


Ullmar Qvick
Janë shumë të njohura në historinë e shqiptarëve të dy gratë angleze Edith Durham dhe Margret Hasluck, për studimet e tyre shkëncore në fushën e socio-antropologjisë dhe si aktiviste për çështjen kombëtare shqiptare. Jo aq të njohura janë tri gra nga vendet nordike të cilat më vonë kanë dhënë një kontribut të vlefshëm në lëminë e studimeve të jetës dhe të folklorit në trevat shqiptare.
BIRTHE TRÆRUP
E para ka qenë një daneze, Birthe Trærup (Birte Trërup) e cila si muzikologe e re, bashkë me dy kolegë gjermanë, bëri një ekzpeditë etnomuzikore në vitin 1959, duke vizituar fshatrat dhe qytetet me popullsi shqiptare në Kosovë dhe Maqedoni. Shumë vite më vonë, në vitin 1995, ajo botoi një VHS me titull På sporet af den albanske folkemusik. Historien om en ekspedition til Kosovo og Makedonien. (Në gjurmët e muzikës popullore shqiptare. Historia e një ekzpedite për në Kosovë e Maqedoni.) Birthe Trærup punoi për shumë vite në Universitetin e Kopenhagës deri te pensionimi.
BERIT BACKER
Në vitin 1973 e reja Berit Backer (Berit Baker,1947-1993) e cila kishte fituar njohuri dhe dashuri për shqiptarët si udhëheqëse e vizitorëve norvegjez në fillim të viteve 1970, bëri përpjekje pa sukses për të marrë leje për studime etnologjike në terren në Shqipëri. Kërkesa e saj u refuzua. Mirëpo, në vitet 1974-75, kur gjendja në Kosovë ishte përmirësuar dukshëm, ajo u lejua të bënte punë hulumtuese si socio-antropologe në fshatin Isniq në pjesën perëndimore të Kosovës.
Berit Backer u kthye në Isniq gjatë vjeshtës së vitit 1976 bashkë me Ann Christine Eek (e lindur në 1948), fotografe suedeze, me përvojë nga vizitat e saj të mëparshme në Shqipëri.
Me vonesë të madhe rezultati i punës së përbashkët të të dyve rezultoi në një libër të pasur, anglisht, edhe i përkthyer shqip nga Avni Spahiu, me tekste dhe fotografi të shumta: Jeta në fshatin shqiptar – Isniq, Kosovë 1976. Më përpara, në vitin 1979, Berita kishte nxjerrë desertacionin e saj ”Prapa mureve të gurit” përmes Universitetit të Oslos. Berita ndërroi jetë në mënyrë tragjike: Ajo u vra në banesën e saj në Oslo nga një shqiptar me çregullime psiqike. Me këtë akt të shëmtuar populli shqiptar humbi një mike të sinqertë.
LIBRI ”JETA NË FSHATIN SHQIPTAR – ISNIQ, KOSOVË 1976”
Ann Christine, për arsye të humbjes së Beritës por edhe e ngrarkuar me punën e saj si fotografe në një muze norvegjeze, gjeti kohë për të përpiluar librin për fshatin shqiptar vetëm pas pensionimit. Libri u pasurua më tej me shënime dhe fotografi nga dy vizitat e Ann Christines në Kosovë në vitet 2000 dhe 2001, d.m.th pas luftës 1998-99.
Libri pasqyron me fotografi dhe fjalë një epokë transformimi në Kosovë. Shoqëria e vjetër patriarkale në fshatin shqiptar, ku burra dhe gra kishin rolet e tyre tradicionale, ishte në zhdukje. Pleqësia e vjetër në fshat ishte zëvendësuar nga organet e Partisë Komuniste Jugosllave në vitin 1945, por dobësimi i strukturës ekonomike-shoqërore u shpejtua me ndryshimet e përgjithshme në Kosovë: arsimi kishte marrë hov në fund të viteve ’60, njerëzit e fshatrave filluan të shpërngulëshin në qytet dhe shumë nga burrat morën rrugën për në botën e jashtme për punësim. Ishin rritur kërkesat e njerëzve, vajzat e shkolluara nuk pranonin rnjë rol si thjesht amvise, të mbyllura prapa mureve të gurta, edhe se pajisjet moderne si në agrikulturë, edhe në jetën personale të fshatarëve, si automjete, telefona, televizorë, kërkonin shpënzime.
Libri jep një pamje të besueshme të traditës dhe të ndryshimeve, ndoshta më shumë përmes fotografive bardhë-e-zi. Bota e burrave ishte krejt ndryshe nga ajo e grave; gruaja si amvise ishte e mbyllur në shtëpi me punët e saj, me pastrimin e dhomëve, me kujdesin për fëmijët dhe për ushqimin. Në familjet e mëdha, ku vëllezërit e familjes jetonin bashkë me prindërit në një shtëpi të madhe, zakonisht një kullë, një fortesë prej guri, gratë bashkëpunonin me vjehrrën dhe me njëritjetrën në punët e shtëpisë, sikur në turne, kështu që ishin të lira për disa ditë në rradhë. Kur u shpërngulën bashkëshortët e tyre nga familja e madhe, ato morën përgjëgjësi për shtëpinë pa ndërprerje. Nga aspekti i punës familja e madhe nuk ishte vetëm negative për gruan.
Në kuadër të ambientit të fshatit Isniq hulumtimet e studiuesve skandinave zhvilloheshin mirë, mejhithëse kishin probleme me gjuhën dhe me kohën e kufizuar. Një dobësi tjetër ishte fakti se burrat nuk lejonin që të hynin gratë në shoqërinë e tyre prej burri. Tradita ishte e fortë. Kontaktet individuale me burrat, prapë, ishin të pranueshme dhe rezultonin në shumë intervista me vlerë për librin.
Për të studiuar jetën tradicionale fshatare dhe transformimet në epokën midis shoqërisë patriarkale dhe atë moderne me siguri ambienti i Kosovës ishte më i përshtatshëm se sa ai i RPS të Shqipërisë. Edhe nëqoftëse do kishin qenë të lejuar e kryenin studime në Shqiperi, pengesat do të ishin të shumta. Kërkesat politike, kontrollimet nga organet e rendit, frika dhe mosbesimi në lidhje me hulumtime dhe fotografime, krijonin vështirësi për të kryer një punë serioze hulumtimi dhe dokumentimi në Shqipëri. Edhe në Kosovë sigurisht ekzistonin njerëz të cilët ishin bërë sy dhe vesh të regjimit, mirëpo vizita në vitin 1976 u bë jo-zyrtarisht, Ann Christine dhe Berita silleshin si turista me kurreshtje për jetën në fshat dhe jo si mbledhëse të materialeve shkencore.
VLERA E POSAÇME E LIBRIT
Libri prej 267 faqe, format 25×23 cm, me 17 kapituj, jep një përshkrim të hollësishëm të jetës në fshat, rolin dominues të burrave, botën e grave prapa mureve të gurit, ceremonitë e dasmës dhe të zisë, kullat, si dhe intervista dhe jetërrëfime të anëtarëve të katër familjeve në fshat. Materiali nga vizita në 1976 plotësohet me biografinë e Berit Backerit, shënime nga vizita e autores në Kosovë pas luftës 1998-199, një kapitull të gjatë për historinë e shqiptarëve të Kosovës dhe një bibliografi të përzgjedhur. Libri përmban 262 fotografi dhe katër harta gjeografike.
Ky material i pasur paraqitet me respekt të dukshëm për njerëzit e fshatit, të cilët i kishin dhënë Ann Christines besim të plotë. Ajo tregon kujdes të madh në lidhje me hollësirat. Ann Christine Eek me seriozitet të madh pasqyron të gjitha aspektet e jetës së fshatarëve, në punë të përditshme – në shtëpi, në fshat dhe në bjeshkë – si dhe në festat dhe ceremonitë e fshatit.
Libri Jeta në fshatin shqiptar – Isniq, Kosovë 1976. ka vendin e vet në biblioteka shqiptare dhe skandinave dhe në shtëpitë e çdo shqiptari me interes për jetën e popullit të vet dhe për të informuar rininë e sotme dhe brezat që vijnë për kushtet e jetës në një fshat shqiptar dikur.
Si studiues suedez i kulturës shqiptare dhe i gjuhës shqipe po ndihem krenar për këtë punë të vlefshme që ka kryer bashkëatdhetarja ime Ann Christine Eek.
SI POROSITET LIBRI?
Ata që banojnë në Suedi dhe Unionin Evropian:
foto.sterner@gmail.com
Jashtë UE, në Norvegji, Kosovë etj., porosi te aceek48@gmail.com
Duhet shënuar botim shqip apo anglisht, emrin, adresën dhe numrin e telefonit përkatës.
Çmimi rreth 40 € plus taksat postare.
ISBN 978-91-986068-2-9