Ervehe Grabocka: Ju rrëfej masakrën e Panaritit nga “andartët” grekë/
95 vjeçarja vjen në një rrëfim të rrallë për masakrat e andarteve greke ne Panarit/
Nga Raimonda Moisiu & Skënder Demolli/
Ervehe Grabocka –Bacelli është një nga veteranet më të vjetra në moshë dhe gruaja më heroike që ka nxjerrë Grabocka, e cila edhe sot akoma me një fizik e kujtesë interesante e të admirueshme ruan tiparet e një gruaje fisnike, të fortë e të zonjën. Është shëmbull i gjallë i vitalitetit të një gruaje në moshën e tretë, (sot ajo i ka kaluar të 95 vjetët),dhe kujtdo që i bie rasti të takohet me Ervehenë, ngelet i çuditur se si ajo shpalos dimensione të perceptimit të dukurive e ngjarjeve në kohë e pa kohë, në ecje me kohën, që ia kanë treguar të parët e saj apo përjetuar edhe vetë, me forcën e logjikës, kujtesës dhe intelektit, që e bëjnë portretin e saj të dallojë, -gjë që ia rrit vlerat kësaj zonje të hekurt e të madhërishme. Sigurisht mosha bën të sajën por nga goja e Nënë Ervehesë, askush nuk dëgjon të ankohet për shëndetin dhe pleqërinë, apo çfarëdolloj ankese që zakonisht, bëjnë në përgjithësi, sidomos pleqtë, por meraku i kësaj zonje idealiste qëndron ende për lirinë shpirterore, e intelektuale të popullit të saj e më gjerë-idealit për Liri & Demokraci-që ajo luftoi. Fillimisht le të bëjmë një retrospektivë se kush është Ervehe Grabocka-Bacelli..
Ka lindur në Grabockë, fshat në thellësi të maleve të Korçës, në zonën ku ndahet Korça me Skraparin. Fshatin e saj e ndan një përrua me fshatin Backë të Skraparit. Është e bija e Bektash Grabockës (1870-1956) nga Panariti, dhe Zylfie Shtyllës (1890-1981) nga Shtylla. Dy prindërit e saj vijnë nga një familje me tradita të mëdha luftarake, patriotike, arsimdashëse që i kanë dhënë Shqipërisë burra të mëdhenj si luftëtarë për liri apo burra shteti, si Dëshmorin e Kombit, Qazim Panaritin, (1866-1918), i cili ka qenë xhaxhai i Ervehesë, Medar Shtylla, (1888 – 1963), daju i saj, Behar Shtylla,(1918-1994), kushëriri i parë,dhe Myftar Grabocka, (1917) vëllai i Ervehesë , është edhe halla e regjisores së shquar shqiptare, Vera Grabocka, etj, burra dhe gra të shquar që i ka njohur Shqipëria. Duhet përmendur se paraardhësi i shtatë i Ervehesë takohet me themeluesin e Korçës, Iliaz Bej Mirahorin, (Ilia Panariti) që ishte nip i Papa Petro Panaritit (1360-1440), stërgjyshi i Ervehesë. Vetë Erveheja ka qenë luftëtare në radhët partizane që me krijimin e formacioneve të para luftarake. Ajo është dalluar në luftime me armikun dhe mban dekorata të shumta që tregojnë se ka qenë një luftëtare dhe punëtore e palodhur në shërbim të kombit dhe shqiptarëve. Që në fillim të vitit 1942 Erveheja u aktivizua nga Lëvizja Nacional-Çlirimtare për të ngritur në luftë fshatrat Grabockë dhe Panarit së bashku me tre shoqe të tjera të cilat kanë qënë, Noi Polena, Antigoni Gjançi dhe Anie Vila. Këto gra bënë të mundurën, që disa vajza prej këtyre dy fshatrave të dalin partizane. Erveheja doli partizane në fillim të vitit 1944 së bashku me tre vajza të tjera nga Grabocka; Sedie Sejfulla Selenica, Përparime Brahim (Abazi) Cane dhe Vajide Jaupi. Erveheja u inkuadrua në Brg. XV S. në batalionin e parë me komandant Selman Vishocicën dhe komisar Hamdi Babanin. Pas çlirimit Erveheja ka punuar në Kryqin e kuq Shqiptar, në fillim në Voskopojë së bashku me tre shoqe, Përparime Cane, Meleqe Protopapën dhe Dadenë e Porodinës.- kështu e njihnin të gjithë korçarët. Në Voskopojë ajo u njoh me burrin e saj të ardhshëm, i cili punonte si sekretar lokaliteti. Më pas ajo punoi në Korçe derisa u martua me Ademin, një nga ish partizanët më trima i cili ka mbajtur medaljen e Trimërisë dhe ka qenë korrieri i Shtabit të Brg. IV S. Ademi vdiq papritur në moshën 65 vjeçare nga një atak kardiak dhe u varros në Lezhë në vitin 1987. Kujtesa e saj është e plotë, e saktë dhe e veshur me mëncuri, urtësi e pasion rrëmon në “arshivat e kujtesës”, tregon ngjarjet sikundër kanë ndodhur atëherë me qetësi. E ndërpret bisedën për një çast, pi pak lëng frutash, na pyet nëse duam kafe tjetër, dhe më pas vazhdon bisedën për të na sjellë ngjarje të dhimbshme e copëza jete të vyera për historinë e kombit, vecmas në këtë bisedë ajo na rrëfen për Masakrën e Panaritit nga “andartët” grekë, sikundër e kanë përjetuar dhe qënë pjesë e asaj masakre, prindërit e Ervehe Garbocka –Bacelli.
Masakra e Panaritit – rrëfyer nga Nënë Erveheja.
Në shtëpinë prindërore të Ervehesë u krye një nga masakrat më të tmerrshme të grekut në zonën e Korçës. Maskara filloi pasi komitët shqiptarë me Th. Gërmenjin në krye i ndalën andartët disa herë të hyjnë në Zonën e Vakëfeve duke i vënë përpara si lopët dhe duke vrarë shumë prej tyre. Njëra nga ato beteja ishte ajo e 15 janarit të 1914, kur komitët qenë në Panarit, qeveria shqiptare dha urdhrin e gabuar që z. Themistokli Gërmenjit, i cili qe kajmekam (nënprefekt) në Skrapar, të vejë në Kolonjë të marrë në dorëzim detyrën, se grekërit do të hiqen prej Kolonjës. Grekët i prisnin t’i çarmatosin dhe pastaj me siguri t’i vrisnin. Themistokli Gërmenji, siç e thashë ishte në Panarit në shtëpi të Dajlanit bashkë me Sali Butkën e me të tjerë trima shqiptarë. Në atë kohë ngrihen fshehurazi grekut në Kolonjë patriotët kolonjarë, Tike Prifti Spirua dhe Xeka i vëllaj i Nucit nga Trebicka dhe venë e piqen me shqiptarët në Panarit, u rrëfejnë fuqinë e grekërvet, atëhere shqiptarët përmbledhin fuqinë e tyre dhe filloi lufta e madhe e papritur në Qesarakë dhe në Selenicë të Pishës, ku vriten 30 grekër, 4 plagosen dhe 2 grekë bien rob në duart e shqiptarëve. Andartët u tërbuanë dhe sollën përforcime të shumta.
Strukturat ushtarake greke organizuan “Batalionin e Shenjtë”, i përbërë nga kriminelë lufte, dezertorë dhe të burgosur nga burgjet e Greqisë, të cilët më vonë do të njiheshin si “Andartët”. Ky batalion kreu masakra në të gjithë Jugun e Shqipërisë, duke vrarë mijëra gra dhe fëmijë për të spastruar zonën nga shqiptarët pasi më parë kishte pastruar Çamërinë dhe Gjirokastrën.
Fushata antimyslimane (kupto antishqiptare) e andartëve grekë, në fakt prapa tyre ishin kisha dhe qeveria greke, bënë edhe masakrën e Panaritit që nuk do të harrohet kurrë nga përmasat dhe egërsia me të cilën u krye.
Kjo ndodhi në atë kohë siç e quajmë ne korçarët, Greku i Parë, gjatë Luftës së Parë Botërore. Pushtimi i të ashtuquajturës Vorio Epir nga Greqia u bë në prag të Luftës së Parë Botërore, menjëherë pasi qenë caktuar kufijtë e Shqipërisë nga Fuqitë e Mëdha europiane. Ata hynë në jugun e Shqipërisë dhe pasi mobilizuan tërë ata shqiptarë që e quanin veten grekër, filluan pastrimin etnik duke vrarë, internuar dhe përzënë nga trojet e tyre të gjithë ata që patën guximin ta quanin veten shqiptarë. Në Jug të Shqipërisë nisën revoltat. “Batalioni i Shenjtë” ishte vënë në veprim. Ushtarakët hoqën uniformat dhe nisën masakrat dhe djegiet duke argumentuar se nuk pranonin vendimin e Evropës për lënien jashtë Greqisë të Korçës dhe Gjirokastrës. Sipas kronikave të kohës, ishin rreth 40 mijë ushtarë që kryen masakra të pashembullta në qytetet e fshatrat e Gjirokastrës, Korçës e Përmetit.
Masakra e Panaritit ka ndodhur në vitin 1914. Po e tregoj ashtu siç ma kanë treguar nëna dhe babai im pasi kjo masakër u krye në atë shtëpi qe ne e blemë, pas Masakrës së Panaritit, nga të zotët e shtëpisë që ishin orthodoks dhe që u larguan nga fshati dhe shkuan në Korçë dhe Tiranë pasi ata nuk mund t’i qëndronin dot kërkesës greke që të bashkoheshin me ata kundër vëllezërve të tyre muslimanë. Masakra mizore, sikundër tregon Myftar Grabocka, vëllai i Ervehesë, u bë nga andartët (banditët) grekë më 1914 në fshatin Panarit, si hakmarrje për ngritjen e Flamurit Kombëtar Shqiptar në shtëpinë e Dajlan Panaritit. Grekët therrën mbi 400 burra, gra, fëmijë dhe pleq. Veprim më të llahtarshëm s’mund të të dëgjojnë veshët. Por grekët me këtë akt makabër, si kanibalë, nuk donin të ndëshkonin vetëm popullsinë panaritase, që në pjesën dërmuese ishte myslimane, por të gjithë zonën. Ndaj ata me djallëzinë më të madhe, gratë, pleqtë, dhe fëmijët i therën në Grabockë, kurse burrat vendosën t’i thernin në fshatra të tjera. Së pari, tentuan t’i çonin burrat të lidhur njëri pas tjetrit në Trebickë, por aty hasën në rezistencën e mjaft patriotëve të shquar të krishterë trebickallinj, të cilët nuk pranuan të bëheshin pjesë e atij krimi të shëmtuar çnjerëzor. Atëhere grekët ju drejtuan fshatit Panarit, ku për fat të keq nuk hasën ndonjë rezistencë për arësye se edhe ata pak njerëz që ishin, qenë të moshuar. Hauret dhe shtëpitë e boshatisura të grabockallinjëve në Panarit e Grabockë u mbushën me 300 burra të lidhur njëri pas tjetrit me litar. Prej andej në të gëdhirë, i çonin në gijotinën e caktuar tek vëndi i quajtur Karakoll, në krye të Rripës së Melckës, një hon i vërtetë dhe tepër i frikshëm ku rrokulliseshin kokat e prera të djemve panaritas dhe gjaku rridhte tatëpjetë si në një thertore. Qëndrimi i atyre pak krishterëve grabockallinj në këtë rast nuk qe pajtues, përkundrazi, me aq sa mundën, ata morën në mbrojtje panaritasit që tentonin t’u shpëtonin thonjëve të bishave të tërbuara. Për t’u përmendur është rasti i Bajram Bilo Rezhdës, i cili shpëtoi nga këto masakra sespse e ndihmoi Guri Liko që e nxorri nga oxhaku pasi mashtroi rojet greke, duke e marrë në kurriz të mbështjellë me qilim dhe me enët në duart e tij gjoja për të mbushur ujë. Fatmirësisht ose fatkeqësisht ekziston lista e personave që mbështetën sjelljet vandale greke (kjo e botuar në revistën “Ylli i Mëngjezit” SHBA në vitet 1917-1918, artikulli “Nisja e Zjarrit në Toskëri” nga Sotir Dhosi Treska ku rezulton se martirët më të shumtët ishin nga Trebicka, por edhe nga Kolonja, Marjani dhe Panariti. Ata krishterë që ndihmuanë myslimanët janë, Gjik Prifti, Niçi Nikolla, Peçi Mihali, Toli Dhosi, Naum Toli, etj.
Ja një pjesë e shkrimit të asaj kohe në revistën “Ylli i Mëngjezit”.
“Fshatarët myslimanë të Panaritit, për të shpëtuar, ikën nga fshati dhe kaluan nëpër Backë, brenda në Skrapar. Bashkë me një nga agallarët e Panaritit, që u largua me dhentë e tij, qe edhe Stefan Panariti me bagëtinë e tij. Më vonë kthehet Stefani dhe grekët e bindën këtë që t’i shkruante agajt që të kthehej edhe ai, pasi grekët siguronin lirinë dhe jetën e tyre. Agaj besoi dhe kthehet. Edhe nga populli kthehen ata që e njihnin veten jo të kompro-mentuar. Por një natë i marrin burrat dhe i vrasin ndër afërsitë e Grabockës dhe të Melckës, ashtu i masakrojnë edhe gratë e fëmijët. Këto masakra bëhen prej kapedan Stratosit. Patrioti i vjetër Harri Panariti, bashkë me një patriot tjetër nga Treska, shkruajnë në Amerikë mbi ngjarjet tragjike të Panaritit dhe me këtë lajmërim erdhi një komision i huaj prej dy vetash për hetime. Stefan Panariti nuk e thirri aganë panaritas me qëllim tradhëtie. Për këtë dëshmuan edhe tre të krishterë panaritas përpara qeverisë greke në Janinë. U konstatua se heroi i kësaj tragjedie qe kapedan Stratosi. Edhe Harri Panariti, për shkak se lajmëroi miqt e tij në Amerikë, u dërgua në Janinë nga u lirua vetëm mbas 6 muajsh burgimi madje në sajë të një mijë frangave ari që pagoi në dorë. Kështu mori fund hëpërhë përpjekja për lir-imin e prefekturave të Korçës e të Gjirokastrës. Grekët ia mbërritën qëllimit të tyre duke zënë vijën Llogara – Salari – Qafa e Kiçokut – Ostrovicë – Maliq.”
Grekët arrestuan në Panarit, Trebickë, Treskë etj. ç’gjetën; të gjithë ata fëmijë dhe pleq që nuk mundën të largoheshin por edhe që menduan se greku s’mund ta prekte këtë kategori njërzish. Ata qenë 300 shpirt. I lidhën me litarë si kafshët nga duart dhe këmbët dhe u vunë një litar tjetër që kalonte qafë më qafë tek të treqindët duke u bërë nga një hallkë që u shtërngonte qafën dhe nëse dikush do tentonte te largohej qoftë edhe një hap nga shoku para apo prapa tij, automatikisht do të mbytej nga ajo hallkë që nuk mund të toleronte ritmin dhe distancën e caktuar nga njëri tjetri. Pastaj i shpunë në fshatin Grabockë dhe i futën pikërisht në shtëpinë e caktuar. Kjo shtëpi qe një ndërtesë e re dykatëshe; kati i parë ishte haur dhe kati i dytë kishte qënë shtëpia ku flinin anëtarët e familjes. Në atë kohë kishte lindur motra ime e madhe Reshiko. Im atë mori me vete nënën dhe motrën dhe së toku me shumë fshatarë të tjerë ikën nga Panariti dhe shkuan në Kaninë të Vlorës. Pasi burrat i siguruan gratë dhe fëmijët tek miqtë e tyre në Kaninë, vete ata u kthyen në Panarit për të luftuar pushtuesin. Ata i udhëhiqte xhaxhai im, Qazim Panariti. Në Kaninë vdiq gjyshja ime Habibe dhe xhaxhaica ime Limaja e cila ishte gruaja e Qazimit i cili sot është Dëshmor i Kombit dhe gjendet në varrezat e dëshmorëve. Të dyja këto gra vdiqën nga kolera. Ato i kanë varret edhe sot në Kaninë të Vlorës. Panariti u dogj i gjithi. Panaritasit shumë pak u kthyen në fshat pas ikjes së grekëve pasi shumica u larguan në të katër anët e Shqipërisë. Familja ime u vendos në Grabockë dhe pikërisht në atë shtëpi ku ishte bërë Masakra e Panaritit. U quajt Masakra e Panaritit pasi shumica që u therën atë ditë ishin panaritas. Grekët pasi i futën shumicën në atë shtëpi e cila ishte një ndërtesë tip kulle me dy dhoma të mëdha, njëra, ajo e sipërmja ishte dhomë gjumi siç e thamë dhe tjetra poshtë ishte haur. Grekët i merrnin një e nga një dhe në pragun e haurit u prisnin kokën mbi një kërcu. Lemeria e atyre që shikonin nënën, çupën, djalin, vëllanë, motrën, gjyshin dhe gjyshen që thereshin si kafshë, ishte e paimagjinueshme pasi i njëjti fat i priste edhe ata. Në këtë kohë, në katin e dytë, ashtu me duar të lidhura, një plak, Barjam Bilo, është futur në oxhak ku u fsheh dhe qëndroi vetëm me bryla për aq orë sa mbaruan së theruri të 298 njerzit e shkretë. Tjetra që shpëtoi nga të 300-ët ishte një grua e re nga Panariti që quhej Shane e cila me dhëmbë ka hapur një dërrasë të dyshemesë duke u fshehur në tavanin që ndante dhomën e sipërme me haurin. Shania e gjorë ka dëgjuar ulurimat e djalit kur grekët e tërhiqnin zvarrë derisa ja prenë kokën. “Nuk lëviza, – na tregonte Shania pasi unë s’mund ta shpëtoja dot djalin tim veçse do të isha therur edhe unë. Ndërkohë që kisha edhe dy fëmijë të tjerë të vegjël që m’i kishte marrë burri nuk e di se ku… Jeta qënka shumë e dhimbsur.” Pasi Shania thotë këto fjalë fillonte dhe qante pa pushim duke mos folur më. Grekët i morën kokat e 298 njerëzve të therrur dhe i hodhën në një hon të thellë ku nuk hyn dot njeri. Atë vënd ne e quajmë Kullë pasi sipër rripës së honit ngrihet një bregore si një kullë natyrale dhe që u ka shërbyer grabockallinjëve si Kullë Vrojtimi për të mbrojtur fshatin në shekuj. Kafkat e tyre kanë qënë atje deri pas luftës së dytë botërore kur unë jam larguar nga Grabocka dhe nuk e di nëse janë akoma. E tregova këtë histori pasi u rrita me atë dhimbje dhe u forcova duke u përgatitur që të në rast përsëritje të isha e aftë të mbrohesha e të luftoja me tërbim duke u hakmarrë edhe për viktimat e Grekut të Parë.
Erveheja rrëfen si u bë partizane.
Në shtëpinë tonë një ditë erdhi Safet Butka që ishte mik shtëpie dhe e pyeti babain tim, Bektash Canen, se ku i kishte djemtë. Babai i tha se djemtë e tij ishin partizanë. Safeti ju lut që ti thërresë djemtë dhe nipërit që ta braktisin luftën partizane dhe të luftojnë më forcat balliste. Babai nuk pranoi pasi ai më parë kishte biseduar më Medar Shtyllën që e kishte kunat të cilit i kishte dhënë fjalën se shtëpia e canellarëve do të mbante anën e partizanëve, e atyre që po luftonin me armikun. Në atë kohë erdhi në shtëpinë tonë, Katina Starja, Noi Polena dhe Antigoni Gjançi dhe takuan babanë tim të cilit i kërkuan që unë të dilja partizane. Ato kërkuan që të dalin partizane edhe Përparimja, çupa e xhaxha Brahimit, edhe Vaideja, komshija ime, çupë e Jaup Grabockës. Prindërit tanë nuk nguruan pasi ishte edhe dëshira jonë të luftonim dhe na dhanë lejën duke na pyetur neve nëse pranonim te dilnim malit partizane. Ne mezi prisnim që të luftonim pasi në shtëpitë tona në ato kohë s’kishte bisedë tjetër veçse trimërisë, guximit dhe gadishmërisë së shqiptarëve për të luftuar pushtuesin. Ne kishim punuar në terren për luftën nacional – çlirimtare për një kohë të gjatë dhe ishim përgatitur për këtë punë. Ishte muaj prill i vitit 1944 kur na mblodhën në Katund, fshat i vogël afër Trebickës. Atje, në një lëndinë ishte një mur një metro i lartë. Neve na reshtuan të gjitha vajzat e fshatrave të zonës së Panaritit dhe na thanë se, kalimi i këtij muri do të jetë simbol i pranimit të kapërcimit të mentalitetit patriarkal dhe dëshirës për të kapërcyer çdo vështirësi që do të na dilte përpara në luftën kundër pushtuesit. Ne ishim rreth nja 50 vajza të zonës sonë. Siç e thashë më sipër, nga Grabocka ishim vetëm tre çupa; Përparimja, Vaideja dhe unë. E para që kaloi murin qe Perparimja e cila thirri, “Nuk do të ketë asnjë mur që do të na pengojë në rrugën tonë drejt lirisë dhe pamvarisë!” Pas ne vajzave murin e kapërcyen edhe disa djem nga zona. Nga Grabocka ishin edhe dy kushërinjtë e mij, Kadri dhe Arshin Cane së bashku me tre të tjerë. Pastaj shkuam në Lavdar të Korçës ku na veshën partizane. Atje gjeta kushëririn tim të parë Behar Shtylla i cili u gëzua shumë dhe ka qeshur pasi dikush i tha që Erveheja do të bëhet një luftëtare më e madhe se ai. Na caktuan fillimisht në prapavijën e forcave partizane dhe pikërisht të punonim në spitalin partizan të Lavdarit. Atje ndënja rreth katër muaj. Në atë kohë spitali i Lavdarit u transferua diku gjetkë dhe neve na dërguan në Brig. 15S ku do të kishim të njëjtën detyrë, pra do të punonim në prapavijë. Me mua qenë edhe Përparimja së bashku me Vaidenë. Të plagosurit ne i shpinim në Gurmujas dhe atje i mjekonim. Atje punova rreth dy muaj. Në tetor më dërguan në brigadë si partizane me përgjegjës kompanie Avni Babanin dhe komandant batalioni Selman Vishocicën. Mora pjesë në disa beteja së bashku me brig. e XV Sulmuse….Më kujtohet një rast kur na u plagos shoqja jonë Neta e cila po këndonte dhe një plumb i ra grykë. Sa e shpunë në spital ajo vdiq. Pasi u çlirua Shqipëria mua më dërguan të punoj në zonën e Vithkuqit, Panaritit, Treskë, Trebickë, Qinam dhe Radovickë. Më pas në Voskopojë dhe Korçë. Me mua ishin dhe Përparimja, Meliqe Protopapa dhe Mynever (Kolaneci) Shtylla. Detyra jonë ishte të ngrinim organizatat e grave atje ku nuk kishte dhe të forconim ato organizata grash që ishin ngritur gjatë luftës.
vesel xhaferri celiku says
Ju prsh e vërtet ësht vitin1990 isha nëigomenic qendrova 10 dit në fsh grekohoro te nji shtepi aty takova dy gëra paka dhe un lexojsha nji gazet gjermane për te rij bravo ku ndëgjojsha ata flisnin shqip dhe rrëfente oj mi therën në oborr para sysh më rrin moj .e ao tëjetra mari i tha motëv nxorri shamin e bardh nga koka e qëllonte lart he mor zot merr masa për të gjith ata të dyja nuk ishin nga grekohoro ma von ësova njera mari emri e kishte merheme e tjetra shato shadije po ata kur i pyta ata ja nisen greqisht kalimeros e un i thash nuk dij jam zvicerland.dhe prap ata tregojshi dhe vajtojshin.e pastaj diten e shtat kur pan makinë me targa zvicerane e un gjermanisht ata than nuk dijn po italijsh ua këtheva pak e un po u thash shqip marija më tha po ju arvanias po po aa .dhe besoni se e kam shënim fletoren time tëmerr ata më than me mos të kallzoni se gjelatin në shtëpi e kishin ata ishi pi nji fshati tëjetër kishina ardh për të vizitu motërn e vete ajo e smur ishte.ervehja ka ma shum dije se e ka perjetue vet edhe ju përshëndes e më duhet prap të shkoj në igomenic dhasht zoti vitin e ardhshëm do të dij ma shum.