
Dr. Joana Kosho
Lektore e Medias dhe komunikimit,Universiteti “A. Xhuvani” i Elbasanit/
“Mbahu, Nëno, mos kij frikë/ Se ke djemtë n’Amerikë/ Qan e lutet Nën’ e mjerë,/ Kërkon Vatrën edhe nderë/ Do lirine dhe Atdhenë, Si ç’e pat me Skënderbenë/ Bijt’ e besës thërret pranë/ Kur i thirri dhe s’i vanë/ Mbahu, Nëno, mos kij frikë/ Se ke djemtë n’Amerikë.”
Fan Noli, kryeredaktori i parë i gazetës Dielli
Me përvojën e një profesori universitar dhe kërkuesi shkencor në disa dekada, Prof. dr. Roland Gjini, sjell një studim të përmasave mbarëkombëtare, me fokus në ndikimin që Federata Panshqiptare “VATRA” dhe organi i saj i shtypit, gazeta “Dielli”, patën te përpjekjet e atdhetarëve shqiptarë për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës. Përmes këtij libri të mbushur me copëza jete, dëshmi dhe fakte të një sage të gjatë përpjekjesh, profesor Gjini na fton të rijetojmë ngjarjet, parë përmes prizmit të gazetës “Dielli”, e të vlerësojmë personalitetet që bënë të mundur lindjen e shtetit të Kosovës.
Historia e themelimit të Federatës Panshqiptare “VATRA” dhe bashkëpunimi me gazetën “Dielli”, e sintetizuar në vend të hyrjes së librit, të përfshin në një udhëtim në kohë, për të rihedhur dritë mbi angazhimin e çmuar që “VATRA” dhe “Dielli” ndërmorën për çështjen shqiptare që në lindjen e shtetit shqiptar, më 1912-ën. Me pjesëmarrjen e atdhetarëve të njohur si Fan Noli, Faik Konica, Kristo Floqi, e të tjerë, VATRA përcaktoi si qëllim kryesor të sajin, mbrojtjen e të drejtave të shqiptarëve, kudo ata ndodhen. Nëpërmjet shtypit, aktiviteve publike e deri në lobimet në institucionet më të larta të SHBA-ve, “VATRA” dhe “Dielli” ndërtuan rrugët e sensibilizimit të çështjes shqiptare në nivel ndërkombëtar.
Përmes hulumtimit të studimeve të shumta, artikujve të gazetës “Dielli” dhe aktiviteteve të “Vatrës”, autori përshkruan një tablo komplekse të zhvillimeve politiko-sociale në Kosovë, që me protestat e vitit 1981, e deri te shpallja e pavarësisë e fillimvitit 2008. Përpjekjet e Vatrës për të mbështetur të drejtat e shqiptarëve të Kosovës për liri dhe dinjitet, të ngjizuara në protestat e studentëve dhe punëtorëve të vitit 1981, janë skalitur në kreun e parë të librit. Me detaje dhe dëshmi autentike, autori tregon sesi “VATRA” u angazhua të lobonte deri tek Presidenti amerikan Regan dhe ndërkohë, në gazetën “Dielli” botoheshin editorialë, njoftime, kronika dhe shkrime analitike për Kosovën, në çdo numër të saj. Përmes lenteve të tij si historian dhe kërkues shkencor, autori nuk përshkruan vetëm ngjarjet dhe aktivitetet e “Vatrës” dhe “Diellit”, por nënvizon gjithashtu dhe rolin e personaliteteve me integritet dhe peshë si profesor Sami Repishti, Atë Artur Lionin, etj, në njohjen e çështjes shqiptare.
Përveç risive dhe vlerave të shtuara në fushën e historisë, ky libër i jep mundësinë studjuesve të komunikimit dhe medias për t’u njohur me trajtesat mbi çështjen e Kosovës në shtypin e diasporës, përfaqësuar nga gazeta “Dielli”. Me penën e tij të mprehtë, autori ka përshkruar me realizëm, përmes fakteve dhe dëshmive të mbledhura në arkivat e “Vatrës” dhe gazetës “Dielli”, fuqinë e madhe që ka shtypi dhe media në përgjithësi për të sensibilizuar dhe angazhuar jo vetëm opinionin publik, por edhe politikë-bërjen, veçanërisht qarqet politike në SHBA. Në kreun e dytë, profesor Roland Gjini trajton ngjarjet e viteve 1989-1990 në Kosovë, parë përmes “Vatrës” dhe “Dielli-t”. Në këto vite, ngjarje me rëndësi ndikuese ishin zgjedhja e Slobodan Millosheviçit president i Serbisë (1989) e më pas i Jugosllavisë (1997-2000), që ashpërsoi në ekstrem luftën kundër shqiptarëve, si dhe lindjen e Lidhjes Demokratike të Kosovës, me liderin historik të saj, Ibrahim Rugova. Roli i “Vatrës” për njohjen dhe ndërkombëtarizimin e çështjes së Kosovës është argumentuar përmes shkrimeve të personaliteteve me emër, si p.sh., gazetari arbëresh Vincenx Golletti Baffa, apo akademiku i njohur Rexhep Qosja, i cili shkruante në gazetën Rilindja të Prishtinës, (ribotuar te gazeta Dielli): “Ne duhet ta studiojmë më me përkushtim dhe më me sistem “Vatrën”, por edhe botën në kulturën tonë… sepse, duke studiuar edhe botën, do të jemi në gjendje të kuptojmë më mirë vetë “Vatrën”.[1] Nuk mund të mos përmend shkrimet goditëse të akademikut Arshi Pipa, i cili theksonte se “Vatrës”, i bie detyra kryesore që të organizojë një fushatë permanente në dobi të Kosovës shqiptare.”[2]
Gazeta “Dielli” ishte një tribunë e rëndësishme për aktivizimin e shqiptarëve të Amerikës, të cilët përmes thirrjeve të vazhdueshme të “Vatrës”, u mblodhën në protesta masive para Kapitol Hill-it kundër represionit serb në Kosovë. Vrasja e Adem Jasharit dhe e 55 vetëve nga fisi i tij në mars 1998, solli reagimin e menjëhershëm të “Vatrës”, e cila organizoi një nga demostratat më të mëdha që kanë bërë ndonjëherë shqiptarët e Amerikës, kur më 25 mars të vitit 1998, në Washington u grumbulluan më shumë se 20 000 shqiptarë. Pas paraqitjes së një përmbledhje për ngjarjet e viteve ‘90, në kreun e tretë të librit, me një pasuri akivore të admirueshme, prof. Gjini pasqyron rolin e Federatës “VATRA” në sensibilizimin e institucioneve shtetërore të SHBA-së për luftën e drejtë të shqiptarëve të Kosovës në vitet 1998-1999. Lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, shpërnguljet me dhunë të shqiptarëve të këtij vendi nga shtëpitë e trojet e tyre, lobimet e personaliteve të ndryshme shqiptare në qarqet politike të SHBA-ve, ndërhyja e NATO-s në Serbi dhe roli i Presidentit amerikan Bill Klinton, u pasqyruan përmes editorialeve, intervistave dhe reportazheve të gazetës “Dielli”. Nga këto shkrime do veçoja kryeartikullin e numrit të parë të “Dielli-t” për vitin 1999, me titull Zëri shqiptaro-amerikan i protestës, ku autori Lekë Drini, shkruan: “… sot bota u bind dhe po bindet gjithnjë e më shumë se jemi një popull që duam të jetojmë në paqe e miqësi me gjithë botën e sidomos me fqinjët…”[3]
Me mjeshtëri stilistike dhe me forcën e detajit, autori ka ditur të tregojë të gjitha dimensionet e gazetës “Dielli”, që përfaqëson më shumë se sa thjesht organin kryesor të shtypit të Federatës Panshqiptare “VATRA”. Lexuesi, ndërsa udhëton në kohë nga faqja në faqe, kupton rolin dhe impaktin e padiskutueshëm të Diellit në çdo hap të rrugëtimit që patriotët shqiptarë ndërmorën për shpëtimin dhe prosperitetin e Kosovës dhe të kombit shqiptar. Përveç reportazheve, editorialeve, intervistave dhe letrave nga lexuesit, gazeta “Dielli” kishte dhe një rubrikë me shumë vlerë: Botime të bashkësisë sonë, që kishte si qëllim vënien në pah të studimeve me rëndësi të shqiptarëve të diasporës, nga të cilat do përmendja botimin nga Universiteti i Kolorados, në serialin “East Europian Monographs”, botuar nga profesori shqiptar Peter R. Prifti. Vepra, e titulluar “Confrontation in Kosova” (Konfrontimi në Kosovë), përmban ligjërata dhe studime që prof. Peter Prifti ka realizuar për Kosovën, si dhe letra në lidhje me çështjen kosovare që ia ka dërguar pjesëtarëve të Kongresit, senatorëve e personaliteteve të tjerë të njohur, si dhe gazetave e revistave amerikane.[4]
Në kreun e katërt, me fokus ngjarjet në Kosovë nga çlirimi deri në shpalljen e Pavarësisë, autori, përmes analizës së ngjarjeve, deklaratave, takimeve dhe zhvillimeve të shumta në Kosovë, rajon dhe në SHBA, përshkruan dilemat e atdhetarëve shqiptarë, pas çlirimit të Kosovës. Ky ishte një moment delikat, kur duhej bërë kujdes për të mos hedhur hapa mbrapa, ndaj bashkëpunimi ndërkombëtar, sidomos me SHBA-të ishte thelbësor dhe jetik për Kosovën. Përsëri dhe si gjithmonë, gazeta “Dielli” ishte pasqyra e përpjekjeve për çështjen shqiptare, e mbi të gjitha për Kosovën, që akoma lëngonte nga plagët e marra gjatë luftës për liri. Lidhur me dilemën se cila do të ishte e ardhmja e Kosovës pas çlirimit të saj nga serbët, gazeta “Dielli” boton disa vlerësime të ambasadorit Kristofer Hill, të bëra në Radion “Evropa e lirë”. Ambasadori Hill u shpreh se: “… në Rambuje është saktësuar se statusi i ardhshëm i Kosovës do të përcaktohet në një proces ndërkombëtar… Kosovës i nevojiten institucione… Duhet të mendojmë si të gjejmë rrugët më të mira për ndërtimin e demokracisë që është kyçe për Kosovën.”.[5] Humbja e parakohshme e Rugovës, në janar të vitit 2006, u përcoll me shumë hidhërim nga “VATRA” dhe “Dielli”, përmes njoftimeve, reportazheve dhe specialeve të dedikuara liderit historik të Kosovës, i cilësuar si “Gandi i Ballkanit”.
Në kreun e fundit, “Shpallja e Pavarësisë së Kosovës”, prof. Roland Gjini, përmes lenteve të gazetës “Dielli”, Federatës Panshqiptare “VATRA”, evidenton të gjithë personalitetet që lobuan dhe ndikuan në shpalljen e pavarësisë, por gjithashtu, përshkruan sfidat që Kosova kaloi dhe po kalon pas krijimit si shtet, për të ndërtuar institucionet e saj demokratike, por edhe në aspektin e marrëdhënieve të vështira me Serbinë. Autori e mbyll librin e tij me fjalët: “Kanë kaluar 14 vjet nga fillimi i bisedimeve Beograd – Prishtinë, por edhe sot e kësaj dite ato vijojnë me hope, apo me hapa tepër të ngadaltë, me kundërshti, debate e kokëfortësi, e mbi të gjitha, jo me rezultatet e dëshiruara…”.
Në fund të vlerësimit tim për këtë rrëfim shumëdimensional, dua të theksoj rëndësinë dhe impaktin e këtij studimi. Për herë të parë analizohet historia e përpjekjeve shqiptare për çlirimin dhe krijimin e shtetit të Kosovës, përmes aktivitetit patriotik të Federatës Panshqiptare “VATRA” dhe gazetës “Dielli”, duke përfaqësuar një burim të pasur me informacione, dëshmi dhe analiza që do t’i vlejnë jo vetëm studjuesve të historisë, apo gazetarisë, por edhe çdo lexuesi që ka kuriozitet dhe dëshirë të njohë momentet e papërsëritshme kur media, politika, historia dhe njerëzorja, ndërthuren fuqishëm për të rilindur dhe ndriçuar kombin shqiptar.
[1]Gazeta Dielli, vol. 78. Nr. 6, 28 nëntor 1987.
[2] Gazeta Dielli, vol. 79. Nr. 18-19, 25 janar 1989.
[3] Gazeta Dielli, vol. 90. Nr. 1, janar-mars 1999.
[4] Gazeta Dielli, vol. 90. Nr. 3-4, korrik-dhjetor 1999.
[5] Gazeta Dielli, vol. 91. Nr. 1, janar-mars 2000.