
Besnik Fishta/
Historia jonë kombëtare është e shënuar nga sakrifica të mëdha dhe përpjekje të pareshtura për mbijetesë, dinjitet dhe liri. Mirëpo, ashtu siç ndodh shpesh në historinë botërore, të vërtetat e mëdha janë përpjekur herë pas here të zëvendësohen me versione që i shërbejnë interesave të caktuara politike të armiqve të kombit tonë. Raste të tilla evidentohen edhe nëpërmjet hulumtimeve filatelike, sidomos në tematikën e historisë postare, siç është edhe një rast i mëposhtëm që lidhet me zarfa të lëshuar në SHBA gjatë Luftës së Dytë Botërore. Më poshtë do të sjellim interpretimin e katër zarfave të SHBA-së, të viteve 1943 dhe 1944, ku Shqipëria paraqitet në kontekstin e vendeve të pushtuara nga fashizmi.
Zarfi i pare, interpretimi: Në vitin 1943, kur bota ishte ende në flakët e luftës, Shtetet e Bashkuara të Amerikës lëshuan një serí zarfash të quajtura “Occupied Nations Series” (Seria e Kombeve të Pushtuara), ku përmes pullave dhe ilustrimeve nderoheshin kombet që rezistonin ndaj pushtimit nazi-fashist. Mes tyre, vend nderi zinte edhe Shqipëria. Në një nga këto zarfa, i vulosur në Washington, më 9 nëntor 1943, shfaqet një pullë amerikane me flamurin shqiptar dhe një ilustrim që përshkruan shqiptarin malësor, simbol i krenarisë dhe luftës për liri. Nën figurën shkruhet:

“Albania – Home of fighting mountaineers – A key point in the Adriatic.” (“Shqipëria – Atdhe i malësorëve luftëtarë – Një pikë kyçe në Adriatik”)
Zarfi I dyte, interpretimi: Edhe ky zarf është dëshmi filatelike dhe historike e perceptimit amerikan mbi Shqipërinë në vitet e Luftës së Dytë Botërore. Ka një përshkrim historik për shqiptarët: popull i lashtë i Evropës, gjatë shekujve i shtypur nga pushtuesit osmanë dhe më vonë nga fashizmi italian. Përmendet edhe fakti se më 1912 u shpall pavarësia, ndërsa në Luftën e Dytë Botërore shqiptarët luftonin me heroizem kundër pushtuesve. Ai shpreh ndjeshmërinë amerikane për kombet e pushtuara, duke e paraqitur Shqipërinë si një vend të vogël, të lashtë, të shtypur nga pushtuesit, por rezistent e luftarak. Seria “Overrun Countries” kishte edhe një funksion propagandistik: të rriste moralin e emigrantëve në SHBA dhe të forconte opinionin publik amerikan rreth nevojës për fitoren mbi fashizmin.

Zarfi trete, interpretimi : Ky është një zarf i Ditës së Parë (First Day Cover) amerikan, i lëshuar më 9 nëntor 1943 në Washington D.C. Pullat postare të vlerës 5 cent, me flamurin kombëtar shqiptar (flamuri i kuq me shqiponjën e zezë dykrenare) janë pjesë e emisionit të veçantë “Overrun Countries”, ku çdo vend i pushtuar paraqitej me flamurin kombëtar, si simbol i identitetit dhe lirisë së mohuar përkohësisht. Persa I perket ilustrimit në zarf në të majtë shkruhet: “Occupied Nations – Honoring Albania”, që do të thotë: “Kombet e pushtuara – Në nderim të Shqipërisë”. Me poshtë, një mbishkrim propagandistik: “Unprovoked, Mussolini’s Fascists quickly make conquest of backward country.” (Pa provokim, fashistët e Musolinit pushtojnë shpejt një vend të prapambetur). Dhe në fund: “The little kingdom falls a victim to Mussolini’s war machine.” (Mbretëria e vogël bie viktimë e makinës luftarake të Musolinit). Grafika paraqet sulmin ajror, djegie, tym e shkatërrime, simbol i agresionit fashist ndaj Shqipërisë më 7 prill 1939. Ne konteksti historik te tre zarfat jane emetuar ne vitin 1943, kur Italia fashiste tashmë kishte kapitulluar (shtator 1943), por Shqipëria vazhdonte të ishte nën pushtimin gjerman. Qellimi I leshimit te pullave dhe shume zarfave te tjere per Shqiperine apo vendet e tjera europiane ishte funksioni propagandistik: për ti treguar popullit amerikan dhe botës se ShBA mbështeste vendet e pushtuara, duke njohur viktimat e agresionit fashist e nazist, dhe se lufta do të vazhdonte deri në çlirimin e tyre.

Ne rastin e Shqiperise eshte me interes fakti qe Shqipëria përmendet per here te pare në filatelinë amerikane. Edhe pse me një gjuhë të kohës që e etiketon Shqipërinë si “vend të prapambetur”, gjithsesi flamuri shqiptar vendoset në të njëjtin nivel me kombet e tjera europiane të pushtuara.Keto pulla dhe zarfa jane dokumente filatelike dhe historike, me vlerë të madhe si dëshmi e perceptimit amerikan për Shqipërinë gjatë Luftës së Dytë Botërore, si viktimë e agresionit fashist, por gjithashtu pjesë e familjes së kombeve europiane që meritonin lirinë.

Zarfi i katert, interpretimi : Vetëm një vit më vonë, më 18 nëntor 1944, u shfaq një tjetër zarf, i vulosur po në Washington D.C., por këtë herë me përmbajtje jo thjesht te diskutueshme,por thellesisht manipulative. Ky zarf, në dukje i ngjashëm në format, përmban një pullë të njëjtë me flamurin shqiptar, por i shoqëruar nga një ilustrim politikisht i ngarkuar dhe historikisht i rremë. Në të paraqitet një portret i Marshall Titos, flamuri jugosllav në sfond, dhe një shqiponjë që mban një banderolë me mbishkrimin:
“Tirana, the capital of Albania, was liberated by Yugoslav partisans.” (“Tirana, kryeqyteti i Shqipërisë, u çlirua nga partizanët jugosllavë”)
Ky zarf nuk është një dokument zyrtar amerikan, por një produkt propagandistik i krijuar nga qarqe dashakeqe. Fakti që ky zarf mban datën e nëntorit 1944, pra një vit pas kohës së rregullt të emetimit të serisë origjinale ‘Overrun Countries’, tregon qartë se kemi të bëjmë me një falsifikim të vulës dhe të përshkrimeve përkatëse, duke vërtetuar se nuk është një botim zyrtar. I paraqitur si një ‘souvenir cover’ (zarf përkujtimor), ai përfaqëson një shtrembërim të qëllimshëm dhe provokues të historisë sonë kombëtare. Në të njëjtën periudhë kur qarkullonte ky zarf, gjatë viteve 1943–1944, në Kosovë shqiptarët përjetuan dhunime dhe masakra të kryera nga forcat partizane jugosllave të Marshallit Tito. Ky kontrast midis propagandës vizuale të zarfit dhe realitetit tragjik në trojet shqiptare nxjerr në pah mospërputhjen mes imazhit të shpërndarë ndërkombëtarisht dhe vuajtjeve konkrete të popullit tonë. Më tej, ngjarjet kulmuan në vitin 1945 me Masakrën e Tivarit, që bëri edhe më të qartë tragjedinë e shqiptarëve në raport me politikën e kohës së Jugosllavise.