
Sokol Paja/
Në Federatën Vatra mbrëmë ishtë një vizitë familjare shumë e veçantë. Patrioti Endrit Himaj i cili shërben si imam në Komunitetin Shqiptar Islam (Albanian American Muslim Community) në Waterbury, Connecticut familjarisht vizitoi Vatrën dhe u anëtarësuan në Federatën kështjellë të shqiptarizmës në Amerikë. Ata u mikpritën nga editori i Diellit dhe anëtari i kryesisë Ilir Cubi të cilët u shpjeguan imtësisht veprimtarinë historike, kulturore dhe patriotike të Vatrës dhe të Diellit. Bashkëshortja Egzona dhe Endrit Himaj vlerësuan rolin e Vatrës dhe u shprehën të lumtur për të dhënë kontributin e tyre në Vatrën Pan-Shqiptare, institucion me vlera të thella historike dhe kombëtare për diasporën shqiptare të Amerikës.
Ata erdhën bashkë me fëmijët e tyre si thirrje për patriotët dhe dëshmi e vazhdimësisë kombëtare e patriotizmit në mërgatën shqiptare të Amerikës. Prej më shumë se 6 vitesh, Egzona dhe Endrit Himaj janë pjesë aktive e komunitetit shqiptar në Waterbury, duke kontribuar me përkushtim në forcimin e unitetit, ruajtjen e identitetit kombëtar dhe vlerave fetare. Me këtë rast, ata u lutën për të gjithë ata që kanë shërbyer dhe vazhdojnë të shërbejnë me devotshmëri për kombin, fenë dhe atdheun, duke kërkuar bekimin e Zotit për ta dhe për mbarë popullin shqiptar kudo që ndodhet. Vatra dhe Dielli përveç se aseta të çmuara kombëtare, janë institucione të shenjta për shqiptarët e Amerikës.