
KOSTA NAKE/
Bota shqiptare duket veçanërisht e çuditshme kur shikon se si fati i njerëzve gjatë diktaturës së proletariatit flakej në labirinthin e Minotaurit pa shpatën dhe pa fillin e Arianës. Këtë herë në vendin e Tezeut është një vajzë e vogël, jo aq e zakonshme, që fillin e orientimit në labirinth ia ka prerë një gërshërë e mprehtë biografike, si stërmbesë e një ish-kryeministri shqiptar të para një shekulli. Nga ana tjetër ka një armë moderne që zëvendëson shpatën e lashtë – rritet në një familje ku gjyshja flet frëngjishten dhe greqishten me po atë siguri dhe elegancë si shqipen, ish-vajza e vetme në liceun francez të Selanikut, gruaja e parë që punoi në administratën e shtetit shqiptar. Më tepër se kthesa e madhe politike e fillimit të viteve ’90, në lulen e rinisë mbesa e kësaj gjysheje përjeton një trandje të pabesueshme prej rebelimit të vitit 1997 që për pak sa nuk u shndërrua në një luftë civile e cila do ta flakte Shqipërinë në humnerë. Gjithkush ka diçka për të treguar nga jeta e vet, por kalimi nga mjedisi familjar i persekutimit në sistemin socialist te fitimtarët pas ndryshimeve demokratike, pastaj humbja e shpresës për shkak të atyre muajve trazirash, me siguri u kthye në një shtysë të papërballueshme që e bëri Lea Ypin të rrëfehej.
Ngritja e siparit ndodh në kapërcyellin e ndryshimeve politike në Shqipëri: rrëzimi i shtatores së Enver Hoxhës në sheshin “Skënderbej.” Simbolikisht, vajza e trembur nga lehja shurdhuese e qenve të policisë shkon e kërkon shpëtim te monumenti i Stalinit duke përqafuar këpucët e tij prej bronzi. Është Stalini për të cilin mësuese Nora kishte bërë aq shumë që ta lartonte në sytë e nxënësve si pjesë e misionit indoktrinues të shkollës dhe si aneks i propogandës së regjimit komunist. Armatës së komisarëve të dritës do t’i shtohet edhe edukatore Flora dhe profesor Hakiu që nuk mund të lëvizin në skenë pa kaluar nëpër një tis satire dhe grotesku. Hapja e perdes ka edhe dëshminë e parë që vjen si pasojë e zgjedhjes së autores për të ardhmen e saj – vazhdimi i studimeve të larta për filozofi, zgjedhje e cila, siç duket, rezultoi jo vetëm e suksesshme, por e vendosi në plejadën e mendimtarëve më të mëdhenj të botës. Gjithsesi, Lea Ypi brenda retrospektivës që zbret deri te ngjyrat e kordeleve të klasës së parë, ka ruajtur një linjë kronologjike të zbulimit të asaj që i ka ndodhur familjes dhe i është fshehur asaj nga prindërit ose është maskuar prej tyre nëpërmjet zhargonit të bisedave siç është kryerja e studimeve të larta në B, M dhe S. Prindër me kulturë të lartë nuk mund të lejojnë që një fëmijë i shkollës 8-vjeçare të përfshihet në viktimat e luftës së klasave, as nuk mund ta tërheqin në rrjetën e terminologjisë që prodhon ajo. Po edhe një fëmijë i zakonshëm zbulon dhe ndien në shkollë atë që nuk e gjen në familje: mësuese Nora ka prekur dorën e xhaxhit Enver, prandaj protestuesit dhe ata që hyjnë në ambasada i klasifikon si huliganë. Shokët e klasës kanë gjyshër që kanë qenë partizanë dhe vijnë në shkollë për të treguar heroizmat, kurse Leas i mungon një i tillë; shokët e klasës kanë në bufetë e dhomave të ndenjes buste ose portrete të xhaxhit Enver, kurse në shtëpinë e Leas vendosja e tyre shtyhet për në kalendat greke. Dikush hidhet nga dritarja për vetëvrasje duke thirrur “Allahu-akbar” në vend të thirrjes “Rroftë Partia!” Në antitezë me këtë vetësakrifikim të dëshpëruar vjen atmosfera e vdekjes së Enver Hoxhës, udhëheqësit të lavdishëm të kështjellës së pamposhtur në brigjet e Adriatikut, të cilin e kishte njohur edhe gjyshi gjatë viteve të studimit në Francë. Atmosferës optimiste revolucionare i bëjnë hije radhët e gjata para dyqaneve ushqimorë me atë detajin e dhimbshëm të zëvendësimit të njerëzve me gurë, tulla, bidona, shishe, rrjeta sepse e kanë të pamundur për të qenë njëkohësisht në dy vende, apo për t’u larguar nga puna përtej kohës së kufizuar. Socializmi fitimtar kontraston me mjerimin ekonomik që i bën njerëzit të konfliktohen edhe për një kanaçe të zbrazët koka-kole.
Babai Zafo dhe mamaja Doli shpesh kanë mendime të kundërta për çështje të ndryshme. P.sh. a duhej pritur me armë Italia fashiste më 7 prill 1939, kur depërtimi i saj kishte ndodhur vite më parë? A ishte Ahmet Zogu satrap e fashist? Ndryesh nga prindërit, gjyshja Nini jo vetëm e ka mësuar Laushen të flasë frëngjisht para shqipes, por shërben edhe si një analiste e hollë e ngjarjeve dhe situatave. Kjo gjyshe, karakteret e ndryshme të prindërve dhe ngarkesa politike e mjedisit shkollor krijojnë një shtrat ku fëmija fillon e formohet duke mbetur në grackën e arsyetimeve filozofike. Arkivolet e kuq dhe të zinj të bëjnë të meditosh se ç’ndodh me shpirtin; kortezhi që shoqërohet me marshin mortor të çon te kompozitorët e mëdhenj; rrëfimet për luftën të çojnë te përballje mes partizanit Mihal dhe gjermanit Hans ku trazohen urrejtja dhe dhembshuria; admirimit të turistëve të huaj për vendin tonë u bashkëngjitet pickimi i mushkonjave që ua thithin gjakun të gjithëve, pa mbajtur me hatër askënd; parapëlqimeve për frutat u pranëvihen simpatitë për revolucionet në vende të ndryshme me veçanësitë e tyre; paradoksi i të njëjtëve njerëz që deri dje kishin marshuar për të demonstruar se ishin luftëtarë të socializmit dhe idealeve komuniste, sot pushtojnë sheshet për të kërkuar fundit e socializmit; bindjet politike nuk kanë lidhje me trashëgiminë, dinjiteti nuk ka lidhje me paratë dhe lavdinë; bota është e mbushur plot dilema kur një vend ka ligje të padrejta dhe ligjvënës mizorë, kur mungojnë kategoritë filozofike për të përkufizuar humbjen dhe fitoren.
Pjesa e dytë është një radiografi pa asnjë kompleks i shtatë viteve të para të tranzicionit demokratik. Shtrati filozofik i ndërtuar që në pjesën e parë, ka një zhvendosje të vëmendjes nga vetja te fati i prindërve dhe krejt shoqërisë shqiptare. Fillon me terapinë shok dhe qëndrimin ndaj Zotit, procesit zgjedhor që të detyron të kujtosh falsitetin e tij në vitet e socializmit. Pas entuziazmit të parë të lirisë do të vijnë pasojat e sistemit të diktaturës së proletariatit që fillojnë me ikjen e Elonës, shoqes së afërt të Leas, me eksodin biblik ku emigrantët e marsit do trajtohen si viktima të sistemit totalitar, kurse vala e dytë e gushtit si emigrantë ekonomikë, justifikim i mjaftueshëm për t’i mbajtur si të burgosur në stadiume. Shtuar këtu edhe dyshimin e autores se ky nuk ishte një eksod spontan, por një veprim i organizuar për të hequr qafe sa më shumë njerëz të papunë. Shtuar këtu edhe qasjen kontradiktore të Europës së lirisë dhe emancipimit që të mëson ta braktisësh sistemin shtypës, por nuk të ofron mikpritjen. Shtuar këtu edhe efektin negativ që sjell shfryrja e kësaj valvule sigurie – largimin përgjithmonë të më të rinjve dhe më të aftëve.
Gjyshe Nini merr një ftesë nga dikush në Athinë për pronat e familjes në Greqi dhe kjo krijon mundësinë që të kapërcehet kufiri shtetëror, të krahasohen dy botë, krahasim që kulmon me një enumeracion të gjërave që shihen ose përjetohen për herë të parë: ajri i kondicionuar, bananet, semaforët, xhinset, kryqet mbi varre, reklamat vezulluese, etj, etj. Mamaja, e nxjerrë në pension të parakohshëm, gjykon se ka ardhur koha të përfshihet në politikë dhe bëhet figurë imponuese në lëvizjen e grave demokrate. Ajo qëndron me këmbë në tokë, nuk e njeh frikën dhe i shkund të tjerët nga iluzionet kur pohon se njerëzit janë lindur për t’u kacafytyr me njëri-tjetrin dhe përpjekjet nuk duhet të bëhen për t’i ndryshuar ata, por për të pakësuar dëmet. Në rrafshin e barazisë gjinore, ajo që mund të arrihet nga gratë është mbrojtja e vetvetes. Në rrafshin social secili duhet të vrasë mendjen se si të asgjësojë varësinë nga shteti. Babai që i përmbahet bindjes se shpirti i mirë lulëzon edhe në gjemba, del nga apatia dhe zgjidhet deputet, por mbetet njeri i moderuar që nuk e pranon revanshizmin. Sistemi i ekonomisë së lirë nuk ka çelësat e parajsës, pasi ndryshimi vjen përmes reformave dhe reformat hedhin në rrugë mijëra njerëz për ta bërë ekonominë rentabël. Në Shqipëri për herë të parë bëhet fjalë për shoqëri civile dhe futen terma që duan kohën e vet për t’u ftilluar: liberalizim në vend të centralizmit demokratik, privatizim në vend të kolektivizimit, transparencë në vend të autokritikës dhe luftë kundër korrupsionit. Po transparenca humbi që në hapat e para kur lulëzuan firmat piramidale Sudja, Kamberi, Populli, Vefa, ekonomistët që duhet të ktheheshin në misionarë, u bënë përfituesit e parë, shtetarët heshtën ndaj një marrëzie kolektive ku njerëzit vrapuan të pasurohen sa hap e mbyll sytë duke shitur edhe shtëpitë e vetme të banimit. Hapja e Shqipërisë ndaj botës solli edhe vërshimin e lloj-lloj mysafirësh që nga misionarët mormonë që nxisnin njerëzit ta ndërronin fenë dhe te ustallarët e tipit Vincent Van der Berg i njohur me nofkën Krokodili që priten krahëhapur nga shqiptarët sikur të ishin mbretër, një pritje e materializuar në një enumeracion maramendës ku tavolinat mbushen me pjata mezesh të përgatitura për merak: byreçka, qofte, speca të mbushur, gogozhare speci e kastraveci, patëllxhanë të skuqur, të pjekur, të mbushur me kima, kimë me vezë, ullinj, salcë kosi, gjizë, djathë i bardhë, kaçkavall i freskët, i tiganisur, i pjekur, qengj në hell i pjekur gjithashtu, kofshë pulash kotoletë, krahë pulash kërc, llokume, bakllava, kadaif, sheqerpare, gurabie, biskota, hasude, çokollata Hilal turke, shëndetlije, kikirikë, sa më shumë kikirikë, birrë, verë e bardhë Riesling, verë e kuqe Merlot, raki rrushi, mani dhe dëllinje, uzo, kafe turke, kafe me qumësht, neskafe, çaj mali, çaj kinez dhe sa e sa kanaçe Koka Kole, Fanta, Sevenap, Sprajt… (f.234) Gjithçka bëhej për t’i treguar botës se sa të veçantë ishim, pa menduar se tek të huajt heronjtë tanë shfaqeshin si njerëz të rëndomtë, gjuha jonë ngjante me një rrumpallë lara-lara, ne ekzistonim si pjellë e mëshirës së kombeve të mëdha. Për disa muaj shqiptarët u përfshinë nga ekstaza duke menduar se kishte ardhur koha që Shqipëria të ishte si gjithë Europa, prandaj kjo u kthye në parrullë elektorale dhe kishte një thjeshtësi çarmatosëse pasi “fshinte gjysmë shekulli ëndrrash të burgosura.” (f.270) Liria e vërtetë tashmë do të bazohej mbi disa shtylla krejt të ndryshme nga ato të propogandës komuniste: lufta ndaj komunizmit dhe korrupsionit, shenjtëria e pronës private, mbëshetja e sipërmarrjes së lirë, mbrojtja e individit. (po aty). Por rruga drejt Europës paskej qenë një tunel i gjatë, “me hyrjen të ndriçuar me llampa farfuritëse dhe brendësinë të zhytur në një terr enigmatik. (f.273) Ëndrra europiane pësoi zhgënjimin e parë dhe katër muajt e parë të vitit 1997 vijnë nëpërmjet shënimeve të shkurtra të ditarit që ka mbajtur Lea. Kjo kthesë tronditëse e gjeti atë si maturante, mësimet u ndërprenë, provimi i maturës u zhvillua formalisht pas një alarmi të rremë për vendosje bombe, festa e maturës u zhvillua në një hotel që i përkiste një prej bandave kriminale të qytetit dhe e kufizuar nga orët e shtetrrethimit. Ky realitet i ri e jep goditjen edhe brenda familjes: mamaja dhe vëllai ndjekin udhën e hapur të eksodit dhe përfundojnë në Itali, kurse babai vazhdon jetën parlamentare dhe do të mbyllë sytë pa patur pranë bashkudhëtaren e jetës. Edhe Lea zgjedh të largohet nga Shqipëria duke humbur dashurinë e gabuar me K-në.
Të rrëfesh për veten është një akt i guximshëm, Lea Ypi ia ka dalë ta bëjë sipas mënyrës së vet duke sjellë me detaje kontratën e pashkruar shoqërore, duke zbuluar diçka nga privacia e vet dhe duke e mbajtur sekret jetën e vëllait Lani; ia ka arritur të bëhet e besueshme me naivitetin fëminor dhe bindëse për rritjen e vet si analiste dhe dialoguese.
(Libri “Të lirë” i Lea Ypit, Tiranë, Dudaj 2021)
Bilisht, 22 mars 2024
Foto: Gazeta Telegraf