
Kriledjan Çipa/
Përgjithësisht, rreth Pirros mbretit të Epirit nga dinastia molose e Ajakidëve flitet vetëm për veprimtarinë e tij ushtarake, e zhvilluar midis fundit të shek. IV dhe fillimit të shek III p.Kr. Njihen dhe janë të famshme kryesisht luftrat e tij kundër Romakëve dhe Kartagjenasve në Italinë e Jugut, si dhe betejat kundër mbretërisë Maqedonase dhe pretendentëve të ndryshëm për fronin e kësaj mbretërie. Sigurisht, që aktiviteti politiko-ushtarak ka patur ndikim të madh në jetën e bashkëkohësve të tij, për këtë arsye është pasqyruar më shumë, megjithatë ka edhe një aktivitet të gjerë kulturor në jetën e këtij strategu të madh të antikitetit, që e njohim duke lexuar midis reshtash autorët antik ose nëpërmjet të dhënave arkeologjike e epigrafike. Dihet nëpërmjet Plutarhut se Pirrua ishte gjithashtu shkrimtar, që ka shkruajtur disa traktate rreth stratagjemave dhe taktikave luftarake. Krahas tyre ka lënë të shkruajtura dhe kujtimet e tij, të cilat i njohim shumë pak nëpërmjet citimeve nga autorë të ndryshëm antik. Krahas ndërtimit të fortifikimeve, ai ishte një mbret i përkushtuar në ndërtimin e godinave publike me karakter kulturor. Ai ndërtoi teatrin antik dhe stoan në sanktuarin e Dodonës, teatrin në Ambraki dhe teatro në një sërë qytetesh të Ilirisë së Jugut dhe Epirit, që në kohën e tij ishin pjesë e të njëjtit formacion shtetëror. Ndërtoi exnovo qytetet e Antigonesë dhe Berenikes. Dimë që, në qytetin e Ambrakisë një sërë skulpturash, pikturash dhe veprash arti që zbukuronin qytetin, ishin porositur prej tij. Në kryeqytetin botëror të atëhershëm të kulturës, në Athinë, ai gëzonte një respekt publik, për këtë i kishin ngritur një shtatore me portretin e tij.