

Ilir Ikonomi/
Princesha Sofi e Shqipërisë,
që shihni në foton majtas, padashje më solli në mend një nga kontrastet më interesante kulturore në historinë shqiptare të fillimit të shekullit XX.
Më 7 mars 1914, kur arriti në Shqipëri me bashkëshortin Wilhelm Wied, ajo solli pa u ndjerë përballjen e dy botëve shumë të ndryshme: një aristokraci perëndimore e rafinuar kundrejt një tradite shqiptare të pasur, të rrënjosur thellë në identitetin kombëtar.
Veshja e saj ishte tipike për modën evropiane të periudhës së fundit të epokës eduardiane.
Sofia mbante fustane të gjata prej mëndafshi që i krijonin një siluetë të butë dhe elegante, siç mund të shihet nga disa dhjetëra foto që ndodhen në arkiva dhe koleksione bibliotekash.
Linjat ishin të pastra, pa volum të tepruar, dhe zbukurimet zakonisht të kufizuara në një element të vetëm dekorativ, siç mund të ishte një lule apo një dantellë.
Aksesorët e plotësonin këtë stil me finesë. Ajo mbante gjerdanë të gjatë me perla – simbol i elegancës aristokratike – si edhe ndonjë diademë të hollë që theksonte statusin e saj mbretëror, por pa e tepruar.
Në kontrast të fortë me këtë stil qëndronte veshja e grave shqiptare të së njëjtës periudhë. Kostumet e tyre ishin shumë më të pasura dhe të ndërlikuara. Ato përbëheshin nga disa pjesë, që kombinoheshin në një tërësi harmonike.
Pëlhurat ishin lesh, pambuk ose mëndafsh, të punuara me dorë dhe të zbukuruara me qëndisje të imta me fije ari.
Motivet ishin jo thjesht zbukurime, por bartnin kuptime simbolike dhe lidheshin me traditën apo historinë e secilës zonë, si kjo veshje e Grudës, fotografuar nga Marubi.
Stolitë përbënin një pjesë të rëndësishme të veshjes shqiptare.
Gratë mbanin varëse të rënda prej argjendi, shpesh të zbukuruara me monedha dhe breza të punuar me kujdes. Këto elemente, përveçse dekorativë, shërbenin edhe si shenjë e statusit ekonomik dhe familjar.
Kur Princesha Sofi u shfaq në Shqipëri, ky ndryshim ra në sy menjëherë. Në ambientet e oborrit në Durrës, afërsisht aty ku sot ngrihet Veliera, kontrasti vizual ishte i fortë. Ai shprehte dy mënyra të ndryshme të të kuptuarit të bukurisë dhe identitetit.
Stili i Sofisë përfaqësonte një elegancë universale, që ishte thuajse e njëjtë në çdo vend dhe që frymëzohej nga thjeshtësia dhe rregulli.
Përkundrazi, veshja shqiptare ishte një shprehje e drejtpërdrejtë e identitetit, e lidhur fort me krahinën, historinë dhe komunitetin ku jetonte sejcili.
Në këtë kuptim, princesha dukej si një figurë mjaft e huaj mes grave shqiptare, të cilat mishëronin diçka më të komplikuar – traditat e veçanta të secilës krahinë.
Pas largimit nga Shqipëria në vitin 1914, Princesha Sofi u kthye në Gjermani dhe bëri një jetë të tërhequr, duke u përqendruar tek familja.
Ajo vdiq në vitin 1936, në moshën pesëdhjetëvjeçare.
Edhe pse vdekja e saj kaloi pa shumë bujë, Princesha Sofi mbetet një figurë e veçantë në historinë shqiptare, sepse për një kohë të shkurtër u bë pjesë e përpjekjes për të krijuar një shtet modern nën ndikimin evropian.
(Fotoja e Princesës Sofi, marrë nga Aleksandër Cangonja).