
Ernest Marku/
“Fjalori i veprës së Fishtës”, me autor Frano Kullin, asht nji tjeter veper serioze që i shtohet arsenalit të të ashtuquejtunes “Biblioteka e Letrave Shqipe”, duke vendosur nji tjeter gur themeli në rrugen e pasunimit të shqipes dhe të kthimit të saj drejt origjinalitet krijues. Të gjithë e dijmë se vepra e Pater Gjergj Fishtes, ngerthen brenda vetes nji pasuni të pashtershme gjuhësore, me një larmi trajtash e formash, që e ban të vshtirë hartimin e nji fjalori me nji bazë të ktillë fjalësh. Megjithatë, autori Kulli ia ka dalë me sukses nji pune të tillë të mundimshme, tue na dhanë nji veper sa të kompletueme aq edhe lehtësisht të aksesueshme. Fjalori na nep informacionin e duhun per çdo fjalë, nder të tjera edhe se në cilen veper ajo asht pordorë, apo kontekstin në të cilin asht përshi në vargje, deri edhe shprehje apo idioma që e permbajnë atë fjalë. Natyrisht qëllimi kryesor i autorit të këtij fjalori, asht rivendosja e urave të komunikimit midis lexuesit dhe vepres së Poetit Kombëtar, nevojë kjo që evidentohet që në parathanien e tij ku shprehet: “Shkëputja e gjatë shkrimtar-lexues, padyshim që ka krijuar një përthyerje, në mos te kuptimi, te shijimi i veprës së Fishtës”Kulli ka zgjedhur të ndërtojë një fjalor, brenda të gjitha rregullave leksikore, siç do ta kerkonte nji punë profesionale e akademike, pavarsisht vshtirsive të reja që dalin në kët’ drejtim. Shumë idioma apo vargje të tana të Fishtes, asht ma e letë me i shpjegue të plota, ashtu siç bahet rëndom në botimin e veprave poetike të Tij; por autori i k’tij fjalori ka zgjedhun rrugen ma të vshtirë, që asht edhe ma profesionalja në të njajten kohë, tuj na zberthye fjalen në fillim dhe pastaj tuj na prezantue shemujt e perdorimit të saj në vepren e Poetit Kombtar. Për shembull: para se me shpjegue vargun fishtjan: “ia lnuren zemren”, Franoja në fillim shpjegon foljen “l’nur” dhe pastaj e paraqet vargun e masiperm si nji figuracion dhe e shpjegon edhe ate. Në kët kontekst, ky fjalor, përveçse asht nji çeles per leximin e Fishtes, asht edhe nji veper shkencore, e konceptueme me kjartsi dhe mprehtsi akademike.Në fakt, autorët e vertetë të fjalësit të përfshirë në kët’ botim janë Benedikt Dema, Tahir Kolgjini, Nikollë Gazulli, Dod Koleci, Tahir Dizdari, Mehmet Elezi e deri te Tonin Çobani, Stefan Çapaliku e Tefë Topalli me fjalorin e tij shpjegues, në botimet e vepres së plotë të Fishtes nga “Enti Botues Gjergj Fishta”. Profesor Topalli, ka edhe nji kontribut direkt në hartimin e këtij fjalori, kjoftë me orientimet e me këshillat e tij të vyeme, kjoftë me punën redaktoriale që ka ba. Asgjamangut, përpunimi i fjalësit apo vjelja e fjalorëve të tjerë, në funksion të hartimit të fjalorit fishtjan; kerkon nji punë të mundimshme filtruese, investiguese dhe konverguese, të cilen Franoja e ka perballue me sukses. Vite ma parë, autori i ktij shkrimi, pati ndermarrë nji punë per hartimin e nji fjalësi, si nji çelës per veprat e Fishtës, Camajt, Koliqit dhe e korifejve të tjerë të letersisë gege të shekullit XX, tue tentue me ruejtë e me sjellë në kujtesë, mjaft fjalë e shprehje që po rrezikojnë të humbin; por i gjithi ky arsenal fjalësh e shprehjesh, mbeti pa u kornizue brenda rregullave të leksikografisë dhe metodave të trajtimit etimologjik të nji fjalori shkencor. E solla kët’ shembull, per me tregue vleren e punës së autorit Kulli, me kët’ veper dinjitoze, me t’cilen e ka pasunue biblioteken e admiruesve e lexuesve të veprave të Fishtës në veçanti, si dhe të letersisë gege në pergjithsi.Natyrisht që, në konceptin e ndertimit të këtij fjalori, janë të pashmangshme turqizmat, arabizmat e sllavizmat, po ashtu edhe fjalë të fjalorit fishtjan të huazueme nga latinishtja, italishtja, frengjishtja apo gjermanishtja. Fjalët me origjinë lindore apo si me thanë fjalët e huazueme nga popujt brenda Perandorisë Osmane, janë përdorë shpesh prej Fishtes, në zhargonin e kohës kur asht shkrue vepra; gja e cila asht pasë parasysh prej z. Kulli dhe asht respektue gjatë shpjegimit të tyne, sipas kontekstit. Neologjizmat e autorit të “Lahutës së Malcis”, apo edhe fjalë të tjera të fjalorit fishtjan, të cilat janë përdorë apo ngërthejnë kuptime të pashpjegueme ma parë; janë trajtue me kujdes nga ana e autorit të këtij fjalori, duke i shplalue mjaft mirë kuptimet e nenkuptimet, kontesktet e nentekstet; me nji ghuhë të zhdervjellët interpretative, por edhe me ilustrime të larmishme nga teksti. Respekti që Frano Kulli ka ndaj paskajores dhe gjuhës gege në tanësi, e shtyn atë që, gjatë shpjegimit të foljeve me fjalë të fjalorit të sotëm, ai i vendos ato sërish në mënyrën paskajore.Tue e shfletue kët’ fjalor, ndeshesh me fjalë e shprehje që ta ka andja me kenë pjesë e t’folmes t’perditshme, që do ta kishin pasurue e rivitalizue gjuhen shqipe, në perballjen e saj me nderkalljen e fjalve teknologjike apo t’atyne mediatike. Natyrisht që ky nuk ka kenë qëllimi kryesor i autorit të këtij fjalori, por të merresh me fjalorin fishtjan dhe t’mos e kesh kët’ pritshmëni, asht e pamujtun. A munden mos me ta knaqë shpirtin fjalë të tilla si: i amshtë, animirë, ma ka anda, perbind, çukurmoj, gurrojshin, gjakim, gjallon, knellet, ia kande, kacagjelas, kulihum, lazdrues, mbamendje, mirakande, mirgjendje, mungullojshin, prujshem, pamashtri, e patranshme, pretare, papajambajtas, ryset, qanderr, t’lemje, trupoj, e thukët zhgjanderr e plot e plot të tjera? Padyshim që ky fjalor asht nji hap i randsishem perpara n’kët’ terren linguistik, ku enigmat shtohen sa ma thellë që t’futesh dhe ku nderkohë, rriten edhe mundësitë per me zbulue thesare të reja gjuhsore, si edhe per me rizbulue rrajët tona etno-kulturore të mbarsuna në kët skelet të pavdekshem gjuhsor.“Fjalorthi i emnave të njerezve e vendeve, zanave, hyjnive e personazheve mitologjikë” që i bashkanjitet fjalorit si shtojcë, asht nji vlerë e shtueme e k’tij botimi. Emna zanash, perendish pellazgo-ilire apo emna heronjsh të mitologjisë greke apo romake, apo edhe personazhe të letersisë botnore, që nga latinët e helenët e deri te Dantja apo Shekspiri; krah per krah me emnat e herojve dhe të vendeve-arenë të ngjarjeve heroike, t’permenduna kryesisht në ”Lahuten e Malcis”; vijnë n’kët’ fjalor, t’shtjellueme me profesionalizëm, por edhe me erudicion, fantazi e koherencë kontekstuale, si dhe ate të nentekstit fishtjan.Në fakt, ky fjalor, ma shumë se sa Fjalori Vepres së Fishtës, siç e ka emnue autori; do ta quejsha edhe unë siç e pagëzoi profesori e akademiku i asociuar, Stefan Çapaliku, si Fjalori i Gjuhës Shqipe në gjallje të Fishtës. Me kët’ percaktim, po duem me thanë se gjuha e Fishtës asht gjuha e popullit shqiptar, popull mes të cilit e per të cilin ai gjalloi e punoi; popull i cili i kuptoi, i shijoi dhe shkoi deri atje sa i msoi permendësh vargjet e Tij, prej Shkodret e n’Gjinokaster. Ndoshta, ma shumë se bukuria e vargjeve, ma shumë se ndjenja e atdhedashunisë që ato njallen në shpirtnat e shqiptarve; vlera ma e naltë e vepres së Fishtës, qendron te fakti se Ai shkrujti e krijoi mjaft bukur shqip. Kater janë shtyllat mbi të cilat e ndertuen Rilindjen Kombtare, françeskanët me Fishtën në krye, por edhe jezuitët e Mjedës dhe plot patriotë të tjerë, nga Jugu në Veri: “Gjuha, E Drejta Zakonore, Folklori dhe Prralla Shqipe”. Në kët’ kontekst duhet ta shohim vepren e fraçeskanve të papersëritshem të gjysës së parë t’shekllit XX, n’kët kontekst duhet ta njohim e ta vlersojmë Poetin tonë Kombtar, si dhe n’kët kontekst duhet ta mirpresim daljen e ktij fjalori të Frano Kullit.Lezhë, prill 2022Ernest Marku