-Përkujtohet dita e Shpalljes së Pavarësisë/ Nga Fuat Memelli/Per me shume fotografi saloni ne Facebook(dielli vatra)
Dy ishin arsyet që sivjet te sheshi i bashkisë së qytetit të Bostonit, u mblodhën shqiptarë më shumë se çdo vit për të festuar ditën e shpalljes së Pavarësisë: së pari sepse ishte jubile ( 105 vjetor) dhe së dyti, koha e bukur që mbajti.-Jemi me zotin, – tha një shqiptar, prandaj mbajti koha aq e mirë. Nesti Nune ishte ndër të parët që kishte ardhur te sheshi ku do festohej. Me vete ka dy simbole të kësaj dite të shënuar: në krye një kapele me stemën e flamurit tonë dhe në qafë një shall kuq e zi me fjalën :” Albania”. Një orë e ca para se të fillonte veprimtaria, te sheshi jehonin këngët shqiptare. Prindër, fëmijë , njerëz të të gjitha moshave, fiksojnë foto nën palët e flamurit që i valvit era. Duan ta kenë kujtim nga kjo ditë, flamurin që na mbush me aq shumë dashuri e krenari për vendin tonë. Pas çeljes së veprimtarisë nga i riu Manol Jovani, fjalën e mer kryetari i Shoqatës “Mass.Besa” Mark Kosmo, i cili lexoi përshëndetjen e kryetarit të bashkisë së Bostonit, Marty Ëalsh, që uronte shqiptaro-amerikanët për këtë ditë të shënuar.
Një fjalë përshëndeteje pasoi nga Van Kristo, konsull Nderi i Shqipërisë në Boston, veteran i Luftës së Dytë Botërore, i cili ka ndihmuar mjaft familje shqiptare në vitet e para të ardhjes në Boston, për t’u ingranuar në jetën amerikane. Me një oratori të bukur e me një zë kumbues, Peshkop Ilia Ketri, bëri lutjen për Ditën e Flamurit e më pas një përshëndetje ku midis të tjerash theksoi: “Më 28 Nëntor, 83 baballarët e kombit në Kuvendin e Vlorës, pas vjet rrobërie, shpallën Pavarësinë e Shqipërisë. Duke folur për kontributin e diasporës së Amerikës për pavarësinë e vendit tonë, ai theksoi:” Njerëz të përkushtuar si Fan Noli, Faik Konica, Sotir Peci, Thoma Nashi, Kosta Çekrezi, etj, u shquan në këto përpjekje. Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Ëoodroë Ëillson, ka një meritë të veçantë për mbrojtjen e Shqipërisë nga coptimi i fqinjëve tanë”. Peshkop Illia e mbylli fjalën e tij me vargjet e Nolit:” Mbahu nëne mos ki frikë/se ke djemtë në Amerikë!” Pastaj atmosferën e “pushtojnë” tingujt e flamurit amerikan dhe atij shqiptar.Guri Stefani, që shquhet për recitimet e tij, ndërsa ngrihej flamuri ynë nga Van Kristo, recitonte vargjet e poezisë së Nolit: “O flamur gjak, o flamur shkabë/ o vend e vatër/ o nënë e babë/ lyer me gjak/ djegur me flakë/ flamur i kuq/ flamur i zi…”Në emër të Shoqatës “Kosova” të Bostonit, përshëndeti Agim Sejdiu, i cili ndër të tjera theksoi :” Në ditën e shënuar të pavarësisë së Shqipërisë, ka ditlindjen heroi i luftës së Kosovës, Adem Jashari. Po këtë ditë u bë edhe dalja publike e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”. Me veshje kombëtare, nxënës të shkollës shqipe këtu në Boston, si Rajan Pani, pasardhës I familjes patriote Pani si dhe dy vogëlushe të tjera, recituan poezi të bukura kushtuar ditës së flamurit. Duke ecur në gjurmët e prindërve dhe gjyshërve të tyre, vogëlushët mbajnë ndezur zjarrin e shqiptarizmës.
Në emër të Shoqatës “Mass.Besa” Petrit Alibej, i cili ishte edhe organizatori kryesor i kësaj veprimtarie, theksoi:” Ne sot përulemi me nderim e respekt para atyre burrave e grave që luftuan për lirinë dhe pavarësinë e atdheut tonë të shtrenjëtë. Na takon ne pasardhësve të tyre, ta mbajmë ndezur zjarin e dashurisë për atdheun e ta përcjellim atë te brezat që vijnë”. Poeti popullor Sami Hajdini, recitoi një poezi të shkruar prej tij për flamurin. Tek reciton, sytë i mban te flamuri, sikur ai ia dëgjon fjalët: ”Valo flamuri ynë kuq e zi, valo në Kosovë e Shqipëri, në Preshevë e Çamëri “, ishin disa nga vargjet e poezisë së xha Samiut. Në shesh pastaj nisin vallet e grupit “Bashkimit Dance”. Me vallëtaret e reja, bashkohen edhe shumë pjesëmarrës. Kështu, me atmosferën e valleve shqiptare, mbyllet pjesa e parë e veprimtarisë së shqiptarëve të Bostonit për ditën e Pavarësisë.
MBRËMJEN FESTIVE E “NDEZIN” KOSOVARËT
Festimi i ditës së Pavarësisë nga shqiptarët e Bostonit, vazhdoi me darkën e organizuar nga Shoqata “Mass.Besa”. Një sallë e bukur e stolisur me flamujt shqiptarë dhe amerikanë, ishte “skena” e dytë e kësaj feste. Veprimtarja e “Mass.Besës”, Iris Hoxha, e cila ishte edhe një organizatoret kryesore të kësaj mbrëmje, çeli veprimtarinë. Pastaj përshëndeti Mark Kosmo, i cili ve urimit për këtë ditë te shënuar, theksoi se javën e ardhëshme do fillojë një fushtatë sensibilizilimi për të mbledhur fonde për familjet në nevojë. Një lajm të veçantë dha në këtë mbrëmje, Agron Gjerasi, i cili njoftoi për hapjen së shpejti të një qendre për pensionistët shqiptarë në qytetin e Kuincit. Për këtë punë ai po punon prej disa muajsh dhe së shpejti kjo qendër do të hapet. Aty do ketë një sërë shërbimeh falas për pensionistët si për shëmbull: do të meren me makinë nga shtëpitë e tyre, do ketë veprimtari të ndryshme, drekë falas, shërbime mjekësore për ata që dëshirojnë, mësime fillestare të gjuhës së anglishtes, të kompjuterit, etj. Në emër të shoqatës “Kosova” përshëndeti kryetari, Nexhat Ibishi, i cili ndër të tjera theksoi:”Në këtë ditë të shënuar, ne kosovarët i jemi mirënjohës Amerikës për kontributin e saj për çlirimin e Kosovës. Në këtë vend të lirisë, ne gjetëm lirinë e munguar gjatë regjimit sërb”.
Më vonë, kur u duk sikur u mbyllën përshëndetjet , e mori fjalën poeti Namik Selmani.”Është hera e parë që unë festoj ditën e Pavarësisë këtu në Amerikë, tha ai, prandaj nuk ka si të mos jem i emocionuar”. Pastaj ai recitoi vargjet e një poezie që e kishte shkruar aty për aty: “ Gëzuar vëllezër/në festa nëntorësh/ të ngremë një urë gëzimi/ me harqe ylberi/që nisin nga Adriatiku/ e mbarojnë në Boston”. Këngët e kënduara nga Gëzim Nika dhe Ludmilla Baballëku si dhe vallet e grupit “Bashkimi Dance”, vazhduan për orë të tëra. Të gjithë kërcyen, por ata që e “ndezën” atmosferën e kësaj mbrëmjeje, ishin kosovarët e paranishëm. Këngët e vallët e Kosovës , i ngrohin zemrat e tyre të malluara për atdheun. “Xhamadani vija vija” këngë e cila tashmë është bërë si një himn për shqiptarët, u këndua aq bukur nga të gjithë. Verrimtarët e palodhur kosovrë, Rita Saliu, Hafiz Kabashi, të kudondohur në veprimtarëitë e shqiptarëve në Boston e më gjërë, nuk rreshtin së kërcyeri .” Sot është ditë e shënuar dhe duhet të gëzojmë” thonë ata. Kjo natë e paharruar, na solli të gjithëve pranë Shqipërinë, Kosovën dhe trojet e tjera shqiptare, na solli rrahje të fuqishme zemre për popujt tanë. Siç ka thënë Horaci “ Qiellin por jo shpirtin, ndryshojnë ata që shkojnë përtej detit”.