
Si arriti Ismail Qemali në Shqipëri për të shpallur pavarësinë.
Ilir Ikonomi
Rreth mesit të nëntorit 1912, Ismail Qemal Vlora u takua me ministrin e Jashtëm të Austro-Hungarisë, Kontin Leopold von Berchtold. Takimi u bë në Budapest fshehtas, sepse austriakët nuk donin që marrëdhëniet e shqiptarëve me Vjenën të nxisnin xhelozitë e Italisë. Kjo ishte pika kulmore e udhëtimit të Ismail Qemalit drejt trojeve shqiptare sepse Konti i dha mbështetje materiale dhe morale për të shpallur pavarësinë. Ai i premtoi t’i vinte në dispozicion një anije që grupi i shqiptarëve të arrinte shëndoshë e mirë në brigjet shqiptare.
Udhëtimi i Ismail Qemalit kishte nisur më 2 nëntor nga Stambolli me një ndalesë të rëndësishme në Bukuresht. Kishte shkuar në Vjenë ku ishte takuar me zyrtarë të ministrisë së jashtme austriake. Iu desh pastaj të merrte trenin për në Budapest, sepse ministri i Jashtëm Berchtold kishte shkuar atje për seancat e parlamentit austro-hungarez. Ishte kthyer në Vjenë ku kishte dhënë intervista për shtypin, por pa e përmendur takimin me kontin. Tani përgatitej të udhëtonte për në Shqipëri. Asgjë nuk ishte e sigurtë, sepse nuk dihej pritja që do t’i rezervohej atje.
Mëngjesin e 19 nëntorit Ismail Qemali arriti në Trieste me tren ekspres bashkë me Luigj Gurakuqin. Triestja, port i lirë i Perandorisë Austro-hungareze dukej e larguar nga trazirat që po ndodhnin në Turqinë evropiane. Ky ishte një qytet kozmopolit me origjinë të hershme ilire, që i gëzohej famës si pikë takimi e njerëzve të artit. James Joyce jetonte në Trieste. Jules Vernes pati jetuar dhe shkruar aty.
Siç dëshmon gazeta vendase Il Piccolo, Ismail Qemali u prit në stacionin e trenit nga Mark Kakarriqi, një shkodran që nuk i kishte mbushur të tridhjetat por që kishte qenë aktiv në kryengritjet shqiptare të dy viteve të fundit. Triestja, sipas planit, ishte vendi ku Ismail Beu do të takohej me delegatët e kolonisë së Rumanisë, të cilët ishin nisur nga Bukureshti më 16 nëntor. Sipas përshkrimit të Il Piccolos, Ismaili u vendos në Excelsior Palace, një ndër hotelet më modernë të Evropës në Riva del Mandracchio fare pranë detit, për të pushuar disa orë.
Nga Triestja, që ishte ndër portet më të rëndësishme të monarkisë, anijet e Lloydit rrihnin çdo ditë brigjet e Adriatikut për të vazhduar deri në Patras dhe në Aleksandri. Mirëpo prej shumë ditësh, anijet nuk ndaleshin më në portet shqiptare, sepse situata ishte e tendosur. E vetmja anije e Lloydit që mund të ankorohej atje ishte Graf Wurmbrand që ishte vënë në dispozicion të qeverisë austriake për shërbime të posaçme. Wurmbrand shkonte e vinte përballë brigjeve shqiptare dhe shërbente për ndërlidhjen telegrafike të konsujve austriakë me qendrën. Sipas zyrtarëve, anija mund të përdorej për evakuimin e personelit austriak dhe të huajve të tjerë që ndodheshin në Shqipëri në rast të një konflikti. Sepse Lloydi, ndër kompanitë më të mëdha të lundrimit në Evropë, merrte para nga qeveria austriake për shumë punë që nuk kishin lidhje me tregtinë e mirëfilltë.
Misioni i Ismail Qemalit ishte njëra ndër këto punë. Ndërmjetës mes tij dhe drejtorisë së Lloydit për të bërë të mundur udhëtimin ishte një këshilltar legate, një hungarez i quajtur Béla von Rakovszky.
Udhëtimi i pritshëm i Ismail Beut bashkë me një grup personalitetesh shqiptare drejt Durrësit nuk ishte aspak i panjohur për shtypin. Dihej gjithashtu që batalione serbe po marshonin drejt Adriatikut, por ishte e paqartë se kur mund të arrinin ato. Gazetat kishin ditë që publikonin deklaratat e Ismail Qemalit, ku flitej fare hapur për atë që ai kishte ndërmend të bënte. Prandaj, kur Ismail Beu arriti në Trieste, disa gazetarë erdhën në Excelsior Palace për ta intervistuar. Korrespondentët, mes tyre ai i gazetës Il Piccolo të Triestes, e pyetën për planet që kishte atë ditë:
ISMAILI: Do të qëndroj vetëm pak orë, sa për t’u takuar me ndonjë mik e për të ngrënë drekë. Pastaj do të marr detin.
IL PICCOLO: A më lejohet t’ju pyes se për ku do të niseni?
ISMAILI: Po. Vapori që do të marr, si rregull nuk ndalon në portin ku dua të zbres, por ia di për faleminderit kompanisë Lloyd e cila do të bëjë për mua një ndalesë jashtë itinerarit. Udhëtoj për në Durrës.
IL PICCOLO: Pra do të shkoni në portin që lakmohet nga serbët?
ISMAILI: Nuk besoj se ata do të arrijnë para meje. Në Durrës po më presin me ankth dhe terreni është përgatitur me shumë durim, tha Ismaili.
IL PICCOLO: Çfarë do të ndodhë pas arritjes suaj?
ISMAILI: Një gjë fare e thjeshtë, por që ne e dëshirojmë me zjarr: Shpallja e pavarësisë së mëmëdheut tonë. Duam ta vemë Evropën para faktit të kryer. Do të formohet një qeveri e përkohshme dhe ndoshta unë do të jem kryetari i saj.
IL PICCOLO: Po malësorët, mirditorët dhe fiset e tjera?
ISMAILI: Ju siguroj se për idenë e pavarësisë jemi të gjithë dakord, kemi të gjithë një mendim. Jemi ne që e filluam luftën kundër qeverisjes së mbrapshtë të Turqve të Rinj dhe morëm Shkupin këtë verë; jemi ne që kemi bërë luftra të vazhdueshme për vite me radhë, prandaj është e drejtë që dëshirat tona të bëhen realitet. Çasti nuk mund të jetë më i mirë se tani. Qeveria turke në Shqipëri nuk është veçse një hije e largët. Lidhjet me Stambollin janë këputur. Çfarë t’ju them më shumë? Në Shkodër, janë shqiptarët ata që po i bëjnë ballë heroikisht rrethimit.
Albert von Manussi, shef i policisë së Triestes, i dërgoi ministrit të brendshëm austro-hungarez një raport prej katër faqesh për Ismail Qemalin. Manussi shkruante se Qemal beu u tregua disi i pakujdesshëm kur ia bëri të ditur shtypit të Triestes synimet e tij, sepse me këtë rrezikonte që zbarkimi i tij në Durrës të pengohej nga grekët, të cilët prej disa ditësh kishin bllokuar Sarandën dhe Vlorën, madje mund të trajtohej prej tyre si rob lufte. “Megjithatë, – shkruan Manussi, – kur ishte deputet i Shqipërisë së jugut, Qemal beu kishte lidhje aq të ngushta me qeverinë greke saqë shpesh akuzohej se paguhej prej tyre. Ai është i bindur se nga kjo anë nuk i kanoset asnjë rrezik, sidomos tani që me pushtimin e Epirit, Greqia shihet si e ngopur dhe ka çdo arsye për të mbajtur marrëdhënie të mira me Shqipërinë.”
“Tani për tani, – shkruante shefi i policisë, – Qemal beu nuk do të mund t’i bënte ballë një pushtimi të Durrësit nga serbët. Prandaj nëse kjo ndodh, ai ka ndër mend që thjesht të protestojë dhe të tërhiqet në male.”
Manussi nuk e thotë në raportin e tij se nga i nxjerr këto përfundime, por ka shumë mundësi që ai ta ketë takuar vetë Ismail Qemalin gjatë orëve që ky qëndroi në Trieste. Një pjesë e mirë e raportit i kushtohet gjendjes në Shkodër dhe, në këtë rast, Manussi mund t’i ketë marrë informacionet nga ndonjë anëtar shkodran dhe katolik i grupit të shqiptarëve. Ky mund të ketë qenë Gurakuqi, si njeriu më i afërt me Ismailin dhe më i informuari. “Qemal beu, – shkruan Manussi, – është mjaft i prokupuar për Shkodrën. Ai ka frikë se ky qytet mund të kapitullojë përpara se qeveria e re e Shqipërisë të marrë zyrtarisht frenat në dorë. Megjithëse vetë është mysliman, Qemal beu e njeh mirë rëndësinë e Shkodrës për gjithë Shqipërinë veriore katolike, e cila nga pikëpamja ekonomike, kulturore dhe fetare graviton drejt kësaj qendre të madhe tregtare dhe pa këtë qytet shumë shpejt do të paralizohej në çdo drejtim. Prandaj ai është i vendosur të lëvizë çdo gur që Shkodra të mos pushtohet nga malazezët.”
“Deri tani, – shkruan Manussi në raportin për ministrinë, – Shkodra ka qenë në fakt më tepër një qytet austriak se sa turk. Austria kishte atje shkolla model dhe institucione të tjera arsimore, paguante për klerin katolik dhe mbështeste bujarisht edhe popullatën e gjerë. Shkodra ishte deri tani pika kryesore mbështetëse e politikës austriake në Shqipëri dhe përkushtimi i popullatës ndaj Monarkisë është mjaft prekës. Humbja e Shkodrës do të ishte shumë për të ardhur keq si nga pikëpamja fetare-katolike, ashtu edhe nga ajo patriotike-austriake; e këtu duhet të kemi parasysh se kjo do t’i bënte dëm edhe interesave tona tregtare. Nëse Shkodra nuk bie në ditët e ardhshme dhe shqiptarët marrin armatime të mjaftueshme, atëherë mund të presupozohet se këta do të inkurajohen dhe do të kontribuojnë me shumicë për ta lehtësuar gjendjen. Aq më tepër që, deri më 16 nëntor, trafiku i postës dhe i njerëzve me Shkodrën nga porti i Shëngjinit ishte krejtësisht i lirë.”
“Qemal beu, – e përfundon raportin Manussi, – tha se me ndryshimin e gjërave në Shqipëri, ai sheh të tejkalohen edhe ëndrrat e tij më të guximshme dhe se Shqipëria nuk do të harrojë kurrë të falenderojë Austrinë për pavarësinë e saj.”
Po më 19 nëntor, Berchtoldi i dërgoi një telegram konfidencial nënkonsullit austriak në Durrës, von Rudnay, ku e njoftonte për nisjen e pritshme të Ismail Beut nga Triestja. “Shkëlqesia juaj duhet ta trajtoni atë me njerëzi, ashtu si edhe patriotët e tjerë. Nëse në një mënyrë ose një tjetër, ata gjenden ngushtë, t’i ndihmoni të hipin në Graf Wurmbrand, anijen e Lloydit pranë Durrësit,” porosiste Berchtoldi. Dhe vazhdonte: “Kjo natyrisht nuk do të thotë që Shkëlqesia juaj të mos e vëzhgoni me shumë kujdes Ismail Qemal beun, pasi siç dihet, besueshmëria e tij politike është e dyshimtë. Nëse ai i hap Shkëlqesisë suaj tema politike, kufizohuni duke i shprehur atij pikëpamjen tonë të njohur që përkrahet edhe nga Italia, mbi ruajtjen e pavarësisë dhe integritetit të Shqipërisë. Gjithsesi mbani ndaj tij një qëndrim thjesht pranues. Meqenëse mes Ismail Qemal beut dhe politikanëve të tjerë shqiptarë ekzistojnë disa mosmarrëveshje, është e rekomandueshme që të mos hyni në diskutime as rreth tyre e as rreth formës së ardhshme të qeverisjes së Shqipërisë, por të theksoni vazhdimisht se në këtë kohë të vështirë, uniteti i plotë i të gjithë krerëve shqiptarë është jashtëzakonisht i nevojshëm.”
Me sa duket, Berchtoldi kishte frikë se mos në Durrës hapej ndonjë konfrontim mes Ismail Beut dhe përkrahësve të Syrja Bej Vlorës apo parisë vendase dhe se mos në këto grindje përfshiheshin edhe austriakët. Kjo mund të diskreditonte premtimin e tij të asnjanësisë në marrëveshjet me italianët.
Deri në këtë pikë ende nuk ishte e qartë se ku duhet të mblidhej kuvendi, në Durrës apo në Vlorë. Durrësi mund të ishte njëra zgjedhje. Nëse Ismaili arrinte sipas planit, pra më 21 nëntor, ai mund ta shpallte aty pavarësinë, pa iu dashur të rrezikonte duke ndërmarrë një udhëtim të gjatë drejt Vlorës. Dhe, në të vërtetë, Ismaili i kishte telegrafuar kushëririt të tij, Xhemil Beut, kryebashkiak i Vlorës, që ta thërriste kuvendin në Durrës.
Problemi ishte se në Durrës, elementët fanatikë dhe proturq kishin ndikim. Pikërisht për shkak të trysnisë së tyre, njerëzit e Syrja Beut nuk arritën ta mbajnë dot konferencën e planifikuar një javë më parë dhe madje disa e lanë fare Durrësin, nga frika e sigurisë për jetën. Durrësi ishte gjithashtu qyteti drejt të cilit po marshonin kolonat serbe, arritja e të cilave ishte çështje ditësh. Vlora ishte një zgjedhje më e përshtatshme për disa arsye. Atje, i biri i Ismailit, Et’hem Beu, luante rolin e kreut të milicisë, ashtu siç ishte zakoni me disa bejlerë dhe agallarë në qytetet e Shqipërisë për të ruajtur rendin. Atmosfera në Vlorë ishte më dashamirëse ndaj Ismailit, të cilin populli e njihte mirë. Aty ai kishte autoritet. Kështu duhet të ketë arsyetuar Xhemil beu kur e thirri kuvendin në Vlorë, me anë të kabllit Vlorë-Otranto. I biri i Ismail Qemalit, Et’hemi, në bashkëpunim me parinë e Vlorës, u kishte dërguar telegram të gjitha qyteteve, edhe atyre të cilat gjendeshin të rrethuara apo të pushtuara, që t’i nisnin menjëherë delegatët e zgjedhur për në Vlorë. Aqif Pasha nga Elbasani duhet të ishte nisur, sipas një telegrami që i kishte dërguar Xhemil Beut. Po ashtu, në Tiranë duhet të ishin mbledhur shumë delegatë, mes tyre edhe ata nga vilajeti i Kosovës.
Mirëpo, edhe Vlora nuk ishte pa rrezik. Pikërisht ditën kur Ismail Qemali përgatitej të linte Triesten, trupat greke kishin zbarkuar në Himarë. Këta ishin kryesisht vullnetarë nga Kreta, gjithsej dy-tre mijë vetë të pajisur me topa dhe mitralozë. Për të ndalur grekët ishin dërguar katër kompani të milicisë shqiptare me nga 150 veta secila: dy në drejtim të Qafës së Llogarasë dhe dy për në Luginën e Shushicës në Kurvelesh. Ndërkaq, luftimet rreth Himarës kishin filluar. Në një raport për Kontin Berchtold, konsulli austriak në Vlorë, Lejhanec, shkruante se trupave të Kurveleshit u ishte bashkuar edhe Eqrem Bej Vlora. Eqremi ishte kthyer më 19 nëntor nga udhëtimi për në Durrës ku nuk kishte arritur dot për shkak se rrugët ishin të pakalueshme. Ai i kishte thënë konsullit se po u bashkohej trupave për të inkurajuar bashkatdhetarët që të mbronin trojet e tyre. Por ai kishte edhe një arsye tjetër: nuk donte t’i ikte nga dora udhëheqja e aksionit politik që po fillonte. Eqrem Beu nuk donte të përjashtohej nga përpjekja e madhe për pavarësinë që pritej të kurorëzohej së shpejti dhe për të cilën kishte derdhur mundin e vet.
Pasditen e 19 nëntorit grupi i shqiptarëve hipi në një avullore të quajtur Brünn, sipas emrit gjerman të qytetit çek Brno. Brünn nuk ishte ndër anijet e mëdha dhe luksoze të Lloydit, por ofronte një komfort të pranueshëm. Për udhëtarët e klasit të parë kishte një dhomë lojrash, një dhomë muzike me piano-bar dhe argëtime të tjera modeste. Në sallat kryesore zbukurimet ishin të kursyera, nuk kishte as llambadarë dhe as piktura të kushtueshme, por kolltuqet prej lëkure të errët ishin të rehatshëm për një muhabet apo një kafe.
Shqiptarët, rreth 15 vetë, ngarkuan në anije valixhe të mëdha si dhe thasë, brenda të cilëve kishte armë dhe fishekë, që disa prej burrave kishin blerë në Trieste. Aty nga ora 14, vapori me flamurin tringyrësh të perandorisë në kiç u shkëput nga bankina, ku kishin hedhur spirancë një mori jahtesh dhe avulloresh të tjera. Qielli ishte i mbuluar me re, bënte pak ftohtë por erë nuk frynte fare. Kur hotelet, pallatet dhe depot në breg fillojnë e mpaken dalngadalë dhe në horizont mbetet vija e zbehtë e maleve, vetëm atëherë njeriu fiton ndjesinë se ka mbetur i vetëm mes masës së madhe të ujit dhe zakonisht priret të mendojë se ku po shkon dhe çfarë të kaluare po lë pas.
Ne nuk mund të dimë se çfarë mendonin këta burra që i kishin hyrë rrugës së panjohur të fatit atë fund vjeshte, sepse asnjëri prej shqiptarëve që morën pjesë në udhëtimin historik, duke përfshirë edhe vetë Ismail Beun, nuk na ka lënë ndonjë përshkrim të hollësishëm. Fatmirësisht, arrijmë të mësojmë disa detaje interesante nga një udhëtar i paidentifikuar që ndodhej në anije. Rrëfimin e udhëtarit, të botuar në gazetën franceze Le Figaro, po e riprodhoj gati të plotë:
“U bëra dëshmitar i një fakti për të cilin Evropa pa dyshim që do të flasë nesër dhe që ndoshta do të ketë një ndikim të madh mbi atë që po ndodh tani në Ballkan. Pasi i hipëm në Trieste vaporit Brünn me destinacion Patrasin, ne duhet të ankoroheshim në fillim në Brindisi, ku do të arrinim në mbrëmje. Por, sapo ishim larguar nga Triestja, në bord u përhapën zërat se do të ndaleshim në Durrës, ku princi shqiptar Qemal bej me suitën e tij që ndodhej mes udhëtarëve, do të zbriste për të shpallur menjëherë pavarësinë e Shqipërisë.
Në fakt, e dalluam Ismail Qemalin në sallat e klasit të parë. Ai është një burrë në një farë moshe. I rrethuar nga një duzinë personash të tjerë, ai duket hijerëndë dhe simpatik. Atë natë, të mërkurën, na konfirmojnë se rreth orës 10 do të jemi përballë Durrësit. Pikërisht në orën e lajmëruar, me hënën që ndriçonte në qiell dhe në një det të qetë e mot të shkëlqyer, shikojmë në largësi dritat e një anijeje, që ishte avullorja Wurmbrand e Lloydit austriak. Brünn ndalet rreth 200 metra larg saj. Hidhen shkallët, pastaj varkat në të cilat zënë vend Qemal beu dhe suita e tij për të shkuar drejt Wurmbrandit. Ja hollësitë që munda të mbledh dhe që po jua transmetoj: Princi shqiptar do ta kalojë natën në bordin e kësaj anijeje dhe nesër do të zbarkojë ndoshta në Durrës për të shpallur atje pavarësinë e Shqipërisë…
Munda të bisedoj për disa çaste me njërin prej njerëzve të suitës së princit, që e flet në mënyrë të admirueshme greqishten dhe italishten. Më tha se qëllimi i misionit të tyre ishte që t’ua jepnin Shqipërinë shqiptarëve dhe se ata nuk prisnin që Serbia të merrte në zotërim ndonjërin prej porteve të lakmuara prej saj. Me sa arrita të kuptoj, pas krijimit të një qeverie të përkohshme, ata synojnë t’ia ofrojnë fronin e Shqipërisë një princi të huaj. Besoj se e gjithë kjo lëvizje nuk është e panjohur për Austrinë, sepse Qemal beu kishte hipur në një anije të Lloydit, e cila bëri një ndalesë të paparashikuar në itinerarin e saj. Pastaj, ai kaloi nga anija Brünn në një vapor tjetër të Lloydit, Wurmbrand, i cili për këtë qëllim priste në det të hapur përballë bregdetit shqiptar.”
Këtë rrëfim të thjeshtë por magjepsës, po të mos e kisha konfirmuar pjesërisht nga burime të tjera arkivore do ta kisha marrë për një përrallë të bukur. Sepse ai i ka të gjithë elementët e një përralle: Burra që udhëtojnë me një mision të rrezikshëm, zbritje me valixhe në duar mes të detit për të hipur në një anije tjetër, hëna që ndriçon në qiell dhe udhëtarët e tjerë që vështrojnë të habitur skenën.
Bregdeti adriatik është plot të papritura të këndshme. Kur njeriu vjen përmes tokës në Kepin e Rodonit dhe qëndon në majën e kodrës që bie thikë mbi det, e kupton menjëherë se sa bujare është treguar këtu natyra me trillet e saj, duke krijuar herë gjire të butë dhe herë shkrepa të frikshëm. Aty ku kepi hyn në formë gjuhëze në det, domethënë mu pranë majës së asaj gjuhëze, ndodhet një fortesë mrekullisht e bukur me gurë katërkëndësh prej shtufi që e tejkalon përfytyrimin e udhëtarit. Kjo fortesë, e cila thuhet se ka qenë ndërtuar nga mjeshtra raguzianë me urdhër të Skënderbeut, është ndër ato pak dëshmi që tregojnë se në kohët e moçme këtu ka patur jetë. Rreth një kilometër më tej ndodhet Kisha e Shënandout që thuhet se ka qenë ndërtuar nga Mamica Kastrioti, e motra e Skënderbeut. Eshtë vërtet një habi se si ky relik i shqiptarisë i ka shpëtuar dorës së prishësit. Për mua ka qenë befasi kur gjatë një vizite në Shqipëri në vitin 2011, në afreskun që zbukuron murin e absidës së kishës, nën nivelin e dyshemesë, dallova një shqiponjë të qartë me dy krerë, në formën e saj origjinale, ashtu siç e vizatonin në kohën e Skënderbeut.
Ky është simboli i hershëm i Kastriotëve që do të vihej më vonë në flamurin kombëtar. Hulumtuesve u është dashur të gërmojnë për t’i nxjerrë në dritë këto vizatime të rralla dhe kjo nuk është ndonjë çudi, pasi dëshmitë më të rëndësishme të historisë së lashtë shqiptare nuk mund të gjenden veçse nën dhe. Ç’ka qenë mbi tokë i ka shkatërruar barbaria osmane.
E bëra këtë parantezë, sepse duke qëmtuar me kujdes gazetat austriake dhe hungareze të vitit 1912 dhe duke i krahasuar këto informacione me ato që na japin arkivat austro-hungareze, gjeta një hollësi interesante: natën me hënë të 20 nëntorit duke u gdhirë data 21, avulloret Brünn dhe Graf Wurmbrand janë takuar jo përballë Durrësit por në Gjirin e Rodonit për të bërë kalimin e Ismail Qemalit dhe njerëzve të tij nga njëra anije te tjetra. Me sa duket, austriakët kishin zgjedhur Gjirin e Rodonit që puna të mos vihej në rrezik. Ata nuk donin t’ia linin asgjë rastësisë, sepse përballë Durrësit mund të patrullonin anije greke. Me urdhrin telegrafik të pashifruar që kishte marrë nga drejtoria e Lloydit në Tivar, Graf Wurmbrand kishte lundruar për në Gjirin e Rodonit qysh në mesditën e 20 nëntorit për të pritur anijen ku ndodheshin shqiptarët, e cila do të arrinte në mbrëmje vonë. Me sa duket, sinjali radiotelegrafik ishte kapur nga grekët. Pra, këta tashmë e dinin se një grup shqiptarësh do të arrinte në Durrës me një anije të Lloydit. Ismaili dhe burrat e tjerë e kaluan natën në Graf Wurmbrand, e cila herët në mëngjesin e datës 21 nëntor arriti në Durrës. Udhëtimi i shkurtër nga Gjiri i Rodonit nuk duhet të ketë zgjatur më tepër se një orë.
(Përshtatur nga libri Pavarësia – Udhëtimi i paharruar i Ismail Qemalit)