Dhoma e Biznesit të Diasporës Shqiptare ka kremtuar sot një vjetorin e themelimit të saj. Ndryshe nga sa do të ishte festuar një ngjarje kaq e madhe në kushte normale, për shkak të situatës së rënduar nga shtimi i rasteve të të prekurve me COVID-19, ky një vjetor më shumë se një festë e madhe për të kremtuar arritjet e Dhomës ishte një takim virtual me pjesëmarrjen e më shumë se 100 miqsh, mbështetësish dhe anëtarësh të Dhomës së Biznesit të Diasporës.
Në fjalën e tij të hapjes kryetari i Dhomë së Biznesit të Diasporës Z.Ardian Lekaj tha se viti 2020 deri tani ka qenë një vit i vështirë, për të gjithë. “Sot jam shumë krenar që më në fund po realizohet një ëndërr. Shumë e më shumë njerëz po e kuptojnë se Diaspora ka vlerën e saj dhe se nëpërmjet Diasporës mund të arrihen suksese të reja. Ne në këto momente nuk jemi gjë tjetër veçse një ajsberg, të cilit i shikohet vetëm pjesa e sipërme dhe pjesën nën ujë do ta shohim më vonë”, – u shpreh Lekaj.
Ndërsa ministri i Shtetit për Diasporën, Z. Pandeli Majko në fjalën e tij përshëndetëse tha: “Dhoma e Biznesit të Diasporës Shqiptare është një nga projektet më ambicioze që ne kemi nxitur në këtë periudhë. Dhe besoj dhe uroj që Dhoma e Biznesit do të jetë vërtet një projekt, i cili do të bashkojë të gjithë shqiptarët. Diaspora Shqiptare nuk është një projekt vetëm i një shteti. Kjo është arsyeja qe Shqipëria ka lidhur marrëveshje edhe me Kosovën, është në proces edhe me Maqedoninë e Veriut si dhe me Malin e Zi . Mendoj që forca e bizneseve shqiptare në Diasporë, por edhe e partnerëve të tjerë , ka shumë rëndësi. Pasi mendoj që ne kemi hedhur hapat dhe strukturat për të krijuar një Dhomë vërtetë ambicioze.
President i Nderit i Dhomës së Biznesit të Diasporës, z. Lazim Destani, duke falenderuar gjithë anëtarët e kryesisë dhe stafin e Dhomës së Biznesit për punën e bërë me përkushtim gjatë gjithë kësaj periudhe, që nga themelimi i Dhomës tha se kjo ka qenë kjo një periudhë shumë e jashtëzakonshme, e nisur me pasojat e tërmetit për të vazhduar pastaj me telashet që shkaktoi pandemia.
“Në këto rrethana tejet të vështira u dëmtuan shumë familje e shumë biznese, si në vendet tona ashtu dhe në Diasporë e kudo në botë. Të ndodhur përballë këtyre vështirësive Dhoma nuk është ndalur, përkundrazi, gjithsecili kemi zhvilluar aktivitete gjatë gjithë kohës. Së bashku edhe me Kryetarin e Dhomës, z. Ardian Lekaj, kemi zhvilluar disa takime virtuale por edhe takime direkte me partnerë të ndryshëm europianë. Kemi zhvilluar gjithashtu takime bashkëpunimi me Rrjetet e Bizneseve në vende të ndryshme të Europës si dhe jemi në kontakte të vazhdueshme me kompani të fuqishme të pjesëtarëve të Diasporës sonë. Jemi me plot shpresa për të bërë punë të mira, për të realizuar investime e për të hapur vende pune të reja. Uroj sa më shpejt ta lëmë prapa pandeminë, në mënyrë që ditët, javët dhe muajt në vijim të jenë gjithnjë e më të favorshëm për mëkëmbjen, zhvillimin dhe funksionimin e bizneseve”, – tha ai.
Duke bërë bilancin e një viti punë kryetari i Dhomës së Biznesit Ardian Lekaj tha: “Filluam ditën e tërmetit, u mblodhëm të gjithë së bashku në zonat ku kishte rënë tërmeti. Pyetja më e madhe në ato momente ishte: Do vazhdojmë, do të bëjmë hapjen apo nuk do të vazhdojm? Ne vendosëm të vazhdojmë të bëjmë hapjen, për arsye se jeta e re fillon në gërmadha. Dhe ditë për ditë nga pak, filluam të zgjerojmë networkun, dhe të krijojmë kontaktet tona. Tani jemi në fazën e mbledhje së informacioneve, pas kësaj faze kemi filluar me aleanca, dhe pas aleancave fillojnë projektet konkrete. Projektet konkrete ecin edhe paralelisht dhe ju do të shikoni dhe shembuj konkret.
Por pavarësisht një viti të vështirë Dhoma e Biznesit të Diasporës ka arritur të realizojë një sërë projektesh dhe bashkëpunimesh, si:
Bashkëpunimi me Dhomën e Tregtisë Shqiptare në Itali;
Marrëveshje dhe Bashkëpunim me Kompaninë Marlotex dhe Organizatën Ëold Vision për shpërndarjen e 20 mijë maskave për nxënësit e shkollave publike 9-vjeçare dhe të mesme;
Organizimin e dhurimit të 5 mijë testeve COVID-19 Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, dhuruara për Shqipërinë nga tre biznesmenë të Diasporës shqiptare Z. Lazim Destani, President Nderi i Dhomës së Biznesit të Diasporës dhe themelues i Kompanisë “Ecolog International”, Nazmi Viqa, përfaqësues i Kompanisë “Abbruch AËR” dhe Remzi Ejupi, përfaqësues i Kompanisë “Eurokoha”;
Marrëveshje Bashkëpunimi me Dhomën Amerikane të Biznesit, si dhe zgjerimi i bashkëpunimit të DHBD me rrjetet ekzistuese të diasporës në Zvicër, Gjermani, Itali, Belgjikë, Luksemburg;
Marrëveshja me Universitetin Jo-Publik “Marin Barleti” për trajnimin e stafit dhe anëtarëve të DHBD.
Organizimin e forumit ekonomik “Albania Gateway to the Balkan” në Roterdam, të cilit iu bashkuan rreth 100 biznesmenë nga Holanda, Belgjika dhe Gjermania;
Organizimin e Samitit të Grave te Biznesit në bashkëpunim me Fondin dhe Ministrinë e Financave, me pjesëmarrjen e profesionisteve të reja, studente, gra akademike dhe eksperte në fushën e biznesit, përfaqësues të institucioneve shtetërore si dhe të organizatave ndërkombëtare, veçanërisht ato me fokus gratë dhe zhvillimin e tyre në fushën e biznesit dhe sipërmarrjes, ku u prezantuan dy platformat elektronike “Rrjeti i profesionistëve” dhe “Si të bësh biznes në Shqipëri”.
Projekti i radhës i Dhomës së Biznesit të Diasporës Shqiptare në bashkëpunim me Cooperazione Italiana dhe IOM, i cili pritet të lancohet më 18 dhjetor është “Connect Albania”. Një projekt ambicioz, i cili do të nxisë ndërmjetësimi e ardhjes së investimeve në Shqipëri nëpërmjet përfaqësuesve të Diasporës.
“Të gjitha këto nuk do të ishin bërë të mundura pa mbështetjen e një personi që ndoshta ka qenë motivatori, inisiatori më i madh në të gjithë vitet e fundit për Diasporën Shqiptare. Ky person ka ndihmuar jo vetëm shqiptarët në Shqiperi, ka mbështetur jo vetëm shqiptarët brenda kufijve të vendit por edhe ata ne Kosovë. Maqedoninë e Veriut apo Malin e Zi. Ndaj në duam të nderojmë me këtë çmim që ne e quajmë “Vizioni Diasporës Shqiptare”, z. Pandeli Majko, – përfundoi Lekaj.