• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Në emër të devoshmërisë në detyrë

October 15, 2021 by s p

Andon Dede, New York/

Ne ishim duke xhiruar në fshatin “Agim” të Fierit.  Për të treguar se në Myzeqe kishte vajtur dhe treni, ekipi ynë u nda në dy pjesë: operatori me ndihmësit e ndoqën “heroin” e telereportazhit tonë me kamera në tren, kurse unë do të kthehesha në qytet me makinë.  E lamë për t’u takuar tek stacioni i trenit.  

Kur arrij tek stacioni i trenit, shoh se operatori, Muharremi, po bënte fjalë me një nga punonjësit e stacionit.  Ndërsa Muharremi përpiqej me të mirë, tjetri gjithë zëmërim po ngulte këmbë në të tijën.

  • Si është puna?,- pyes unë duke hyrë drejt e në temë.
  • Po ja, – më thotë Muharremi, – ne deshëm të realizonim nisjen e trenit.  Me që treni ishte gati për t’u nisur, xhiruam atë më parë.  Tani po i lutemi këtij sinjaldhënësit që të ngrejë sinjalin, por nuk do që ta ngrejë.
  • Po pse?,- pyeta unë duke kthyer kokën nga sinjaldhënësi.
  • Thotë se “po nuk pati tren për t’u nisur, unë nuk e ngre sinjalin!”

Dyshova se mos po më bënin ndonjë numur, nga që nuk ma mbushi mëndjen ajo ç’ka tha Muharremi.  Megjithatë, bëra sikur nuk mora vesh:

  • Mirë, hajde e xhirojmë tani!- u thashë të dy palëvë me dashamirësi.
  • Jo, unë nuk e ngre….
  • Megjithëmend e ke?,- s’ m’ u durua mua. -Ia shpjegove ti Muharrem se ne, më pas e

 montojmë në rregull…

  • Ohua, e sqaruar e përsëritur nja njëqind herë deri tani…
  • Po dëgjo, bre burrë i dheut, – ia nisa prapë unë. –  Më beso mua se nuk ka asgjë të keqe…
  • As mos u lodhni kot!- ma preu ai, duke më vështruar në të tillë mënyrë si të desh të thoshte:  “Si nuk e kuptoni se është e kotë ta vazhdojmë më tej këtë muhabet!?”. 

          Si e pashë se qe e kotë vërtet që të vazhdoje më tej me të, ia bëra më shënjë Muharremit që të rrinte i qetë se do shkoja ta sqaroja me shefin e stacionit.  Sinjaldhënësi e kuptoi planin tim dhe shtoi nga ana e vet:

  • Ore, kot e keni! Unë nuk e ngre sinjalin po nuk pati tren sikur kushdo që të vijë!

Ngjita shkallët për tek kati i dytë ku më thanë se qe zyra e shefit të stacionit. Ai kishte ardhur 

nga Librazhdi për të dhënë “përvojën e përparuar”, siç më thanë më pas.  E përshëndes me ngrohtësi dhe i them shpejt e shpejt se si qe puna. 

Ai më  pa me vëmëndje por dhe me një farë qortimi, si të donte të më thoshte: “Nuk e shihni se po punoj, si guxoni të bëni humor, për më tepër qysh në takimin e parë?!”

  • Nuk e kam me të tallur, por me te vërtetë, – ia ktheva unë, – kemi nja gjysmë ore që po merremi  me të.

Ai la stilolapsin që kishte në dorë dhe u çua vrullshëm nga tavolina, si një njeri që është i sigurtë se do t’ia dalë me sukses në atë që do të bëjë.  Zbriti shpejt e shpejt shkallët dhe iu drejtua sinjaldhënësit, duke i folur me emër:

–     Pse po i pengon këta shokët që kanë ardhur të paraqesin punën tonë e po na bëjnë edhe nder!?

  • A më keni thënë se do ta ngre sinjalin vetëm kur të ketë tren për nisje?  E, pra, aty nuk ka tren dhe unë nuk e ngre!
  • More, me të vërtetë e ke ti?! Mua më thanë dhe këta shokët po nuk u besova…
  • Vërtet që ç’ke me të!

  Shefi i stacionit nuk e deshte veten, aq në pozitë të vështirë dukej.  Në këtë moment unë

 nisa ta humb durimin.   “Si ka mundësi të merremi kaq shumë me një njeri si ky?! – thashë me vete.

–     Dëgjo, – iu drejtova me të qetë sinjaldhënësit, por duke e bërë këtë me një sforco të madhe, – ne vërtet deshëm të të bëjmë nder ty, po paske qëne fare, a derëzi!  Po neve na luten të tjerët për t’i nxjerrë në televizor.  Hajde, mirë u pafshim! – dhe i bëra e shënjë grupit të niseshim.

           Përgjegjësi i stacionit, dukej se po përjetonte një situatë të vështirë, tragjiko-komike. Duke na kërkuar falje për atë që ndodhi, na ftoi për një kafe, por ne nuk pranuam se ishim vonë.  U nisëm dhe ndaluam në stacionin e parë të trenit që ndeshëm rrugës, në mos gabohem, në Libojshë.  Punonjësi që xhiruam, na mori me pahir për të na dhënë një kafe, apo edhe me “bisht”, po deshët, siç u shpreh ai.

               –   Bekuar qofshi! – na tha gjithë dashamirësi. –  Nuk më kishte shkuar kurrë në mëndje se do të dilja në televizor.  Faleminderit shumë!  Ua paça borxh…vazhdonte ai, duke u përpjekur ta shprehte sa më bukur e më të plotë mirënjohjen që ndjente.

Filed Under: LETERSI Tagged With: Andon Dede

“Mysafiri” i largët

July 13, 2020 by dgreca

Nga cikli: “Zbulimi im i Amerikës”/

Dr. Andon Dede, Nju York/

Një moment tjetër që unë rashë në kontakt me Amerikën, pak më direkt, qe kur filluan të lejohen të vijnë për vizitë në Shqipëri, të mërguarit. Kurreshtja qe tepër e madhe; nuk e tepëroj po të them se ata ne na ngjanin jo sikur vinin nga një kontinent i largët i përtej oqeanit, por nga një planet tjetër. Propaganda kishte bërë efekt të madh, deri aty sa t’i parafytyronim ata edhe me pamje të ndryshme nga e jona. Hë, pra, si do të jenë ata? Ne sikur harronim se ardhja e tyre nuk qe tabu: unë e kam edhe më parë se ne kishim takuar e kishim biseduar edhe më parë me pleq që patën qënë në Amerikë e që na kishin foluar për atë vend e atë popull; por, mbase tani, kur në vendin tonë po ndërtohej socializmi, “sistemi më i përparuar në botë” e që njerëzit do të “hanin me lugë floriri”, siç u kishin premtuar partizanët gjatë Luftës, në këto kushte të reja,pra ku kishte hyrë tashmë Shqipëria, kishte ndryshuar dhe Amerika për së mbrapshti: qe bërë shumë e keqe,agresive dhe donte që të na pushtonte e të na shkatërronte të gjithëve. Atje punëtorët vuanin e të tjera si këto. Ja pra, pse qemë aq kurreshtarë t’ i shihnimdirekt njerëzit e ardhur prej andej.

Dhe ky rast nuk vonoi të vijë. Kur isha në konvikt e vazhdoja Shkollën Unike, siç quhej atëhere tetëvjeçarja e sotme, morëm vesh se kishte ardhur një shqiptar nga të Amerikës, në fshatin Qilarisht. Nga ai fshat ne kishim disa konviktorë dhe filluam t’i pyesim ata tërë kuriozitet. E ç’ mund të na thoshin ata të gjorë? Ku ta dinim ne se si kishin punuar organet e Partisë e të Sigurimit për t’i mbyllur gojën popullit e sidomos të afërmve: asnjë llaf dhecmë të tjerët për çfarë do të rrëfenin ata që vinin. Neise, kjo nuk na e largonte sadopak kurreshtjen për të parë atë “njeriun e çuditshëm” që kishte ardhur nga Amerika e largët. U mobilizuam e morëm masa që sapo të merrnim vesh se ai kishte zbritur nga fshati në qytet, të lajmëronim njeri tjetrin për ta parë. Koha kalonte me rrjedhën e saj të zakonshme dhe kjo mundësi nuk po na jepej. Pak nga pak gati po e harronim fare atë.

 Kur, një ditë, tek po bëheshim gati për të vajtur në shkollë, më thotë një nga qilarishtjotët e konviktit: “Sot ai do të iki; po deshe që ta shohësh, përpiqu të jesh kur të niset autobuzi i Tiranës…”.  Kaq desha unë. E vendosa: o do ta shoh atë o s’ ka! Po si t’ ia bëja shkollës? Duhej sajuar diçka për t’i bërë bisht orës së parë të mësimit dhe për t’ia arritur kësaj, nuk e pata të vështirë: u them shokëve që t’ i thonë mësuesit kujdestar si dhe atij që kishim orën e parë se mua më duhej të shkoja tek autobuzi për të nisur një letër me rëndësi për në Tiranë, me ndonjë të njohur apo dhe me shoferin, Fotin, që ishte nga fshati ynë. U tha e u bë.

Në atë kohë linjën Tiranë-Përmet e bënin disa autobuzë të vegjel italianë që ne iu thoshim “Sata”. Unë e dija se ku kishte qëndruar ai; nga do të vinte për të zënë vend atje, pranë konviktit, prej nga do të nisej për në rrugën e gjatë; unë po vrisja mendjen se nga mund të vinin ata nga Qilarishti, në mes të cilëve do të qe edhe ai “njeriu i çuditshëm” i ardhur nga Amerika e largët. Por ora e nisjes po afronte e autobuzi nuk po dukej. Si prita dhe ca, pyes një burrë,“se si qe puna”, duke e gënjyer se po prisja  për të takuar një të njohur që do të nisej për Tiranë. “A mor bir, do të presësh se autobuzi ka një difekt e vonohet!”, – më tha ai me shumë dashamirësi. Sa inat që më erdhi! Po më ikte dhe e vetmja mundësi për të parë një shqiptaro-amerikan(!). Më duhet të shkoja në shkollë se vetëm për një orë kisha marrë lejë. U nisa drejt saj por mëndjen e kisha përherë tek autobuzi e burri i çuditshëm. Hyj pa qejf në klasë. Por, krejt ndryshe nga ç’ kisha menduar të bëja, i dal përpara mësuesit tjetër e i them  jo vetëm se pse isha vonuar deri atëhere por edhe se akoma nuk kisha mbaruar punë se autobuzi do të vonohej, duke e gënjyer si dhe më parë. Mësuesi më pa si me dyshim, por edhe me një buzëqeshje dashamirëse dhe më lejoi. Aq doja unë për t’ u lëshuar me  vrap drejt vendnisjes së autobuzave. Rrugën pë atje e bëra me vrap. Por “Sata” kish vajtur në vend e, me sa dukej qe gati për nisje. Kjo më shqetësoi shumë dhe e rrita edhe më tej vrapin.

 Nuk e pata vështirë të merrja vesh se cilët qenë njerëzit që po përcillnin mysafirin e largët: disa burra e gra po qanin si të vegjël jashtë autobuzit; të tjerë, me sytë e skuqur nga lotët, bisedonin me njeri tjetrin pak më tej. Me sa dukej, udhëtari i largët qe futur brenda. Rëndësi kishte që autobuzi jo vetëm nuk qe nisur por as nuk qe ndezur akoma. Si u qetësova pak, me marifet që të mos bija në sy, hipa në autobuz. Për çudi nuk më tha njeri gjë, ndofta duke më pandehur si të afërm të atij që po kërkoja të shihja unë. Dhe ja ku e pashë. Ai qe ulur në një nga karriget e para. Një burrë mesatar, i shëndoshë, buçko, me një lëkurë krejt të ndryshme nga ajo e gjithë njerëzve të tjerë që kisha parë e po shihja unë: tepër e lëmuar, pa rrudha, si ajo e grave apo e fëmijve të vegjël, por aspak si e një burri të moshuar. Pranë tij qe ulur një plakë, e fishkur dhe e rrudhur, si tërë gjyshet tona. “Me siguri, e ëma”, – thashë unë me vete, por qeshë gabuar rëndë. Ajo rrinte e gjora aty, pa folur e pa lëvizur, madje edhe si e tronditur pak, si të kishte frikë se mos ndodhte ndonjë gjë. Më vonë mora vesh se ajo qe e shoqja e tij që ai e pat lënë të re e po e gjente si gjyshe. Pranë tyre qe ulur një burrë tjetër, me fytyrën tërë rudha e të rreshkur nga dielli që ngjante në mos më i vjetër të paktën në një moshë me të. Për mua qe një fytyrë e njohur se e kisha parë dhe herë tjetër nëpër rrugët e Përmetit. Qe i biri. I jati i kishte sjellë një pardesy të re që ai kishte disa javë që e vishte dhe që e dallonte nga gjithë të tjerët si kalin e kuq, që prej së largu, paçka se veshjen tjetër e kishte si gjithë të tjerët.

Ky qe për mua një tjetër zhgënjim i madh për Amerikën e amerikanët. Ai nuk m’u duk as i lig e as i varfër e për të ardhur keq, siç na thoshin ne; përkundrazi, mua më erdhi shumë keq për njerëzit e afërm të tij e sidomos për të shoqen që unë e mora për të jëmën.

Filed Under: Histori Tagged With: “Mysafiri” i largët, Andon Dede

Zgjedhjet si zgjedhë apo Zgjedha e zgjedhjeve

May 15, 2018 by dgreca

1 andon Deda 2

Nga Andon Dede, Nju York/

Një përkitje jo fort e këndëshme kjo e dy termave që përmendëm më sipër, në gjuhën tonë, madje do të thosha ndjellakeqe: zgjedhje dhe zgjedhë, kur duhet të ishte e kundërta: që ato të ishin sa më larg apo dhe ta përjashtonin njera tjetrën. Pse e them këtë? Se zgjedhjet e lira dhe të ndershme, janë hapi i parë dhe më i rëndësishmi, pas përmbysjes së diktaturave dhe vendosjes së pluralizmit. Kujtoni vetëm fillimin e viteve ’90, të shekullit të kaluar: Sa u ngazëllyem ne të gjithë për zgjedhjet e para pluraliste?! A ju kujtohet Parlamenti i parë, deputetët e tij, diskutimet që na linin pa gjumë deri pasmesnate? Na dukej një mrekulli e sikur nuk na besohej se i përkiste realitetit tonë, kur kishim parasysh groteskun e zgjedhjeve të Diktaturës, që çoheshim sa më herët, viheshim në radhë dhe hidhnim fletën e votimit në kuti, pa e parë ndofta as emrin e kandidatit…Pyes veten shpesh: si ka mundësi të ishim aq trushpëlarë e pa dinjitet sa të mos reagonim me atë teatër absurd që ia kalonte edhe fantazive të Oruellit?! Por kjo është një çështje tjetër. Kthehemi tek tema që nisëm.

Pse u ndala tek kjo temë apo tek ky problem? Se të ashtuqauajturit “rilindas”, sidomos kreu i tyre, Rama e megafonët e tij të bezdisëshëm, sa herë diskutojnë nëpër portalet e shumta të Televizionit, duan të na mbushin mendjen se populli i votoi përsëri në këtë mandat të dytë nga që pati besim tek ata, edhe pse shumë reforma të tyre kërkuan e kërkojnë një kosto të lartë. A qëndron kjo? Jo vetëm që nuk qëndron por është një gënjeshtër aq e trashë sa mund ta thotë vetëm dikush që i trajton dëgjuesit si dele, edhe më keq se “Enveri ynë”. Këtë e kupton secili që njeh sadopak realitetin e sotëm shqiptar. Nuk e vlen të humbasim kohë për ta argumentuar këtë, se është e qartë si drita e diellit, por megjithtë le të ndalemi sadopak tek “fitorja” e Ramës në qershorin e kaluar.

Jo vetëm Opozita e një pjesë e mirë e analistëve kanë argumentuar bindshëm se ato qenë zgjedhje komplet të blera e të manipuluara, madje me paret e pista të drogës, por këtë e kanë pranuar edhe vëzhguesit ndërkombëtarë, herë me gojën plot e herë me gjysëm zëri, sipas interesave të tyre. Ato, me të drejtë, janë konsideruar si zgjedhjet më të shëmtuara dhe më të papranueshme të pluralizmit, produkt i drogës dhe i krimit të organizuar, të bërë njësh me qeverinë dhe policinë e shtetit.

Por, për një moment, le ta zëmë se nga Rama e ekipi i tij u fituan normalisht. Sa ishte pjesëmarrja në zgjedhje? Më pak se gjysma e atyre që kishin të drejtë votimi. Sa votuan për të ashtuquajturit “rilindas”? Përsëri më pak se gjysma. Pra, Ramën e shpurrën e tij e kanë votuar gjysma e gjysmës së shqiptarëve që i bije më pak se çereku i popullit. Jo vetëm kaq, por sa e sa të tjerë nga ata që i dhanë votën, e bënë këtë për arsyen e thjeshtë se janë punonjës të administratës e nuk donin të rrezikonin vendin e punës. Hë, pra, a mund t’i biesh gjoksit për një fitore si kjo?

Parë nga një këndvështrim tjetër, zgjedhjet e kaluara ishin nga më të pamerituarat dhe për shumë faktorë të tjerë. Më shumë se fitore e “rilindasve”, ato ishin një dështim i turpshëm i opozitarëve, sidomos e kreut të tyre, Bashës. Me kompromiset e tij të papërligjura ai tërhoqi nga pjesëmarrja në zgjedhje qindra mijëra votues. Këtë e pranojnë tashmë jo vetëm kundërshtarët e tij por dhe ata që arritën të futen në Kuvend. E ashtuquajtura “qetësi” apo “zgjedhje të rregullta si asnjëherë tjetër, pa incidente e kundërshtime të dhunshme”, nuk qe gjë tjetër veçse indiferenca e imponuar e votuesve, tregues ky që nuk e nderon as opozitën dhe as ata që siguruan shumicën e pamerituar. Këto broçkolla mund t’i hajë ndonjë që nuk merr vesh nga pluralizmi e demokracia, por, të na e thonë ata që mbahen për specialistë, siç qe rasti me një ish-kryetar të KQZ-së, në një bisedë televizive, kjo është për të vënë duart në kokë, aq larg jemi nga sistemi që ëndërruam kur u ndamë nga diktatura e shkuar. Po të nisemi me kriterët që Rama e megafonët e tij, vlerësojnë zgjedhjet e qershorit, unë po e them me gojën plot se ato të Diktaturës qenë më të mirat e mundëshme se në to nuk kishte jo më dhunë e kundështime por as edhe një shprehje sado të vogël pakënaqësie, qoftë edhe për gjumin e ndërprerë më herët se zakonisht, se po të vonoheshe kishe pasoja.

Zgjedhjet e fundit dëshmuan edhe njëherë se, në vend që nga njera legjislaturë në tjetrën të ecim sado pak përpara, ne po bëjmë hapa mbrapa, paçka se ndërkombëtarët do përsërisnin si zakonisht refrenin e tyre bajat se “ato ishin përgjithësish të rregullta, me ndonjë përjashtim të vogël”. Ato qenë, as më shumë e as më pak, një zgjedhë e re në qafën e popullit tonë të shumëvuajtur që një Zot e di nëse do të marrë ndonjëherë frymë i lirë. Themi kështu se jo vetëm zgjedhjet e fundit por dhe ato para tyre, kanë lënë shumë për të dëshëruar. Lufta për pushtet tek ne ka qënë dhe është tepër e ashpër. Kam parasysh disa reportazhe nga zgjedhjet e mëparshme, si, fjala vjen, atë që publikoi A.Patozi, për “betejën” e Vorës: tek njiheshe me atmosferën që përshkruante ai, sikur të hynte frika dhe ty si lexues, mendo pastaj se si e kanë përjetuar atë situatë votuesit: nga çasti në çast të dukej se mund të kërciste pushka.

Është folur e po flitet aq shumë për këto probleme sa që të duket e kotë të shkruash e të flasësh për to. E keqja zë fill qysh tek Kodi Zgjedhor, vazhdon me propozimet e kandidatëve dhe finalizohet me proçesin e votimit. Duket e pabesueshme, por është realitet: të shkosh e të votosh për një person që ndofta nuk ia ke dëgjuar as emrin. Po nga ç’motive të nisesh që ta votosh atë? Nga fjalimet që mban e premtimet që jep? Ato nuk i ha më njeri. Ndaj them se duhet ndryshuar gjithçka me rrënjë, në të kundërt zgjedha e zgjedhjeve do të vazhdojë t’ua marrë frymën shqiptarëve edhe më tej. Tek ky realitet i hidhur e ka burimin ajo krekosje e Ramës për fitoren e sigurt edhe në zgjedhjet e ardhëshme. Unë e besoj këtë: ai, tani për tani, i ka mbyllur të gjitha shtigjet për zgjedhje të lira e të ndershme dhe ka krijuar tërë mekanizmat e nevojshme për t’i manipuluar apo blerë ato.

Nju York, 14 maj 2018

Filed Under: Politike Tagged With: Andon Dede, apo Zgjedha e zgjedhjeve, Zgjedhjet si zgjedhë

Shfaqja, Dukja dhe Thelbi

April 16, 2018 by dgreca

1 andon Deda 2

Nga Andon Dede, Nju York/

Kështu, të vendosura së bashku, ato na kujtojnë disa kategori filosofike, si pasojë e përdorimit figurativ të kuptimeve bazë: dy të parat kanë të bëjnë me paraqitjen e jashtëme të sendeve dhe fenomeneve, kurse e treta shpreh anën e brendëshme, të domosdoshmen, të qëndrueshmen e tyre. Ato janë në një lidhje dialektike dhe secila mbart një lloj informacioni rreth tjetrës, por kurrsesi nuk janë e njëjta gjë. Detyra e çdo studjuesi, analisti, gazetari apo dhe e çdo njeriu të zakonshëm është që, për të dhënë vlerësimin për diçka, duhet të njohë më parë thelbin, vlerën e vërtetë të një fenomeni, sendi apo personi, ndryshe do të gabojë në marrëdhëniet që do të ndërtojë me ta apo dhe në veprimtarinë e tij të përditëshme. Si e tillë, njohja e thelbit përbën një domosdoshmëri për të shmangur shtrëmbërimet apo interpretimet e gabuara subjektive, qofshin ato të qëllimta apo jo. Dhe diçka tjetër: të mos ngatërrojmë shfaqjen me dukjen që shpesh i marrim për të njëjtën gjë. Jo, ato nuk janë sinonime. Ndërsa shfaqja është pasojë direkte e thelbit, dukja është paraqitje e njëanshme dhe e qëllimshme, për të lënë një përshtypje apo për të krijuar një ide tek të tjerët.

Por unë as që kisha ndër mend të merresha me trajtimin filosofik të tyre, por e bëra këtë hyrje për të qartësuar gjthë sa do të shtjelloj më poshtë.

Gjatë Diktaturës që kaluam, në atë varfëri të skajshme, amvisat tona, si gjithë gratë e botës, kishin dëshirën e natyrshme njerëzore, që të paraqiteshin sa më mirë para mysafirëve të mundshëm, por mundësitë financjare i kishin aq të pakta. Dhe si e kishin zgjidhur këtë kontradiktë, fare të thjeshtë, por tepër të dhimbshme? Kursenin me sa mundnin, deri edhe në ushqimin e përditshëm, për të krijuar fondin e nevojshëm që të blinin një dhomë pritjeje: disa kolltuqe, një tavolinë mesi, një bufe e ndonjë pajisje tjetër. Kam njohur tërë ato gra, duke filluar nga koleget e punës, fqinjet e lagjes apo dhe miq e të afërm të tjerë, që kanë zbatuar formulën e mësipërme: krijonin atë dekor në dhomën e pritjes ndërsa mjediset e tjera linin aq shumë për të dëshëruar, jo se nuk donin, por nuk mundnin. Të tjerë, burra e gra qofshin, ç’nuk bënin për të pasur një veshje sado pak normale, të paktën për festa e sebepe të rastit…Por, të mos biem në mëkat: sakrifica e tyre s’kishte asgjë të përbashkët me snobizmin e sotëm, por qe një përpjekje e ndershme dhe e dhimbëshme për dinjitet. Të paktën të mos ngjallnin keqardhje tek të tjerët se mëshira të vret!

Mu kujtua kjo dukuri tek dëgjoj përditë deklaratat e kryeqeveritarit të vendit dhe megafonëve të tjerë të tij, për sukseset dhe arritjet e kësaj maxhorance, paçka se treguesit social-ekonomikë, jo vetëm nga opozita dhe një pjesë e analistëve që nuk iu bëjnë iso qeveritarëve, por dhe nga institucionet më serioze e autoritare ndërkombëtare. Kur ua përmend këto fakte e të dhëna, ata të përmendin të ashtuquajtuën “rilindje urbane”, qendrat  apo “dhomat e pritjes” së qyteteve, nisur me Tiranën. Unë nuk jam në gjendje të them se sa e si janë ndryshuar apo “rilindur” ato, në të mirë të qytetarëve, por një gjë e them me siguri të plotë: sikur ç’të jetë bërë me to e në to, nuk e përligjin atë gjendje të mjerueshme të shumicës dërrmuese të popullit që mezi ngrys ditët, javët e muajt e vitit. Vetëm pak ditë më parë, Banka Botërore e renditi Shqipërinë me nivelin më të lartë të varfërisë në rajon, ku, një e treta e popullsisë jeton me më pak se pesë dollarë në ditë. Edhe më dramatike paraqitet gjendja në fshat. “Dhe s’ka si të ndodhë ndryshe, – sqaron një specialist i çështjeve sociale, – përderisa qeveria do të vazhdojë të investojë për fasada e shatërvane dhe jo për ata sektorë që ndikojnë direkt në mirëqënien e popullit”.  “Asnjë   investim serioz nga buxheti i shtetit, por thjesht makiazh dhe buzëkuq fasadash, shatërvanesh e palmash”, – pohon një tjetër.

Por ne nuk kemi nevojë që dhe për varfërinë të na sqarojnë të huajt, kur populli vetë, me përjashtime të pakta, përballet me të kudo e përditë. Për këtë është shkruar e folur aq shumë sa do të qe humbje kohe të zgjatemi më tej. Mjafton të kujtojmë ngjarjet e fundit në Kukës, grevat e naftëtarëve në Fier e Ballsh apo të minatorëve të Bulqizës, protestat e banorëve të Shkodrës, Lezhës e më tej që, pa likujduar pasojat e përmbytjeve të kaluara iu shtuan edhe ato të këtij viti…

Për ta mbyllur: ndërsa të parët meritojnë respekt në sakrificat që bënin për sadopak dinjitet, pushtet-mbajtësit e sotëm, me atë që kanë në krye, duke u përpjekur të na mbushin mendjen për të kundërtën e gjendjes reale, nuk meritojnë veçse përbuzje e neveri.

Nju York, 15 prill 2018.

Filed Under: Analiza Tagged With: Andon Dede, Dukja dhe Thelbi, Shfaqja

Sa shumë Sex-Skandale

April 9, 2018 by dgreca

1 andon Deda 2

nga Andon Dede, Nju York/

Paraprakisht të biem dakord apo të sqarojmë vetë temën: është fjala për skandale që kanë të bëjnë me seksin, pra që janë evidentuar përmes denoncimeve apo zbuluar nga mediat në rrugë të ndryshme, në një kohë që veprimtaritë e lidhura me këto lloj marrëdhëniesh, të ligjëshme apo të paligjshme, të moralshme apo të pamoralshme, vazhdojnë normalisht si më parë. Pse e them këtë? Se ligje, udhëzime e rregulla për shkelje të tilla, kanë ekzistuar e janë në veprim edhe sot e kësaj dite, pa as më të voglin ndryshim. Unë kam punuar vetë në administratën amerikane, nëpunës në Bashkinë e Nju Yorkut, dhe ligjet e rregullat që lidhen me këtë problem të bëhen të njohura qysh kur fillon punën e nënshkuran kontratën. Përveç kësaj, herë pas here, na dërgoheshin kujtesa/memorandume për të qënë sa më të kujdesshëm në marrëdhëniet me njeri tjetrin, për sa më sipër. E bëra këtë parantezë, për të theksuar edhe një herë atë që thashë më lart, se rregullat e ligjet kanë qënë e janë po ato dhe nuk ka ndryshuar gjë, siç mund ta ketë perceptuar gabimisht dikush. Problemi, pra, shtrohet: sa shumë Seks-Skandale që janë zbuluar e po zbulohen, pavarësisht se ato absolutisht nuk japin pasqyrën e vërtetë të realitetit. Presidenti Trump e shpalli prillin si muajin e luftës kundër ngacmimeve seksuale por, për mendimin tim, nuk ka për të sjellë asgjë të re. Për më tepër që në adresë të vetë presidentit vazhdojnë akuza e thashetheme për skandale të tilla që lidhen me të, para e gjatë presidencës.

Për nga mënyra se si po zhvillohet dhe sidomos nga psikoza e përgjithëshme që ka krijuar, fushata e filluar muaj më parë e që po vazhdon akoma, me too/edhe mua, sado qesharake të duket, më kujton fushatat e dikurshme të Diktaturës tek ne, si fjala vjen, ato të luftës kundër besimeve fetare e zakoneve prapanike, për emancipimin e gruas, e sidomos ajo që u zhvillua pas shkrimit të “ZP”-së, “Kur flet klasa, nuk flet burokratizmi”. Në atë kohë, me përjashtime të vogla, të gjithë gdhiheshin e ngryseshin me lepurin në bark se mos iu dilte emri në listat e qarkullimit, pa as më të voglin motiv bindës, por thjesht se pushtetarëve iu duhej një psikozë e tillë, për ta mbajtur popullin të nënshtruar. Mjerë ata që i zinte lapsi.

Vimë tek tema që nisëm. Thashë, pra, që dhe këtu në Amerikë apo dhe shumë më gjerë, është krijuar e njëjta psikozë. “Tani ke frikë edhe të bisedosh për tema të tilla me koleget e punës, thoshte dikush, pak ditë më parë, jo më t’i hedhësh dorën e ta përqafosh miqësisht”. “Valët goditëse” të akuzave për përdhunime apo dhe thjesht ngacmime seksuale nuk kursejnë asnjë, në të gjitha fushat e jetës  e të veprimtarive njerëzore, si në politikë, media, arte, sporte, administratë e kudo. Çdo ditë dalin emra të rinj të abuzuesve e viktimave, intervista e diskutime të gjata, në tërë mediat e shkruara e elektronike. Është folur e po flitet aq shumë sa e ke vështirë në mos të pamundur të thuash diçka të re. Megjithatë, marr guximin që përmes këtyre rreshtave të shpreh disa opinione apo përjetime vetjake për skandalet e mësipërme, me shpresën apo dëshirën e mirë se mbase arrij të hedh mbi to një këndvështrim sadopak të veçantë.

*  *    *

Të jem i sinqertë me lexuesin, unë nuk u habita nga gjithë sa ka ndodhur, duke pasur parasysh si përvojën në vendin tonë apo dhe këtu në Amerikë e më gjerë. Ajo që më befasoi këtu ishte diçka tjetër: qëndrimi që u mbajt ndaj atyre që u akuzuan, cilëtdo qofshin ata. Po të kthehem pas në kohë, më duhet të pohoj se habia më e madhe imja ka qënë që në vitet e para të ardhjes këtu, me skandalin e Klintonit. “O Zot, thosha me vete, si ka mundësi të përfshihet në një skandal të tillë njeriu më i fuqishëm i botës?!” Jo se nuk dija se ç’kishin bërë dhe shumë nga para-ardhësit e tij, (mjafton të kujtojmë Kenedin), por pse ai qe treguar aq naiv sa t’iu jepte rast të tjerëve për ta goditur kur i kishte të gjitha mundësitë ta kalonte pa u lagur, si plot të tjerë. Ndodhi që në ata muaj nuk kisha filluar akoma punë dhe pata kohë ta ndjek direkt në televizion gjithçka që lidhej me atë skandal, përfshi dhe impiçmentin/gjykimin e famshëm në Senat. Më bënte përshtypje edhe qëndrimi partiak i kongresmenëve dhe senatorëve, me ndonjë përjashtim të vogël. Po kështu, më la pa mend edhe skandali me ish-guveranatorin e Nju Yorkut, Spicer, që kishte qënë më parë Prokuror i këtij shteti dhe iu kishte kallur datën magnatëve të Uoll Street-it, të cilët bënë festë kur morën vesh skandalin e tij. Me që punoja në Daun Taun, një mëngjez mu desh të kaloja pranë këtyre zyrave dhe shoh poshtë monumentit të Uashingtonit një pankartë të madhe, krahas shumë të tjerave, ku me shkrim dore nuk linin sharje pa thënë për të, gjë që më kujtoi gjithashtu fletë-rrufetë/dacibaot tona. I treti skandal i madh që më ka lënë mbresa qe ai me D.S.Khan, ish-drejtorin e FMN-së. Rastësisht atë e pata parë po ato ditë në televizion, në presidiumin e një forumi botëror, me ekonomistë e funksionarë të rëndësishëm. Kur e dëgjova lajmin sikur nuk e besova; “mbase është fjala për ndonjë tjetër”, thashë me vete. Të nesërmen, kur doli i arrestuar, i parruar e me një xhup të zakonshëm, para trupit gjykues, u shtanga. Veç, mbas habisë së parë, nisa të arsyetoj për forcën e ligjit këtu, para të cilit janë të gjithë të barabartë, përndryshe, ish-kandidati për president i Francës, nuk do të përfundonte në qelitë e policisë së Nju Yorkut. Ndërkohë, skandalet vazhdonin, në nivele të ndryshme. Vetëm përmendja e tyre do shkonte shumë gjatë, por të kthehemi tek situata e sotme, që nisi me denoncimin nga disa aktore për producentin e njohur të Hollivudit, Venstein. Ai paskej qënë vërtet një përbindësh, me ç’po shohim në listat që po shtohen përditë; ka spekulluar poshtërsisht me pushtetin që i jepte jo vetëm posti që mbante por dhe milionat që zotëronte. Veç një gjë guxoj ta them përsëri: mirë ai që paskej qënë i tillë, po tërë kjo mori viktimash pse nuk e denoncoi me kohë maniakun e përbindshëm, por pritën e pritën deri sa nuk mbante më ujë pilafi?! Kjo ka vlerë dhe për shumë skandale të tjera që dolën e vazhdojnë të dalin pas tij, ndonëse, për shumicën e tyre, është fjala për episode të ndodhura dhjetra vite më parë. Denoncimi në kohë jo vetëm do t’i bënte ato më të besueshme por do të parandalonte e do ta lehtësonte edhe keqbërësin. Nga heshtja e tyre nuk e pësuan vetëm ato por një rreth shumë më i gjerë. Jo vetëm kaq, por le ta shtyjmë bisturinë edhe pak më thellë. Shumë syresh, siç e pohojnë dhe vetë apo e lënë të nënkuptohet, e kanë toleruar abuzimin me të apo dhe me të tjerë, në këmbim të favoreve që kanë përfituar. Sikur të më jepej rasti, do t’ju thosha këtyre zonjave apo zonjusheve, se ky veprim i tyre është as më shumë e as më pak por prostitucion i pastër. Ndryshimi mes tyre dhe atyre të rrugës, është vetëm formal se në përmbajtje është po ai: paret që marrin ato hallexhesha buzë trotuareve, këto të fundit i konvertojnë në favore nga më të ndryshmet. Në një këndvështrim gjakftohtë e racional, këto të fundit janë edhe më të papranueshme e pse jo, edhe më të dënueshme se të parat, me që, veç mëkatit janë dhe me dy fytyra, nga që përpiqen ta shesin veten si të ndershme në mos edhe puritane, kur në fakt, edhe këto, njëlloj si të parat, i kanë nxjerrë hiret e tyre në treg. Unë as i gjykoj e as i paragjykoj të dy kategoritë, puna e tyre, por këto të dytat të mos përpiqen të na shiten ndryshe nga ç’janë, siç lexojmë e dëgjojmë në intervistat që japin.  Mëkati i tyre kështu shumëfishohet.

*  *   *

Habi, pse jo dhe keqardhje, shkaktuan tek unë goditjet që morën disa personalitete tepër të njohura të Medias, sidomos tre prej tyre, që pa diskutim, përbënin tre ikona në televizionet amerikane: Bill O’Reilly, Charlie Rose dhe Matt Lauer, sidomos për dy të parët që i kam ndjekur më shumë. Jam i bindur se nuk jam i vetmi në këto që po them, madje dhe vetë kolegët/et e tyre të punës, ishin të dubluar/a në qëndrimet që mbajtën, bile dhe vetë presidenti Trump. Siç shprehemi në këto raste, unë vdekjen e dija por që mund të pushoheshin nga puna Bill O’Reilly e Charlie Rose, këtë s’e mendoja kurrë. Për 16 vjet me radhë, sa vazhdoi, emisioni i përditëshëm “O’Reilly Factor” ka shënuar shikueshmërinë më të lartë në llojin e vet, ndërsa intervistat dhe bisedat e Charlie Rose ishin ndër më të ndjekurat, jashtë çdo dyshimi.

Mund të vazhdoja edhe më tej në përsiatjet e mija, madje edhe duke e spostuar fokusin andej nga anët tona ku, mëkate të tilla, mbase jo aq shumë për fajin tonë, i gjen më bollëk por, me që e ndjej se u zgjata, le ta lëmë këtë për ndonjë shkrim tjetër.

Nju York, 7 prill 2018

Filed Under: Analiza Tagged With: Andon Dede, Sa shumë, Sex-Skandale

  • 1
  • 2
  • 3
  • …
  • 5
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • 23 MARS 1935…Vdekja a aktorit te madh dhe “Unaza e Iffland-it”…
  • VATRA I PËRGJIGJET ADI KRASTËS
  • Në st. Gallen të Zvicrrës u promovua libri që i kushtohet 1432 fëmijëve shqiptarë – viktima të gjenocidit shtetëror të Serbisë gjakatare!
  • SCIENTIFIC AMERICAN (1942) / GJON MILI DHE METODA E BLICIT TË SHUMËFISHTË STROBOSKOPIK
  • VATRA URON BESIMTARËT BEKTASHIANË: GËZUAR SULLTAN NOVRUZIN
  • “Gjergj Kastrioti Skenderbeu Way Honors the Old and New Generation of Albanians,” Petitioners and Worcester Councilors Say
  • Dorëheqja si proces vetëdijësimi
  • Ndërthurrje mitesh
  • “Çfarë populli mendojnë ata se jemi ne…” Winston Churchill
  • ZERI I AMERIKES: DASH: Mangësitë në pavarësinë e gjyqësorit, mungesa e pavarësisë në media dhe korrupsioni, problemet kryesore në Shqipëri
  • FAQE ARKIVI: Reportazhi nga kufiri Kosovë-Shqipëri “Muri ndërshqiptar si ‘fundi i botës’”- Mars 1996
  • Tri objektiva të rëndësishme që duhet t’i arrijë Kosova
  • RRËFIME TË VEPRIMTARISË KOMBËTARE TË EKREM BARDHA
  • DOJA TË ISHA DHE UNË…
  • DASH godet ashpër Serbinë për diskriminimin e vazhdueshëm shtetnor e institucional ndaj shqiptarëve të Luginës së Preshevës

Kategoritë

Arkiv

Tags

alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Hazir Mehmeti Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT