Adriatik Spahiu*/
Vizitat në Bostonin e shqiptarizmës e kombëtarizmës janë gjithmonë të pa harruara, të shenjta dhe të veçanta. Ky fundvit ishte tejet i veçantë me takime patriotike, vatrane, kombëtare e diellore. Shpreh mirënjohjen time për kryetarin e Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha, kryetarin e Vatrës në Boston z.Mentor Maksutaj, arkëtarin z.Besim Malota, sekretarin e Vatrës Dr. Pashko Camaj, kryetarin e Hartford z.Ilir Gjomarkaj, prof. Thanas Gjikën, z.Petrit Alibeaj e gjithë vatranët e Bostonit për mikpritjen e veçantë e përkujdesjen. Në Boston, Massachusetts takimet vëllazërore me patriotë të shkëlqyer më mbushën zemrën e shpirtin plot. Shqiptarë frymëzues që të bëjnë krenarë me sukseset dhe përçimin e rrezatimin e vlerave kombëtare.
Në promovimin e librit “Porosia e Kullës” të Dr. Pashko Camaj në Harvard University u shpalosen vlerat më të larta atdhetare e më të çmuara letrare shqiptare prej personaliteteve që kumtuan e promovuan letërsinë, kombin, gjuhën e kulturën kombëtare. Në Hartford patriotit z.Ilir Gjomarkaj iu besua unanimisht udhëheqja e proceseve atdhetare e komunitare në krye të degës së Vatrës aty. Në darkën e njëvjetorit të degës Vatra Boston u ekspozua puna e shkëlqyer atdhetare e ekipit të udhëhequr nga z.Mentor Maksutaj dhe u vlerësuan kontributorët rezultativë me gjurmë në Vatër dhe komunitetin tonë.
Mjaft emocionuese ishin vizitat te Kisha e Nolit në Shën Gjergj, guri monumental i Faik Konicës dhe varri i themeluesit të Vatrës Peshkop Fan Nolit. Me lule e flamur kombëtar të sjellur nga patrioti z.Petrit Alibeaj, me lutje e përshpirtshmëri nderova kolosët e shqiptarizmës në Boston dhe u frymëzova prej punës së shkëlqyer të vatranëve që më pritën përzemërsisht. Nënshkrimi i marrëveshjes së funksionimit të degës së Vatrës Jacksonville me Vatrën Qendrore më jep motiv dhe fuqi për të punuar më shumë në shërbim të çështjes kombëtare dhe komunitetit shqiptar në Florida.
Rrugëtimi mbi 112 vjeçar i Vatrës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës është histori, identitet dhe krenari për çdo shqiptar. Vatra do jetojë në shekuj të shekujve. Asnjë individ apo grupim egoist, karrierist, ndarës e përçarës nuk do të mund ta ndalë kurrë Vatrën, sepse Vatra është e kombit, e atdheut, Vatra është e shenjtë.
* Kryetari i Vatrës në Jacksonville, Florida.