Pjesa II Rusicat, Shëngjergji, Për të rënë shi në verë, sipas Gjergj Komninos/
nga MSC. Albert R. HABAZAJ/ Studiues/
RUSICAT: Rusicat është festë që bëhet 25 ditë pas Pashkëve. Këtë festë e bëjnë fëmijët e vegjël dhe gratë. Në këtë ditë, në Polenë të Korçës, gratë formojnë grupe dhe mblidhen në një shtëpi. Aty shtien nga një shumë të vogël të hollash, me të cilat blejnë miell, gjalp, vaj, sheqer dhe të tjera sende që u duhen. Me këto bëjnë lakruar, revani, bakllava, bukëvale dhe të tjera ëmbëlsira që mund t’u pëlqejnë. Përpara se t’i hanë, do të heqin nga një copë për ta shpënë secila në shtëpin’ e vet, se e kanë për mirë, që të hanë dhe njerëzit e tjerë të familjes nga lakrori i rusicavet. Si i hanë këto, këndojnë e lozin valle gjithë ditën. Në këtë diotë fëmijët e vegjël, më shumë vajzat, ngrihen që në mëngjes, me qeska e me shporta në duar dhe venë nëpër shtëpit për të mbledhur miell, gjalp e vezë që të bëjnëdhe ato lakruar për rusicat. Kur venë nëpër shtëpitë, këndojnë këngën e rusicave. Pastaj si i mbledhin këto, i shpien në një familje; aty gatuajnë, e pastaj hanë drekë, duke kënduar e duke hedhur valle. Pas drake çdo grup vesh nga një vajzë të vogël sin use dhe e shëtit nëpër rrugët e katundit. Ndaj të perënduar të diellit dalin jashtë katundit, duke kënduar se do të venë të mbulojnë nënën e diellit. Atje, si rrëmihin me shat një gropë në formë varri, bëjnë fytyra njerëzish prej balte dhe i mbulojnë me dhè në gropat e hapura; pastaj mblidhen rreth gropës, duke vajtuar e duke thënë: “nëno, moj nëno, ardhi dielli e nuk të gjeti”. Pas kësaj ndajnë dhe misra të ziera pranë gropës përs shpirtin e nënës së diellit. Si mbarohet ceremonia, mblidhen së bashku grupet dhe vijnë duke kënduar në katund dhe shpërndahen nëpër shtëpit’ e tyre. Sipas Gjergj Komninos, në Pogradec në këtë ditë këndohet kënga e rusicave, që në librin e Institutit të Shkencave “Këngë popullore lirike”, Tiranë, 1955, ka nr. 35
SHËNGJERGJI: Në rrethet e Korçës, duke gdhirë dita 23 Prill, ditën e Shëngjergjit, të vegjël e të mëdhenj ngrihen herët që të mos i zerë dielli në gjumë e dalin jashtë katundit, ku gjejnë shelgje me gjethe; këputin nga një degë dhe e mbështjellin pas brezit, duke besuar se, kur të prashiten misrat, nuk kanë dhembje mezi; sjellin dhe disa degë të tjera në shtëpi e duke i thurur kurorë i venë rreth tundësit që të jet’ i ftohët bulmeti, kur të mblidhet në verë; u vënë nga një kurorë të gjitha enëvet të bulmetit dhe të ujit. Gjithë ditën mblidhen grumbuj nëpër lagjet dhe peshohen. Në Polenë, ditën e Shëngjergjit, gratë ngrihen që në mëngjes shpejt, marrin enët dhe venë të mbushin ujë. Kur kthehen, u vënë enëvet nga një degëzë shelgu. Shumë të tjerë dalin e shëtisin dhe ku gjejnë ndonjë shelg a plep marrin degëza dhe i vënë në krye edhe në mes. Në Drenovë venë e varen nëpër thanë që të jenë të shëndoshë e të kuq si ajo. Çdo shtëpi do të therë gjëkafshë: këndes, shqerë a tjatër gjë. Këtë ditë marrin zile dhe dalin eshëtitin shtëpi më shtëpi o kopësht më kopësht që të trëmbin krimbat që të mos hanë pemët e lulet. Në Tiranë, në këtë ditë, këndohet kënga nr. 36, sipas librit të vjetyër të Komninos, që kemi marrë si burim referimi për njësitë folkorike. Kënga nr. 13, shih f. 270, sipas këtij teksti: “Llazoret ke dera,/ dil se po vjen vera!/ Llaxore, llaxoricka,/Due venë qi t’ban lariska./ po s’ma dhe,/Ka qori/ Të shkoftë plori;/ Ka carani/ T’ shkoftë shegani!” këndohet prej shpatarakëve ditën e Pashkëve e të Shëngjergjit. Pikërisht kjo njësi folklorike është regjistruar në Shëngjergj të malësisë së Tiranës.
PËR TË RËNË SHI NË VERË: Kur bën thatësir’ e madhe në verë të rinjtë bëjnë “dordolec”; veshin një shokun e tyre me fier e venë me ‘të në shtëpi e këndojnë. Në këtë kohë del nga shtëpia, i hudh dordolecit një qyp ujë në kokët dhe i gostit djemtë me vezë e të holla. Këndojnë këngën nr. 19, shih f. 272, në librin e cituar, sipas këtij teksti: “Dordolec, bjerna shi/ Të na bëhet misri i ri,/ Misri i ri sa trari,/ Të na mbushet hambari”. Kënga nr. 32, f.275, sipas këtij teksti: “Mâ sa i dhemb gjâ caracit,/ Nj’aqi më dhimbt mu;/ O carac, e im vlla,/ Vlla s’të kam e vlla do t’zâj,/ Ethet e mia ty do t’i laj./ O mal i Dajtit,/ Më marsh të ligat e shtatit!/ O mal i zi,/ Më jep shëndet e fuqi!/ O zogu fluturac,/ Marrç të ligat e fukarasë!/ O zogu i zi,/ Marrç të ligat e djalit të ri!” ëshët regjistruar në malësitë e Tiranës dhe, sipas banorëve, janë fjalë thonë plakat, kur yshtin fëmijët.
SHËNIM: vijon numrat e ardhshëm të “DIELLIT” do të paraqesim fjalorthin e duhur, shënime rreth disa këngëve, gjithë tekstet e këngëve rituale për Ditën e Verës, Llazoret, Kolendrat, vitin e ri etj., si dhe festa të tjera të motmotit,sipas interpretimeve nga studiuesit bashkëkohorë
*) Master Shkencor për Etnologji dhe Folklor, Qendra e Studimeve Albanologjike, Tiranë.
Drejtor i Bibliotekës Qendrore “Nermin Vlora Falaschi”,
Universiteti i “Ismail Qemali”, Vlorë, Albania.
Konica says
Prisja nga autori te shpjegonte nese festa e Shengjergjit eshte fest pagane apo fetare. Festimet e shengjergjit qe ka pershkruar ne Korce ndodhnin edhe ne disa zona te veriut te Shqiperise. Do ishte me interes pra te hidhje drite ne aspektn e origjines dhe natyres se kesaj feste.
albert Habazaj says
I nderuar lexues! Festa e Shëngjergjit(23 prill a 6 maj) në origjinë ka pasur të bëjë me kultin e pjellorisë e të prodhimtarisë bujqësore. Më vonë kjo festë ndër popuj të ndryshëm u krishterizua në rite. Bile Shëngjergji na paraqitet në pikturat kishtare e në përgjithësi në mitologjinë kishtare dhe si simbol i krishterimit kundër paganizmit, mbytës i simbolit të së keqes, përbindëshit pagan në pamje gjarpri a hardhuce gjgande. Kjo festë njihej thuajse në të gjitha krahinat e vendit tonë, në Jug e në Veri, në të tëra besimet, jo vetëm në Korçë. Në Lumë, në Has, Macukull e në ndonjë vend tjetër quhet dhe Kryeviti, pra Viti i Ri…Shëngjergji, nga e gjithë përmbajtja e tij, në rite, ka lidhje me ringjalljen e natyrës dhe të jetës e në këtë kuptim ka shumë pika të ngjashme me Ditën e Verës. Edhe sipas Akademik Mark Tirta, Shëngjergji është një kultet e bujqësisë. Në shkrimet e botuara për festat kalendare tradicionale hodha dritë vetëm mbi kontributin e të paharruarit gjergj Komnino, sepse gati qe harruar.Për më tepër, në vijim do të shkruaj në gazetën tonë të dashur “Dielli” mbi ç’ka unë di dhe mbi çfarë kam studiuar lidhur me festat e motmotit, të njohura si kulte të bujqësisë dhe të blegtorisë nga të parët.
Të respektoj dhe të vlerësoj për interesimin.
autori i shkrimit,MSc Albert HABAZAJ