Ekrem Kastrati, Kaliforni, Nëntor 2021/
Ishte viti 1999, një nga vitet më të veshtira për shqiptarët e Kosovës. Makineria kriminale Serbe, si gjithmonë në shekuj, ishte përgatitur mirë për një masakër përfundimtare dhe për dëbimin nga trojet e veta të të gjithë shqiptarëve. Pra Serbia ëndërronte për një Kosovë pa shqiptarë. Me mijëra njerëz u masakruan, me mijëra të tjerë u torturuan në burgjet famëkeqe serbe.
Shqiptarët e Kosovës u dëbuan me dhunë, pjesa më e madhe në Shqipëri, Maqedoni, Turqi dhe në perëndim. Ishte një situatë tragjike ku i shihje shqiptarët në rrugë të madhe vetëm me rrobat e trupit. Të gjithë vendet i ofruan një pritje të mirë, sidomos Shqipëria. Në familjet tona në Tiranë u strehuan të gjithë të afërmit tanë ku gjetën ngrohtësinë familjare. E gjithë Shqipëria si në jug dhe veri, u bë vatër e ngrohtë për shqiptarët e Kosovës. Qeveria dhe pushteti lokal bënë një organizim të mirë në pritjen dhe sistemimin e tyre. Kishte nga ato familje që merrnin aq familjarë sa kishin mundësi me i strehu. Shqiptarët e Kosovës u janë mirënjohës përjetë.
Krimet ishin kaq masive sa morën vëmendjen jo vetëm të Europës por të krejt botës. Stacionet televizive kryesore nga shumë vende u vendosën në qytetin e Kukësit nga ku trasmetonin gjithçka që po ndodhte në luftën e re të nisur sërish nga Serbia në zemër të Europës. Europa dhe bota u zgjuan. Forcat e NATO-s më në fund goditën ushtrinë kriminale serbe dhe hynë edhe ushtarakisht në Kosovë. Kosova ishte e lirë. Shqiptarët filluan të ktheheshin në shtëpitë e tyre të shqetësuar se si do t’i gjenin ato. Në këtë kohë, Dr. Berisha më thërret në zyrë. Unë isha me detyrë Shefi i Organizimit të Partisë Demokratike. Ai më tha: “Desha të nisem drejt Kosovës me disa anëtarë të parlamentit të Partisë Demokratike, por meqënëse presidenti i Kosovës, Dr. Ibrahim Rugova është në Itali, unë mendoj që këtë mision t’ia delegoj Zv. Kryetarit të PD-së, zotit Genc Pollo. Plotësojeni grupin me disa anëtarë dhe nisuni sa më shpejt. Atje ju pret Kryeministri i Kosovës, zoti Bujar Bukoshi me kabinetin e tij, për t’u njohur me situatën reale dhe çfarë ndihmese mund të japim ne”. U krijua grupi: Genc Pollo, kryetar, unë, Fatos Beja, Jemin Gjana, Shaban Memija, dhe Arqile Goreja (kryetar i Bashkisë Durrës).
U nisëm të nesërmen drejt Kosovës. Ishte korrik, datën e saktë nuk e mbaj mend. Gjatë rrugës ndeshëm mjaft shqiptarë që ktheheshin në Kosovë. Arritëm në pikën kufitare Morinë ku ishin të vendosura forcat paqeruajtëse gjermane. Rojet me një uniformë shumë të bukur dhe mirë të armatosur, na pritën me buzëqeshje dhe thanë: “Urdhëroni”. Genci fliste gjermanisht dhe i tha “Jemi një grup anëtarësh të parlamentit Shqiptar dhe do udhëtojmë drejt Prishtinës për t’u takuar me Kryeministrin z Bukoshi”. Roja gjermane i tha: “Mund të shkojmë të takojmë komandantin e forcave paqeruajtëse gjermane se ai ndodhet këtu”. Mbas 10 minutash Genci po vjen me komandantin drejt nesh, një oficer i gjatë, i pashëm i cili me buzëqeshje na dha dorën dhe na tha: “Mirëseerdhët në tokën tuaj”. Ishte një kënaqësi e madhe dhe disi e pabesueshme. Ai na ofroi që të na shoqëronte me ushtarët e tij deri në Prishtinë. Genci e falenderoi duke i thënë që në Prizren na prisnin që të na shoqëronin më tej.
Hymë në tokën e Kosovës, deri atëherë mollë e ndaluar dhe po shkonim drejt Prizrenit. Dikush nga grupi propozoi te ndalojmë dhe të marrim një grusht dhe për ta vendosur tek varri i heroit Azem Hajdarit që e deshi aq shumë Kosovën dhe nuk arriti ta shikojë të lirë. Ashtu bëmë dhe më pas u nisëm drejt Prizrenit. Arritëm në qendrën e qytetit. Unë kisha numrin e telefonit të djalit të axhës së gruas, Nevruz Pula. E mora dhe m’u përgjigj e shoqja, znj. Edipe. “Jam Ekremi dhe jam me disa anëtarë të parlamentit shqiptar. Duam me na ndihmu të vizitojmë shtëpinë e Lidhjes së Prizrenit dhe të takojmë Kryetarin e Lidhjes Demokratike, z. Ekrem Kryeziu. Jemi në qendër të qytetit tek kroni”. “Tash po vij, se jam afër”, tha znj. Edipe. Shumë shpejt erdhi me një buqetë trëndafilash nga kopshti i saj. Na takoi të gjithë dhe na uroi mirëseardhjen në Prizren. “Do ecim në kambë se është afër” tha ajo. Kaluam urën dhe po ecnim në krah të majtë të lumit. Unë e pyeta, “Si është gjendja në familjet tuaja?”. “Jo mirë”, më tha, “kunatës së shoqes së Fatos Pulës ja kanë marrë tre vllaznit, dy nipat dhe një djalë axhe të familjes Sharani në Gjakovë. Nuk dihet fati i tyne. Kanë gjet gjurmët e gjakut në oborr dhe rreth bunarit. Por deri tash nuk kemi asnjë informacion.” Ndjeva një dhimbje në krahanor për këtë krim të rëndë në familjen Sharani dhe mijëra të tjerëve të zhdukun që nuk iu kthyen familjeve të tyre. Arritëm tek Shtëpia e Lidhjes së Prizrenit. Ishte e djegun totalisht. Përpara saj, në një dërrasë rreth dy metra të vendosur mbi dy kambaleca rreth gjysëm metri të lartë, ishte një tabelë ku shkruhej “Shtëpia e Lidhjes së Prizrenit”. Ishte një pamje e trishtueshme. Ne po qëndronim të heshtur para saj, kurrkush nuk po fliste. Heshtjen e theu znj. Edipe, një grua trimëreshë: “Pse jeni kaq të trishtumë? Disa familje kanë marrë objekte të rëndësishme historike dhe i kanë rujt. Ne do ta ndërtojmë shtëpinë edhe ma të bukur”. U lehtësuam pak, nxorrëm flamurin shqiptar dhe e vendosëm mbi atë copë dërrasë, ndërsa znj. Edipe vendosi trëndafilat mbi flamur. Kjo pamje sikur sfidonte makabritetin e kriminelave serbë. I lamë në heshtje rrënojat e shtëpisë së Lidhjes së Prizrenit dhe u nisëm në të djathtë të lumit ku vetëm pak dyqane ishin hapun. Znj. Edipe kalonte nga dyqani në dyqan duke pyetur. U kthye dhe na tha: “z. Kryeziu na pret tek kafe restorant Mullini. Nuk ishte shumë larg”. Ecëm në këmbë. Prizrenasit na përshëndesnin me përzemërsi. Nuk shihje një fytyrë të qeshun, gjë që tregonte se situata ishte shumë e rëndë. Z. Kryeziu na informoi për gjendjen e vështirë që po kalonte ky qytet. Ai na tha: “Njerëzit janë të traumatizuar se nuk gjejnë të afërmit e tyre. Ka shumë të zhdukur, burra dhe djem të moshave të ndryshme. Situata është mjaft e vështirë në Prizren. Ne po punojmë me pushtetin lokal dhe me qytetarët për të mbledh sa më shumë informacion për njerëzit e humbur”. U përshëndetëm me z. Kryeziu duke e falenderu për informacionin dhe u nisëm drejt makinave që na prisnin. “Tani do nisemi drejt Prishtinës”, i thashë znj. Edipe. Ajo i takoi të gjithë duke uruar udhë të mbarë dhe në fund u kthye nga unë me lot në sy. Më përqafoi duke thënë: “Zoti e ndihmoftë Kosovën”.
E lamë Prizremin me dhimbjet e tij dhe u nisëm. Unë isha në makinën e parë, dy të tjera na ndiqnin. Rruga kalonte nëpër kodra me një gjelbërim mahnitës. Në një pikë të lartë ku dukeshin dhe pamjet e qytetit që lamë ndaluam makinat. Të gjithë zbritën dhe po shijonin këtë bukuri të rrallë natyrore. Genci m’u afru dhe më tha, “Sa e bukur qenka Kosova”. I thashë: “Po, por është edhe shumë e pasur, prandaj është masakruar dhe djegur ndër shekuj”. U nisëm, rruga kalonte nëpër fshatra ku dukeshin shtëpi të djegura, disa prej të cilave akoma nxirrnin tym. Lëviznim ngadalë, duke parë në heshtje pamje nga më të trishtueshmet. Arritëm në hyrje të Prishtinës. Kujtoj në të djathtë të trotuarit: një burrë i shëndetshëm rreth të gjashtëdhjetave ecte e shikonte targat e makinave dhe në një moment me një zë të fortë që i doli nga shpirti thirri: “Erdhën prej Shqipnie”. U pasua nga zëra të tjerë. Ecëm jo më shumë se 100 metra, kur, sikur të kishin mbirë nga toka, nga të gjithë drejtimet dolën njerëz me flamurët shqiptarë. Kishin orë që prisnin se ishin njohtu se do vinte Dr. Berisha me një delegacion nga Partia Demokratike. Kishte me mijëra njerëz: burra, gra, pleq, djem, vajza e femijë. Ishte një pamje e rrallë dhe befasuese. Zbritëm nga makinat. Ata u rreshtuan në dy krahët e rrugës duke lënë vetëm një hapësirë kalimi jo më shumë se një metër. Genci ecte përpara, dhe ne të tjerët mbas tij. Të gjithë me lot gëzimi ndër sy na preknin duart duke na uruar mirëseardhjen në Prishtinën e lirë. Vazhdimisht dëgjoheshin zëra “Rrnoftë Kosova e lirë” dhe një zë i fortë “Rroft nana Shqipni”. Nuk e di sa kohë kaloi duke parë ato fytyra të bukura, të gezuara të të gjitha moshave deri sa arritëm në një podium ku shkruhej me gërma të mëdha “Heroi Adem Jashari”. Nuk kishte mikrofon. Pamja ishte shumë e bukur, me mija shqiptarë që valëvitnin flamurin duke thirrur “Kosova e lirë”. Genci e hapi mitingun duke thënë: “Ndihem i privilegjuar dhe i nderuar që nga ky podium i heroit Adem Jashari t’ju uroj: E gëzofshim Kosovën e lirë”. Ai foli shumë bukur. Mbas tij e mori fjalën Fatos Beja, “Unë jam nga Gjirokastra, por fëmijët e mi janë nipa Kosove. Unë ndihem krenar që flas nga ky podium duke ju sjell urimet nga të gjithë shqiptarët e Shqipërisë”. Asnjë nga anëtarët e tjerë nuk mundi me fol nga emocionet e momentit. Në fund, të gjithë bashkuam duart duke thirrur: “Rroftë Kosova e lirë, mirënjohje përjetë forcave të NATO-s dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës”. Mitingu u mbyll dhe njerëzit filluan të shpërndaheshin. Në këtë moment pranë nesh vjen i mallëngjyer patrioti, prof. Zekeria Canaj. Ishte një burrë energjik me një pamje plot shpresë. Ai thotë: “Më lejoni t’ju shoqëroj tek rezidenca e z. Bukoshi ku ju presin të gjithë anëtarët e kabinetit”. Arritëm dhe u përshëndetëm me të gjithë anëtarët. Z. Bukoshi na uroi mirëseardhjen në Kosovën e lirë. U ulëm ndërmjet anëtarëve të qeverisë. Unë kisha karshi z. Bukoshi dhe Gencin. Dhe në mesin e tyre ishte e ulur e fejuara e Gencit, e cila kishte ardhë në Kosovë me paqeruajtësit, vajza e shokut tim të gjimnazit, Sajmir Kumbaro. Ajo sikur hijeshonte atë ambient mashkullor. Z. Bukoshi na informoi mbi gjendjen e rëndë në të cilën ndodhej Kosova dhe se duhej një punë e madhe për me zvogëlu sadopak pasojat e luftës. Ai dhe anëtarët e qeverisë kishin shumë informacion për situatën tejet të rëndë kudo në Kosovë. “Sot o kurrë ne duhet të bashkohemi të gjithë për ta përballu këtë situatë”, bëri thirrje z. Bukoshi. Kishin problem me parti të tjera, kishte filluar lufta politike për pushtet. Ai kërkoi ndihmën tonë për të biseduar me përfaqësuesit e partive të tjera dhe me kryesinë e parlamentit të Kosovës. Më aktivi ishte prof. Zekeria Cana i cili thoshte: “Sot o kurrë duhet të jemi të bashkuar si një grusht për të rimëkamb Kosovën”. Mbas disa bisedimeve u ra dakort të jepej një darkë në qendër të Prishtinës për bashkëpunimin e të gjithë forcave politike me qeverinë aktuale. Në darkë merrnin pjesë të gjithë përfaqësuesit e partive, qeverisë dhe kryesisë së parlamentit. Unë kisha në krah prof. Zekerian. Ishte shumë i gëzuar për këtë arritje.
Mbas darke, unë kalova natën tek vajza e axhës Nexhmija, e shoqja e prof. Dr. Elhami Goranci. Përfaqësuesit e tjerë të delegacionit u sistemuan në familje të tjera kosovare, të ndihmuar nga prof. Zekeria Cana. Hotelet ishin jo funksionale në këto momente. Të nesërmen e lamë të takoheshim në qendër të qytetit, ora dhjetë. Pothuajse nuk fjeta gjithë natën duke dëgjuar për tmerret që kishin kaluar. U takuam në orarin e caktuar dhe tashmë do niseshim drejt qytetit të Pejës. Genci kishte lënë një takim. Unë i thashë se po nisem përpara, meqë kam të gjithë njerëzit e mi atje dhe propozova të takoheshim në hyrje të qytetit. Dy vëllezën pejanë më ofruan ndihmën e tyre për me shku në Pejë. U nisëm. Rrugës shikonim të njëjtën situatë si kudo. Qyteti i Pejës ishte ma i djeguni. Arritëm në Pejë. Rruga kryesore kalonte drejt shtëpisë (kullës) së familjes Kastrati, shtëpi që unë e kisha vizituar më parë dhe kisha ndenjur një natë me të gjithë të afërmit e mi. Ata e ndaluan makinën. Shtëpia nuk ekzistonte më, ishte shndërruar në një grumbull gurësh dhe muret rrethuese prej guri ishin të rrënume. Dola nga makina dhe u ula në gjunjë. Ishte kulla ku kishte jetu gjyshi, ku kishte lind im atë me katër vëllezërit e tre motra, ku kishin lindur dy vëllezërit e mi të mëdhenj, e shumë djem e vajza të axhës, nipa e mbesa. Në atë moment m’u shfaq fytyra e tim eti, i cili para se të mbyllte sytë në Tiranë, më tha: “Po iki nga kjo jetë pa e parë Pejën të lirë, po ti do ta shikosh”. Po, unë po e shikoj Pejën, të djegun e të masakrueme por të lirë, të lirë. Nga aty dukesh hotel Korsa me ballkonin e tij, ku në vitin 1941, mbas pushtimit Italian, Kosova iu bashku Shqipërisë. Nga ky ballkon, patrioti Bedri Peja në një tubim iu drejtua qytetarëve pejanë me këto fjalë (nga kujtesa e nanës time, pjesëmarrëse në këtë tubim):
“Pejë, kam 30 vjet që s’tkam pa,
Pejë, ke kenë jesire ndër shkja,
Po sot Pejë ti je e lirë,
Shih sa e bukur, shih sa e mirë”.
Një zë më zgjoi nga kjo gjendje. Ishte shoqëruesi që më tha: “Baca Ekrem, mbahu i fort”. Hypëm në makinë dhe u nisëm. Në fund të rrugës pashë djemtë e hallës me fëmi, që po punonin duke pastruar shtepinë e djegun. U ndava me dy shoqëruesit duke i falenderu dhe iu kërkoj ndjesë që nuk jua mbaja mend emrat. Djemtë e hallës sa më panë vrapuan drejt meje për me më taku, pastaj më shoqëruan të takoja djemtë e axhës. Të parin takova Musanë që ishte strehuar në një dyqan me familje. Më vonë takova Ejypin i cili më shoqëroi për të parë zonat më të dëmtuara. I thashë se jemi një grup me anëtarë parlamenti të Partisë Demokratike, që vinin mbas dy orësh. U nisëm drejt çarshisë së gatë (gjatë) ku ishin dyqanet kryesore të qytetit. Mbasi i kishin bastisur, i kishin djegur të gjithë. Aty ishte dhe dyqani i gjyshit ku kishte mbetur vetëm një qoshe muri. Pastaj shkuam në lagjen Kapishnicë që ishte krejtësisht e djegun. Makina të djeguna veshtirësonin lëvizjen. Kur po ktheheshim nga Kapishnica, erdhi me vrap një mbesa jonë, Nora, e cila me lot në sy më tha: “A po sheh çfarë na kanë ba mor axhë, na e kanë djegë shtëpinë, na e kanë djegë historinë e familjes. Nuk kemi mo asnjë fotografi”. U nisëm me Ejypin drejt hyrjes së qytetit për të prit anëtarët e delegacionit. Ata arritën dhe së bashku kalum nëpër çarshi të gatë. Të gjithë na përshëndetshin duke na thënë “Mirëseerdhët në qytetin tonë të djegun por të lirë”.
Mbasi vizituam qendrat më të dëmtuara u nisëm për Gjakovë. Kudo gjatë rrugës shikoje shtëpi të djeguna. Edhe qyteti i Gjakovës ishte shumë i dëmtuar, si dhe kishte numrin më të madh të të vrarëve dhe të të zhdukunve. Arritëm n’çarshi ku të gjithë dyqanet ishin të djeguna dhe një minaret i një xhamie i këputun në mes. Një kafene ishte e hapur. Pronari na ftoi për një kafe, por Genci duke e falenderu i tregoi që kishim rrugë të gjatë për të bërë. E pyeta një djalë të ri nëse e njihte Mazllom Pulën. “Po, e ka shtëpinë këtu afër, dhe të shoqëroj unë”, m’u përgjigj. I thashë Gencit që unë do shkoja të takoja një kushëri të gruas dhe propozova të takoheshim në qendër të qytetit. Mazllomi me të shoqen kishin ardh në Tiranë më parë dhe ne njiheshim. Duke shku tek shtëpia, pashë një varg të madh njerëzish. Ndërkombëtarët kishin instaluar një satelit, me ndihmën e të cilit flisnin në telefon me të afërmit në Europë e botë. Trokita në portë, më doli e shoqja që më tha: “Urdhnoni, mirëseerdhët, z. Ekrem”. Mazllomi erdhi drejt meje, ishte me një fytyrë të zbehtë e shumë i mërzitun. E takova dhe i thashë: “Pse je kaq i mërzitun, shtëpinë nuk ta paskan djegun?”. Më pa me ata sytë e errësuem e më tha: “Shtëpinë s’ma kanë djeg, por shpirtin po. M’i kanë marrë të dy djemtë e nuk e di a janë gjallë”. Nuk gjeta fjalë për ta qetësuar këtë burrë fisnik. “Duhet me qëndru i fortë se Zoti do t’i ruajë dy djemtë e tu”, i thashë. U largova nga shtëpia duke u lutur për djemtë e tyne (djemtë e Mazllomit u gjetën të gjallë nga ndërkombëtarët, të torturuar në burgjet famëkeqe serbe). U takova me grupin dhe u nisëm drejt kufirit shqiptar me një brengë të madhe për shkak të masakrave në Kosovë.
Kanë kaluar mbi 20 vjet. Serbia ende nuk kërkon falje për krimet e kryeme dhe nuk e njeh Kosovën shtet të pamvarur. Presidenti Vuçiç, ish ministri i Millosheviçit, bashkëpunëtor në krime, pritet nga disa shtete të Europës dhe ndihmohet, ndërsa Kosovës i mohohen të drejtat minimale. Është po kjo Europë që në vitet 1912 e njohu pamvarsinë e shtetit shqiptar, popullit më të vjetër të Ballkanit dhe të Europës, duke lënë jashtë territorit Shpiptar 60 përqind të trojeve me rreth 1.2 milion shqiptarë. Sa bukur i ka renditur ngjarjet At Gjergj Gashi në librin e tij, “KOSOVA, Altari I Arbërisë, 1910-1941”:
“Rreth 100 mijë shqiptarë të Kosovës të vrarë të masakrum, fëmi të djegun të gjallë në sytë e prindërve, ku nanave shtatzanë u hapesh barku me thikë dhe i nxirrej fëmija, burra e djem të masakrumë në sy të familjarëve. Qindra mija të dëbum nga trojet dhe shtëpitë e tyne drejt Turqisë ku një pjesë vdisnin rrugës”.
Dhe unë e kuptoj shumë mirë këtë të fundit, pasi edhe im atë me njërin vëlla e familje, u dëbuan në 1926 nga Peja në Turqi. Më vonë, edhe një vëlla tjetër me familje pësuan të njëjtin fat. Të gjitha këto informacione për librin e tij, At Gjergj Gashi i ka marrë në Vatikan. Pra Europa dinte gjithçka për këto krime shekullore të Serbisë ndaj Shqiptarëve. Serbia edhe sot kërcënon me forcë për të marrë territore. Shqiptarët e Kosovës nuk kanë nevojë për lëmoshë, se ata janë të zotë ta ndërtojnë vendin e tyne. Ata kanë një diasporë të fuqishme që i ndihmon dhe tashmë, me figura të njohura botërore si në art ashtu edhe në sport, dëshmojnë për një popull me një histori të lashtë e të lavdishme. Ata kanë nevojë për drejtësi, të mbrohen nga Europa, të ndihen se janë pjesë e Europës dhe janë sigurtë në gjirin e saj, ndaj mbetet me thanë: “Deri kur ma Europë….”
Nga ana tjetër, vetë shqiptarët janë të përçarë në bazë të bindjeve politike dhe interesave personale. Asnjëherë vendi nuk ka pas nevojë më shumë se sot për një paqësim në të gjitha trojet shqiptare dhe një bashkëpunim në bazë të interesave kombëtare. Unë u bëj thirrje të gjithë shqiptarëve të zgjohen se dita po afron.
O shqiptarë, shqiptarë të mjerë,
Kur do mblidheni bashkë njëherë,
Ta bashkoni kombin tonë,
Ta bashkoni sa s’është vonë.
Dardani puno,
Kosovë mos harro.
Ekrem Kastrati, Kaliforni, Nëntor 2021
Shënim për autorin: Ekrem Kastrati ka qenë Drejtues Organizativ i Partisë Demokratike dhe Deputet i Parlamentit të Republikës së Shqipërisë.