(Ese – Në Kujtim të Poetit Ali Podrimja)/
Nga Xhemail Peci/
Kumti për ikjen e Krye-Poetit të Kosovës, sa i hidhur qe edhe po aq i rëndë. Megjithatë, Ai po kthehej nga toka e huaj (sepse çuditërisht në tokat e huaja janë shkruar shumë prej kryeveprave të letërsisë shqipe dhe se në tokat e huaja kanë jetuar e kanë ndërruar jetë shumica e intelektualëve dhe Krye-Poetëve të Shqipërisë): për në Tokën e Shqiponjave, ku Poezia shpesh është matur me Mbretërinë e Diellit.
Krye – Poeti i Vargut të Gjakut: Kosova – Gjaku im që nuk falet, si një reminishencë e drejtpërdrejtë me Zemër-Thirjen e Heroinës Marie Shllaku: Kosovë – Gjaku im t’u bëftë Dritë…
Edhe Ajo e edhe Poeti e kishin parandier dhe e kishin parathënë të ardhmen e kombit të tyre.
Heroina të cilës atdhetari dhe veprimtari Shefqet Kelmendi ia ka falur njërin prej epiteteve më të bukura: Vajzë Orleane.
Krye – Poeti í Kosovës, të cilit si në një rastësi mitesh e legjendash, ndoshta për herë të fundit i qe ofruar mikrofoni i emisionit KULT – si një parandjenjë e çuditshme se pikërisht përmes tij donte të ngriste për të satën herë edhe një Himn për Librin – madje jo vetëm për te (në Panairin e Librit të këtij viti në Prishtinë), ku Krye – Poeti foli shumë shkurt:
E kam thënë se Kosova ka qenë Tetari Tragjik i Ilirisë!
Pastaj në KULT pasoi emisioni për Çamërinë, ku e kuqja Flamurshpalosur binte mbi Hartën e Atdheut. Çamëria të cilës i ka kënduar me aq pasion dhe me dhunti të lindur poetike, poeti çam Bilal Xhaferi, themeluesi i gazetës ‘Krahu i Shqiponjës’ që dilte në Amerikë, e ku edhe ai ndërroi jetë në rrethana misterioze.
Eni vjen pre Çamërie…si një shqiponjë flatraqëndisur e që në gdhendjen e Vargut të Gjakut bëhet një: Engjëll i Zotit…
Shumëçka vjen në Letrat Shqipe me emrin: Lumi. Sepse tek Lumi Drin ndërroi jetë poeti dhe intelektuali Pjetër Budi, sepse tek Lumi Drin ra nga dora e zezë atdhetari dhe intelektuali Shtjefën Konstantin Gjeçovi. Githmonë tek Lumi, aty ku Lasgushi kërkonte mesin e Shqipërisë – tek Drini i përmallshëm, tek Lumi – pikërisht aty ku Narcisi mbytet në pasqyrën e vet, aty ku rrijnë zana e shtojzovalle e ku poetët kërkojnë frymëzimin e pafajshëm dhe etjen shuajnë në gjakimin e tyre të përjetshëm: LUM LUMI…
Në një koincidencë kaq të çuditshme, në një ditë me diell kish ikur edhe Princi i Poezisë Shqipe, Lasgush Poradeci. Ikja e Shtërgut, të cilit Ismail Kadare i falte Kryevargun e Pjetër Bogdanit:
Veshur me Diell…
Poeti i Vargut të Gjakut: Kosova – Gjaku im që nuk falet, po ikte nga kjo botë, nga rrëmuja dhe rrëmtei. E Lamtumira gjithmonë është më e vështira. Është tepër drithëruese.
Lamtumirë vendet e mia, që po zhduken dalëngadalë, gjëmon deti ushton stuhia, tundet barka valë mbi valë.. Kështu fillon një prej poezive më të bukura lirike të Gjergj Fishtës, shkruar tek po e linte Shqipërinë për të vajtur në Nju Jork të Amerikës…
Lamtumirë!
Lamtumirë Poet! E Paç Dheun e Lehtë dhe Paqen e Amshuar!
Sepse vetëm Amshimi është shpëtimi nga dhembja dhe nga vuajtja e kësaj jete, nga ëndrra e plagosur, nga kënga e vrarë, nga ura e psherrëtimave, nga frymëzimi i pafajshëm…
Si një koincidencë e çuditshme ku Fjala Shqipe vie ‘si Zjarri Drithërues i Ilirishtes’, e ndarë në Tri pjesë – si vetë Harta e Lirisë së Ilirisë, të cilën Ai e deshti aq shumë, të cilën Ai e gjakoi aq shumë dhe të cilën Ai e ëndërroi aq shumë; e thënë kaq prekshëm, në mënyrë kaq mallëngjyese por edhe aq të madhërishme, Lamtumira e thënë nga Lumira padyshim ishte më e dhembshmja, përderisa një strukturim i tillë jo vetëm i fjalëve por edhe një përjetësim i ndjenjave, nuk ishte asgjë tjetër veç se Kryevargu që po i thërriste sërish memories sonë, jo më për Olimpin e as për Partenonin – po për Hartën e Lirisë, për Trungun Ilir, për Orakullin e Dodonës, për Poetin që Kurrë nuk e braktisi Thirrjen e Zanave, e që Poezinë e pat Zanushë Fisnike me Fjalët e së cilës njomi shpirtrat tanë e u dha zë – si në një Bekim Hyjnor me Fjalët Gjithë Rreshk Bukurie: Lisave të Dodonës… për Republikën e Letrave Shqipe, për Republikën e Letërsisë – e cila shpesh, shumë shpesh i ka parapri: Mendësisë së Republikës së Shqipërisë:
Veshur me Diell!
Bosfori ishte i kaltërt, ndryshe si do të ish, po vinte Naim Frashëri drejt Shqipërisë! Kështu fillon njëra prej poezive më të bukura të Fatos Arapit.
Krye-Poeti po kthehej në Tokën e Shqiponjave, në një cep të Ilirisë së Moçme, siç do thoshte Mitrush Kuteli. Po kthehej tek Harta e Lirisë të cilën e kishte thurur duke e gdhendur vargun me durim prej shenjtori.
Si në një koincidencë të çudtishme, nga mikrofoni i emisionit KULT, Ai ndoshta foli për herë të fundit për Teatrin Tragjik të Ilirisë.
Dhe se Lamtumira që iu dha – po nga mikrofoni í emisionit KULT, padyshim qe më e denja dhe më e dhimbshmja njëkohësisht.
Hirësi!
Kështu i drejtohej Ezra Pound – Tomas Stern Eliotit, sa herë që e kujtonte veprën e tij kulmore ‘Katër kuartetet’.
Hirësi!
Duke shtuar se: ‘gjeniu mbetet një shpërthim, një shpërthim madhështor’.
Vëllimi Poetik ‘Lum Lumi’ dhe Zemër-Klithja:
Hirësi!
Hirësia e Tij dhe Perandoria e Diellit – Poezia. Orakulli i Dodonës Ai:
ALI PODRIMJA.
Lamtumirë Zog i Qiellit!
Na iku edhe Ai, dhe iku siç ikin shpesh Poetët, pa bujë, pa zhurmë, në heshtje – sepse është heshtja ajo që i frymëzon më së shumti, si ajo heshtja në të cilin ikte Lasgushi, në një:
‘VETMI KOZMIKE NË TË CILËN VETËM ZOTI IA DI SHQIPEN’.
ATJE, KU PËRCËLLON DREJT SHQIPES ‘ZJARRI DRITHËRUES I ILIRISHTES’:
LAMTUMIRË POET! E PAÇ DHEUN E LEHTË. DHE PAQEN E AMSHUAR…
Vallë, cili poet nuk do ta dëshironte një Lamtumirë të tillë, mbase më e bukura dhe më e prekshmja, më e dhembshmja dhe më e madhërishmja, sa asnjë titull nuk do i rrinte më bukur një Antologjie me Fjalime për Poetët që Etjen e Shuajnë tek Lumi (të cilën vështirë se do kujtohet kush ta bëjë, veçmas kur s’merren dot me të gjallët pa lëre më me ata që ikën nga kjo botë); asnjë Epitaf nuk do të ishte më i denjë, asnjë fjalim mortor nuk do të thoshte më shumë dhe as që do të mëtonte të shprehej më bukur dhe me aq kulturë, asnjë ligjërim nuk do të përkulej më shumë në shenjë respekti dhe nderimi, asnjë mermer nuk do të ishte më monumental sesa një buqetë lulesh, sesa një kurorë lulesh e një buqetë fjalësh:
LAMTUMIRË POET!
E PAÇ DHEUN E LEHTË.
DHE PAQEN E AMSHUAR!…
ASNJË MERMER NUK DO TË ISHTE MË MONUMENTAL.
Diçka që meriton shumë më shumë sesa Shpërblimin e Bibliotekës Kombëtare dhe Universitare. Diçka tepër Fisnike dhe po aq Mirënjohëse. Diçka tepër Prekëse dhe po aq Madhështore. Diçka: ‘më e shenjtë se erërat e Olimpit’.
Veshur me Diell:
Diçka që të paktën meriton: Një Mirënjohje Publike.
Sikur të kishte një çmim kombëtar për gazetarinë (përkatësisht për fletorërsinë shqiptare – shprehje e krijuar me aq shije dhe elegancë nga Dekani i Gaztearisë Shqiptare të Kosovës, e i cili nuk i përmante dot lotët për Mikun dhe Poetin), pra sikur të kishim një çmim gjithëkombëtar të pagëzuar ‘Sevasti e Parashqevi Qiriazi’, sigurisht që ai do t’i takonte njërës prej gazetareve më të talentuara…
KOMPLIMENTE PËR GAZETAREN:
LUMIRA KELMENDI.
Gjithsesi, edhe për emisionin ‘KULT’ të Radio Televizionit të Kosovës.