
Nga ERNESTO GALLI DELLA LOGGIA/
Çfarë do të kishte ndodhur nëse në vend të përgjigjes me armë mësymjes ruse, ukrainasit të mos kishin lëvizur asnjë gisht e t’i kishin lënë ushtrisë së Putinit të pushtonte qetësisht Kievin, duke përcaktuar natyrisht rënien e, madje edhe zënien e Zelenskit? Është kjo pyetja që duhet t’i bëhet atyre që vazhdojnë të shprehin dyshime mbi mundësinë dhe kuptimin e qëndresës së atij Vëndi mësyesve. Që duhet t’u bëjmë atyre që me një përçmim kryelartë kanë folur madje për “mistiçizëm të qëndresës”, nga i cili qënkeshin të infektuar ukrainasit e marrë.
Mbi përgjigjen e pyetjes së bërë në fillim është vështirë të ketë dyshime. Të mos bëhej qëndresë do të thonte thjesht fitore të plotë të Putinit brënda 48 orësh e pra fati I Ukrainës në dorë të tij. N’atë pikë, me shumë gjasë, nuk do të pasonin as sanksionet nga ana e Perëndimit (ose do të kishin qënë sanksione të rreme, si ata mbas Krimesë). Ndërsa qëndresa me armë e popullit ukrainas ka qënë e gjërë dhe e guximëshme. Ajo ka patur pasojën për të përcaktuar dështimin e planir rus (është vërtetë gjë kaq e parëndësishme?), por është duke hedhur parakushtin e një dështimi politik tejet të ahpër të vetë Putinit, me dobësimin e fuqishëm pasues të drejtimit të tij, e në pritmëri vetë rënien e tij.
Ka qënë qëndresa e armatosur e popullit ukrainas, së bashku me vetë qënien e saj arsyeja që i ka treguar botës si dështimin e shërbimeve të fshehta, mbi njoftimet e të cilëve Kremlini vendosi rreth katër muaj më parë mësymjen, duke besuar se bëhej fjalë për një shëtitje, ashtu si mungesat materiale (deri edhe ato të racioneve ushqimorë), pështjellimi organizativ e strategjik, rendimenti i pakët veprues dhe mungesa e frymës luftarake të organizmit ushtarak rus.
E dijmë të gjithë që qëndresa ukrainase nuk mund të fitojë, nuk mund të fitojë ushtarakisht. Por politikisht ajo ka stërfituar. Që sot ajo e ka vënë Putinin me shpatulla për muri, në kushte pra të mos ketë alternativë: ose të bisedojë me atë që donte t’a shkatërronte (por nëse don të përmbyllë traktativat duhet të heqë dorë nga projekti fillestar ose të lëshojë pe mbi këtë apo atë pikë), ose të shkojë përpara me luftën. E të fitojë po, më së fundi, por pikërisht në sajë të pranisë së qëndresës, do të jetë i detyruar t’a kthejë Ukrainën në një det rrënojash të banuar nga një popull që e urren. Por në një Vënd të kthyer në një det rrënojash e të vdekurish a do t’arrijë të gjejë një Kuisling që do të pranonte e të ishte në gjëndje të qeveriste n’emër të tij? E sa ushtarë do t’i duheshin, mbas një t’ashtuquajtur fitoreje për të zotëruar një territor sa dy herë Franca? Sa ushtarë duhet të llogarisë të humbasë çdo natë, viktima të mundëshme të një prite mbas çdo dere e çdo qosheje të rrugës? E atëherë pyesim: e gjithë kjo – kjo katastrofë e vërtetë politike – a nuk është frut i faktit që ka qënë një qëndresë e armatosur? I faktit që ukrainasit kanë rrokur armët, kanë kërkuar armë për të luftuar, e që Perëndimi u a ka dhënë? Krejt tjetër kushteve të suksesit “haptas i pamundur” me të cilën kanë mbushur gojën shumë në këto ditë.
Që nga fillimi, në fakt nga shumë anë këtu n’Itali (veçanërisht këtu n’Itali më duket), ngrihen zëra mbi kotësinë e madje pamoralshmëninë e qëndresës, mbi pavendshmërinë absolute të furnizimit me armë, mbi “absurditetin” e luftës, të çfarëdo lufte si e tillë që prodhon vetëm vdekje e shkatërrime. Zëra që synojnë të na bindin se përballë mundësisë së një lufte çdo konsideratë tjetër duhet të kalojë në një plan të dytë përballë nevojës së paqës: këtu, menjëherë, me çdo kusht, e pra të bëjmë traktativa, traktativa, traktativa, gjithmonë, me këdo e në çfarëdo mënyre.
Mbas gjithë kësaj është shumë më tepër se sa një marrje të thjeshtë qëndrimi politik. Ndihet një shndërrim i thellë i panoramës kulturore të Vëndit tonë, veçanërisht të klasave të saj të larta. Ndihet harresa tashmë tejet e përhapur e së shkuarës, fshirja e historisë si element strukturor i përvojës dhe i mendësisë. Ndihet harresa e karakterit tragjikisht dramatik që mund të ketë historia. Harresa e ashpërsisë përcaktuese, të padiskutueshme të vlerave politike të përbashkëta (pavarësia kombëtare, vetëvendosja, sovraniteti) nga të cilat shpesh popujt e qeveritë thirren. Në Italinë bashkëkohore, anasjelltas, është e përhapur një mendësi që, në alternativë të historisë, shkon gjithënjë e më shumë duke u frymëzuar jo nga vlerat politike të mësipërme, por nga të drejtat vetiake, të para si thelbi i një etike të hamendësuar paqësuese universale. Një mendësi në të cilën, siç kuptohet, nuk ka vënd për luftën e për gjithshka që ësht në të e arsyeshme dhe e paarsyeshme e morale. Në të cilën përmasat e luftës, të mekanizmave e të ndjenjave fatale që e përcaktojnë, të përmasës së guximit të njerëzve e të dëshirave të popujve, elementi i heroizmit e i poshtërsisë, të gjitha duken si thelbe qëndrimesh të kaherëshme për t’u yshtur. Në këtë mënyrë gjithshka përfundon për t’u vënë në të njëjtin rrafsh: njëzetvjeçarët ukrainas që përgatiten të luftojnë tankset ruse të Putinit që i ka dëguar në Kiev, ata që lëshojnë raketat e ata që i bien mbi kokë. Kështu, nën gjëmimin e armëve që përballen në fushat e Lindjes, harresa e historisë është kthyer në një harresë të mirëfilltë e të thjeshtë të realitetit. Dhe në të njëjtën mënyrë, pa vetë ankorimin në realitet, etika është kthyer fatalisht në moralizëm: hipokrit si të gjithë moralizmat. Një pavërtetësi moraliste ku mbretëron arsyetësia e akullt e mospranimit të forcës, kundërshtia për të ndihmuar të dobëtin dhe të sulmuarin, sepse kështu u dhunuaka detyrimi sipëror i “paqes” e i “traktativës”. Më së fundi, – në mënyrë paradoksale por jo shumë – kultura që mëton të flasë në emër të viktimave, të qëndërsisë së tyre absolute, kthehet në fakt në aleate të tiranisë që prodhon vetë viktimat.
Nuk kam ndërmënd të turbulloj sigurinë e bekuar të kritikëve të “mistikës së qëndresës”, kaq të shqetësuar për të shmangur pasojat e kobëshme që ajo sjell. Ndoshta do të bënin mirë të kujtonin se liria e tyre e sotme pët të menduar e për të shkruajtur atë që dëshirojnë, nuk ka rrjedhur nga asnjë “traktativë”, nga asnjë përkujdesje përtë vdekur e të plagosur. Liria e tyre është paguar edhe me gjakun e mijra fëmijëve gjermanë të masakruar nga bombarduesit aleatë, është paguar edhe me dhimbjet e mijra grave gjermane të përdhunuara nga ushtarët e Ushtrisë së Kuqe. Sepse historia është e bërë edhe prej këtyre gjërave të tmerrshme: jo nga lloqet e atij që flet për të gjetur kënaqësi nga ndjenjat e tij të mira.
“Corriere della Sera” Përktheu Eugjen Merlika