Shkruan: Enver Bytyçi/
Akademiku i Kosovës, shkrimtari Mehmet Kraja, shkruan diku se kur takoi më 1991-in Nexhmije Hoxhën, ajo nuk e kishte fshehur nostalgjinë e saj për Beogradin: „Ah Beogradi, një qytet magjepës, midis Danubit dhe Savës“. Ajo e kishte vizituar kryeqytetin serb në vitin 1946 duke shoqëruar bashkëshortin e saj, diktatorin shqiptar, Enver Hoxha, e ndoshta bukurisë së vizitës së parë i kishte shtuar dhe udhëtime të tjera më pas, derisa më 28 qershor 1948, pra në ditën e Shën Vodovdanit serb, bashkëpunimi, e për pasojë vizitat e kontaktet fizike, u ndërprenë.
Kjo nostalgji e shoqëroi venë e diktatorit deri në ditët e sotme. Por ditë për ditë po bëhet e ditur se nostalgjikët nuk i përkasin vetëm periudhës së miqësive të mëdha e „të pathyeshme“ të kohës së komunizmit. Lajmet që vijnë nga Presheva në Tiranë janë vërtetë sa të idhëta, edhe shqetësuese. Nostlagjik i Beogradit duket se është vetë kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, i cili prej gati pesë muajsh e ka bërë refren dëshirën e tij për ta vizituar kryeqytetin e Serbisë, madje në formën e një kërkese të pakthyeshme e të pakusht në negocime. Në janar të këtij viti mediat serbe dhe ato shqiptare u morën gjatë me një vizitë të parashikuar të zotit Rama për t´u bërë në Beograd brenda shkurtit. Më vonë marrim vesh se për këtë është bërë fjalë në dhjetorin e vitit të kaluar.
Ishte një lajm i pazakontë, po të kemi parasysh se të gjitha vizitat e zotit Rama janë bërë pa paralajmërime mediatike ose me paralajmërime disa ditë ose disa orë para tyre. Madje kështu ndodhi edhe me vizitën në Berlin, e cila u njoftua tri-katër ditë para nisjes së delegacionit shqiptar, gjë të cilën ai e shiti si „modesti“ të tij për të mos u mburrur me ftesa të tilla, qofshin ato edhe të kancelares gjermane, Angela Merkel. Ndërkaq mediat afër kryeministrit dërguan në Berlin reporterë e gazetarë specialë dhe sollën në vëmendje të opinionit publik kohën e vizitave të diktatorit shqiptar jashtë vendit ose të pritjes nga ana e tij të delegacioneve të vendeve mike, si në rastin e vizitës së Nikita Hrushovit ose të Çu En Lait në Tiranë. Aq shumë lavde, metafora, krahasime dhe imagjinatë lavdëruese u shfaq në reportazhet e Top Kanalit, sa nuk patën të krahasuar me reportazhet e vizitës së diktatorit në Kukës e Tropojë më 1970, apo në Gjirokastër më 1978-ën. Modestia shpesh herë na del kështu si farsë dhe përpjekje për të manipuluar publikun. E tillë ishte dhe vizita e fundit në Vatikan, për të cilën kryeministri njoftoi se kishte qëndruar në audiencë me Papën më shumë se një orë, kur Barak Onama pati shansin para disa javësh të qëndronte vetëm 20 minuta me kreun e Vatikanit.
Historia e kësaj vizite në Beograd, të paralajmëruar rreth katër muaj më parë, shkon çdo ditë duke u sqaruar më tej falë përpjekjeve të gazetarëve në Preshevë. Janë autoritetet e Beogradit ato që po na bëjnë me dije se kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, nuk ka patur ftesë për të shkuar në Beograd, por ka kërkuar vetë të bëjë një vizitë të tillë zyrtare në Serbi. Në gazetën „Danas“ të Beogradit, ai, para një jave ka thënë se, „Më lejoni të theksoj se e kam mirëpritur ftesën e ardhur nga Qeveria e Beogradit….“ duke shtuar „Besoj se vizita do të realizohet në kohën e duhur, që uroj të jetë një kohë e shpejtë, gjithsesi pas përfundimit me sukses e në të mirën e popullit serb të procesit politik në vendin e tyre“. http://ëëë.shekulli.com.al/ëeb/p.php?id=45717&kat=87
Por gazetarët e agjensisë së lajmeve „Presheva jonë“ kanë investiguar më tej dhe korespondenti i saj në Nish ka zbuluar faktin se kryeministri i Shqipërisë nuk kishte asnjë ftesë prej homologut të tij për të bërë vizitën e shumpritur në Beograd. Ai thotë se për këtë vizitë kërkesa është bërë nga zoti Rama. Në të vërtetë këtë fakt e kishte pohuar vetë ministri i Punëve të Jashtme të Serbisë, Mrkiç, kur thotë se “Kryemnistri shqiptar ka kerkuar të vijë në Beograd. Mbetemi me shprese se kjo vizitë do të realizohet kah pranvera, kah pjesa e dytë e muajit mars… » (“Albanski premijer tražio da dođe u Beograd!”). Edhe gazetës „Shqip“, Mrkiç thoshte shprehimisht „Rama është i mirëpritur në Serbi. Unë isha në Tiranë dhe e shijova mikpritjen e miqve tanë shqiptarë… ». Ai bën me dije se kjo vizitë ishte synuar të bëhej që në dhjetor të vitit të kaluar, dmth para pesë muajve. Dmth, „meqenëse Rama këmbngul të vijë ne Beograd, neve, qeverisë së Beogradit, nuk na mbetet tjetër, veçse ta mirëpresim“.
Zoti Rama e justifikon shtyerjen e vizitës në Beograd me zhvillimet politike në Serbi dhe mesa duket nuk ia ka ënda të shohë disa aspekte të tjera të procesit diplomatik e politik. Agjenda e Beogradit duket se nuk është t´i bëjë shërbimin e duhur mikut dhe mysafirit të rrallë nga Shqipëria, por se si ta kapitalizojë sa më shumë nga pikëpamja politike dhe nacionale këtë vizitë. Nëse vemë re botimet në Beograd dhe njoftimet e komentet rreth kësaj vizitë duket qartë një përpjekje për të barazvlerësuar vizitën e zotit Rama me vizitën e diktatorit shqiptar, Enver Hoxha, të zhvilluar në vitin 1946. Paralelizmi midis këtyre dy vizitave mund të interpretohet thjesht si simbolikë, dmth, se pas ish-kryeministrit Enver Hoxha, i pari kryeministër shqiptar që viziton kryeqytetin serb është kryeministri aktual, Edi Rama. Por nuk duket që ky krahasim të jetë vetëm simbolikë. Dihet tashmë politika servile e udhëheqësit komunist, Hoxha, ndaj udhëheqësit komunist jugosllav, Tito. Edhe vizita e tij në Beograd njihet si një vizitë servile dhe nënshtruese, siç kanë qenë të gjitha vizitat, takimet e lidhjet e diktatorit me aleatët e tij të mëvonshëm, Bashkimin Sovjetik dhe Republikën Popullore të Kinës.
Një konotacion të tillë po merr tashmë vizita e zotit Rama. Fakti se në Beograd po e „tradhëtojnë „ hapur zotin Rama, duke i mëshuar shumë idesë se „Jo, ne nuk e thirrëm, ai dëshiron (për mua këmbngul) të vijë e vizitojë Beogradin“, dëshmon se ekziston një ngjashmëri e tillë me atë të vitit 1946. Dhe nëse shihen qoftë dhe pak prirje të tilla, gabimi politik e diplomatik i Tiranës zyrare do të ishte shumë herë më i dënueshëm sot, sesa para gati 70 viteve, qoftë dhe thjesht për shkak se pozita e shqiptarëve sot është e duhet të përceptohet krejt e ndryshme nga ajo e vitit 1946. Kryeministri i Shqipërisë shkon në Beograd si përfaqësues i një vendi me prestigj e autoritet të barabartë ose më të madh sesa prestigji i shtetit serb, ndërkohë që më 1946 Jugosllavia ishte caktuar në Jaltë si „kujdestare“ e Shqipërisë. Ky prestigj dhe autoritet në rritje i vendit tonë është produkt i paraardhësve të zotit Rama, rezultat të cilin ai nuk duhet të guxojë ta zhvleftësojë.
Nga ana tjetër, se zoti Rama këmbngul të vizitojë Beogradin, madje me insistim, duket qartë për shkak të injorimit prej tij të një rregulli diplomatik. Shkuarja e zotit Rama në Beograd, ende pa tentuar asnjë prej kryeministrave të Serbisë për ta vizituar Tiranën, injoron një realitet të hidhur dhjetravjeçar në marrëdhëniet midis Shqipërisë dhe Serbisë. Si rregull në diplomaci ai që ndjehet më shumë fajtor shkon dhe „falet“ te pala tjetër. Vizita e zotit Rama ka simbolikën e shfajësimit për ato që kanë ndodhur në 100 vitet e shkuara midis të dy vendeve e dy popujve. Madje këtë ai e thekson në një farë mënyre edhe në intervistën që i ka dhënë gazetës së Serbisë „Danas“. Gazetari i drejtohet disi me provokim, kur pyet: – Si ndiheni në rolin e Kryeministrit shqiptar, i cili pas gati shtatëdhjetë viteve do të vizitojë Serbinë? Herën e fundit kur një kryeministër shqiptar ka qenë në Bograd, ka qenë vizita e Enver Hoxhës në vitin 1947, dhe atë si mysafir i Josip Broz Titos dhe i federatës të atëhershme jugosllave. Dhe zoti Rama përgjigjet: „Ndihem me fat që jam njëri prej Kryeministrave të asaj, që pas marrëveshjes Kosovë-Serbi, mund të quhet koha e re e rajonit. Ndjej mirënjohje për të gjithë punën e sakrificën e njerëzve, pa rëndësi kombësia a nacionaliteti, pa rëndësi profesioni apo krahu politik, që bënë të mundur këtë kohë. E di që ka shumë faktorë që bëjnë ndryshimin, që sot na vendos në një kontekst krejt të ri, dhe unë jam posaçërisht i gëzuar që më jepet shansi, përsa i përket përfaqësimit të Shqipërisë, që të ndryshojmë marrëdhëniet mes vendeve tona në këtë kontekst. Kemi humbur kohë. Por ajo që mendoj tani, nuk është sa vite kanë kaluar, çfarë nuk kemi bërë, por sa vite kemi përpara dhe sa shumë kemi për të bërë. Do të doja të sjell në vëmendje se 2014 është viti i parë pa konflikte të hapura në historinë e Ballkanit dhe përkimi i këtij viti me 100 vjetorin e Luftës së parë Botërore, që nisi pikërisht në Ballkan, është mjaft domethënës për të pasur idenë e plotë të ndryshimit historik që ka ndodhur me marrëveshjen mes Kosovës e Serbisë“.
Kjo përgjigje nuk i dha drejtpërdrejt atë që priste gazetarit të „Danas“, por na sjell para faktit se kryeministri shqiptar ndjehet përgjegjës për atë që ka ndodhur në marrëdhëniet midis shqiptarëve dhe serbëve në këto 100 vite. Në mos më shumë, së paku po aq sa edhe politika në Beograd. Ndërsa udhëtimi prej mbi 700 km nga Tirana në Beograd i bën de facto më shumë përgjegjës shqiptarët sesa serbët për atë që ka ndodhur në një shekull. Pikërisht këtë aspekt të qasjes në marrëdhëniet midis të dy vendeve janë përpjekur ta evitojnë në Beograd, duke mos dashur që kryeministri i Serbisë të ishte i pari mysafir në Tiranë e pas tij të shkonte atje kryeministri i Shqipërisë. Paraardhësi i Ramës, për të mos prishur këtë raport marrëdhëniesh refuzoi ta vizitonte Beogradin sa kohë që ai qëndroi në krye të ekzekutivit shqiptar.
Natyrisht që është një objektiv dhe qëllim madhor ndërtimi i një rajoni në paqe, në stabiltet, në liri, harmoni e të integruar. Por ndërsa qeveria jonë e kërkon këtë harmoni me Serbinë, nuk dëshmon as më të voglën përpjekje për të vendosur ekuilibrin politik brenda vendit që ajo qeveris. Dhe ajo çfarë është kryesore: Më shumë se Tirana, Beogradi duhet dhe ka nevojë të dëshmojë ekuilibrin e marrëdhënieve të tij me fqinjët dhe vendet e rajonit. Rama në kët rast i jep qeverisë së Serbisë një shans të shtuar në përpjekjet e saj për t´u shfaqur para partnerëve europianë si „viktimë e sjelljes së pahijshme të të tjerëve ndaj saj“, e si „vend dhe popull me koncepte e mentalitet protestan“, në marrëdhëniet e saj me Europën. Ndërkohë që Tirana zyrtare i shton shanset që të rriten dilemat në Europë, nëse „shqiptarët kanë gjë të përbashkët me protestanizmin e Martin Luterit, apo jo“, në kuptimin e qytetërimit perendimor.
Dikush mund të besojë se zoti Rama do ta shfrytëzojë vizitën e tij në Beograd për t´i dhënë Bashkimit Europian më shumë prova të politikës së tij stabilizuese, me qëllim marrjen në qershor të statusit kandidat për në BE. Po një investim në një piramidë të ndërtuar e të vlerësuar tashmë në të gjitha raportet perendimore e të të gjitha organizatave ndërkombëtare, besoj se është i pamenduar, i pabazuar, i pasukseshëm. Në vend të kësaj energjitë e kryeministrit duhen adresuar te marrëdhëniet e tij me opozitën, te heqja dorë nga uzurpimi i të gjitha pushteteve, te lufta kundër trafiqeve e korrupsionit brenda të tijëvë e jashtë partisë së tij, te konsensusi politik i sinqertë dhe pa dredhi me kundërshtarin e tij politik…. te…. gjithçka që ka të bëjë me konsolidimin e demokracisë liberale e finksionale në këtë vend.
Ndërkohë midis Tiranës dhe Beogradit qëndron Prishtina, pra Kosova. Më 1946 Tito ia “mori” me të mirë Hoxhës Kosovën. Në mënyrën e tij perfekte, se “nuk do të na kutojë Serbia”. Tani në Beograd thuhet se “Nuk e njohim Kosovën si shtet të pavarur, sepse nuk na kuptojnë serbët”, duke bërë një ndarje midis politikës dhe qytetarëve serbë. Se do të ndodhë kjo, duket edhe nga deklarimet e zotit Rama, deklarime të pavendosura dhe dyzuese. “Për ne Kosova është një shtet i barabartë me shtetet e tjera në rajon”, shprehet kryeministri shqiptar për gazetën “Danas”. Kushdo do të shtronte pyetjen: Pse për ne?! Pse jo dhe për të gjithë të tjerët, për vendet e BE-së, të NATO-s, të rajonit?! Pse jo dhe për vetë Serbinë?! Mos mes këtyre rrjeshtave Rama dëshiron të justifikojë politikën e bllokimit, të provokimit dhe të destabilizimit të Serbisë ndaj Kosovës, politikë e cila vijon edhe pas nënshkrimit të marrëveshjes së 19 prillit 2013 midis Prishtinës e Beogradit?! Mos ndoshta ai e justifikon mosnjohjen e shtetit të Kosovës nga ana e shtetit të Serbisë?!
Në këtë kontekst vizita e kreut të ekzekutivit shqiptar në Beograd është më shumë se një vizitë e dështuar. Për më tepër është një vizitë, e cila ia heq mundësinë qeverisë serbe që të shfaqë ndjesë për krimet e mëdha kundër shqiptarëve. Eshtë një vizitë, e cila ndihëmon në vendosjen e paternalizmit të Beogradit mbi Prishtinën e forcimin e ndikimit të të tij në Tiranë. Eshtë një vizitë, e cila kapitalizon lidhjet e vjetra të Shqipërisë me lindjen, si dhe shton shanset për diversion të vazhdueshëm të lindjes në Shqipëri. Shumëkush do të thoshte se “Tashmë jemi një vend i NATO-s dhe kjo është e pamundur”. Por rasti i Greqisë, një vend anëtar I NATO-s që nga vitit 1952, dëshmon se kokën ajo e ka pasur e vazhdon ta ketë në lindje e trupin në Perendim. Ne nuk duam një vend të tillë. Shqiptarët duan një vend të merituar në dy komunitetet më të mëdha perendimore, në dy aleancat më demokratike të botës e njëkohësisht më të fuqishme të globit, në NATO dhe në Bashkimin Europian.
Ndërkaq ka njerëz që thonë gjithashtu se “ Edhe Serbia është për integrimin në BE”. Por politika e saj është plotësisht e ngjashme me politikën greke, duke tentuar që kokën ta mbarë në Moskë dhe trupin në Bruksel. Madje duke u bërë urë lidhëse midis Moskës e Brukselit, sigurisht në ndihëmë të ambicieve të Kremlinit në Ballkan. Nëse zoti Rama përmend integrimin rajonal si kusht të integrimit europian, kjo maksimë vlen më shumë për Serbinë, të njohur tashmë si destabilizuese e raporteve ndërshtetërëore në rajon, sesa për Shqipërinë, e njohur dhe e çertifikuar si restauruese e politikave konstruktive në marrëdhëniet rajonale.
Përfundimisht mund të shkohet në përfundimin se një vizitë e kërkuar me ngulm për në Beograd, një vizitë nështruese dhe faljekërkuese pa bërë asnjë faj, është dhe mbetet një vizitë e motivuar nga nostlagjia për marrëdhëniet e vjetra midis të dy vendeve tona. Makiazhi i tregut të lirë, i lidhjeve të ngushta rajonale e të tjera si këto, janë thjesht produkti për tregun mediatik, për të prodhuar moderacion, nga një personalitet politik, i cili vetëm moderacion në sjelljet e tij me partnerët e brendshëm, duke filluar te partia qe drejton e përfunduar te opozita, nuk prodhon.