Dr. sci. Muharrem Qafleshi/
VALANICA E VETME E SHEFIKAJVE NUK KA TË NDALUR
Dy çekanë të mëdhenj nga druri, të shtyrë nga fuqia e ujit, ngritën dhe prapë përplasen në mënyrë ritmike mbi shajakun e bardhë të thurur nga leshi i deleve.
Dhe kur zhgunat marrin formën e dëshiruar, ndërprehet uji dhe çekanët sikur ndalen të pushojnë.
Është kjo valanica (dërstila) e njohur e Shefikajve, në fshatin Bellobrad të Opojës, mbase e vetmja dhe e fundit në Kosovë dhe më gjerë, që dikur merrej si punëtori e vërtetë e trikotazhit.
Atëbotë, kur zhguni ishte i vetmi tekstil, nga i cili qepshin veshjet e sipërme të meshkujve, sidomos në viset rurale, në këto anë ekzistonin disa valanica.
Megjithatë, dekadave të fundit, kur zhguni dalëngadalë filloi t’ia lëshojë vendin stofit, i cili e vërshon tregun, shumë valanica, në pamundësi për të mbijetuar, njëra pas tjetrës mbyllen dhe duke iu nënshtruar dhëmbit të kohës ato më nuk ekzistojnë.
Por, qëndroi stoikisht vetëm valanica e Shefikajve, e cila edhe sot vazhdon punën e saj.
Për këtë objekt me traditë qindravjeçare sot përkujdeset Sabir Shefiku.
Po nesër?
Ata shpresojnë se këtë zeje nuk do ta braktisin as pasardhësit e tyre.
Valanica, një mekanizëm i ndërtuar tërësisht nga druri, përbëhet nga një rreth me dy çekanë të mëdhenj, që lëvizë fuqia e ujit dhe përplasen njëri pas tjetrit mbi një arkë ku është vendosur zhguni, i cili rrahet derisa e merr formën e dëshiruar.
Kështu formësohet zhguni i trashë, nga i cili, gjatë rrokullisjes së shekujve, qepeshin rroba të nxehta, të cilat i mbroni malësorët nga dimrat e ashpër e me shumë borë.
Asokohe, për familjen e Shefikajve, ndër më të mëdhatë në këto anë, i vetmi burim i ekzistencës ka qenë kjo valanicë.
Madje flitet se kjo familje ka jetuar mirë, ngase valanica e tyre punonte pa ndërprerë.
Shërbimet e saj i shfrytëzonin banorët e fshatrave të Opojës, të Gorës, Vërrinit, Podrimjes, e madje edhe të Dukagjinit, Tetovës e Gostivarit, pohon pronari i mëhershëm i saj, Sadri Shefiku.
Ndërkaq tani, kur janë të rrallë ata malësorë që e përdorin shajakun e trashë të leshtë për tirqit e jakët e tyre tradicionale, gjërat kanë ndryshuar rrënjësisht.
Andaj, një mungesë të shajakut kjo valanicë e fundit në Kosovë vihet në funksion rrallë e më rrallë, ngase, për t’u aktivizuar çekanët, më parë duhet të grumbullohen 120 kuti shajkë (1 kut është e barabartë me 64 ose 80 cm ).
Kjo sasi e grumbulluar e shajakut, pasi qepet, futet në arkën e çekanëve, të cilët aktivizohen dhe pa përtesë fillojnë veprimin e tyre të rëndomtë.
Tani nuk mund të jetohet nga valanica, ngase fitimet janë më pak se simbolike, mirëpo kjo familje, për arsye të shumta, është e vendosur që të mos e braktisë këtë objekt të rrallë, i cili më vonë, mbase do të ketë vlera të mirëfillta.
Nga vëllezërit Shefiku bëhet e ditur se Instituti Rajonal për Mbrojtjen e Monumenteve, me seli në Prizren, këtë valanicë në zë e ka vënë nën mbrojtjen e vet.
Kjo, i gëzon pa masë Shefikajt, të cilët shpresojnë se tani kjo do të jetë më shumë se valanicë, ngase në këtë mënyrë do të shndërrohet në një monument të rrallë, i cili do t’u dëshmojë gjeneratave që do të vijnë pas nesh për punëtoritë e para të trikotazhit, gjithandej ndër viset shqiptare.