Rrëfime tronditëse të Alida Blloshmit (Perona) për vëllanë e saj.
Nga Fuat Memelli/
Ishte befasi për mua të takoja në fshatin Sul të Devollit, motrën e poetit martir të diktaturës, Vilson Blloshmi. Kjo njohje zuri fill rastësisht. Dhe ja si ndodhi…
Kur isha me pushime në fshatin tim të lindjes,Sinicë të Devollit, një ditë vjen aty Fatmir Sejdo me origjinë nga Suli, bashkë me dy djemtë e tij, Arti dhe Orion Sejdo si dhe disa miq të tyre që kishin erdhur nga Australia. I them Fatmirit që kam dëshirë të shkoj në fshatin Sul, pasi dua të njoh pasardhësit e gjyshes sime nga babai.- Shkojmë megjithë qef, më tha Fatmiri. Pas një dite ai erdhi më mori me makinë dhe u nisëm për në Sul. Kishte vite që nuk kisha qënë në atë fshat. Aty kishim dy palë miq nga ana e babajt, fisin Pajo dhe Perona. Nga Peronat ishte gjyshja. Duke patur “ njolla” në biografi, te ky fis të parët e mi kishin qëndruar më larg, ose shkonin rrallë, niseshin në mbrëmje e ktheheshin herët në mëngjes që mos i shihte njeri. Pasi bëmë një shëtitje në kodrat mbi fshat për të fiksuar pamje të bukura, shkuam te vëllezrit, Hytbi dhe Fahri Perona. Biseduam gjatë për të parët tanë, për “ gardhet” që kishte vendosur regjimi pasi kishin qënë me Ballin Kombëtar dhe ishin shpallur kulakë pasi kishin shumë pasuri. Për të treguar peripecitë e tyre, duhet shkrim tjetër, prandaj po ndalem te njohja me Alida Blloshmin ( Perona), e cila
ishte martuar me Fahri Peronën.
Pasi dolëm nga familja e Hytbiut, qëndruam për t’i thënë “ mirupafshim” njerëzve të Fahriut. Aty na priti Alida. Në bisedë e sipër te obori i tyre nën tendën e rrushit, mësoj se ajo ishte motra e Vilson Blloshmit. E përqafova për së dyti dhe i thashë të më tregojë se çfarë mbante mënd për të vëllanë. ( Për dy poetët martirë, Vilson Blloshmin dhe Genc Lekën, është folur dhe shkruar shumë, por unë do ndalem te fjalët e Alidës, ku mund të ketë ndonjë përsëritje nga ato që janë shkruar.) Ajo më tregoi…
SAKRIFICAT E VILSONIT PËR TË MËSUAR DHE PËR TË BLERË LIBRA
“Qysh i vogël ai ishte i dhënë pas librave. Duke parë këtë dëshirë babai e dërgoi në Shkollën Pedagogjike të Elbasanit. Vazhdoi si i jashtëm pasi nuk i dhanë bursë sepse na kishin shpallur kulakë. Babai e sistemoi te një familje në Elbasan, duke i dhënë detyrimet kësaj familje. Vilsoni ndenji pak kohë aty. Pastaj iku dhe flinte te një bankë në shkollë. Lekët që i dërgonte babai i blinte libra. Nga që kursente lekët libra, ishte dobësuar shumë. Në shtëpinë tonë kishim dy dollapë të mëdhenj me libra. Familja jonë ishte e madhe, bëheshim rreth 20 vetë. Në darkë ne mblidheshim rreth Vilsonit e ai na fliste për shkrimtarët që kishte lrxuar, na lexonte pjesë nga librat dhe ne kënaqeshim. Me që ishte mirë me mësime, herë pas here në shtëpinë tonë vinin nxënës të shkollës Pedagogjike për t’i ndihmuar Vilsoni. Ata pastaj mernin nota të mira dhe e
falenderonin vëllanë. Pasi mbaroi shkollën, deshte të fillonte punë si mësues por nuk i dhanë punë. Për të larguar mërzitjen, i binte fyellit. E caktuan në punë të vështira, si në minierë, në sharra, në kooperativë, etj.”
ARESTIMI DHE TORTURAT QË IU BËNË
“Arestimi i tyre ishte përgatitur. Një ditë e njoftojnë se duhet të shkojë në zbor. Vilsoni i thotë se zborin e kishte bërë. Nëna e cila kishte hall mos pësonte gjë po mos shkonte, i përgatiti
ushqim dhe i tha: “Shko bir i nënës, shko në zbor.“ U nisën bashkë me një fshatar tjetër. Kjo ishte sajuar për mos rënë në sy që kishin thirrur vetëm Vilsonin. Duke ikur për në zbor, e arestojnë në Qukës dhe e futin në një gas. Fshatarin tjetër e lanë të lirë. E mbajtën një vit në hetuesi. Aty e kishin torturuar dhe i kishin thyer njërin krah si dhe dëmtime të tjera. Kur shkonim për t’i çuar ushqime dhe për t’i marrë rrobat për t’i larë, ato ishin gjithë gjak. Nëna i lante dhe qante. Më në fund i bënë gjyqin dhe Gjykata e Librazhdit e dënoi me vdekje.
Dënimi ishte vendosur me kohë nga lart. Një ditë vjen në shtëpinë tonë një polic dhe i thotë nënës se Vilsoni dhe Genci do pushkatohen. Nënës i ra të fikët. Me shpresë se mund t’i falej jeta, bashkë me nënën e Gencit shkuan në Tiranë në Presidiumin e Kuvendit Popullor si dhe te Nexhmije Hoxhapor i pritën me përçmim. Pasi mbriti aprovimi për pushkatim nga Gjykata e Lartë dhe Presidiumi i Kuerndit Popullor, më 17 korrik të vitit 1977 i pushkatuan në mesnatë në vendin e quajtur Përroi i Firarit. Kur korrej gruri, ata i futën në dhe’. I kishin lidhur të dy dhe i varrosën diku pranë një përoi ku kishte edhe një lis. Familjen tonë e internuan dhjetë vjet në Polis Mirakë.”
“PO TREGOVE, DO TË ZHDUKIM DERI NË SHTATË BREZA”
Duke vazhduar tregimin për Vilsonin dhe Gencin, Albina vazhdoi :“ Atë natë që u pushkatuan, një familjeje nga ajo zonë i kishin humbur dy bagëti. Për t’i kërkuar shkon gruaja e asaj shtëpie bashkë me një nga fëmijët. Kishin dëgjuar krismat dhe tok me fëmijën shkojnë te vëndi nga erdhën ato. Aty shohin dy trupat pasi nuk i kishin mbuluar mirë. Të nesërmen gruaja shkon në policinë e Librazhdit dhe i tregon për dy trupat që kishte parë.” Ikë!- i thanë dhe po tregove do të zhdukim deri në shtatë breza.” Iku gruaja e trembur dhe në fillim nuk trego, i por më vonë i kishte treguar familjes së Vilsonit se çfarë kishte parë.
***
“Trupat e tyre i nxorrëm në vitin 1991. Aty u gjet një plumb të cilin e kemi ruajtur. Çorapet nailon të Vilsonit nuk ishin tretur. U rivarrosën me nderime për të cilat është folur dhe shkruar. Për ta është është ngritur edhe një memorial në qytetin e Librazhdit.” Në fund të bisedës, Alida më tha: “ Prit një minutë.” Shkoi në dhomë e më solli 3 libra kushtuar Vilsonit e Gencit. “ Këtu i ke të gjitha”-më tha. E falenderova për këtë dhuratë të veçantë. Kur po ndaheshim më dha “ urdhër”: ”Këtë rradhë ndenje pak. Kur të vish herë tjetër do qëndrosh dy ditë te ne. Do rrish si te motra e si te vëllai jot.”
Për t’i mbyllur këto rradhë, po veçoj një frazë nga parathënia e Ismail Kadaresë nga libri “ Vilsoni dhe Genci” përgatitur aq bukur nga poeti Sadik Bejko:” Komunizmi ka rënë në Shqipëri, por jo pluhuri dhe duhma e tij.”
Boston, tetor, 2023