• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Vandalët e vërtetë të Shqipërisë?

April 4, 2018 by dgreca

1 andon Deda 2

Nga Andon Dede, Nju York/

Para se të filloj të shtjelloj mendimet e mija për zhvillimet e fundit në Shqipëri, po i bëj të ditur lexuesit të mundshëm të këtyre shënimeve se jam absolutisht kundër dhunës, në përgjithësi, e çfardo forme e rrethane qoftë ajo. Për më tepër, më revoltojnë protestat që përfundojnë me shkatërrime e zjarre të objekteve, cilatdo qofshin ato, private apo shtëtërore. Më lindi kjo ide për të shkruar për “dhunën kundër dhunës”, qysh në protestat e Greqisë, vite më parë, nisur nga e vërteta e thjeshtë se ç’faj kishin bizneset e atyre mjediseve ku protestuesit shkatërruan e dogjën gjithçka mundën në sheshet e Athinës?! Ose, të kthehemi pas në kohë, në vendin tonë, në fillimet e pluralizmit apo dhe në “vitin e mbrapshtë” të ’97-ës: e ç’fituam nga ato shkatërrime barbare që ndodhën?! Veç, të mos harrojmë një gjë: shkatërimet që ndodhën në fillim të pluralizmit tek ne, vërtet që na kushtuan aq shtrenjt, por ato na  dhanë një mesazh që, për fatin tonë të keq, është aktual edhe tani, pas afro tre dekadash: ato treguan se popullit, sado i urtë e i nënshtruar qoftë ai, si ky yni, po i erdhi shpirti në majë të hundës, deri atje ku nuk mban më, ai shpërthen në revolta të dhunshme, madje humbet edhe logjkën më elementare dhe një Zot e di se ç’bën. Të ruajtë Perëndia nga momente të tilla që nuk do t’ia dëshëroja as hasmit!

As më shumë e as më pak, kjo ndodhi, pak ditë më parë, me kuksianët e, jo vetëm me ata: u kishte shkuar thika deri në palcë nga varfëria ekstreme që po përjetonin e nga padrejtësitë e spekullimet që po bëheshin në kurriz të tyre. (Kur e them këtë, kam parasysh se Kukësi, në veçanti, apo dhe gjithë Veri-Lindja e Shqipërisë, në përgjithësi, kanë tërë ato pasuri nën e mbi tokësore). Dhe, në vend që qeveria t’iu qante hallin e t’ua lehtësontë sadapak dhimbjen e mjerimin që iu duhej të përballonin, pa pasur asnjë faj, i rëndon edhe më tepër me tarifën që iu vuri. Siç tregojnë shumë syresh, ata, kuksianët, edhe për të kryer shërbimet më të thjeshta e të përditëshme, duhet të paguanin tarifën e rrugës. Për më tepër, në vend që t’iu qajmë hallin e t’i mëshirojmë, i shajmë e i përbuzim duke i etiketuar me fjalorin më të poshtër, më fyes e më denigrues, si vandalë, barbarë, kriminelë etj.etj. A i meritojnë ata, protestuesit, gjithë këto? Absolutisht jo, siç e kanë pohuar tashmë bindshëm shumë politikanë e analistë që iu dhimbsen ata të gjorë që dolën në protestë jo për favore e lukse të pamerituara, as për vila në Gjirin e Lalëzit apo në Surrel, siç po i shijojnë politikanët tanë, në pushtet apo në opozitë qofshin, por për bukën e gojës, për të mbijetuar, në një regjim që me zullumet e veta, po ia kalon çdo diktature që ka njohur jo vetëm populli ynë i shumëvuajtur por dhe njerëzimi mbarë.

Fjalën “vandal”, unë, (ma merr mendja, si gjithë të tjerët), e kam ditur prej kohësh. Megjithatë, për të qënë sa më i saktë në këto përsiatje, nuk përtova të hap Fjalorin e Gjuhës së Sotme Shqipe. Po riprodhoj këtu, fjalë për fjalë, gjithë sa shkruhet atje, për vandalin:

“Pjestar i një popullsie të hershme gjermanike, e cila në shekullin e pestë u dynd nga brigjet e lumit Oder, pushtoi një pjesë të Perandorisë Romake, plaçkiti Romën dhe shkatërroi shumë monumente të artit e të kulturës.”. Ky qe kuptimi i parë apo etimologjik i fjalës. Dhe ja tani përdorimi i sotshëm, i figurshëm: “Ai që prish e shkatërron në mënyrë barbare monumentet e artit e të kulturës dhe çdo gjë tjetër me vlerë; njeri i egër e barbar, shkatërrimtar i pamëshirshëm”.

Po a ka njeri që është akuzuar si i tillë, në vendin tonë, për shkatërrime të monumenteve të kulturës, sidomos në kryeqytet, por dhe gjetkë, për të ndërtuar kulla e objekte të tjera fitimprurëse, se sa Rama, kryeminstri aktual?! Dhe, një akuzë e tillë, nuk vjen nga opozita apo persona të tjerë, të panjohur nga ai, si puna ime, por nga ish-miqtë e shokët e tij më të ngushtë, si Ngjela, Lubonja, Zheji, Blushi, Lesi, Bejtja, etj., për të mos u zgjatur më tepër?!  Pra, nëse ka një njeri në Shqipëri që e meriton katërcipërisht fjalën “vandal”, në kuptimin e mirëfilltë të saj, është pikërisht ai, kryeministri aktual dhe tërë ata që, pa iu dhimbsur vendi e populli, kanë shkatërruar çdo gjë me vlerë në vendin tonë, vetëm e vetëm për përfitime personale. Për këdo, pra, me pesë pare mend në kokë, e ka më se të qartë se vandalët e vërtetë të Shqipërisë, nuk janë ata hallexhenj, që mezi mbushin barkun me bukë e që iu ka ardhur shpirti në majë të hundës e, në momente dëshpërimi të skajshëm, nuk dinë se ç’bëjnë, (si të gjithë ne, në rrethana të tilla), por ata që për afro tre dekada, e kanë mashtruar këtë popull dhe e kanë katandisur në këtë derexhe, sa që atij mund t’i falet çdo gjë që bën. (Sigurisht që rrënjët e realitetit të sotëm shqiptar, shkojnë thellë në histori, por nuk po merremi me këtë, se zgjatemi e dalim jashtë kësaj teme). Përfytyroni një fëmijë që e ka kapur dikush, një rrugaç apo i sëmurë psiqik, dhe po e torturon, gati ta mbysë…Për vetë-mbrojtje, ai, sa gjen rastin, kundërvepron dhe arrin ta mposhtë viktimën e ta çojë në botën tjetër…Hë, pra, kush është vandali, në këtë rast? As më shumë e as më pak, në të tilla kushte është jo vetëm Kukësi por gati gjithë Shqipëria sot, me përjashtim të oligarkëve, bashkëpuntorë të kryeminstrit, që me paturpësi dalin tani në mbështetje të tij, në vend që të bashkëbisedojnë me popullin hallexhi e të gjejnë zgjidhje të arsyeshme. Të gjithë ata janë fajtorë përderisa kanë pranuar zgjidhjet kriminale e mashtruese të kryepushtetarit, duke u bërë palë e shkatërrimeve masive të vendit, në emër të përfitimeve vetjake.

Situata ka mbërritur në një pikë sa që s’mban më. E thashë që në fillim se jam kundër dhunës, por me sa duket, qënkam i gabuar, nëse mendoj se Rama e ata që i venë pas, mund të largohen nga pushteti me rrugë të tjera, veç asaj të kuksianëve. Këtë e them me dhimbje, por nuk është hera e parë që detyrohem të pranoj mangësitë e mija, si çdo krijesë tjetër njerëzore e kësaj bote. Askush nuk është perfekt, thonë amerikanët.

“Me vandalët, – tha Rama, në fjalën qaramane pas revoltës kuksiane, duke iu marrë fryma, – ne do sillemi siç e meritojnë shkelësit e ligjit”. Bukur e drejt! Është këshilla më e mirë e më e vlefshme që mund t’i jepej popullit tonë të mashtruar e të shkelur me këmbë nga vandalë si ai, për të dalë nga kjo gjendje e mjerueshme.

Nju York, 3 prill 2018

Filed Under: Analiza Tagged With: Andon Dede, Vandalet e Shqiperise

Babëzi që pjell barbarë

March 20, 2018 by dgreca

1 Andon Dede

Nga Andon Dede, Nju York/

Ndërsa lexoj kronikat e përditëshme për artistët që po luftojnë dhëmb për dhëmb me qeverinë për të mos iu prishur Teatri i tyre, ku ata nuk kanë derdhur vetëm djersë pa kursim por shumë më tepër, deri dhe shpirtin, pra, që ai të rikonstruktohet por fasada të ruhet, lexoj  një shkrim për Spaçin. (Gazeta “Shqip”, 20 mars 2018), ku autori, Sulejman Dida, i ka vënë një titull tepër kuptimplotë: “Ta “bëjmë” Spaçin, që të mos e përsëritim atë!”. A ka përkitje apo analogji në mes tyre?! “A je i marrë a shtihesh?!”, mund të më thotë dikush si me humor, dhe jo pa të drejtë. Në vështrim të parë duket se nuk ka asgjë të përbashkët në mes minierës-burg të Spaçit dhe Teatrit Kombëtar, për të cilin ruajnë kujtime e kanë nostalgji jo vetëm aktorët e regjizorët por të gjithë ne, ish-spektatorët. Por, le të mos nxitohemi në përfundime.

Autori i shkrimit që përmënda më sipër, tregon për degradimin e plotë që po ndodh në burgun famëkeq, ku u persekutuan për dekada qindra e mijëra shqiptarë në regjimin komunist. Ai e krahason atë me një plagë të cilën po e mbyll koha me erozionin e pashmangshëm.(e të pamëshirshëm, do të shtoja unë). Që nga viti 1991, – thekson autori, – aty gjithçka është shkatërruar dhe grabitur, ku përveç ndonjë rrëfimi, nuk gjen asnjë gjurmë të persekutimit…

Kemi të bëjmë pra, me një barbari të vërtetë. Gjithçka u prish, u shkatërrua, u vodh, u shit për skrap dhe as që u kujtua njeri të thoshte apo të ulërinte, me sa zë që kishte: “More, a e kuptoni se ç’po bëhet? Nuk po shkatërrohet e nuk po shitet thjesht hekuri i atyre soletave të betonit, por po shkatërrohet e po shitet një copë e rëndësishme e historisë sonë, e kujtesës tonë…”. A thua është e vështirë të kuptohej kjo nga pushtetarët tanë të pas-Diktaturës?

Një parantezë e vogël

Në Spaç unë kam punuar dhe vetë, si teknik gjeolog, pas shkollës së mesme, Politeknikumit. Ne as që na shkonte në mendje atëhere se po përgatisnim burgun e ardhëshëm, një nga më të tmerrshmit që ka njohur jo vetëm vendi ynë, por dhe bota mbarë. Por unë e kujtoj atë kohë në dy pamje: kushtet e punës të minatorëve e sondistëve apo dhe jeta e tyre qe tepër e vështirë dhe e mundimëshme, edhe pse akoma nuk qe kthyer në kamp pune për të burgosurit. Sado e çuditëshme të duket, unë e kujtoj atë kohë edhe me nostalgji: teknikë, inxhinierë e nëpunës të tjerë, përgjithësisht të rinj në moshë e jabanxhij, gjenim dhe krijonim, edhe në ato kushte izolimi të skajshëm, hapësira të gëzueshme me njëri tjetrin.

Pas përmbysjes së Diktaturës dhe mbylljes së burgut, kam lexuar tërë ato shkrime e kronika për tmerret e përjetuara në ato hapsësira që unë i kisha shkelur e i njihja me pëllëmbë. Po revolta e njohur e ’73-shit, që sivjet ka 45 vjetorin, e që u shtyp me sadizëm, duke pushkatuar katër të burgosur e duke ri-dënuar qindra të tjerë, a mund të harrohet? Kam takuar dhe biseduar me shumë syresh…Shkurt muhabeti, a mund të harrohen apo, edhe më direkt, a duhet të harrohen tërë këto apo duhej bërë ç’qe e mundur për ta ruajtur ashtu siç qe dhe siç e shtjellon saktë e bukur autori në shkrimin e mësipërm?!

Një parantezë tjetër

Kam pasur rastin të vizitoj edhe burgun e famshëm të Al-Katrasit, në ishullin e njohur me të njëjtin emër, në San Françisko të Kalifornisë. Madje hyra dhe në qelinë e Al Kapones…Por këto kuriozitete mund të jenë objekt i ndonjë shkrimi tjetër. Gjetkë e kisha fjalën me këtë parantezë: Atë burg e mbylli Xhon Kenedi dhe e ktheu në muze. A nuk kam të drejtë të pyes: të qe kryeministri ynë artist dhe kanakari i tij, Lal Eri i kudondodhur, a thua se do e linin tërë atë ishull pa ndërtuar kulla të larta e pa e kthyer në burime të majme fitimi, siç kanë bërë e po bëjnë me gjithçka tjetër në Tiranë e kudo gjetkë ku kanë pasur mundësi? A nuk na e shëmbën stadiumin, kinema “17 nëntorin” e “Republikën”, lulishten pas Skëndërbeut, (të njohur edhe si “Kafe Gjirokastra”), etj.etj.dhe tani po bëjnë ç’është e mundur që të shëmbin Teatrin?  Por, këtë parantezë e hapa dhe për diçka tjetër. Kam vizituar shumë shtete e qytete, anë e mbanë Amerikës apo edhe malet, kodrat e liqenet përreth Nju Yorkut. Çfarë më ka bërë përshtypje? Që kudo, ruajnë me një xhelozi të habitëshme, gjithçka të vjetër: kam ndeshur në baraka prej drrasash, portale e ura të vjetra me harqe, prej guri, rrugë me kalldrëm etj.etj. Guxo po munde të dëmtosh sadopak ndonjëreën prej tyre…Kurse ne: shkatërro gjithçka, vetëm e vetëm për të fituar para…

Përfundim

Kthehemi përsëri tek tema e shkrimit tim dhe e të nderuarit Sulejman Dida. Bukur e ka dhënë mesazhin ai, ndaj dhe u ndala kaq gjatë: po të harrojmë të kaluarën, ka rrezik që ajo të përsëritet. Ky është një mesazh i madh që na ka ardhur e na vjen gjatë gjithë historisë, jo vetëm tonës por dhe asaj botërore. Mjafton të kujtojmë Gjermaninë, që, duke harruar mësimet e së kaluarës, i dha Botës dy tragjedi të llahtarshme e veshi në zi dhjetra miliona familje. Po “Enveri ynë” që pushkatoi, burgosi e internoi shumë më tepër nga sa mori Lufta?! Po tërë këta “enverë” të rinj, që Tranzicioni i prodhoi me bollëk, a thua se kanë nxjerrë mësime nga e kaluara dhe, sidomos, a kanë nguruar që për të mbushur xhepat, për të ndërtuar kulla e vila, si shejkët, e për të jetuar si mbretër e princër, a ndalen para ndonjë skrupulli? U bënë gati tridhjet vjet që presim ndryshime e më kot: vazhdon e njëjta histori, si nga pushtetmbajtësit ashtu dhe nga ata që mezi presin tu zënë vendin. Ja pse dy shkrimet kanë aq shumë analogji apo emërues të përbashëkët mes tyre: shembja e Teatrit e shkatërrimi i Spaçit janë dy ngjarje që sjellin në mënyrë të ububu-shme një frikë të madhe: nga pushtetarët tanë mund të presim gjithçk!. “More, si flet kështu, kur kryeministrin aktual, si askund tjetër, e kemi një ish-artist,(paçka se të dështuar) dhe një intelektual klasi, (paçka se kontra-pedal e eksentrik)?! Unë do t’ia ktheja se kjo, e bën problemin që shtruam edhe më të dhimbshëm, për të kuptuar se si i tjetërson pushteti e paraja njerëzit, cilëtdo qofshin ata.

Nju York, 20 mars 2018

Filed Under: Analiza Tagged With: Andon Dede, Babëzi, që pjell barbarë

Një gjeni si Stephen Hauking

March 14, 2018 by dgreca

Kujtoj nga intervista- Lary King:  “cili është problemi aktual më i rëndësishëm e më i vështirë që po përballon njerëzimi”…?

Stephen Hauking :-“Shtimi i pakontrolluar i popullsisë”, iu përgjegj shkencëtari… “Po qe se vazhdohet me këto ritme, – vazhdoi ai, – në vitet ’30 të shekullit të ardhëshëm, njerëzit do të bashkëjetojnë ngjitur me njeri tjetrin…/

1 Andon Dede1 Stephen_Hawking

Nga Andon Dede, Nju York/

Vdekja e shkencëtarit të shquar, Stephen Haukins, është një humbje e madhe për Botën, në përgjithësi. Them kështu se ai nuk qe vetëm një gjeni në fushën e Kozmologjisë apo Fizikës teorike, por dhe një mendje e ndritur e një qytetar i madh që ka ngritur zërin për problemet më shqetësuese që po përballon e do t’i duhet të përballojë njerëzimi dhe që, për fat të keq, kanë rënë në vesh të shurdhër tek ata që mund të ndihmonin për shmangien e rreziqeve të mundëshme që mbartin ato. Por unë, duke mos qënë specialist i atyre fushave nuk guxoj të merrem më shumë për ndihmesën e jashtzakonshme të tij në shkencat që lëvroi. Për më tepër që lexuesi, me disa klikime në Internet mund të gjejë të dhëna e informacione me bollëk për jetën dhe veprën e këtij shkencëtari të shquar. Përmes këtyre rreshtave desha vetëm të rrëfej një përjetim timin e që mbart, sipas meje, mesazhe të mëdha.

Sapo kishim ardhur në Amerikë dhe po ndiqnim në darkë emisionin e përditshëm “Larry King Live”. Sado turp që të jetë, unë deri atëhere kisha dëgjuar vetëm emrin e këtij gjeniu të gjallë dhe nuk dija pothuajse asgjë më tepër për të. Kur Larry Kingu bëri prezantimin e të ftuarit, unë, që nuk e dëgjova mirë, me që po merresha me diçka tjetër, i them time shoqeje: “Aman mbylle se nuk e shoh dot…Keq më vjen për të, por le ta kalojmë tek një emision tjetër kësaj radhe…”. Ajo nuk e plotësoi kërkesën time duke u justifikuar se “mbase ia vlen, me që është shkencëtar i shquar”. “Shkencëtar i shquar ai?!” – ia ktheva unë dhe nuk e zgjata më dhe nisa ta dëgjoj me vëmendje. Pyetjet e moderatorit të njohur dhe përgjigjet e shkencëtarit të shquar më mbërthyen qysh në fillim pas ekranit, si rrallë herë. Po e them pa e tepëruar se ajo intervistë ka qënë dhe mbetet një nga më interesantet dhe më me vlerë që kam ndjekur në jetën time, në mos e pakrahasueshme me të tjerat. Edhe pse kanë kaluar rreth njëzet vjet qysh atëhere, po të më pyesë njeri tani, jam gati t’i riprodhoj pa vështirësi pyetje-përgjigjet e saj, si ato që lidhen me “gropat e zeza” të hapësirës, nëse ka jetë në planetet e tjera e çështje të tjera. Nuk më hiqet nga mendja dhe pyetja e fundit që i bëri Larry Kingu se “cili është problemi aktual më i rëndësishëm e më i vështirë që po përballon njerëzimi”. “Shtimi i pakontrolluar i popullsisë”, iu përgjegj shkencëtari, “Po qe se vazhdohet me këto ritme, – vazhdoi ai, – në vitet ’30 të shekullit të ardhëshëm, njerëzit do të bashkëjetojnë ngjitur me njeri tjetrin…”. (Po e them në parantezë, nga që nuk guxoj ta pohoj me zë të lartë, se po doli parashikimi i tij, nga ky mbipopullim nuk na ndan më shumë se një dhjetëvjeçar…).

Ja, ky qe episodi apo përjetimi im që desha ta ndaj me të tjerët, jo thjesht si një kuriozitet, gjë që as që do t’ia vlente, por për disa mesazhe të fuqishme që dalin prej tij, sipas këndvështrimit tim.

Ai qe gjeni dhe për fat të keq, Bota ka aq pak të tillë. Duke qënë kështu, mos vallë ne të tjerët, s’kemi se ç’përfitojmë nga përvoja e tij?! Mendoj se është e kundërta, ndaj dhe i shkruajta këto rreshta. Historia botërore ka treguar se shëmbuj si ky, që kanë pësuar fatkeqësi të tilla shëndetësore, si ai, komplet i paralizuar e që lëvizte me karrocë e komunikonte me aparate speciale, pra, ka pasur plot, madje edhe tek njerëz të talentuar në mos dhe gjeni. Por, mjaft prej tyre, në mos shumica, i janë dorëzuar fatit dhe e kanë vazhduar jetën në atë mjerim të vajtueshëm që Zoti apo Natyra kishte rezervuar për ta. Krejt ndryshe ndodhi me Stephne Haukins-in: ai vazhdoi veprimtarinë shkencore, madje dhe pedagogjike, thuajse njëlloj si të qe normal. (Sa për kuriozitet: para ca kohësh kam ndjekur në television, një kronikë për një biznesmen të suksesëshëm që ishte pa këmbë e me duar të gjymtuara).

Por, nga përvoja e tij mendoj se mund të përfitojmë të gjithë. Ne ankohemi e dorëzohemi për shkaqe apo simptoma fare të lehta, duke filluar nga një dhimbje koke apo shpatulle e deri tek ndonjë grip që na privon nga jeta normale. Lëmë çdo punë e mbështillemi në qoshen familjare, duke pirë çaj, pasi kemi kapërdirë më parë medikamentet e mjekut…Shpirtërisht jemi për tokë, a thua se morëm fund…Unë nuk them që të mos i kushtojmë vëmendje e kujdes shëndetit të përditëshëm, por le të mendojmë përherë se ka shumë më keq, ndaj të rezistojmë e të mos dorëzohemi. Unë i jap shumë rëndësi faktorit psikologjik apo psiko-terapisë dhe këtë përfundim nuk e kam vetëm nga teoria por dhe nga përvoja personale. Por, këto tema dalin jashtë këtij shkrimi e meritojnë trajtesa të posaçme.

Për të mos u zgjatur, dua ta shoh episodin e mësipërm edhe në një kënd-vështrim tjetër. Është folur e flitet shpesh se “ku qëndron bukuria e njeriut”. Madje, dhe kohët e fundit, disa kanale televizive u ndalën tek kjo temë duke e parë atë krejtësisht tek pamja e jashtëme, madje në hiret e disa femrave që Natyra u kishte dhënë fytyra të bukura, gjokse të hedhura e të pasme të bollshme…As që më pëlqen ta zgjas me këto. Por, do të doja të ndalesha tek një lloj bukurie tjetër, që lidhet me botën e brendëshme të njeriut, si kjo që shtjellova për Hauking-un e madh: duke ndjekur intervistën e tij, përgjigjet e mënçura, si rrallë herë më parë, unë as që e kisha mendjen më tek pamja e tij e jashtëme, për të cilën mblodha buzët në fillim të emisionit. Në fund, më erdhi aq keq që mbaroi intervista e që më duhej të ndahesha nga komunikimi televiziv me atë gjeni të gjallë. A nuk është dhe kjo një lloj bukurie tek njeriu apo e kam gabim?!

Nju York, 14 mars 2018

Filed Under: Histori Tagged With: Andon Dede, Një gjeni, si Stephen Hauking

Shtet pa shtet

February 4, 2018 by dgreca

1 andon dede

nga Andon Dede, Nju York/

Titulli mund të duket sikur nuk shkon, për të vërtetën e thjeshtë se dikush, me të drejtë, mund të më kthehet: ”Ore mik i dashur, ka apo nuk ka shtet?! Dy pohime të tilla nuk shkojnë se përjashtojnë njera-tjetrën”. Drejt! Le ta shtjelloj më poshtë.  

Nuk e kemi fjalën për shtetin shqiptar, si njësi territoriale-administrative por për atë sistem institucionesh që i shërben qeverisjes së këtij shteti. Prapë, dikush mund të ngelet i pakënaqur nga ky sqarim, madje edhe të revoltohet e të shtojë i ngrefosur, si të ketë zbuluar diçka të rëndësishme me të cilën do të më mbyllë gojën: “Ç’ia fut kot edhe ti?! Aty janë tërë ato ministri e zyra të tjera, nga dyert e të cilave hyjnë e dalin çdo ditë qindra apo dhe mijëra veta. Me sa kam dëgjuar apo lexuar, vetëm në Kryeministri hanë bukë më shumë se një mijë veta! Dhe ti më thua mua se nuk ka shtet?!”

Por unë, pa e prishur terezinë, sado e çuditëshme të duket, i jap të drejtë e, në të njëjtën kohë, vazhdoj me timen se Shqipëria jonë e dashur, të paktën tani për tani, është një shtet pa shtet. Mjafton t’i kujtoj lexuesit të mundshëm, se nuk ka rëndësi se sa pemë ke por sa fruta japin apo se mban një qen që nuk leh as kur të vjedhin shtëpinë. Për të mos u zgjatur, le t’i marrim me radhë disa nga institucioet më kryesore.

Parlamenti.

Dihet se ne jemi republikë parlamentare dhe si të tillë ky institucion merr një rëndësi të jashtzakonshme. Shumëkush, nga mendjet e shquara që janë marrë me shtetin, e krahasojnë atë me një tempull të shenjtë ku përfaqësuesit e popullit, të zgjedhur “me qiri” si ndër më të mençurit e më të përgatiturit, shqyrtojnë problemet e rëndësishme, diskutojnë për to dhe marrin vendime në të mirë të popullit e të vendit. Parlamentarët, normalisht, zgjidhen dhe nuk emërohen. Por ne, si dhe për çdo institucion tjetër, jemi ndryshe. Parlamenti ynë i sotëm nuk ka asgjë të përbashkët me gjitha sa thamë më lart, aq i kundërt është ai me atë që duhet të ishte. Si zor të ketë njeri që të mendojë ndryshe kur ka parasysh qoftë dhe një fakt të thjeshtë: seancat e të enjteve. Dhe s’kishte si të ndoshte ndryshe kur aty, me përjashtime të pakta, kanë hyrë njerëz fare të rëndomtë, madje edhe hajdutë, kriminelë e analfabetë, vetëm me një mision: të mbajnë në këmbë ata që i kanë sjellë aty, pra të mëdhenjtë e vendit. Unë, dhe besoj se nuk jam i vetmi, kujtoj me nostalgji parlamentin e parë pluralist kur ndiqnim me një frymë seancat e tij, nga që në foltore ligjëronin vërtet personalitete që e meritonin atë status. Por, në vend që nga një legjislaturë në tjetrën të ngrihej cilësia, siç e kërkonte logjika më elementare, me që jemi në pluralizëm e mundësitë përzgjedhëse e seleksionuese janë të pafundme, ndodhi e kundërta. Dhe sot kemi një parlament që vetëm emrin ka të tillë se në më të shumtën e seancave që shohim i ngjan një teatri grotesk që për nga humori që ngjall, ia kalon çdo estrade. S’ka si të ndodhë ndryshe me atë sistem elektoral që kemi ku listat i përgatsin kryetarët e partive me kriteret që iu shkojnë për mbarë. Dhe si qershia mbi tortë, ishte vendosja e Ruçit, ministrit të fundit të Brendëshëm të Diktaturës në krye të tij, po nga kryeministri ynë i nderuar. Kam bindjen absolute se në kushte të tjera, Rama do bënte namin për këtë zgjedhje, si i vetmi precedent në gjithë vendet ish-komuniste. Por Ruçi nuk është mbiemri i vetëm në atë parlament që na kujton nomenklaturën e vjetër, paçka se kjo është e keqja më e vogël për problemin që po trajtojmë. E keqja më e madhe e tij është gjetkë: duke qënë përfaqësuesi i popullit ai duhet të qe dhe pushteti më i lartë, prej nga e merr mandatin edhe ekzekutivi. Vërtet se kjo e fundit i përcakton vetë politikat e saj të brendëshme dhe të jashtëme, por ajo nuk mund t’i zbatojë ato nëse nuk ka besimin apo miratimin e parlamentit. Tek ne edhe kjo hierarki është përmbysur: parlamenti bën ç’i dikton qeveria apo më saktë, kreu i saj i gjithpushtetshëm. Përvoja e muajve të fundit na e forcoi edhe më tej bindjen për këtë.

Presidenti

Përsa i takon presidentit, dallojmë pak a shumë dy tipe qeverisjesh: republikë presidenciale,(apo dhe gjysëm-presidenciale) dhe parlamentare, si kjo e jona që, rolin e presidentit e ka më shumë honorifik. Atë nuk e pyet njeri, sidomos me amendamentet e fundit që bënë kryministrat apo dhe kryetarët e partive, të shtyrë nga babëzia për sa më shumë pushtet. E vetmja detyrë e presidentëve tanë, që nuk ka të sharë, është shpërndarja pa kursim e titujve të nderit, medaljeve e dekoratave, por kjo është një çështje tjetër. Ne deshëm të ndaleshim sado shkurtimisht tek presidenti aktual, zgjedhja e të cilit befasoi jo vetëm politikanët e analistët por dhe atë vetë, i cili qe betuar e stërbetuar se, hë për hë, nuk do ta pranonte atë post.

Në tërë Botën, në vartësi të formës së shtetit, presidentët zgjidhen pak a shumë në dy rrugë: me votim të përgjithshëm nga populli, (republikat presidenciale) apo me shumicë votash në Parlament. Edhe në këtë procedurë kaq të thjeshtë, ne bëjmë përjashtim, përsa i përket presidentit të sotëm: atë nuk e zgjodhi as populli dhe as Parlamenti por kryeministri ynë në një darkë të shijshmë tek Pazari i ri. Kjo dihet e nuk po themi gjë të re. Ajo që vlen të diskutohet nuk është fakti se pse e bëri Rama këtë por si e hëngri këtë kokër ulliri Meta që njihet tashmë si politikani më i shkathët e më pragmatisti e që ia ka parë hajrin politikës, mbase më shumë se kushdo tjetër. Unë nuk e kam të vështirë ta kuptoj dhe këtë: ai akoma ishte në krye të LSI-së dhe priste që të fitonte më shumë vota por, më kryesorja, se shpresonte se mik/armiku i tij Rama nuk do të arrinte të fuste në Parlament 74 deputetë. Shumë shpejt ai e kuptoi hilen e bashkëqeverisësit/kundërshtar por qe vonë. Me metodat e veta ala-Fushe, Rama arriti ta ulë në qoshe e t’i mbyllë gojën. Atë që po bën e shoqja e tij si zor ta shqetësojë sadopak Ramën. Ai e ka treguar veten se nuk do t’ia dijë sado ta ngrejë zërin Monika dhe sido që ta etiketojnë atë, qoftë edhe hajdut e kriminel, siç ndodhi pak ditë më parë, në parlament e jashtë tij. Ai, madje, nuk pyet as nga goditjet me vezë, domate apo edhe me çizme.

Qeveria – Kryeministri

Arritëm tek institucioni i tretë sipas radhës, por numuri një sipas fuqisë vepruese, tek qeveria dhe Kryeministri. Po i marr bashkë se siç thashë dhe më lart, kreministri ynë arriti të bëjë zap jo vetëm qeverinë por dhe tërë institucionet e tjera. Kjo tashmë shihet qartë e pranohet nga tërë ata që merren me  zhvillimet e brendëshme në Shqipëri, politikanë apo analistë qofshin. Mund të mos e kesh qejf Edi Ramën, apo dhe ta urresh, por këtë arritje nuk ia mohon dot.

Pavarësisht nga kjo, detyrohem të pohoj se ne kemi kryeministrin më megalloman e njëkohësisht më karagjoz në Botë, qëllimi i vetëm i të cilit është të tërheqë vëmendjen e të tjerëve. Për këtë ai është gati të bëjë çdo gjë: të shëmbë monumente kulture, të mbushë vendin me kanabis, të vejë në takime me popullin me brekushe, të shkojë në ceremonira zyrtare me atlete, paçka se disa shefa protokollash e kane kthyer mbrapsht siç kthen në shtëpi mësuesi nxënësin e parregullt. Por ai, siç thamë, as që do t’ia dijë për tërë këto dhe vazhdon i qetë qeverisje/mbretërimin e tij.

Organet e “diktaturës”: Prokuroria – Gjykatat – Policia

Një nga detyrat kryesore të shtetit është të mbrojë rendin nga keqbërësit. Ndër institucionet apo organet që e realizojnë atë janë prokuroria, gjykatat dhe policia. Për të mos u zgjatur i mora bashkë. Jo rastësisht i quajta më këtë emër: Ne vërtet e përmbysëm diktaturën në fund të shekullit të kaluar, por kjo nuk do të thotë se jemi vend demokratik. Jemi tepër larg asaj. Edhe nga sa thamë më lart del e qartë se tek ne vendos vetëm njëshi, pra mund ta quajmë monarki, nëse do të kishte fituar referendumi i disa viteve më parë. Por, për nga mënyra e qeverisjes, ne ua kemi kaluar gjithë monarkive, sidomos atyre moderne konstitucionale, që gjallojnë akoma në Europën Perëndimore, ku monarku thuajse nuk ka asnjë funksion por ruhet  si traditë, në rastin më të keq.

Fillojmë me Prokurorinë. Është thënë me të drejtë se ai që iku nuk bëri thuajse asgjë dhe i la dosjet e fryra ashtu si i gjeti. Po kjo që erdhi, në vend të tij, a thua se do t’i aktivizojë dot ato, duke futur në rrjetë të shumëpriturit “peshq të mëdhenj”?! Unë jam skeptik, jo duke pasur parasysh vetë prokuroren, që nuk e njoh fare. Por nisem nga dy tregues të thjeshtë: fakti që ajo pranoi atë detyrë në këtë situatë anarkie që po kalon vendi dhe sidomos mënyra se si kreu betimin, më krijoi përshtypjen, në mos edhe bindjen se nuk do të bëjë dot gjë. (Kam mendimin se ajo skenë është unike në Botë, e denjë për të hyrë në rekordet Guiness).

Për gjykatat është folur e po flitet aq shumë sa do të qe humbje kohe të shtjellojmë ekzistencën formale të tyre. Ato dënojnë fukarejtë e nxjerrin të pafajshëm hajdutë, trafikantë e kriminelë. Madje, edhe ata që janë futur me kohë pas hekurave, bëjnë ç’është e mundur që t’i nxjerrin jashtë, siç edhe ka ndodhur e po ndodh. Kaq mjafton që funksionimi i  tyre të konsiderohet krejtësisht mision i dështuar.

“Policia që deshëm, më e  mira e këtyre 26 viteve”- ishte një sllogan i Ramës që përsëritet si refren gjatë gjithë viteve të sundimit të tij. Mbase qe dhe vazhdon të jetë i sinqertë në atë që thotë se vetëm një polici e korruptuar kokë e këmbë mund t’i shërbejë një qeverie po aq të korruptuar. Krerët kryesorë të saj ose u shkarkuan, ose u dorëhoqën, ose u zhdukën në një drejtim të panjohur, tamam siç zhduken vrasësësit e kriminelët.

Ndërkombëtarët

Për statusin që kanë, këta mund të mos i përfshinim në institucionet tona por, për hirë të së vërtetës, duhet të pranojmë se ata janë shumë më aktivë se tërë institucionet e tjera për të cilat folëm më lart. Nga një anë kjo duhet vlerësuar pozitivisht kur kemi parasysh dështimin gati të plotë të institucioneve tona. Por, kjo nuk përbën kurrsesi një dukuri me të cilën të krenohemi e ta përdorim për të përligjur gjithë veprimtarinë e organeve tona ligjvënëse apo ekzekutive, siç dëgjojmë vazhdimisht të flitet nga kryeministri. Në të kundërt, ky realitet është një turp për ne, se ata, ndërkombëtarët, nuk i shohim në rolin e përfaqësuesvë të vendeve përkatëse apo, tek e shumta, në atë të konsulentëve por në rolin diktues dhe llogari-kërkues. E kemi fjalën si për ambasadorët e akredituar në Tiranë  dhe për ata që na vizitojnë nga BE, SHBA, e shtete të tjera të fuqishme.

Në vend të mbylljes

“Do të bëjmë shtet, që ka munguar gjatë këtyre viteve të pas-Diktaturës, në mos edhe në gjithë ekzistencën e shtetit shqiptar…”- thoshte Rama ende pa u ulur mirë në karrigen e kryeministrit, ndonëse, siç u përpoqëm ta shtjellojmë më lart, realiteti flet për të kundërtën. Por ai, pa u skuqur e zverdhur, vazhdon ta përsërisë këtë sllogan edhe në ditët tona, ndonëse jo vetëm Opozita por dhe tërë analistët, më përjashtim të “kazanit të vet”, ia kanë thënë e po ia thonë përditë. Apo, mos e kemi gabim ne, se mbase ai e ka pasur dhe e ka fjalën pikërisht për një “shtet pa shtet”, se vetëm kështu ai bën ç’të dojë, pa i hyrë gjemb në këmbë, duke ia kaluar çdo diktatori e monarku?! Mbase!?

Nju York, 3 shkurt 2018

Filed Under: Analiza Tagged With: Andon Dede, Shtet pa shtet

Flakëkashtizmi i protestave tek ne

January 24, 2018 by dgreca

*… E vetmja gjë që mund t’i thosha opozitarëve apo dhe protestuesve, sikur të më pyesnin, do të qe një formulë fare e thejshtë: radikalizmit të sunduesit fuqiplot mund t’i kundërvihesh vetëm me masa radikale/

1 andon Deda 2

nga Andon Dede, Nju York/

E ç’nuk është thënë e po thuhet për protestën e pritëshme të 27 janarit: se do të bëhet nami, do t’i tregohet vendi kryeministrit aktual dhe Shqipëria do të çlirohet më në fund nga kjo qeveri e korruptuar që mendon vetëm për vete dhe jo për popullin…

Qofsha i gabuar, madje edhe do të gëzohem po të dalë e kundërta, por unë po e them me keqardhje se nuk do të ngjasë asgjë pas kësaj proteste, ashtu siç ka ngjarë përherë pas protestave të tjera si kjo, përjashto ato të fundit të shekullit të kaluar që përmbysën Diktaturën e i hapën rrugën zhvillimeve të reja pluraliste. Por, të mos i bëjmë qefin vetes: edhe ato protesta as që mund të imagjinoheshin më parë, po të mos kishin ndodhur tërë ato përmbysje rreth e qark nesh, që filluan me ngjarjet në Rumani e shembjen e Murit të Berlinit. E keqja është se pas shëmbjes së atij muri, u ngritën të tjera “mure”, jo vetëm tek ne por dhe në gjithë Europën Lindore apo edhe më tej, pasojat e të cilëve kanë lidhje edhe me zhvillimet aktuale. Por, të kthehemi tek tema që nisëm.

E patëm fjalën pra, tek protesta e 27 janarit. Opozita, përmes liderve të saj Basha, Kryemadhi e të tjerë, u ngjir së foluri duke i bërë thirrje popullit që të marrë pjesë në të e duke vënë në dukje arsyet e kësaj pjesëmarrjeje. Ata premtojnë se duke përmbysur Ramën, si sinteza e të gjithë të këqijave tek ne, do t’i hapet rruga zhvillimeve të reja, duke i dhënë fund vuajtjeve që po i marrin frymën shumicës dërrmuese të popullit. Nuk ka mbetur epitet pezhorativ që përmban Fjalori i Gjuhës Shqipe, pa ia faturuar artist-sportist-politikanit që në sundimin e vet ia ka kaluar çdo para-ardhësi pushtet-mbajtës, jo vetëm tek ne por në gjithë Botën. Si zor të gjesh një të dytë, në tërë rruzullin, president, kryeministër, mbret, emir etj. që të vendosë vetë, pa pyetur askënd, jo vetëm për buxhetin e shtetit, detyrat e dikastereve, emërimet e ministrave, ambasadorëve, drejtorëve, presidentin e Republikës, Prokurorin e Përgjithshëm por dhe për palmat që do të mbillen rrugëve, për kalldrëmet që do të shtrohen shesheve, ngjyrat që do të lyhen muret e kështu me radhë. Çdo njeri që nuk e njeh realitetin shqiptar, me të drejtë do të mrekullohej nga pohimet e mësipërme e do ta kishte zili atë popull që ka në krye një individ të tillë polivalent. Por, këtij të mrekulluarit do t’i mjaftonin vetëm pak minuta informimi e njohjeje të Shqipërisë së sotme për tu zhgënjyer dhimbshëm: ai shumë shpejt do të kuptojë se ka të bëjë me vendin më të varfër të Europës, populli i të cilit, në shumicën dërrmuese të tij, mezi ngop barkun me bukë; se nga ky vend nisen për çdo ditë motoskafe me tonelata lëndësh narkotike; se të rinjtë e të rejat e këtij vendi po bëjnë ç’është e mundur që të largohen se nuk po gjejnë dot punë e kanë humbur çdo shpresë e plot mangësi të tjera që po t’i radhisnim këtu do të na mbushnin faqe të tëra. Shkurt muhabeti: Opozita ka plotësisht të drejtë në ato që thotë e në kërkesat që mendon të shpallë e trumbetojë më 27 janar. Po atëhere, ku është e keqja, mund të pyesë me të drejtë dikush. Fare e thjeshtë për ta kuptuar: se të gjitha këto i di jo më kryeqeveritari e tërë kasta e politikanëve tanë, në pushtet apo në opozitë, por edhe një fëmijë i kopshtit që sapo ka mësuar kuptimin e këtyre fjalëve. Ja, ky është problemi: protesta si kjo janë bërë sa të duash e nuk kanë sjellë asnjë ndryshim, nga që artist-sportist-politikani ynë as që do t’ia dijë për to. Hallet apo interesat e popullit janë gjëja më e parëndësishme për të. I vetmi rast që mund të më përmendë dikush do të jetë ai i anullimit të shkatërrimit të lëndëve helmuese siriane, por kjo iu imponua, sa nga rreziku që mbartëte pranimi i tyre aq dhe nga masiviteti i protestuesve, si rrallë herë, me që ishte fjala për pasoja katastrofike për jetën e tyre, se po të qe për vullnetin e mirë të kryeqeveritarit tonë, ai tashmë e kishte treguar veten përderisa i kishte pranuar. Ai është gati të bëjë gjithçka, vetëm të mos i kërcënohet karrigia ku është ulur. Ai e ka çimentuar aq fort pushtetin e vet sa që tallet e bën humor me tërë ata që ankohen apo që e kundërshtojnë. Jo vetëm kaq, por ai ka shumë të drejtë kur pohon se edhe nesër të zhvilloheshin zgjedhjet, do t’i fitonte përsëri. Unë e pranoj plotësisht këtë, jo se e meriton, por se e ka treguar me vepra se i zotëron tërë mekanizmat e duhura për t’i manipuluar ato siç ia do qejfi. Mjafton të ndaleh tek një fakt fare i thjeshtë: të gjithë po e pranojnë, madje dhe Rama vetë, se katër vitet e qeverisjes së tij qenë komplet dështim e megjithatë ai fitoi përsëri shumicën. Tjetër punë se në fitoren e tij dha ndihmesën e vet dhe opozita me qëndrimet e saj të papërgjegjëshme, veç të tjerash dhe me shkërmoqjen e saj vështirësisht të riparueshme, por kjo është një temë tjetër.

E, pra, ja pse them se dhe protesta e pritëshme do të jetë një flakë kashte dhe asgjë më tepër, sikur të marrin pjesë në të jo mijëra por dhe miliona veta e nga folësit të thuhen çudira që s’i kemi dëgjuar më parë. (Ndonëse, e përsëris, e kam shumë vështirë të gjej ndonjë gjë të pathënë deri tani, në mitingje e në Parlament).

Nga gjithë sa më sipër, mos duhet menduar se ka humbur çdo shpresë ndryshimi për mirë në atë vend e për atë popull?! E kam vështirë të pohoj të kundërtën. E vetmja gjë që mund t’i thosha opozitarëve apo dhe protestuesve, sikur të më pyesnin, do të qe një formulë fare e thejshtë: radikalizmit të sunduesit fuqiplot mund t’i kundërvihesh vetëm me masa radikale. Çdo rrugë tjetër më duket krejt humbje kohe e energjish. Por, për fat të mirë apo të keq, as që më pyet e aq më pak, as nuk më dëgjon njeri.

Nju York, 24 janar 2018

Filed Under: Politike Tagged With: Andon Dede, Flakëkashtizmi, i protestave tek ne

  • « Previous Page
  • 1
  • 2
  • 3
  • 4
  • 5
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kryeministri Kurti përkujtoi dëshmorët në Rogovë të Hasit, Vraniq, Bishtazhin e Gadish
  • Karadaku, Bir i Kosovës dhe i Labërisë që luftoi heroikisht në Grykën famëmadhe të Mezhgoranit të Tepelenës
  • Kosova në mes të betejave morale dhe pragmatike
  • SA PËR RIKUJTIM!
  • FUQIZIMI I SHQIPTARËVE NË SERBI DO TË DOBËSONTE SYNIMET NACIONALISTE SERBOMËDHA NË KOSOVË
  • THIKË MU NË ZEMËR TË MARRËDHËNIEVE SHQIPTARO-AMERIKANE!
  • PSE KJO PO NDODH VETËM TEK NE? KU ËSHTË PROBLEMI?
  • VATRA DHE SHOQATA E SHKRIMTARËVE SHQIPTARO-AMERIKANË PROMOVUAN 4 VEPRA TË PROF. BESIM MUHADRIT
  • AT SHTJEFËN GJEÇOVI DHE DR. REXHEP KRASNIQI, APOSTUJ TË IDESË PËR BASHKIM KOMBËTAR
  • Marjan Cubi, për kombin, fenë dhe vendlindjen
  • Akademik Shaban Sinani: Dy popuj me fat të ngjashëm në histori
  • THE CHICAGO TRIBUNE (1922) / WOODROW WILSON : “NËSE MË JEPET MUNDËSIA NË TË ARDHMEN, DO T’I NDIHMOJ SËRISH SHQIPTARËT…”
  • SHQIPËRIA EUROPIANE MBRON HEBRENJTË NË FUNKSION TË LIRISË
  • KONGRESI KOMBËTAR I LUSHNJES (21-31 JANAR 1920) 
  • Një zbulim historik ballkanik

Kategoritë

Arkiv

Tags

alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Hazir Mehmeti Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT