nga Andon Dede, Nju York/
Sikur ditën e mbërritjes së Kombëtares sonë në Tiranë, dikush të kishte qënë jo jashtë Shqipërisë por dhe jashtë planetit, për një kohë të gjatë, si fjala vjen astronaut në hapësirë; apo, Zoti mos e dhëntë, të kishte qënë në gjendje kome dhe të zgjohej i shëndetshëm atë ditë. Për rastësi, sa të hapte sytë, të përballej me ekranin e televizorit që po transmetonte kronikën e kthimit të Kombëtares; pritjen në aeroport nga vetë kryeministri; entusiazmin e sportdashësve gjatë rrugës për tek Bashkia; më pas tek minitria e Jashtëme, ku u pajisën me pasaporta diplomatike, në Kreyministri e të përfundonte tek darka madhështore që shtroi kryeministri me tërë ata të ftuar. (Më bëri përshtypje si nuk u ndalën dhe tek ministria e Brendëshme për t’iu dhënë Tahiri nga një pistoletë, se helbete, në këtë botë jallane, tërë krime nuk është keq ta kesh një të atillë). Të dëgjonte, më pas dhe fjalimin patetik të kryeqeveritarit…Shkurt, për të mos u zgjatur më tej, pa pikë dyshimi, ai do të pyeste: “Ç’ka ndodhur? Ç’trofe kemi fituar që po bëhet tërë ky manifestim i jashtzakonshëm, si asnjëherë tjetër?…Dhe, kur t’i thoshin se si qe e vërteta, që ne jo vetëm që s’fituam ndonjë kupë, por u eliminuam që në raundin e parë, ai do habitej e nuk do t’iu besonte dot syve e veshëve të vet: “More po ju pyes se ç’është tërë ai ekzaltim, se unë e kam mëndjen në rregull? Nuk ka mundësi që tërë kjo që po shoh të bëhet se kemi humbur…Sikur nuk kam dëgjuar ndonjëherë që njerëzit të gëzohen jashtë mase për një rezultat të tillë siç po më thoni ju…”.
Tani, le ta lëmë mënjanë fantazinë dhe të kthehemi tek realiteti. U fol e po flitet aq shumë për këtë veprimtari sa e ke vështirë në mos të pamundur, që të thuash diçka të re, siç po guxoj unë. Për më tepër që nuk njihem as si specialist sporti apo dhe as si ndonjë tifoz i madh. “Po atëhere, ç’dreqin ke që fut hundët këtu?!” – mund të shfrynte dikush, mbase dhe me të drejtë, paçka se sporti e sidomos futbolli nuk luhet vetëm për specialistët apo tifozët e apasionuar. Por, e mora këtë guxim për një arsye fare të vogël, për t’iu drejtuar lexuesve që mund të lexojnë këto radhë, me një pyetje fare të thjeshtë: duke parë tërë ato ceremonira, atë pompozitet e ekzaltim deri në histeri të gjithë piramidës sonë shtetërore, sinqerisht do të doja të dija se ç’do të ndodhte, ç’do të bënte kryeministri e turra që i shkon pas, sikur ne të kishim fituar, në mos kupën, të paktën të mos kishim dështuar që në raundin e parë?
Unë i ndoqa me interesim e emocion ndeshjet, qysh kur luftohej për klasifikim. Rastësisht u ndodha në një grumbull goxha të madh shqiptarësh, në Daun Taun, të Manhatenit, për të ndjekur ndeshjen me Sërbinë. Entusiazmi qe i jashtzakonshëm. Çdo sulm i yni përcillej me brohoritje që frenoheshin nga mos arritja e qëllimit. Jo vetëm kaq, por një djalosh i ri, jo vetëm që brohoriste me sa zë që kishte por ftonte turmën e mbledhur që ta shoqëronte në thirrjen e tij:”Shqipëri Etnike”. Se ç’hynte kjo parrullë atje edhe mund të mos e merrje vesh, por mbase me që kombëtarja jonë qe e përbërë nga tërë trojet shqiptare dhe jo vetëm nga Shqipëria shtetërore. Por tërë ai ekzaltim i jashtzakonshëm u shua si me magji pas dy golave që pësuam në fund të ndeshjes. Sinqerisht që m’u dhimbsën ata djem të rinj që ishin djersitur duke bërtitur gjatë ndeshjes dhe u zhgënjyen keqas nga fundi i pakëndshëm. Ne u larguam nga sheshi ku ndoqëm lojën të heshtur e kokëulur, si të na kishte ndodhur gjë. Nuk them që të mos e ndjekim ndeshjen me emocion apo dhe të mos shpërthejmë herë pas here me thirrje entusiaste. Por, kur mbaron loja, vendin e entusiazmit spontan duhet ta zërë logjika e ftohtë, aq më tepër kur je person publik e sidomos i veshur me pushtet, për më tepër kryministër i vendit.
Nga gjithë sa më sipër, absolutisht nuk mohoj lojën e bukur të futbollistëve tanë, shpirtin e tyre luftarak që meritonte vërtet vlerësimin maksimal, paçka se nuk na eci fati, gjë kjo më se normale në futboll, se jo më kot thonë se “topi është i rrumbullaktë”. Por mbas ndeshjeve, siç thashë dhe më lart, vendin e emocioneve duhet ta zinte analiza logjike, duke u përpjekur t’i përgjigjeshim pyetjeve se ku gabuam e ç’duhet të kishim bërë më tepër që të fitonim. Ndryshe, po vazhdove edhe më tej entusiazmin, është njëlloj si të gëzoheshin mjekët e sidomos të afërmit e ndonjë pacienti, nga që “operacioni doli me sukses, por… i sëmuri vdiq”. Pra, të ngopesh me lugë bosh.
Kjo më kujton një histori tjetër që tregohej në anët tona. Një i varfër, pa asnjë qindarkë në xhep, kishte ditë pa futur gjë në gojë. Tepër i uritur, trokiti në një derë e kërkoi diçka për të ngrënë. E zonja e shtëpisë, e keqardhur për të, i jep një lugë me gjalpë, duke i kërkuar ndjesë se në atë moment nuk i ndodhej gjë tjetër. Ai e mori gjalpin, pasi e falenderoi atë që ia dha dhe vazhdoi rrugën. “E ç’do më bëjë ky çikë gjalpë mua, tha me vete, as që ma shuan dot urinë. Ndaj, me të, po lyej buzët poshtë e lart, që jo vetëm mos të dukem i uritur por edhe sikur jam shqepur në të ngrënë, që të mos iu bëhet qejfi por të pëlcasin ata që më kanë inat”.
Pyetja që shtrova më lart e kishte një mesazh por mos pandehni se unë, si dhe ju që mund të më lexoni, nuk e kuptojmë pse u bë gjithë ajo zhurmë e pse kryeministri ynë nuk kurseu jo vetëm fjalët e bukura por edhe milionin e eurove për kombëtaren tonë të pafat. Në stadiumin e ri, premtoi ai, do të vendoset një pllakë përkujtimore, me emrat e çunave…”. A e shihni pra se ai flet komplet si ta kishte buxhetin e shtetit apo dhe tërë Shqipërinë, pronë të vetën dhe bën me të ç’të dojë e nuk pyet kërkënd. Mbret e shkuar mbretit..Ah, jo, më falni se mbretërit tani, përgjithësisht, nuk i pyet njeri, por diktator me plot kuptimin e fjalës. Motivi i tij qëndror, jo vetëm në këtë rast por, për të keqen e këtij populli, në gjithë veprimtarinë e tij të përditshmme, është që të jetë përherë në qëndër të vëmendjes si “pop-star”, edhe në sport, paçka se për detyrën që i është besuar po bën aq pak për të mos thënë se po prish punë. Madje, me të drejtë është thënë se me këto shfaqje pompoze ai përpiqet të largojë vemëndjen nga suksesi i munguar në qeverisje. Ai po bën ç’është e mundur që të zotërojë çdo gjë, po të kishte mundësi dhe jetën private të njerëzve e t’i përdorte ata si skllevër, se ashtu i ka quajtur, dele, dhe ai, për pasojë, mbetet të jetë bariu. A nuk e patë se ç’bëri ai me kombëtaren kur u kualifikua: që i mori siç qenë, direkt nga aeroporti, në kryeministri, duke lënë shqiptarët nga të gjitha trevat të prisnin në shesh, për t’iu treguar se ai është i pari dhe as që do t’ia dijë për të tjerët. Dhe e bën këtë me një kombëtare që në gjirin e saj nuk ka më shumë se 3 a 4 lojtarë nga Shqipëria. Po edhe sikur të kishte më shumë, ç’e lidh atë me këtë kombëtare, kur nuk ka bërë asgjë për zhvillimin e sportit, në përgjithësi, e të futbollit, në veçanti?! Kurse tani që u kthyen doli e i priti në aeroport, hipi në autobuzin e tyre si të kishte frikë se mos i merrte ndonjë tjetër, paçka se në asnjë shtet të botës nuk njihet një protokoll i tillë. Dhe me një paturpësi të admirueshme, për t’i dalë çdo kundërvënieje përpara, ai shpërtheu tërë mllef: “Nuk dyshoj që cinikët e pandreqshëm, të cilët, i kemi jo aq të paktë mes nesh, sidomos kur ngjarjet nuk shkojnë siç dëshirojmë, do të hedhin helmin e tyre. S’do të mungojë as ajo shprehja “Shqipëria po përmbytet, Kryeministri e ka mendjen te futbolli!”. Se vërtet, kur po luante pjesën e parë të shou-t të tij, në nëntor 2015, shumë rajone të vendit po përballeshin me një përmbytje jo të zakonshme por ai as që donte t’ia dinte për hallexhinjtë që po gdhiheshin përjashta e po u shkonte malli dëm. E ku qëndron cinizmi i atyre që u ankuan për këtë, përveçse në mendjen e krisur të zotit kryeministër?! Po kësaj ligësie të tij, se cinizëm është pak ta quash, ç’emër t’i vëmë?
Jo vetëm në këtë rast por tërë veprimtaruia e tij politike është karakterizuar nga dëshira e paepur për pushtet, nga një egoizëm i pafre, nga një narcizizëm neveritës, duke thyer çdo rekord kur guxon e thotë se çdo gjë e mirë në këtë vend ka vetëm autorësine e tij dhe për këtë do të flasë historia. As më shumë e as më pak siç kanë vepruar e deklaruar tërë diktatorët që njeh histoiria, që nga Neroni e deri tek Enveri ynë. Ai e pat pohuar dhe vetë, që më 2003, tek e përditëshmja britanike “The Guardian”, që ai është një pop-star mes kryetarësh dhe kryetar mes pop-starësh. Le të shpresojmë se një ditë do të kthjellohet e do të shërohet nga deliret e madhështisë që po e çojnë në kufijtë e qesharakes e të vetëdijësohet se s’është për t’u pasur zili në asnjërën prej tyre. I dështuar në art, i dështuar edhe në politikë. Madje, sa më shumë përpiqet të shpërfaqë ngjyrat prej pop-stari, aq më shumë na humbet sysh bilanci i qeverisjes së tij, ku mungojnë thuajse krejtësisht arritjet në zhvillimin ekonomik të vendit, në përmirësimin e klimës së biznesit, në zbutjen e varfërisë, në modernizimin e infrastrukturës, në forcimin e institucioneve e sidomos të shtetit ligjor, në rritjen e konsumit, të mirëqenies e të cilësisë së jetës, në përgjithësi, për të cilat edhe është ulur në atë karrige. Pra, nëse dështimi në art përbën thjesht një fatkeqësi të tij, nga e dyta, si politikan, veçanërisht tani si kryeqeveritar, po vuan një popull i tërë.
Eshref says
I dashur Andon,
Kjo analizë është perlë publicistike. Më pëlqeu tej mase sidomos mbyllja e analizës tënde, stili yt për ta paraqitur Ramën si në atë historinë skandinave të mbretit lakuriq. Me analizën tënde, si një publicist i talentuar, ti, tërthorazi, i ke lënë lexuesit të kuptojë se Rama, që rreket kaq shumë për t’u dukur, vuan keq nga kompleksi i inferioritetit.
Kompleksi inferioritetit është një tërësi ndjesish psikologjike dhe emocionale, që shprehen në ndjenjën brendadëmtuese të njeriut dhe në besimin irracional në epërsinë e njerëzve të tjerë mbi të. Ai lind si pasojë e shkaqeve nga më të ndryshme, siç janë traumat shpirtërore, gabimet dhe dështimet që njeriun e shoqërojnë në jetën e tij. Kompleksi i inferioritetit ndikon mbi gjendjen shëndetësore e shpirtërore, si edhe mbi mënyrën e sjelljes së njeriut.
I pari që ka studiuar, përshkruar dhe krijuar termin kompleks i inferioritetit ka qenë mjeku dhe psikologu austriak Alfred Adler (1870-1937), psikiatër dhe mendimtar, njëri nga pararendësit e neofrojdizmit, krijuesi i psikologjisë individuale. Sipas këtij shkencëtari të shquar, njerëzit që vuajnë nga kompleksi i inferioritetit, mundohen ta maskojnë një gjendje të tillë, duke manifestuar shfaqje të theksuara agresiviteti dhe prirje për konsumim alkooli, narkotikësh dhe për veshje që bien në sy. Mendjemadhësia dhe arroganca e tepruar janë tipare karakteristike të njerëzve që vuajnë nga kompleksi i inferioritetit
Zigmund Frojdi (1856-1939) në veprën e vet me titull “Leksione për hyrjen në psikanalizë” shkruan se krahas faktorëve psikologjikë, në zhvillimin e kompleksit të inferioritetit, një rol jo pak të rëndësishëm luajnë madje adhe ato seksualë.
Për ta ndrydhur ndjesinë e kompleksit të inferioritetit, – thekson Adler, – njeriu priret për të pasur sa më shumë pushtet në duart e veta, ai poshtëron njerëzit e vet, si fëmijën, gruan, motrën, vëllain, prindërit e të afërm të tjerë, duke u munduar që në qenien e vet të ndërtojë një botë iluzore, ku ai e ndien veten mbret.
Ndërkohë, Alfred Adler pohonte se kompleksi i inferioritetit është edhe i dobishëm: në saje të tij, njeriu mundohet të vetëpërtërihet, të vetëpërsoset. Kërkesa kryesore e njeriut që vuan nga kompleksi i inferioritetit shprehet në prirjen e tij për të qenë kudo i pari, prandaj edhe ai mundohet ta kompensojë ndjesinë që e mundon si njeri inferior.
Por nëse njeriu arrin që ta kompensojë kompleksin e inferioritetit dhe të bëhet dikushi, ai atëherë kaplohet nga mania e madhështisë, një tip i vetëdijes ky ose sjelljes së individit që shprehet në një shkallë të skajshme të mbivlerësimit të vetvetes, të famës, të popullaritetit, të pasurisë, të pushtetit dhe të ndikimit politik.
Mania e madhështisë mund të jetë shenjë e çrregullimeve psikike apo një lari e paranojës dhe mund të karakterizohet nga fantazi absurde për pasuri, për pushtet, për gjenialitet ose pushtet të pakufizuar.
Megjithatë, njeriu që vuan nga mania e madhështisë, mund të shndërrohet në një figurë të rëndësishme, si në rastin e matematicienit amerikan Forbs Nesh (Nash – 1928), laureat i çmimit Nobel të vitit 1994, i cili dikur refuzoi një post akademik me prestigj, me të vetmin argument, se ai duhej të ngrihej në fron si Perandor i Antarktidës.
Nga sa u parashtrua më lart për kompleksin e inferioritetit, lexuesit e nderuar le të gjykojnë vetë nëse zoti Rama e meriton ose jo të jetë objekt vëzhgimi dhe studimi për psikologun dhe neuropsikiatrin, si edhe ata individë që dikur kanë qenë objekt vëzhgimi dhe studimi për mjekun dhe psikologun Alfred Adler dhe psikanalistin Zigmund Frojd.
Përshëndetje miqësore.
Eshrefi
Kolumbus, Ohajo
28 qershor 2016