
Luan Rama/
Një takim mjaft interesant u zhvillua mbrëmë në Maison d’Albanie mbi historinë e pikëtakimeve franko-shqiptare në fushën e arkeologjisë, e cila filloi 100 vjet më parë si një nga aventurat më të bukura në këtë fushë, kur për herë të parë për këtë qëllim erdhën në Shqipëri senatori francez Justin Godard dhe arkeologu Leon Rey. Ata vinin të nënshkruanin Protokollin e Bashkëpunimit Francë-Shqipëri për kërkimet arkeologjike. Pas kthimit në Paris, Rey u rikthye shpejt në Shqipëri për fillimin e misionit të tij, dhe fillimisht në Durrës. Por ishte Apollonia që e pasiononte më shumë, për të cilën flisnin shumë autorë antikë dhe ku dikur kishte studjuar në akademinë ushtarake të qytetit nipi i Cezarit, Octavi, i cili do të bëhej dhe perandori i parë i Romës antike. Por shpejt Rey u zhgënjye pasi Apollonia ishte mbuluar nga barishtet dhe ferrat shekullorë. Do të ishte zhdukja e një dhelpre, që e çoi drejt një vrime ku shpejt do te zbulonte objekte të rëndësishme të qytezës antike. Pak më vonë, shumë monumente do të dilnin në dritë në këtë qytet hijerëndë siç e përcaktonte dhe Ciceroni « Magna urbs e gravis ».
Për jetën e Léon Rey foli gjatë biri i tij Jean-Gabriel Rey. Po kështu mbajtën fjalën dhe të ftuarit e tjerë si François Quantin, profesor dhe drejtor tashmë i Ecoles Pratiques des Hautes Etudes pranë Sorbonne-s si dhe arkitekti Philippe Lenhardt, të cilët folën për eksperiencën e tyre gjatë këtyre 30 vjetëve të fundit në Apolloni e gjetkë në Shqipëri, fillimthi nën drejtimin e profesorit të njohur Pierre Cabanes.
Një surprizë e bukur ishte prania e ish ambasadores së Francës, Christiana VASAK e cila kujtoi me shumë dashuri përkushtimin e veçantë të Francës për këtë qytezë të rëndësishme arkeologjike, e cila jo vonë do të na zbulojë të fshehta të tjera të historisë së saj.