

Luan Rama/
Auvers-sur-Oise, një orë larg nga Parisi, është kthyer prej kohëshnë një qëndër turistike. Hoteli i dikurshëm “Auberge Ravoux” ku dikur banonte Van Gogh dhe dhoma e tij janë kthyer në një muze që tërheq mijra turistë në ditë nga vende të ndryshme të botës e po kështu dhe varri i tij në varrezat e vjetra të qytetit ku është varrosur bashkë me vëllain e tij Théo. Kohët e fundi ka filluar dhe “Treni Impresionist” që çdo fundjave lidh Parisin me Auvers-sur-Oise. Kam ardhur shpesh në këtë qytezë të bukur dhe disa ditë më parë shkova të shikoja atelierin e mikut tim piktor Julian Tauland që është bërë banor i hershëm atje prej dy dekadash, një qytet që bashkë me shtëpinë e Claude Monet në Giverny janë khyer vende mitike të impresionizmit francez të shekullit XIX. Por Juliani është një piktor neo-ekspresionist edhe pse ka një dobësi të veçantë për korifejtë e impresionizmit. E veçanta e tij është se si shumë piktorë të njohur të këtij shekulli, edhe ai nga piktura figurative ka kaluar në artin abstrakt me një shprehje të fortë ekspresioniste, çka shihet në shumë nga tablotë e tij që qëndrojnë në atelier, ku ndodhet dhe një seri tablosh të ekspozuar më parë. Është seria e luleve të diellit dhe padyshim një nga më frymëzuese të tij. Sigurisht, kur flasim për «lule diellin” në pikturë, menjëherë na vijnë mendje « luledielli »-t e Van Gogh-ut çka ishte fatlume që ai ia solli pikturës së asaj kohe.
Van Gogh i donte shumë lulet e diellit, ndoshta nga ajo ngjizje natyrale e okrës me të zezën, si një lloj simbioze e natyrës në madhështinë e vet. Dhe është një koinçidencë (por dhe e natyrshme) se kur ky piktor shkelte në këto udhë e fusha të Auvers-sur-Oise në fundin e shekullit XIX, po në këto udhë piktori i ri shqiptar para 20 vjetësh ndiqte shtigjet dhe udhët pikturale të mjeshtrit të madh, tërhequr nga një forcë sa mistike aq dhe reale e gjithçkaje që krijoi artisti me veshin e prerë. Ndryshe nga mjeshtri impresionist, Juliani i pikturon këto lule dielli në një gjendje tjetër, nga një shkundje ere apo stuhie para shiut dhe kjo na kujton historinë e Vang Gogh-ut që pikturoi të njëjtën tablo të Millet, mjeshtrit të shquar të “Ecole de Barbizon” por në një mënyrë tjetër. Në mullarët dhe kompozicionin e Millet, me atë çift të ri pështetur në ta, në një gjendje të paqtë, peneli i Van Gogh-ut është ngjeshur ndryshe mbi telajo dhe ne e ndjejmë sot atë lëvizje të shpejtë dhe forcën e dorës së tij për të krijuar një dinamikë tjetër, duke i dhënë një tjetër nerv gjendjes së tablosë së Millet, një tjetër energji që neve na rrëmben menjëherë.
Tek tablotë e Julianit, në fushat me luledielli ka kaos. Duket se toka është shkundur, dhe mbi të ka lule të përkulura, të mbijetuara s’dihet nga cila furtunë që ka kaluar; ka nga ato që përsëri kthejnë fytyrat nga dielli, shëmbëlltyrës dhe hyjnisë së tyre. Por edhe pse në atë kaos ngjyrash e lëvizjesh të shpejta dhe të forta, gjithnjë në kontraste ato janë gjithnjë aty me ngjyrat e okrës, të zezës, jeshiles, blusë së fortë ngjizur me qiej dhe re apo që ngjasojnë me retë dhe penelata rozë si përshëndetje diellore. Në një nga tablotë, ka një tufë luledielli, në plan më të afërt, pranë njëra-tjetrës, që duket se janë ringritur pas furtunës me një lloj krenarie. Janë të bukura dhe sfiduese, me një qiell sipër tyre ku shquhet e kaltra. Në një tjetër tablo, retë shkojnë për ti lënë vendin blusë së paqtë. Duket se erërat kanë pushuar. Por unë vazhdoj të shoh tablotë njëra pas tjetrës si në një shëtitje në natyrë. Në një kompozim, ku në një krah janë drurët e lartë të një peizazhi, një shteg zbret si një lumë okre. Këtë seri të luleve të diellit, artisti e ka quajtur “Les pensées des tournesols » (« Mendimet e luleve të diellit). Kjo seri e viteve 2021-2022, e ekspozuar dhe në një ekspozitë personale në Mediatekën e Auvers-sur-Oise, është nga më të arrirat në krijimtarinë e tij.
Pasi ka hedhur sfondin në telejo, ai ka nisur të ndërtojë « kaosin » e tij për të gjetur aty, në atë mjedis trallisës atë çka duhet të spikasë dhe të bëjë thelbin e veprës. « Vështrimi i tij, – shkruhet në një nga revistat që i referohet veprës së tij, – kap dhe detajin më të vogël deri tek shtresat e pafund të horizontit, lart dhe poshtë reales. » Kur Juliani fillon një tablo dhe hedh ngjyrat e para, kjo ndoshta i kujton thënien e vjetër të Da Vinçit : « Bëj pis telajon dhe pastaj fillo të pikturosh mbi të ». « Një vepër, – më thotë ai, duke iu referuar një studimi mbi kaosin dhe krijimin, të cilin e ka shkruar si diplomë kur ishte në Sorbonne për Artet Figurative, – është një veprim njëherësh teknik dhe psikologjik ku krijohen lidhje apo ndërlidhje midis kaosit dhe kozmosit, atë çka e quajmë « chaosmos ». Arti vetë nuk është kaosi, por një kompozim i kaosit që siç thotë dhe Joyce, një « krijim i guximshëm ose i ndërgjegjshëm i artistit për rolin e tij : tu japë formë elementëve të kësaj forme konfuze ». Por në fakt, ai e di që vepra krijohet vetëtimthi si në një thepisje humnere. Për të soditur kaosin, artisti e flak barrierën e opinioneve dhe të shkollave artistike duke marrë mbi vete rrezikun të margjinalizohet, të harrohet dhe të mos kuptohet nga bashkëkohësit. Ai e di se rrezikon të dështojë. Dhe pikërisht, shton ai, në atë çast, përpjekjet e artistit bëhen komplekse dhe beteja e tij bëhet e trifishtë : përballë kaosit, përballë opinionit(kritikës) dhe vetë kozmosit (shoqëror) që na rrethon. » Ishte kjo periudhë kur ai iu kushtua studimit të filozofëve modernë, veçanërisht Sartre, Heidegger, studimit të energjisë kuantike, të kaosit social, duke kërkuar që kur publiku të shohë veprën e tij, të ndjejë pulsimet e vetë pikturës, thelbin, zemrën që pulson në tablo.
Në këtë periudhë 20 vjeçare Julian Tauland e ka gjetur veten të afërt me piktorët e shkollës artistike COBRA që pas viteve ‘50 të shekullit të kaluar i shfaqi botës së pikturës autorë të veriut të Europës përfshirë dhe ata francezë apo italianë. Kaosi tek ta ishte i pranishëm dhe ata guxuan ti thyejnë disa rregulla pikturale për të krijuar një shkollë të re. Një prej tyre, Juliani e ndeshi rastësisht kur sapo ishte vendosur në një atelier të Auvers-sur-Oise, ngjitur me kishën e famshme të pikturuar nga Van Gogh. Ishte Guillaume Corneille, ky flamand i shkollës së dikurshme COBRA që kishte hapur aty një ekspozitë dhe ky ishte pikëtakimi i tyre i parë dhe një hyrje e Julianit në pikturën e vërtetë pasi pikërisht Corneille e mbështeti në prezantimin e veprave të tij në Bruksel në galerinë « Rollebeek » siç ishte dhe në « Muzeun Daubigny, me emrin e një prej bashkëkohësve të Van Gogh i cili gjithashtu pikturoi shumë në Auvers sur Oise. Kështu tablotë e para të Julianit u ekspozuan krahas emrave të mëdhenj të pikturës franceze si Picasso, Daubigny, Masson, Valadon, Fujita etj.
Juliani më tregon furçat si dhe një paletë të mjeshtrit flamand që familja e tij ia kishte dhuruar mikut shqiptar pas vdekjes së Corneille, bashkë me një tablo origjinale të mjeshtrit të COBRA-s.
Është interesante se ky piktor edhe pse ka ekspozuar në Francë, Hollandë, Gjermani, Zvicër etj, kujtimin e studimeve rinore në Shqipëri e mban gjallë me një respekt të veçantë për profesorët e tij të artit në liceun e Korçës si Vladimir Topi apo dhe Vladimir Kaçaku. Ai më flet me pasion për Vangjush Mio-n apo tablonë e Guri Madhit « Dorëzimi i shpatave” që e kishte impresionuar në mënyrë të veçantë në ato vite. Pastaj ishte ëndrra e studimeve të larta në Institutin e Lartë të Arteve por ngjarjet e stuhishme të viteve të para të « nëntëdhjetës » e bëri të largohet shpejt nga Instituti ashtu si dhe piktorë të tjerë shqiptarë që nuk i mbaruan studimet dhe morën rrugët drejt Italisë, Francës, Gjermanisë.
Iku thjesht me një bllok ku kishte vizatimet e tij, pasaporta e tij e vërtetë pasi në atë kohë shumë emigrantë i kthehin. Por kur shihnin artistin, krijohej mundësia e qëndrimit. « Ishte arti që më shpëtoi », tregon me të qeshur ai, duke më folur për atë bllok vizatimesh dhe rojet franceze që nuk mund ti kthenin këta artistë. Në bisedë e sipër më tregon se një nga stacionet e para ishte Valdet Hamidi, piktorin kosovar për të cilin kishte dëgjuar dhe patin fati që dikush e çoi një ditë në atelierin dhe shtëpinë e tij në Fontenay-les-Roses. Një nga këshillat e tij të para ishte : « Unë s’ta mësoj dot artin, atë duhet ta mësosh vetë ». Dhe padyshim tablotë e Valdetit të asaj kohë ishin një mësim i vërtet arti me një origjinalitet të jashtëzakonshëm. Madje, një ditë, me të qeshur, Valdeti i kishte treguar dhe historinë e një njeriu që donte ta bënte djalin e tij rrobaqepës. Një ditë e kishte marrë dhe e kishte çuar në një mjeshtër që e njihte. Djali vështronte mënyrën se si priste cohën mjeshtri dhe një moment, i ati i tha në sy të mjeshtrit të vjetër: “Duhet ta vështrosh me vëmendje si punon dhe duhet të dish t’ia « vjedhësh » gërshërët ! » Pastaj ata u larguan dhe rrugës papritur i biri nxorri gërshërët që i kishte marrë fshehurazi, duke iu krenuar të atit : « Arrita t’ia vjedh gërshërët, siç më the ti… » Ishte ky një mësim popullor… Dhe duke më treguar këtë, Juliani më thotë : « Unë qëndrova 7 muaj në atelierin dhe shtëpinë e Valdetit dhe për mua ishte një shkollë e vërtetë arti. Duke vëzhguar linjat dhe kompozimet e tij mjeshtërore, mënyrën si krijonte sfondet në fillim, ai ndikoi shumë tek unë. Edhe tani këtë seri, – shtoi ai duke më treguar serinë e tablove të sapo filluar, e kam nisur me krijimin e sfondeve, si ai.”
Unë e gjeta Julianin në një moment të ethshëm të krijimit të një serie tablosh të mëdha. Biseduam për pikturën dhe konceptet e tij, mënyrën si punon dhe rëndësisë që ai i jep gjestit piktural. Pastaj u ulëm në oborrin e shtëpisë ku gardhi plot pemë prek lumin e Oise, një lumë i paqtë ku shpesh mes gjelbërimit pikturonin impresionistët e famshëm. Anije të vogla kalojnë herë pas here në një mjedis mjaft poetik dhe mbushur me cicërimat e zogjve. Kur fillon të punojë në atelier, në një hapësirë të madhe dhe plot diell, ai punon shpejt edhe pse është i ndërgjegjshëm se duke e lëvizur penelin shpejt, i përqëndruar në atë marramendje bojrash e “kaosi”, ai e di se një lëvizje e gabuar e prish lëvizjen, gjendjen brenda pikturës. Në atelier tani e presin shumë tablo të mëdha ku ka hedhur fillimthi sfondet me dimensione 120×70 apo 220×200. Eshte tema e shatërvaneve dhe burimeve, “La fontaine des champs fleuri ». Pak kohë më parë ai kishte dërguar tek një koleksionist në Montreux të Zvicrës, disa tablo të tij të cilat atij i kishin pëlqyer shumë. Dhe pikërisht aty Juliani kishte parë një shtarvan dhe me kujtimet e çezmave të Korçës, me të cilat është rritur, tashmë po i rikrijon në pikturë. « Është uji i jetës », më thotë ai.
Ekspozitën e parë të tij ai e hapi në galerinë “Glazart” të Parisit më 2001 duke vazhduar pastaj me ekspozita në Val d’Oise si në 2009, në « Palace Thatre », 2010, në Kështjellën e Auvers-sur-Oise po në 2010, në Bois-Colombes « Theo de Seine Gallery » më 2011, në Rollebeek » Bruksel më 2016, në Galerinë e Artit Bashkëkohor në Auvers-sur-Oise, 2017 dhe dy ekspozita neo-ekspresioniste në 2022-2023 në Mediatekën e qytetit. Sigurisht, pjesmarrja në shumë ekspozitat kolektive e kanë bërë gjithashtu të njohur pikturën e tij. Ndahem me të duke menduar gjithnjë për bredhjet e Van Gogh në Oise, madje dhe tek shtegu i shtëpisë së tij buzë lumit apo në kështjellën lart, e veçanërisht kodrinën sipër ku çdo vizitor do të shohë atë fushë gruri me korbat rrotull duke menduar për një nga tablotë më të bukura të botës. Dhe korbat janë gjithnjë aty. Nga larg, gjithë këto mjedise më ngjajnë me një atelier i madh natyror dhe shumë joshës për çdo piktor.