Hasan Gremi/
Edhe një herë shkrimtarja dhe studiuesja e njohur Klara Kodra na befason me vëllimin e saj të ri për fëmijë, “Ana e vogël dhe dhelpra Lili*, botuar nga sh. b. “Agora” dhe i paraqitur në panairin e fundit. Ku qëndron e papritura në këtë tregim të vogël? Qëndron te një nga personazhet kryesorë që nuk i përket botës njerëzore, po të kafshëve, dhelpra Lili që jeton në një kopsht zoologjik dhe çuditërisht nuk është, si në përgjithësi personazhet dhelpra të përrallave dhe tregimeve, një personazh negativ. Ajo na del personazh pozitiv dhe mjaft simpatik. Sigurisht, jo për një trill të thjeshtë të autores, po për të shprehur një mesazh. Një mesazh të ri që jepet në një formë të re, origjinale. Një mesazh që është lidhur ngushtë me mjedisin natyror në rrezik dhe me kafshët e pyllit që gjithashtu ndodhen në rrezik zhdukjeje. Gjithashtu një mesazh dashurie për tërë frymorët që si ne kanë ndjenja dhe vuajnë. Në këtë tregim të vogël dhelpra rizbulohet me veçoritë e saj biologjike. Ajo shihet si e bukur. Në fakt dhelprat kanë një bukuri natyrore brenda llojit të vet: qimet e gjata e të buta me ngjyrën e gjetheve të kuqe që shkunden nga drurët në vjeshtë, bishtin e gjatë që i ngjan një freskoreje. Ajo shihet gjithashtu si e zgjuar: dinakëria tradicionale e dhelprave është një armë e fuqishme në luftën për jetën. Njëqind dredhimet e saj janë provë zgjuarsie. Ajo shihet edhe si nënë. Dihet se kafshët janë jashtëzakonisht të lidhura me këlyshët e tyre; janë të gatshme të bëjnë gjithçka për ta. A ju kujtohet “Dhelpra me të bijat e lodhura” që kërkon më kot një kokërr rrush te “ Këngët e Milosaos”? A s’ të zgjon vallë një farë dhemshurie? Dhelpra e tregimit të Klara Kodrës është nënë. Dhe është e ndarë nga fëmijët prej dorës së njeriut. Pra, dhelpra zhvishet nga tiparet negative të dinakërisë dhe lakmisë që ka nëpër përralla dhe që lidhen me antropomorfizimin e kësaj kafshe. Në mjedisin e saj natyror këto nuk janë vese, po thjeshtë shfaqje të luftës së natyrshme për mbijetesë. Pra, personazhi i dhelprës së rizbuluar meriton dashuri. Dhe protagonistja e vogël ia jep, pasi zhvishet nga paragjykimet tradicionale për “dhelprën dinake”, duke folur me babanë e vet si njeri më me përvojë që tregohet i drejtë. Pra, mesazhi i këtij tregimi për fëmijë është i rëndësishëm. Ai ka gjetur formën e përshtatëshme, dy monologë një të vajzës së vogël dhe një të dhelprës së antropomorfizuar. Autorja ka menduar të depërtojë në ndjenjat e fëmijës dhe – deri diku- të vihet në vendin e personazhit kafshë. Tregimi përshkohet nga dramatizmi i cili qendron krah për krah me një lirizëm të butë. Ky tregim të sjell ndërmend një tjetër tregim të llojit animalistik të kësaj autoreje i shkruar për fëmijë “Vogëlushja e shtëpisë* që kishte fituar çmimin për shkrimtarët e huaj në konkursin “ Teramo“ në Itali..
Në këtë vëllim është në qendër macja simpatike Xheki. Veçse ajo portretizohet nga jashtë, jo nga brenda. Ajo nuk antropomorfizohet, as nuk bëhen përpjekje për të kuptuar ndjenjat e saj në një vështrim më objektiv, po vizatohet portreti i saj i jashtëm, sytë e saj, ngjyra e qimeve të saj, lëvizjet e saj, cilësitë dhe të metat e saj dhe të gjitha këto ndriçohen nga dashuria që ka për të rrëfimtarja e cila është një alta-ego i autores. Edhe në këtë vëllim të ri, tok me simpatinë e protagonistes së vogël Ana për dhelprën, ndihet qëndrimi simpatizues i autores, ndonëse i fshehur. Mund të shpresohet se kjo simpati e dhemshuri të ndihet edhe nga lexuesit e vegjël. Tregimi shfaqet me një gjuhë të kuptueshme dhe komunikuese për fëmijët.