark kohor mbi 300-vjeçar, të të gjithë atyre prijësve fetarë që morën pjesë në rilindjen e kombit shqiptar, në Shpalljen e Pavarësisë, në beteja e përpjekje për ta mbajtur gjallë gjuhën e kulturën e popullit tonë, për t’i ruajtur kufijtë dhe tërësinë shtetërore; të atyre që u sakrifikuan për çështje kombëtare gjatë periudhave të ndryshme nëpër të cilat kaloi kombi ynë.
Nëpërmjet trajtimit të këtyre figurave historike paraqitet e tërë historia dhe ngjarjet më të rëndësishme historike, që kanë të bëjnë me lirinë dhe pavarësinë e popullit shqiptar. Personalitetet që përfshihen në këtë projekt janë ndër figurat më të dashura dhe më emblematike të popullit tonë, të cilat kurrë nuk e ngatërruan konceptin fetar me atë kombëtar. Edhe pse ishin prijës fetarë (të feve të ndryshme), për ta gjithmonë mbi të gjitha ishte fjala postulat për orientim: “Feja e shqiptarit është shqiptaria”.
Ata botuan libra, gazeta, përpiluan manifeste e memorandume, konstruktuan programe, duke arritur në rrumbullakësimin e një platforme të përbashkët për ruajtjen tërësisë territoriale, të gjuhës, dokeve e zakoneve, historisë e të Shqiptarisë në përgjithësi. Një pjesë e prijësve fetarë të të tri feve tona ishin të angazhuar edhe në shoqëri kulturore në Stamboll, në Bukuresht të Rumanisë, në Itali, SHBA, shtete të Europës e kudo tjetër, të cilët me punën dhe aktivitetin e tyre patriotik ndihmuan ta bindin botën e qytetëruar për ta mbështetur popullin shqiptar në momente kyçe dhe kritike nëpër të cilat kaluam shpeshherë si popull.
Ata ditën të jenë pjesë e unifikimit të alfabetit të gjuhës shqipe. Morën pjesë në Kongresin e Manastirit, në Komisinë Letrare të Shkodrës, hapën shkolla, botuan libra, duke e nderuar vendin e tyre me përpjekjet dhe mundin që dhanë, i cili gjatë gjithë historisë ka mbetur i paharruar. Ashtu siç e dëshmon historia, gjatë Rilindjes tonë Kombëtare (1830-1912), prijësit fetarë shqiptarë (myslimanë, ku shquhej edhe komuniteti i bektashinjve, katolikë dhe ortodoksë) dhanë ndihmesë të vyer në procesin historik, në të gjitha aspektet e lëvizjes kombëtare, në të gjitha trojet shqiptare: në kryengritjet kundër reformave centralizuese të Tanzimatit; në Lidhjen Shqiptare të Prizrenit, e cila e ngriti për herë të parë çështjen kombëtare shqiptare në arenën ndërkombëtare, “ulemaja” ishin drejtues pothuajse të të gjitha degëve dhe komiteteve të kësaj Lidhjeje; ata i gjejmë kudo në luftën për zhvillimin e kulturës e të arsimit kombëtar.
Me punën, përpjekjet, mundin e sakrificat mbinjerëzore këta burra ia vunë bazat shtetndërtimit, duke e pavarësuar atë dhe duke i dhënë dimensione të reja pas Shpalljes së Pavarësisë më 1912 e pas kësaj, duke e transformuar atë në një shtet modern. Ata kontribuuan tërë jetën për çështjen kombëtare pa u ndalur kurrë. Një pjesë e madhe prej tyre edhe pse kishin pozita të larta në shoqëri, u vranë, u syrgjynosën dhe u pushkatuan, por kurrë nuk u ligështuan dhe nuk hoqën dorë nga idealet e larta të atdheut dhe qëllimi i tyre për ta përparuar dhe arsimuar popullin e tyre. Roli i prijësve fetarë dhe i klerikëve shqiptarë në përgjithësi ishte i madh edhe në mbrojtjen kombëtare të Shqipërisë Etnike (1941-1945).
Veprimet e komunitetit fetar në trojet shqiptare myslimanë, katolikë, ortodoksë, bektashianë e protestantë, rreth çështjes kombëtare ishin një dhe të pandara, të unisuara dhe kishin një plan dhe program të organizimit për ta mbrojtur dhe lartësuar atdheun e tyre. Ata luftuan për themelimin e institucioneve shtetërore, arsimore, fetare e kulturore mbi baza të mirëfillta kombëtare. Ata ishin bashkë për ta luftuar secilin pushtues. Ata i gjejmë në organizim dhe në krye të çetave e grupeve që e kundërshtuan Traktatin e Shën-Stefanit, Kongresin e Berlinit dhe i mbrojtën me gjak tokat shqiptare në Mal të Zi, në Sanxhakun e Nishit, e anekënd hartës etnike ku kishte nevojë populli shqiptar. Morën pjesë dhe i organizuan kryengritjet e vitit 1910, 1911 e 1912, morën pjesë në luftën e Carralevës, në Grykë të Kaçanikut, ngritën flamurin në Deçiq, në Vlorë, në mbrojtjen e Shkodrës më 1913, etj. Formuan komitete të fshehta, shkruan pa fund shkrime publicistike e shpërndanë kudo trakte politike, hartuan himne e platforma kombëtare, formuan çeta, organizata e shoqëri që i dolën në ndihmë Shqipërisë dhe shqiptarëve.
Prijësit tanë fetarë ishin burra kuvendesh, ishin të penës e të pushkës, disa prej tyre u dalluan edhe si komandantë të shquar, vizionarë e diplomatë që e habitën botën me zgjuarsinë e tyre. Të njëjtit i shohim në përpjekjet për të hapur shkolla, për të përhapur abetaret e para, në përpjekje për ta shkruar dhe unifikuar gjuhën shqipe. Me aktivitetin e tyre luftarak, politik, kulturor e arsimor, ata bënë që Shqipëria të njihet ndërkombëtarisht. Jo pak nga këta prijës fetarë morën pjesë në Kongresin e Manastirit (1908), në atë të Lushnjës, të Dibrës e të Vlorës. Shumica prej tyre u përndoqën, u vranë, u syrgjynosën e u dëbuan nga atdheu i tyre, por ata që mbijetuan nuk e ndalën aktivitetin e tyre për të mirët e atdheut të vet, kudo që ishin. Të tilla ishin kolonitë shqiptare në Stamboll, Itali, Misir (Egjipt), Rumani, Amerikë e në vende të tjera të botës. Atje shkruan fjalorë, mblodhën folklorin, e shkruan historinë, prapë u vunë në krye të lëvizjeve përparimtare, nuk pushuan kurrë për ta afirmuar dhe për ta rreshtuar Shqipërinë krah vendeve të përparuara. Prijësit tanë fetarë ishin mendja, zemra dhe shpirti i të gjitha lëvizjeve përparimtare gjatë periudhave të ndryshme të historisë. Ata, me shembullin e vet, me besim, me dituri e me pasurinë e tyre që e vunë në shërbim të kombit, dëshmuan me devotshmëri se për shqiptarët nuk ka jetë pa Shqipëri.
Disa prej këtyre figurave janë misionarë të përmasave botërore si Nënë Tereza, disa të tjerë kanë përmasa të diplomatëve që e afirmuan çështjen shqiptare në tubime e konferenca të mëdha siç ishte Noli. Në gjirin e kolonisë shqiptare në SHBA me gjithë kundërshtimin e Patrikanës Fanariote, më 1908 u krijua edhe kisha e parë shqiptare ortodokse me priftërinj shqiptarë.
Kishte në mesin e këtyre personaliteteve prijës të lëvizjeve të mëdha, në mesin e tyre Hafiz Ymer Prizreni, njëri nga drejtuesit kryesorë të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit; Myderriz Haxhi Zeka, kryetar i Lidhjes së Pejës “Besa-Besë”; Në Kuvendin e Shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë 1912, Don Nikollë Kaçorri; i Komitetit Mbrojtja Kombëtare e Kosovës me seli në Shkodër, Hoxhë Kadri Prishtina; pastaj të Lidhjes së Dytë të Prizrenit 1943, Sheh Musa Shehzade, etj.
Gjatë periudhës së Rilindjes Kombëtare Shqiptare doli një gjerdan burrash si Hoxhë Tahsini, Daut Boriçi, Gjerasim Qiriazi, Don Ndoc Nikaj, Papa Kristo Negovani, Ndre Mjedja, Gjergj Fishta, Babë Dudë Karabunara, Shtjefën Gjeçovi, Hafëz Riza Ulqinaku, Rexhep Voka, Vehbi Dibra, Hasan Hoxhë Moglica, etj. Kishte të atillë që u vunë në krye të çetave e grupeve tjera të armatosura, siç ishte Mulla Idriz Gjilani, Aqif Blyta, mulla Agan Koja, Mulla Zekë Bërdyna, Patër Anton Harapi e shumë të tjerë.
Qëllimi i botimit të këtij Albumi, është që të ilustrojmë me materiale fotografike e dokumentare aktivitetin e prijësve fetarë të të tri feve (myslimanë, katolikë dhe ortodoksë), duke mos e lënë anash as aktivitetin e bujshëm të bektashinjve në periudhat më të ndritura të historisë – periudhën e Rilindjes sonë Kombëtare, duke përfshirë këtu edhe aktivitetet politiko-ushtarake dhe kulturore të shpalljes së Pavarësisë, pas saj e deri në mbarim të shek. XX.
Ky projekt me mbi 300 biografi të prijësve fetarë me fotografitë e tyre dhe me nga 20-30 rreshta shkrim biografik, është një histori më vete, me pak fjalë e me një domethënie të madhe, që u tregon brezave të rinj, i tregon botës për kontributin e prijësve fetarë në përpjekjet shekullore për komb e atdhe. Është një shembull unikat i bashkëjetesës fetare në gjithë botën, është dëshmi e të qenit gjithmonë bashkë për Pashkë e për Bajram, në kremtet e bektashinjve dhe të klerit ortodoks. Një pjesë e madhe e prijësve fetarë të të tri feve u përballën me vështirësi të mëdha, sidomos pas ndalimit të fesë në vitin 1967 dhe shkatërrimin e një pjesë të objekteve të kulteve fetare; disa prej drejtuesve fetarë i burgosën, një pjesë i pushkatuan e shumë të tjerë i izoluan, i internuan, i dërguan në kampe pune, shumë prej të cilëve vdiqën nga mundimi dhe torturat. Një pjesë e vogël nga radhët e komunitetit fetar arritën të dalin jashtë vendit për ta shpëtuar kokën. Sidoqoftë, gjatë gjithë historisë, një pjesë e madhe e xhamive, medreseve, kishave e teqeve ishin vënë në shërbim të çështjes kombëtare, pa dallim feje, duke u bazuar në thënien hymn: “Mos shikoni kisha e xhamia se feja e shqiptarit është shqiptaria!” Këtë do ta dëshmojë me argumente të mirëfillta edhe ky projekt.
Përzgjedhja e kësaj tematike është bërë sepse ka pak studime dhe trajtime të këtij spektri, ku trajtohen prijësit fetarë në një dimension kombëtar pa dallim feje, ku xhamia, kisha, teqeja e luajnë të njëjtin rol në dobi të çështjes kombëtare. Tek e fundit populli shqiptar është një shembull unikat në botë ku bashkëjetesa dhe toleranca ndërfetare është vetëdijesim, është normë, është domosdoshmëri. Bajrami, Pashkët, Kërshëndellat e festat e bektashinjve festohen bashkë. Shqiptarët bashkë janë kudo edhe në festa kombëtare, por edhe në dasma e morte, sepse kanë gjuhën e përbashkët, i kanë doket e zakonet, e kanë historinë, gjuhën, alfabetin dhe shqiptarinë e përbashkët. Ne jemi i vetmi popull i qytetërimit europian, me identitete të ndryshme fetare, që nuk e pengojnë njëra-tjetrën, edhe pse identiteti mysliman e përbën shumicën. Këto identitete nuk e penguan formimin kombëtar shqiptar, por ndihmuan që shqiptarizmi si platformë e identitetit kombëtar të ngritet mbi këto identitete për t’u kthyer në program të lëvizjes kombëtare, me të cilën luftohej për shtetin shqiptar. Kështu në hartën e re shtetërore dhe atë politike europiane, shqiptarët u shfaqën si ekzemplari më i veçantë i një populli që ia doli që ndeshjen shekullore të besimeve, të mos e kthejë në luftë të brendshme, siç u kishte ndodhur shumë popujve, por natyrshëm e ndërtuan programin e bashkëjetesës. Myslimanë dhe të krishterë, sunitë dhe shiitë, katolikë dhe ortodoksë, protestantë e të tjerë, bashkërisht deklaruan vullnetin e tyre si shqiptarë.
Libri më i ri i Faton Mehmetajt, PRIJËSIT FETARË SHQIPTARË – BASHKËJETESA NDËRFETARE DHE KONTRIBUTI I TYRE NË SHTETNDËRTIM, është i ndërtuar në bazë të parimit tematik. Janë vënë në dukje me anë të portreteve jo të gjithë, por ata që kanë kontribuar dhe kanë qenë të përfshirë në ngjarjet kryesore dhe momentet më të rëndësishme të periudhave që i përmendëm më lartë. Figurat e prijësve fetarë shqiptarë janë radhitur kronologjikisht në bazë të periudhës kohore kur kanë jetuar dhe vepruar.
Autori i librit fton bisnesmenet dhe afaristet Shqipetaro-Amerikan po edhe Qendrat Fetare Shqipetaro-Amerikane qe ta perkrahin financiarish botimin e kesaj vepre madhore dhe te veqante te historise e bashkejeteses sone nderfetare.
Per me shume informacione mund te kontaktoni ne numerin e telefonit: 646-247-1817.