
Kosta Nake/
Udhëtimeve të mia u kanë munguar ngjitjet në bjeshkët e Veriut dhe shkelja poetikisht ndër to është sa joshëse në vështrim panoramik aq dhe lehtësuese në kursimin e sforcimeve fizike. Vitin e kaluar kundrova një copëz Drini nga lartësitë e kalasë së Rozafës, kryelumi ynë që mbledh rreth vetes njerëz e ndodhi, ai që shpërndan madhështinë e vet me zemërgjerësi në të dy anët e shtratit të vet. Camaj në rininë e vet ka qenë udhëtar dhe misionar në ato vise.
“Erdhacaku vetëm
ndezi zjarmin e u ndry mbrendë
mori letër e pendë
e shkroi kangën e parë.” (Ai që i bie fyellit në hanë, f.160). Kemi përjetuar disa herë shkarkime të frikshme të ujërave në kaskadën e Drinit dhe kjo i bën më të prekshme legjendat:
“Dri, pse m’i more shpitë e bâme n’ranë?” (Grue e pjekun, f.158)
“Lokja n’gurgllimet e tingujve
të valëve drinore ndien fjalët e gjakut të vjetër
të marrun prej urave druni.” (E bija e grues apo urat mbi Dri, f.159).
Malet hijerëndë ndajnë pushtetin me lumin dhe një paralelizëm i gjatë mes botës së kafshëve dhe shoqërisë njerëzore sjell ashpërsinë e natyrës dhe erën e gjakut.
“Rrinë dy korba mbi pyrg:
nji këqyr Drinin e tjetri malin.
…Për nën korba dy bij kryezotash.”
Shpendi i dytë e vrau të parin. Kryezoti i dytë
“N’vend të thojve kish kthetra në duer
e me to i nxori frymën
vëllaut t’ vet në gjumë.
…mandej ktheu e ndenji n’shkamb
qyqe vetëm nji shekull.” (Dy korba, f.164)
Një nga shkaqet e vëllavrasjes ilustrohet me katundin Djepëz ku dy vëllezër “ndashin ujin ndër dy vija/secili për arë të vet”. Ara e vëllait të vogël po digjej nga vapa sepse ndarja e vadës nuk ishte e drejtë. Një detaj i zgjedhur për sasinë e ujit që merrte secili: Pepa, vëllai i madh, këput katër fije bari dhe i lëshon në ujë; tri fije kalojnë nga vija e Vocit – vëllait të vogël. Voci lëshon dy fije dushku dhe të dyja i shkojnë atij. Sakaq fillon grindja. Voci rrëmben shpatën e varur te lisi, kurse Pepa rrëmben sëpatën. Pepa e vret vëllain e vogël dhe ngjitet natën në bjeshkë.
“Nesër nade pa ra dielli
npër shkambije deri n’lum
lypshin korbat diçka
t’humbun n’terr, natën. (Vada, f.177)
Vëllavrasja është vetëm një kthinë në domenin e madh të gjakmarrjes. Në njërën prej legjendave Lum Brimzi i kërkon gruas të ndezë zjarrin se po vjen një mik. E njeh të huajin që vjen “prej dhenash fort larg” se është lypës gjaku dhe i tregon për vetmitarin te shpella. Të nesërmen
“tue ra dielli mbi borë
…flakroi shpata
e krisma e saj ushtoi deri poshtë.” (Vrasja e vetmitarit, f.175)
Bjeshkët kthehen në skenë për të takuar legjendën me historinë nëpërmjet figurës së heroit tonë kombëtar dhe për të mos e humbur tiparet e veta, e paraqet vetëm hijen e tij.
“Atbotë Skanderbegu u zhduk mbas malit,
por andej lumit hija i eci mbi lisa me qindra vjet
për rrugë tue shkue për Kru.” (Hija e Gjergj Kastriotit, f.172)
Epizmi i atyre anëve të befason me lirizmin që sjell këqyrja dhe joshja e femrës dhe sakrifica që duhet bërë për të fituar dashurinë e saj. Elementë të hershëm të legjendës ndeshim aty ku marrëdhëniet i kapërcejnë kufijtë njerëzorë si tek rasti i gjarprit që donte
“tambël për me nxjerrë
në gjijt e Ledjes vashë
deri sa helmi idhshëm
i kulloi npër dhambë
si nji fjalë mallkimi
e iu ngri gjaku Ledjes. (Ledja, f.190)
Një joshje vështirësisht e përballueshme për poetin janë gjijtë e femrave, kroje ujëbardhë e jetëdhënës.
“Mbramë te votra me prush prej bungut
kam ndiemun erën e gjijve të plotë
e nuk dij pse thëngjill u bana të digjem.” (Burri e lumi, f.156)
“Burri i huej, ai hyni në mkat
e ngrohu shpirt e korp
n’gryckat e teshave t’mija.” (Mjellma e nusja, f.157)
Përmasat e legjendës rriten kur shohim trimin hipur në kalë “në tesha të bardha zadrimore” dhe përgjigja që i jep plakës: “Jam dashnue në nji femën/që i ka syt si krah korbi nën diell.” Kalorsi i kërkon gjogut t’i ngjitet shkëmbit thikë për të shkuar te shtëpia ku ishte gruaja “guri i paçmueshëm në qelq.” Në mëngjes dëgjohet vajtimi i plakës për kalorsin që ishte rrëzuar në Drin së bashku me gjogun. (Kalorsi, f.181)
Tragjike është edhe dashuria e Vonit me Herën. E rrëmbeu djali vashën, po
“pas mesnate ra shi
e shkrepi vetima në lis
e vranë zotat Vonin.”
Po befasia i kalon të gjitha pritshmëritë sepse në vend të vajtimit
“Në mëngjes herët
Mbi gur vetëm, vetëm
Hera po terte flokët
edhe lidhte gërshetat
ma e bukur se kurr.” (Dita e pranveravet, f.185)
Një flirt i ndodh edhe Skënderbeut.
“Grueja i pruni Gjergjit
venë të kuqe e ‘i rrotull djathë,
fier t’njomë e gjij të bardhë.” (Grueja e Skanderbegu, f.173).
Rrjedhë ndryshe ka legjenda e rrëmbimit që ka në pikënisje burrin shpërfillës ndaj gruas Lule. Ai punon gjithë ditën larg dhe vetëm muzgu e sjell në shtëpi. Në mungesë të tij, te Lulja shkon një çakall që ha dhe pi si njeri. Kur Lulja i kërkon të shoqit të ngjitet në bjeshkë për të parë lulet e borës dhe ai i përgjigjet se dera e shtëpisë duhej të rrijë hapur gjithë ditën, çakalli e merr Lulen dhe zhduken. (Lulja e borës, f.218). Camaj risjell në vargje edhe legjenda të njohura të animizimit si ajo e liqenit të Prespës ku burri kthehet në peshk të argjendtë, kurse nusja në mjellmë, varianti i kthimit të motrës në qokth nga hidhërimi për vëllain e humbur, legjenda e Gjerit të Vogël që del të sfidojë sqapin, por Ora e kthen në bjeshkë, Syka që merr mësime nga qyqja dhe kthehet në vajtojcë.