
Eksperti i sigurisë dhe ushtaraku i lartë z.Asllan Bushati sjell para publikut shqiptaro-amerikan botimin e tij më të fundit në fushën e sigurisë kombëtare “Një mendim ushtarak ndryshe”. Mbi 40 artikuj të shkruar në një hark kohor prej 10 vitesh, botuar në gazetën “Dielli” e media të tjera, paraqesin një kontribut të vyer të një prej ekspertëve me shumë eksperiencë në ushtrinë shqiptare. Autori Bushati sqaron se miqtë që i dhanë shtysë në botimin e librit janë: Armand Vinçani, Bashkim Shehu, Idriz Lamaj, Bujar Verzivolli, Hasan Ademaj, Muharrem Dezhgiu, Fatos Valteri, Lekë Përlleshi etj. Në botimin e këtij libri autori falenderon miqtë e ndjerë: Dalip Greca, Zef Balaj, Gjon Bucaj, Zef Përnocaj, Jonuz Ndreu dhe Musli Mulosmani.
Autori sqaron se baza shkencore dhe publicistike ku janë bazuar citimet në libër janë: Stefan Zanovic (Stephan Zannovich), Prof. Kristo Frashëri, Prof. as. Bernard Zotaj, Dr. Paulin Marku, Uran Butka, Julian Amery, David Smajli etj. Çështja e parë që autori trajton me profesionalizëm në libër është: “Kodi moral i Gjergj Kastriotit- Skënderbeu princi i Matit dhe mbreti i shqiptarëve” pasuar nga shkrimi “Drejtimet nga erdhën pushtuesit osmanë” apo shkrimi “Pjesë nga veprimtaria ushtarake e Lidhjes së Prizrenit” etj. Një vend shumë të rëndësishëm në libër zë çështja e Kosovës, NATO, UÇK, Batalioni “Atlantiku”, lufta në Ukrainë, konflikti Izrael-Hamas, armët bërthamore si katastrofa globale etj. Në shkrimin “Rusia një dashakeqe e përhershme e kombit shqiptar” autori shprehet se Shqipëria nën ombrellën sovjetike erdhi pas prishjes me jugosllavët ku Shqipëria komuniste në çdo segment të jetës u “pushtua” nga sovjetikët. Ata nëpërmjet këshilltarëve të tyre të vendosur pranë çdo posti ushtarak e civil, për dymbëdhjetë vite, drejtuan shtetin shqiptar në funksion të interesave të tyre, sikur të ishte një republikë shtesë e BS-së. Kjo ka lënë gjurmë të rënda në mënyrën e politikëbërje, drejtimin e shtetit, diplomaci, punën e shërbimeve inteligjente, në ushtri, metodën e punës në drejtim e vendim, madje deri në ditët e sotme në Shqipëri, ngulmon autori Bushati. Me punën e tij, rezultatet, përkushtimin, dinjitetin dhe integritetin e lartë në shërbim të atdheut z.Asllan Bushati ka krijuar një emër të nderuar në radhët e drejtuesve më të suksesshëm të ushtrisë shqiptare në të gjitha pozicionet që ka mbajtur me nder e krenari si Drejtor i Kimisë e Armkontrollite Komandant Divizioni etj. Libri “Një mendim ushtarak ndryshe” përbën një kontribut publicistiko-shkencor të rëndësishëm për forcat e armatosura, agjencitë inteligjente dhe katedrat e fushës së sigurisë dhe mbrojtjes. Z.Bushati la pas një trashëgimi të shkëlqyer teksa shërbeu me përkushtim e profesionalizëm për 28 vite si komandues në strukturat e kimisë ushtarake dhe gjithëarmëshe. Kontributi i Asllan Bushatit në Federatën Vatra, gazetën Dielli, Ligën Shqiptaro-Amerikane, Shoqatën Skenderbej dhe komunitetin shqiptar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës meriton respekt dhe mirënjohje.
Sokol Paja