
Prof. Dr. Fejzulla Berisha
(Ekspert i së drejtës publike)/
I.Përtej dialogut – drejt një arkitekture të re të stabilitetit në Ballkanin Perëndimor
Dialogu ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Serbisë, i ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian dhe i mbështetur nga SHBA-të, ka hyrë tashmë në dekadën e dytë pa prodhuar as zgjidhje përfundimtare, as transformim real në marrëdhëniet mes dy vendeve. Kjo është pasojë direkte e faktit se nuk është trajtuar çështja themelore: njohja e Kosovës si shtet sovran dhe i barabartë në sistemin ndërkombëtar.
Pa zgjidhjen e kësaj çështjeje, të gjitha marrëveshjet tjera – qofshin për energjinë, për lëvizjen e lirë, për njohjen e targave apo për të zhdukurit me dhunë – mbeten teknikalitete të brishta mbi një themel të paqëndrueshëm juridik dhe diplomatik. Njohja e Republikës së Kosovës nga Serbia nuk është çështje formale apo simbolike, por është kriter i domosdoshëm për vendosjen e paqes, përparimit dhe stabilitetit rajonal të qëndrueshëm.
II. Njohja – një akt i drejtësisë historike, jo vetëm i realizmit politik
Republika e Kosovës është rezultat i një procesi të gjatë, të dhimbshëm dhe historik të dekolonizimit nga Serbia. Lufta çlirimtare e viteve 1998–1999, pas dekadash shtypjeje, spastrimi etnik, aparteidi institucional dhe shkeljeje sistematike të të drejtave të njeriut, përfundoi me ndërhyrjen humanitare të NATO-s dhe vendosjen e administratës ndërkombëtare përmes Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit.
Ky ndërkombëtarizim i statusit të Kosovës ishte një akt tranzicioni drejt shtetësisë, i formalizuar më 17 shkurt 2008 me shpalljen e pavarësisë, një akt që u vlerësua nga GJND si i përputhshëm me të drejtën ndërkombëtare. Prandaj, njohja nga Serbia nuk është kompromis politik, por është një detyrim historik për të pranuar realitetin juridik që ka lindur si pasojë e një lufte çlirimtare dhe të një akti të drejtësisë ndërkombëtare.
III. Qasja e gabuar e “neutralitetit statusor” dhe pasojat për sigurinë rajonale
Politika e Bashkimit Evropian për “neutralitet ndaj statusit” ka prodhuar një asimetri të rrezikshme: Kosova trajtohet si palë e barabartë në dialog, por jo si shtet i barabartë në marrëdhënie ndërkombëtare. Ky pozicion nuk është neutral – është i njëanshëm në favor të Serbisë, sepse legjitimon një pozicion mohues, kolonial dhe destruktiv ndaj ekzistencës së një shteti të ri.
Kjo qasje ka pasoja të thella:
-Inkurajon Serbinë të mos e njohë realitetin e pasluftës, duke e përdorur dialogun si mjet për të kontestuar shtetësinë e Kosovës, jo për të ndërtuar marrëdhënie fqinjësore.
-Destabilizon Ballkanin Perëndimor, duke mbajtur hapur një konflikt të ngrirë që mund të shpërthejë në çdo moment.
-Minon besueshmërinë e BE-së si ndërmjetëse, pasi tregon paaftësi për të imponuar parime të së drejtës dhe barazisë ndërkombëtare.
IV. Marrëdhëniet Kosovë–Serbi nuk janë çështje e brendshme, por raport ndërmjet dy shteteve të veçanta
Serbia vazhdon të pretendojë se Kosova është “krahinë autonome” sipas Kushtetutës së saj të vitit 2006. Kjo është një konstruksion juridik i dështuar dhe një shkelje flagrante e realitetit politik dhe të drejtës ndërkombëtare. Marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë nuk janë marrëdhënie të një shteti me një territor të vetin, por janë marrëdhënie ndërmjet dy shteteve që kanë ndarë historinë e dhunës dhe të luftës, dhe që tash kërkojnë të jetojnë si fqinj të pavarur, në paqe dhe me sovranitet të plotë.
Çdo zgjidhje që e nënkupton “autonominë” e Kosovës brenda Serbisë është jo vetëm politikisht e pamundur, por edhe moralisht e papranueshme pas gjenocidit dhe shkatërrimeve që Serbia i ka shkaktuar popullit shqiptar të Kosovës.
V. Pa njohje, nuk ka vullnet të mirë në zbatimin e marrëveshjeve
Të gjitha marrëveshjet e arritura në Bruksel e në Ohër mbeten në letër për shkak të mungesës së njohjes:
-Serbia refuzon ta zbatojë Marrëveshjen e Ohrit sepse e interpreton atë si marrëveshje politike dhe jo juridikisht të detyrueshme.
-Nuk pranon as të hapë mision diplomatik të përhershëm në Kosovë, as ta lejojë Kosovën të anëtarësohet në organizata ndërkombëtare.
-E instrumentalizon çështjen e Asociacionit të komunave me shumicë serbe si një mjet për të krijuar struktura paralele që minojnë sovranitetin e Kosovës, jo si mekanizëm për integrimin e komunitetit serb brenda rendit kushtetues të Kosovës.
Pa njohje, Serbia nuk ka as motivim, as detyrim të sinqertë për të respektuar asnjë marrëveshje, sepse nuk e njeh subjektin me të cilin po nënshkruan.
VI. Rekomandime strategjike për diplomacinë e Kosovës
- Ndryshim paradigme – Nga qasja e menaxhimit të dialogut drejt qasje strategjike për arritjen e njohjes, përmes presionit të partnerëve ndërkombëtarë mbi Serbinë.
- Vendosja e njohjes si kriter për integrimin e Serbisë në BE – Ashtu siç është kërkuar njohja e Kroacisë dhe Bosnje-Hercegovinës për proceset e kaluara të anëtarësimit.
- Ndërtimi i një diplomacie të re agresive, jo mbrojtëse, që e vë në plan të parë drejtësinë e luftës çlirimtare, të drejtën për vetëvendosje dhe shtetësinë e pakthyeshme të Kosovës.
- Mobilizimi i diasporës dhe komunitetit akademik ndërkombëtar për të rrëzuar narrativat serbe në forumet ndërkombëtare.
- Intensifikimi i bashkëpunimit me SHBA-të, si garanci e vetme për të çuar përpara një marrëveshje historike që përfshin njohjen e ndërsjellë si përfundim i dialogut.
VII. Njohja nuk është çmim për Kosovën, por detyrim për Serbinë
Kosova nuk kërkon më njohje si akt lëmoshe apo kompromisi. Kosova kërkon njohje si akt të drejtësisë ndërkombëtare, si pranim i një realiteti të pamohueshëm politik dhe juridik.
Serbia duhet të përballet me të kaluarën, të distancohet nga projektet gjenocidale, dhe të pranojë faktin se Kosova është shtet i pavarur, demokratik dhe i pakthyeshëm.
Vetëm atëherë mund të flitet për paqe të qëndrueshme, fqinjësi të mirë dhe një të ardhme evropiane të Ballkanit.